MOS E KONSIDERONI VETEN MË PAK TË RËNDËSISHËM

MOS E KONSIDERONI VETEN MË PAK TË RËNDËSISHËM

0 1022

Falënderimi i takon Allahut, xhel-le shanuhu, Atë gjithmonë dhe për çdo gjë e falënderojmë, salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, alejhi selam, mbi familjen e tij të zgjedhur, mbi shokët e tij të ndershëm dhe mbi gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e gjykimit. Vëllezër të nderuar dhe motra të respektuara muaji i Ramazanit është muaj i veçant. Allahu, xhel-le shanuhu, në të e zbriti Kuranin, shpalljen e fundit prej Allahut, subhanehu ve teala. Allahu, xhel-le shanuhu, në Kuran thotë: Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). (El Bekare, 185)

Në këtë muaj Allahu e bëri të ligjshëm agjerimin, na ka urdhëruar adhurime të shumta me të cilët i afrohemi Allahut, subhanehu ve teala. Ky është muaji në të cilin ne shfaqim dhe argumentojmë që kemi mundësi të jemi myslimanë më të mirë të jem më afër pranë Allahut. Ky është muaji i ndryshimit prandaj me shpresë që në këtë muaj do të bëjmë një hap përpara për të qenë më afër Allahut dhe më të mirë do ti përmendi disa hadithe dhe ajete nga Libri i Allahut me qëllim të dëshmojmë se jemi të rëndësishëm për vetën tonë.

Me të vërtetë jetojmë në një kohë në të cilën njerëzit më shumë interesohen dhe më shumë kujdesen për të tjerësh se sa për vetët e tyre. Allahu, xhel-le shanuhu, në Kuran na tregon që kemi detyrë ta ruajmë vetën dhe familjet tona nga zjarri i xhehenemit. Kjo do të thotë që prioriteti i çdo njeriut është të kujdeset për vetën e tij, të kujdeset për atë se si do del para Allahut, subhanehu ve teala, si do të jep llogari për çdo gjë që ka bërë, si do të përgjigjet në pyetjet që do ti parashtrohen. Allahu në Kuran thotë: Ndalini ata, se do të pyeten. (Es-Sâffât, 24) dhe ne do të pyetemi, por pyetja që parashtrohet sot para se të pyetemi në Ditën e gjykimit është a do të pyetemi dhe a do japim llogari për diçka që kanë bërë të tjerët. Përkundrazi ne të gjithë do të pyetemi dhe do të përgjigjemi për atë që e kemi bërë. Prandaj konsideroj që është koha që ne si besimtarë të kthjellemi, të kthehemi tek Allahu, subhanehu ve teala, dhe të kuptojmë që ajo të cilën Allahu e kërkon prej neve është që më shumë të angazhohemi reth vetes dhe më pak të mendojmë për të tjerët dhe për veprat e tyre. I Dërguari i Allahut, Muhamedi, sal-lallahu alejhi ve selem, thotë: Kush i ndjek mangësitë e vëllait, Allahu do ti ndjek mangësitë e tij deri sa ta turpëroje në mes të shtëpisë së tij. (Sahih El Xhamië). Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ne si besimtarë duhet të jemi të kujdesshëm, të mos mendojmë për atë se çfarë bëjnë të tjerët, si është raporti i tyre ndaj Zotit të tyre, Allahut, subhanehu ve teala. Ne duhet të kthehemi kah vetja jonë, të jemi të kujdesshëm dhe të ruajmë veten dhe familjet tona nga lajthitja drejtë të cilës i fton djalli i mallkuar, i cili mundon të na largon nga Allahu, xhel-le shanuhu ve xhel-le xhelaluhu. A do jesh ti o njeri ai që veten e konsideron më pak të rëndësishëm se sa dikë vjetër. Me të vërtetë ti ke përgjegjësi dhe Allahu do të të pyet në Ditën e gjykimit, çfarë ke bë me atë kohë që të është dhënë në këtë botë. A ke qenë prej atyre që i janë nënshtruar Allahut, a ke qenë i dëgjueshëm dhe i përulur para Zotit tënd apo je angazhuar dhe je interesuar për atë që nuk është çështja jote. Aje interesuar për historitë dhe sjelljet e njerëzve të tjerë. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve selam, në një hadith tjetër thotë: Prej bukurisë së Islamit të njeriut është braktisja e asaj që nuk e intereson. (Tirmidhi)

Bëhu ai që më së shumti kujdeset për gjendjen personale, për gjendjen e imanit të tij, gjendja e nënshtrimit të tij ndaj Allahut, subhanehu ve teala. Për atë do të merresh në pyetje. Disa herë e përsëris këtë Allahu, subhanehu ve teala, do të na merr në pyetje dhe do të përgjigjemi për atë që ne e kemi bërë, jo për atë që e kanë bërë tjerët. Hasan El Basriu, Allahu e dëshiroftë, thotë: Nëse dëshiron ta shohësh njeriun që Allahu e ka larguar prej vete, mendo dhe shiko me çka merret. Nëse merret me ibadetin e tij, me edukimin e vetes, me edukimin e familjes së tij, nëse e edukon veten me kthim kah Kurani, me kthim kah Suneti i të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, alejhi selam. Nëse e sheh duke mësuar dhe duke pas kujdes për veten dhe për sjelljen e tij, ai njëri është afër Allahut, xhel-le shanuhu, sepse e ka kuptuar thelbin dhe bërthamën e Islamit, detyrën që të gjithë e kemi obligim, ti nënshtrohemi Allahut, subhanehu ve teala. Nëse e shohim larg angazhimit me veten, nëse përcjell, mendon rreth, shikon dhe e ndjek atë që e bëjnë të tjerët, ai njeri është larg prej Allahut, suhanehu ve teala, ai njeri nuk është afër Allahut, xhel-le shanuhu. Njëri prej mufesirëve, komentuesve të njohur të Kuranin Abdur Rahman Sa’diu thotë: Nëse dëshiron të shohësh njeri që islamin e ka të keq, që është mysliman i keq, besimtarë i ligë, do ta shohësh tek ai që merret me dhe përcjell atë që e bëjnë të tjerët. Vërtetë ky është një shembull i keq. Besimtar i keq është ai që nuk mendon për vete, që nuk mendon për gjendjen e tij, nuk mundohet ta përmirëson veten, dhe mendon për ata për të cilët nuk do të japë llogari në Ditën e gjykimit. Kjo vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nuk do të thotë që ne nuk duhet të japim mund dhe ti thërrasim të tjerët kah e vërteta. Përkundrazi e kemi obligim që njerëzve t’ua ofrojmë atë që Zoti e kërkon prej neve, por kjo nuk do të thotë që ne do ta përcjellim edhe veprën e tyre më të vogël dhe të bëhemi sikur jemi përcjellësit e tyre, dhe te anashkalojmë veten dhe ti anashkalojmë familjet tona. Të bëhemi prej atyre që vazhdimisht janë të angazhuar, që përpiqen të janë më afër Allahut, subhanehu ve teala. Të mendojmë pak për imanin tonë, të mendojmë pak për bindjen tonë. A dimë të lexojmë Kuran apo nuk dimë, a e kemi lexuar ndonjë hadith të Profetit apo se kemi lexuar, fëmijëve tanë a ua kemi mësuar Kuranin, apo ua kemi lënë tjerëve që ti edukojnë dhe mësojnë fëmijët tanë? A jemi prej atyre që urdhërojnë për namaz që janë të sinqertë në namaz, të qëndrueshëm në namaz dhe në detyrat tjera ndaj Allahut, subhanehu ve teala. Shikoje veten, analizo gjendjen tënde dhe do të jesh prej atyre që janë të suksesshëm. Do të jeshprej atyre që Allahu u ka dhuruar lumturi në dynja dhe sukses dhe lumturi të amshueshme në ahiret. Nëse merresh me njerëzit e tjerë, dijetarët thonë se ajo do të shkakton zilinë hasetin në zemrën tënde, i cili ndoshta do të përfundoje me një vepër të shëmtuar, vepër të ligë që nuk e do Allahu. Për këtë shkak Ibën Kajjim El Xheuzijje, një prej dijetarëve të njohur duke komentuar hadithin që e citova, për bukurinë e islamit të njeriut që largohet nga ajo që nuk e intereson thotë: Ai është njeri i kujdesshëm dhe mundohet që të largohet të braktisë çdo gjë që nuk e intereson, pa marr parasysh a bëhet fjalë për bisedë, shikim apo gjendje, apo bëhet fjalë për çdo lloj të vepres që ka mundësi njeriu ta bëj. Për këtë shkak vëllezër të nderuar dhe motra të respektuara të bëhemi prej atyre që vetës së tyre ua kanë bërë me dije, që ne për vetën tonë jemi më të rëndësishëm. Kemi detyrë ta edukojmë vetën dhe ta përmirësojmë gjendjen tonë. Allahu, xhel-le shanuhu në Kuran thotë: Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve”. (Jûsuf, 90)

Allahu nuk do ta pakëson shpërblimin e atyre që janë bamirës, e kush është bamirësi i vërtetë? Ai që i bën ibadet Allahut, xhel-le shanuhu, ai që për vetën e tij është më i rëndësishëm, më me peshë. Të mos bëhemi prej atyre që kanë anashkaluar veten dhe merren me çështje që për ta janë dytësore, nuk kanë

rëndësi. Le të jemi ne dhe familjet tona për të cilët do japim llogari në Ditën e gjykimit prioritet, pika kryesore e përqendrimit dhe angazhimit tonë në këtë botë. Vetë ashtu do të korrim sukses vetëm ashtu do ti afrohemi Allahut, subhanehu ve teala, dhe vetë kështu në shoqërinë do të krijojmë klimë të solidaritetit të ndërsjellë, këshillimit të ndërsjellë. Ai njeri që nuk është i vetëdijshëm për dobësitë e tij nuk ka mundësi të njeh dobësitë e të tjerëve. Ai nuk do të jetë i sinqertë, nuk do të thërret, nuk do të orvatatet të përmisojë gjendjen e të tjerëve nëse nuk është i vetëdijshm për dobësitë që i ka. Për këtë shkak në fund të këtij shtjellimi të shkurtër, e lus Allahun, subhanehu ve teala, që t’na udhëzon në rrugën e drejtë, t’na jep mundësi të mendojmë për vetët tona, të përmirësojmë vetë gjendjen tonë dhe të kemi mundësi ti përmirësojmë edhe të tjerët. Ta edukojmë veten në mënyrën si i ka edukuar as’habët e tij i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve selem, ashtu që pasi që ishin një popull i poshtëruar ku sundonte injoranca, ku dominonte dhuna, ku kishte idhujtari, adhurim të idhujve dhe zotrave të rrejshëm, u bën një popull që përhap të vërtetën, drejtësinë, diturinë dhe u bën udhëheqës të botës në një kohë kur të gjithë njerëzit ishin larg prej udhëzimit të Allahut dhe prej udhëzimit me të cilin erdhi i Dërguari i Allahut, Muhamedi, sal-lallahu alejhi ve selem. Allahu ju shpërbleftë për vëmendjen.

Vesselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu

Dr. Amel Kurtishi

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 595