MES BESIMTARIT TË DOBISHËM DHE TË DËMSHËM

MES BESIMTARIT TË DOBISHËM DHE TË DËMSHËM

0 1611

Në analizën time modeste, do të ndalem tek besimtari. Besimi që ka besimtari është shumëllojtësh, si p.sh.: besimi tek puna, individi, çështja, karakteri, populli, partia, feja etj.

Do të ndalem tek besimi te feja. Këtu, besimi mund të jetë i verbër, i patundshëm, i pakufizuar, logjikues, argumentues, frymëzues etj. Ndërsa me termin besimtar ose fetar kuptojmë atë individ i cili beson në ekzistencën e Zotit si Krijues të Gjithësisë, beson në dogmat e fesë së tij dhe kryen ritet fetare që ka obligim.

Ndarja tjetër, të cilën e mendoj të nevojshme për kohët që po kalojmë është ndarja në besimtarë të dobishëm dhe të dëmshëm.

“Devotshmëri apo dobi” do të thotë ndjenjë e pastër dhe e zjarrtë nderimi, dashurie e besnikërie që ushqejmë ndaj dikujt a diçkaje, gatishmëri për të bërë gjithçka për të. Në rastin konkret i sjell të mira të pakufizuara besimit të tij fetar.

Së pari, besimtari i devotshëm mundohet të japë shembullin e tij jashtë institucionit dhe kornizave të xhamisë. Ai mundohet që sjelljen që ka në “shtëpinë” e Zotit, ta demonstrojë edhe në mjedisin e jashtëm shoqëror.

Së dyti, besimtari i dobishëm është një person, i cili nuk tregohet hipokrit me realitetin e jashtëm. Për ta konkretizuar do të thosha, se ai nuk e “shet” moralin e tij vetëm në rrugët e fshatit apo qytetit, porse i tillë është edhe në privatësinë e tij. Ai tregohet bujar dhe zemërgjerë me familjarët, të afërmit, miqtë dhe shokët.

Së treti, besimtari i dobishëm angazhohet të ndihmojë veten në mënyrë që të rrisë produktivitetin dhe rendimentin e tij. Pse jo, të punojë natë e ditë, që të jetë sa më profesional në fushën e tij të jetës, në mënyrë që e nesërmja ta gjejë më të dobishëm se e sotmja. Kështu, ai mund të vihet edhe në shërbim të komunitetit ku jeton dhe punon, duke treguar me dinjitet veten dhe karakterin. Mos harroni! Pjesë e rëndësishme e karakterit dhe personalitetit të individit është feja.

Së katërti, devocioni i një besimtari arrihet të shfaqet edhe nëse ai nuk shfaq humanizmin e tij përpara komunitetit. Ai kontribuon duke ndihmuar jetimët, të varfrit, të papunët, të moshuarit, studentët etj, duke mos u mburrur apo duke mos “belbëzuar” për ndihmën e dhënë. “Atë që e jep dora e djathtë, nuk shikon as e majta”.

“Humbje apo dëm” do të thotë humbje në mjete, në sende a në njerëz që pëson dikush, diçka që prishet tërësisht a pjesërisht, pra dëmtim. E keqe që i vjen dikujt a diçkaje nga një shkaktar i jashtëm a i brendshëm, nga një veprim a nga një gjendje e caktuar, pasojë e keqe. Në rastin konkret nga një besimtar i dëmshëm arrihet në fjalën e urtë shqipe: “Për një pe, për një gjilpërë, shkoi dëm një gunë e tërë.”

Së pari, më lejoni të kaloj drejtpërdrejtë tek pohimi i dëmit, që mund të shkaktojë një besimtar. Kryerja e riteve, prezantimi në publik si “dallkauk-shkallafat”, rrahja e verbër e mendimit, trashamanllëku dhe egoizmi, ngushtësia shpirtërore dhe ambicia e tepërt, kërshëria dhe hajdutllëku, makutëria dhe lëpirllëku deri në servilizëm janë dëmet më të pashoqe që një besimtar mund t’i sjelli komunitetit të tij fetar, komunitetit ku jeton, mjedisit social dhe mbarë shoqërisë së tij. “Një farë e mbirë në këtë mënyrë, dëmton gjithë të mbjellat (shoqërinë)”.

Së dyti, nëse nuk kultivojmë në mendjen e besimtarëve punën dhe arsimimin e nesërmja do të na gjejë dyfish më të ligë se e sotmja, pasi njohuritë dhe mjetet e informimit sa vijnë dhe shtohen çdo ditë. Me besimtarë që vetëm kryejnë ritet fetare dhe respektojnë nënë e babë, por që në jetën e tyre nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, dijeni mirë se jemi të mbaruar. Njerëz të tillë, mundet të na dërgojnë shumë kohë prapa “rrotën” e njerëzimit.

Së treti, një besimtar që merret me “shtëpinë” e tjetrit, ndërkohë që të tijën e ka të mbytur nga “pushteti” i ujit, ai nuk ka hair. Një besimtar i tillë, gjithë kohën e tij do të merret me gjërat e tjetrit, duke filluar që me emrin, që sipas mendjes së tij të “kalbëzuar” është qesharak dhe absurd. Besimtarë të tillë krijojnë hendeqe dhe konflikte artificiale, të cilat “de facto” krijojnë përçarje dhe diferencim të thellë.

Së fundmi, besimtari i dobishëm dhe ai i dëmshëm janë pjesë e komunitetit ku ne jetojmë. Sa përqindje zënë ata në këtë komunitet, do të ishte një pyetje e pavend. E vetmja gjë, e cila do ndihmonte komunitetin dhe zhvillimin social të jetës do të ishte nxitja e arsimimit të njerëzve, njëkohësisht udhëzimi për të dashur tjetrin. Hipokrizia dhe sipërfaqësia “engjëllore” duhet të ndahen njëherë e mirë nga jetët tona. Këto “shesin” tek tjetri gjoja mirësinë, por shpirti është i mbushur me fantazma, fantazma të cilat mbjellin urrejtje dhe frikë. Një frikë, e cila peripeciton në moslejimin e jetës normale të qytetit a vendit ku marrim frymë e jetojmë.

Autori është kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës – KSUSH