Pyetje: A e prishë agjërimin gjatë ramazanit apo jashtë ramazanit, marrja e injeksioneve në damar, muskuj apo mollaqe (vithe) gjatë agjërimit?!
Pëgjigje: Hamdin ia kushtojmë Allahut! Sa i përket marrjes së injeksioneve gjatë agjërimit në ramazan, themi se kjo mund të jetë në dy forma:
1) Që këto injeksione të jenë ushqyese, në kuptimin që mëpastaj nuk ka nevojë për hajë e pijë, e në këtë rast themi se këto lloj gjilpërash ta prishin agjërimin, ngase thënë ndryshe janë ushqim e pije.
2) Që këto të mos jenë ushqyese, e të këtillat nuk ta prishin agjërimin e as që kanë ndonjë ndikim negativ në të, e kur janë të kësaj natyre atëherë ska kurrfarë dallimi nëse ato gjilpëra janë intravenoze (në vena, damarë) apo intramuskulare.
Në rast se ka mundësi që këto gjilpëra të mirren gjatë natës, do të ishte kjo gjë shumë më mirë, duke pasë parasysh ndonjë rezervë në mos prishet agjërimi.
Shejh Ibën Bazi, -rahimehullah!-, (15/257) është pyetur për dispozitën e gjilpërave në damar dhe muskul gjatë kohës së agjërimit në muajin ramazan, a e prishë agjërimin?! Dhe ai u përgjigj siç vijon:
“Agjërimi është valid dhe i saktë, ngase injektimi në vena nuk i përket llojit të ushqimit a pijes, e kësisoj qëndron edhe puna e injektimit në muskul; Mirëpo, po ekzistoi mundësia që të lihet e të mos mirret gjatë ditës, gjegjësisht të mirret gjatës natës, do të ishte shumë më mirë, pra është më e sigurtë për t’i ikur hilafit në këtë çështje.”
Gjithashtu është pyetur Shejh Uthejmini në “Fetavas-Sijam” f. 220, për dispozitën e gjilpërave në muskul, venë apo mollaqe. Ai u përgjigj siç vijon:
“Injektimi në damar, muskul apo edhe mollaqe nuk ka kurrfarë problemi dhe nuk ia prishë agjëruesit agjërimin e tij, ngase këto nuk konsiderohen prishëse të agjërimit e as që përmbajnë ndonjë kuptim të këtillë, ngase këto nuk janë as hajë e as pije, e as që kanë domethënie të ushqimit e pijës. Pra, e kemi sqaruar edhe më parë se këto nuk ndikojnë negativisht, mirëpo vlen të potencohet se ato që ndikojnë, gjegjësisht prishin agjërimin janë injektimet që janë ushqyese, të cilat kanë asi ndikimi aq sa individi më nuk ka nevojë mëpastaj për hajë e pijë!”
Edhe “Komisioni i përhershëm për fetva dhe studime” (10/252) është pyetur për këtë çështje, përkatësisht a lejohet kurimi me anë të injektimit gjatë agjërimit në ramazan, pa marrë parasysh a është për mjekim apo për ushqim?! E u përgjigjën se: “Lejohet për agjëruesin të bëjë kurë nëpërmjet injektimit në muskul apo venë, porse nuk i lejohet t’i marrë injeksionet ushqyese gjatë kohës që agjëron, rrespektivisht e prishë kësisoj agjërimin, ngase merr dispozitën e marrjes së hajës e pijës, e që në këtë rast bëhet si dredhi e hile që të ushqehet gjatë ramazanit. Këshillojmë për rastin e injektimit joushqyes në damar e muskul, nëse ka mundësi të mirret gjatë natës, do kishte qenë më mirë!”.
Islam-QA, me nr. 49,706
Nga arabishtja: Mirsim Maliqi