Zemra, duke notuar në ujin e këtij muaji, etjen e shuan me adhurime dhe ndjehet falënderues pafundësisht duke e mbajtur Librin në duar. Me shpresën e faljes dhe me sinqeritetin e zemrës në faljen Tënde, e prita këtë muaj. Me shpirtin e njomë të mbushur nga lutjet drejtuar Ty po hyjë në ombrellën e kërkimit të faljes. Në errësirën e kësaj nate po e kërkoj dritën Tënde duke u përpjekur që nëpërmjet faljes ta gjejë rrugëdaljen.
Jam i zhytur në mëkate, mirëpo me zemrën e mbushur me dashuri ndaj Teje, i depërtoj shtigjet e jetës për ta synuar faljen Tënde.
Më fal mëkatin që bëra para këtij muaji dhe më bëj të dalë prej këtij muaji i pastër prej tij. Jam i vetëdijshëm për dobësinë time për të rrëshqitur në paudhë, por i bindur fuqishëm në fuqinë Tënde për ta falur çdo mëkat.
Dua të hap drynin e zemrës për t’i nxjerrë fshehtësitë që ndodhën në të duke pritur të marrë çelësin e faljes Sate me qëllim që ta mbyllë atë derë.
Më fal që e arrita këtë muaj siç nuk kisha dëshirë, megjithatë duke shpresuar ta kaloj siç dëshiron Ti. E dua faljen Tënde meqë dashuria për Ty më mësoi të të kërkoj falje dhe malli për Ty më bëri të kuptoj se i takoj botës tjetër. Mëkati që më mbylli në burgun e zemrës, më privoi syrin për ta parë thirrjen e shpëtimit.
Allahu im! Më lësho shiun pranveror të faljes për ta ngjallur thatësirën e vapës verore të mëkateve në zemrën time. Zemra e di peshën që mban, ndaj për ta hapur rrugën të hapërojë lirshëm, e pranon fajin që ka bërë duke e kërkuar faljen e Falësit. Zemra ime është e vogël për t’u mbrojtur nëse Ti nuk më mbron dhe është tepër e madhe për ta futur krejt dashurinë që ndien për Ty.
Më fal për gabimin e bërë nga padija dhe me dijen Tënde mbulomë me mëshirën Tënde. Dua ta hap këtë muaj duke qenë i mbyllur në veten time për ta përjetuar kënaqësinë e agjërimit nëpërmjet etjes dhe urisë. Përpjekja të arrijë atë që Ti e do, me gjithë pafuqinë time, fuqia Jote m’i lehtëson vështirësitë në rrugë. Lodhja duke u ngjitur në malin e agjërimit pushon në sofrën e iftarit buzë ujit. Allahu im! Dua që mëshira Jote ta mbulojë mëkatin tim dhe dua që udhëzimi Yt të më ndriçojë rrugën time.
Në zemrën time shtoje butësinë që të bëhet e vrazhdë ndaj mëkatit dhe në të ujite pemën e dashurisë që ta urrejë të keqën. Loti që mori udhë nëpër faqe e ngushëlloi zemrën që t’ia hap derën shpirtit që t’i shpreh kërkesat e veta. Dija për ta mundur mëkatin më nxit që ta përmend Allahun me qëllim që t’ia lehtësojë vetes angazhimin që ta fitojë ngacmimin. Drita Jote është një shenjë në rrugë për të ecur kah do zemra dhe për të shkuar kah është e kënaqur madhëria Jote.
Më fal që një lumë mëkatesh më rënduan jetën, por shpresoj në oqeanin Tënd të faljes mbi mua. Ashtu sikurse goma që i fshin gabimet e lapsit në letër, të lutem Allahu im, m’i fal mëkatet e mia në zemër. Më mirë dua të jetoj i verbër duke mos parë se sa të kem sy e mos të mundem ta shoh dikë që dua. Arsyeja e jetës sime dua të ndërtohet në marrëdhënien time duke të adhuruar dhe raportin Tënd ndaj meje duke më falur. Të jam përulur në tokë duke i ngritur lutjet në qiell me shpresë që mëshira Jote të më qetësojë në rrugën time. Dua që ngjyrimi Yt i adhurimeve t’i jap kuptim përpjekjes sime me qëllim që të lodhem për ta fituar mëshirën Tënde që të më falësh.
Më fal që jam lodhur duke mëkatuar, dhe të lutem, më mundëso të pushojë duke Të adhuruar. Loti që e la syrin për të rrëshqitur nëpër faqe, në zemër e mori ngushëllimin për ta qetësuar shpirtin.
Dua që me emrin Tënd ta filloj kërkimin e faljes duke e kuptuar se madhëria Jote është edhe më e madhe në krahasim me mëkatet e shumta që më kanë mbuluar. Në këto ditë agjërimi dhe net adhurimi më streho afër mëshirës Sate dhe më frymëzo që më shumë të të kërkoj falje.
Allahu im! Duke qenë robi Yt në këtë tokë shpresoj të gjej faljen Tënde kur shpirti do ta nis udhëtimin drejt qiellit. Kur perdja e turpit më mbuloi si pasojë e mëkatit, drita e vetme që u ndez në zemër ishte shpresa në faljen Tënde. E pranoj gabimin, por nuk dua të jetoj si gabimtar dhe e shpreh faljen, meqë dua të jetoj i falur. Mos më sprovo me veprën që nuk është në shërbim të adhurimit, ngase e kuptoj se e kotë është lodhja për të. Më pastro zemrën nga mëkatet siç pastrohet ndyrësira me ujë, m’i mbulo mëkatet sikurse nata që e mbulon tokën dhe më mbroj nga mëkatet siç i ke mbrojtur të dërguarit e Tu nga rrëshqitja në to.
Më fal në këtë muaj dhe më fal nëse të kërkoj më shumë se sa e meritoj, e di që jam gabimtar dhe e pranoj gabimin e bërë. Dua të jetoj që Ti të jesh i kënaqur ndaj meje dhe unë dua që ta meritoj faljen Tënde duke i respektuar urdhrat e Tua.
Më fal…
Blerim Muhaxheri
P.S. Kushtuar dy vajzave tona, Anesa Muhaxheri dhe Erda Muhaxheri, të cilat e humbën jetën tragjikisht në aksidentin në Bullgari. Allahu im! Fali ato dhe të gjithë të tjerët! AMIN!