NDEJAT, RREGULLA DHE UDHËZIME

NDEJAT, RREGULLA DHE UDHËZIME

0 1749

Pasi që shumë shpesh na rastisë të ndodhemi nëpër ndeja të ndryshme, e pash të arsyeshme që të analizojmë këndvështrimin islam rreth kësaj çështje duke sjellur disa udhëzime e rregulla Në mënyrën se si duhet të sillemi.

Fillimisht duhet të cekim se të shkuarit mysafir për vizitë dhe mikpritja janë të lavdëruara në islam, bile në disa raste bëhet edhe obligim (vaxhib), sikurse për ngushllime për të vdekurit ndaj familjarëve dhe të afërmve posaçërisht kur kjo është prej traditës, si tek ne.

Dhe muslimani është obliguar t’a nderojë dhe respektoj mysafirin, kjo është prej cilësive të njerëzve të ndershëm. Në hadithin, të cilin e transmeton Ebu Hurejra, i dërguari sal-Allahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Kush beson në Allahun dhe ditën e Kijametit le t’a nderojë mysafirin”. Shënon Buhariu dhe Muslimi

Dhe kjo është edhe prej të drejtës së vizituesit, siç  e gjejmë në fjalën e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, drejtuar Abdullah ibn Amrit :”Me të vërtetë vizituesi yt ka të drejta ndaj teje”. Shënon Buhariu dhe Muslimi

Fillimisht nikoqiri duhet t’i mirëpret mysafirët me buzëqeshje dhe me fjalë të ngrohta me të cilat ai iu shpreh mirëseardhje.

Kur të hyjnë në mexhlis burrat, i  takon më të diturit dhe më të moshuarit të ulet në kryevend, si shenjë respekti.

Është prej sunetit që përshëndetja të jetë dorë për dore dhe jo duke u përqafuar, përveçse atëherë kur kthehet prej udhëtimit apo pas një ndarje të gjatë. Kjo është nga suneti dhe e preferuar, ngase në këtë përshëndetjë ka edhe mirësi të mëdha siç transmetohet se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: ”Nuk  ndodhë që dy musliman të takohen dhe të përshëndeten dorë për dore përveçse atyre u janë falur gjunahet”. Shënon Ebu Davudi dhe Shejh Albani e konsideron si të saktë

Dhe dihet se kjo ka qenë një traditë e njohur mes sahabëve siç transmeton Katadeh i cili pyeti Enesin, radij Allahu anhu: ”A ka qenë përshëndetja dorë për dore praktikë tek sahabët e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ?” Iu përgjigj: “Po!”. Shënon Buhariu

Padyshim se duhet pasur kujdes që në këto mexhlise të mos bëhet mëkat ndaj Allahut, azze ve xhel-l, duke hyrë në gibet, fyerje, bartje fjalësh, fjalë te kota e thashetheme, etj. Çdo person i cili flet diçka prej këtyre gjërave duhet t’iu tërhiqet vërejtja dhe të këshillohet ngase i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem : “Ai që sheh nga ju një gjë të keqe le t’a ndryshoj me dorën e tij, nëse nuk mundet atëherë me gjuhën e tij (me fjalë) e nëse nuk ka mundësi atëherë me zemrën e tij e kjo është shkalla më e ulët e besimit”. Shënon Muslimi

Secili që prezenton në ndejë duhet të kujtojë hadithin e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, të cilin e transmeton Ebu Hurejra: “Kush beson në Allahun dhe ditën e gjykimit le të fletë mirë apo le të heshtë!”  Ndërsa ai që dëshiron të flet duhet t’a përmirësoj nijetin sepse përmirësimi i nijetit është më i rëndësishëm se ajo çka flet, ngase është e njohur dhe është një realitet që vetëm fjalët të cilat dalin nga zemra arrijnë në zemër. Ka mundësi që një fjalë të ndikon më shumë se një libër, siç e potencon këtë dijetari Abdulaziz Tarifi. Dijetarët poashtu na kanë udhëzuar që  të kemi parasysh kur flasim të jemi të sigurtë që të folurit të jet më e dobishme sesa heshtja, përndryshe duhet të heshtë.

Hoxhallarët duhen t’a marrin përgjegjësinë që t’a këshillojnë xhematin dhe të flasin diç për Allahun dhe të dërguarin e Tij. Kjo nëse është prezent ndonjë hoxhë, e nëse nuk është aty ndonjë hoxhë, poashtu është shumë e pëlqyeshme që të përmendet Allahu dhe i dërguari (sal-Allahu alejhi ve sel-lem) në këto mexhlise me kusht që të mos flitet rreth fesë së Allahut pa dije, mirëpo përkujtime të dobishme rreth saj dhe gjërat të ngjajshme me to nuk duhen të lihen anash ngase i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem thotë,: “Nuk është ulur ndonjë popull me ndonjë ndejë (mexhlis) në të cilën nuk  përmendin Allahun e as nuk përshëndetin të dërguarin e tyre, sal-Allahu alejhi ve sel-lem , përveçse kjo do të jetë humbje dhe pendim për ata, e nëse don Ai i falë e nëse don i dënon.” Nga Ebu Hurejra, shënon Tirmidhiu

Është e vërtetuar nga i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, se ai kërkonte falje në vetëm një mexhlis 100 herë here, siç transmeton Abdullah Ibn Umeri, radij Allahu anhu,  i cili thotë: “I dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, kërkonte falje në një mexhlis 100 herë para se të ngrihej nga ai tubim, duke thënë: “O Zoti im më fal dhe ma prano pendimin sepse Ti je Pranues i  pendimit dhe Falës i madh”. Shënon Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh

Neve na takon që t’a ripërtrijmë këtë sunet të bukur.

Pastaj është mirë të ceket se, nikoqiri nuk duhet t’i pyes mysafirët se a dëshirojnë për të ngrënë diçka apo jo, porse ai vetëm ia ofron atyre pa i pytur. Kjo ka bazë në Kur’an kur Ibrahimi, alejhis selam, i ofroi mysafirëve të tij një viç të majmë (të pjekur) duke mos i pyetur ata fillimisht. Allahu në Kur’an thotë: “Dhe, pa u hetuar, ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli viç të majmë (të pjekur), e ua afroi atyre, e u tha: “A s’po hani?”. 26,27

Mysafiri duhet pastaj t’a thotë këtë lutje për nikoqirin i cili e nderoi me ushqim apo pije: “O Allahu im, ushqeje atë që më ushqeu mua dhe jepi të pijë atij që më dha të pi mua”. Shënon Muslimi

Poashtu mysafiri e bënë edhe këtë lutje për nikoqirin: “O Allahu im bekoji në atë që i ke furnizuar, falu mëkatet dhe mëshiroji ata.” Shënon Muslimi

Këtu ia vlenë të qartësohet çështja, që nëse ndodhë gjatë mexhlisit të hyjë dikush që gëzon autoritet dhe meriton të nderohet dhe respektohet, a duhet të ngrihemi në këmbë apo jo? Si duhet reaguar në këtë rast?

Fillimisht duhet qartësuar se kjo nuk është obligim, mirëpo konsiderohet prej moralit dhe sjelljes së lartë nëse është me qëllim që t’a respektosh dhe nderosh atë që hyn, t’a ofrosh tek vendi dhe t’a përshëndetësh, si p.sh. prindërit,të shtyerin në moshë apo ndonjë të ditur etj. ngase i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ngrihej në këmbë për bijen e tij Fatimen, për t’a mirëpritur dhe përshëndetur përzemërsisht kur ajo e vizitonte atë. Poashtu i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, i urdhëroi sahabët që të ngrihen në këmbë për Sa’d Ibn Muadhin kur u kthye pas gjykimit të benu Kurejdhas e poashtu Talha ibn Ubejdullah u ngritë në këmbë për Ka’b Ibn Malik duke qenë në mexhlisin e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, kur Ka’bi u përgëzua me falje dhe pranim të pendimit nga Allahu dhe për shkak mosdaljes në luftën e tebukut. Talha e përshëndeti, ia dha dorën dhe e përgëzoi dhe i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, nuk e qortoi atë për këtë gjest.

E ndaluar apo e urryer në këtë çështje është, të ngriturit për madhërimin e dikujt sikurse që ngrihen dhe çohen në këmbë tek jomuslimanët ata që janë rreth mbretit duke qëndruar në shenjë madhërimi, siç na ka mësuar i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem,  realitetin e atyre, prandaj i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, urdhëroi sahabët që të ulen kur ai u fal ulur.

Pastaj lloji i rastit tjetër në të cilin nuk bën të ngrihet njeriu është kur hyn dikush ose del dhe ky person ngrihet pa kurrfarë arsye, as nuk ngritet për ta përshëndetur e as për t’i folur, kjo nuk bën dhe është e urryer. Poashtu nuk lejohet nëse një person e kërkon që të ngriten të tjerët për të, si shenjë mendjemadhësie e duke parë veten më lartë se të tjerët.

Sahabët nuk jan ngritur në këmbë kur hynte  i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ngase ai e urrente atë dhe ata e dinin këtë. Pra nuk lejohet që ai person që hyn të kërkon këtë gjest nga të tjerët apo të ndiet i ofenduar nëse ata nuk ngrihen për të. I dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, thotë lidhur me këtë: ”Kush dëshiron që të tjerët të ngriten për të le t’ia përgatit vetes një vendulëse nga zjarri”.  Shënon Ebu Davudi dhe Ahmedi

Lidhur me këtë Gazaliu, rahimehullah, thotë: “Të ngriturit për madhërim është e urryer, ndërsa për mirësi dhe respekt e  nuk është e urryer”

Ndërsa dijetari i njohur imam Neveviu në librin e tij ‘El Edhkar’ thotë: “Sa i përket të nderuarit e atij që hyn duke u ngritur, ajo çka zgjedhim ne, është se kjo pëlqehet për atë i cili gëzon nderim të qartë, dhe kjo ngritje është si mirësi, nderë dhe respekt, jo si syefaqësi dhe për ta madhëruar”

Nuk ka të keqe nëse gjatë mexhlisit flitet edhe për atë që bënë dobi në dynja ose të kujtuarit e të kaluarës dhe tregimeve të pleqëve, prej të cilave mundet të përfitohet. Transmetohet nga Ibn Abbasi se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: ”Bereqeti është me të moshuarit e juaj”. Shënon Hakimi në Mustedrekun e tij

Sa i përket humorit dhe talljeve gjatë këtyre mexhileseve ato poashtu janë të lejuara mirëpo me disa kushte.

Fillimisht duhet patjetër të mos jet tallje me fenë e Allahut apo diçka prej saj si; mbulesa, mjekrra etj. ngase kjo është kufr i madh që të largon nga feja. Pastaj të mos jetë gënjeshtër, pra të  jetë e vërtetë, ngase i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem thotë: ”Mjerë për atë i cili i flet njerëzve dhe gënjen për t’i shtyer ata të qeshin, mjerë për të”. Shënon Ebu Davudi

Poashtu prej kushteve është të mos përqeshet apo të nënçmohet dikush prej të pranishmeve apo edhe të jopranishmeve ngase kjo hyn pastaj në gibet dhe nuk pranohet assesi. Allahu i lartësuar ne kur’anin famëlartë thotë:

 “O ju që keni besuar! Le të mos e përqeshin një popull atë tjetrin. Ndoshta ata të përqeshurit janë më të mirë se ata, e as gratë mos të përqeshin të tjerat. Ndoshta ato (të përqeshurat) janë më të mira se ato, dhe mos e nënçmoni njëri-tjetrin dhe mos e thirrni njëri-tjetrin me llagape (të këqia)! I shëmtuar është emri i keq pas besimit! E, ata që nuk pendohen, ata, me të vërtetë, janë zullumqarë. “. Huxhurat, 11

Komentatori i njohur Ibn Kethiri, rahimehullah,  lidhur me këtë thotë: “Qëllimi i ajetit është nënvlerësimi i tyre, apo ulja e tyre, apo të përqeshurit e tyre, e kjo është haram (e ndaluar) dhe konsiderohet prej cilësive të hipokritëve”

Poashtu prej kushtëve së lejueshmërisë së humorit është që të mos teprohet në të ngase kjo zvogëlon respektin dhe sasia e humorit në bisedë duhet të jetë sikurse kripa në ushqim. Poashtu, duhet të vendoset humori në vendin e duhur, pra, patjetër që të zgjidhet koha e përshtatshme. I është thënë  Sufjan Ibn Ujejnes, rahimehullah : ”Humori është denoncues” e ky iu përgjigj : “Jo ai është sunet, mirëpo për atë që di të bëjë këtë dhe i cili di vendin kur duhet bërë shaka”.

Si rezultat i humorit të tepërt është të qeshurit e tepërt e kjo e vdesë zemrën. I dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Mos qeshni shumë ngase të qeshurit e shumtë e vdesë zemrën”. Sahih el Xhami

Nëse ndodhë që gjatë mexhlisit të grinden dy veta atëherë më i miri prej tyre dhe që arrinë shpërblim të madh tek Allahu, është ai që ndalet dhe nuk vazhdon në të edhe nëse ka të drejtë. I dërguari, sal-Allahu alejhi  ve sel-lem,  ia garanton këtij nje palat në xhenet: “Un jam garantues i një shtëpie në fund  të xhenetit për atë që e len grindjen edhe në qoftëse është në të drejtë dhe një shtëpi në mes të xhenetit për atë i cili e braktisë gënjeshtrën edhe në qoftëse është tallje dhe një shtëpi në shkallën më të lartë në xhenet për atë i cili ka moral të mirë”. Shënon Ebu Davudi, hasen sipas Shejh Albanit

Më në fund para se të çohen nga mexhlisi është mirë të përkujtohen me leximin e surës Asr dhe të kërkohet leje nga nikoqiri. Nga suneti është të thuhet lutja të cilën na e transmeton Ebu Hurejra i cili thotë se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kush merr pjesë në një mexhlis në të cilin shtohen fjalët e kota dhe të pakuptimta pastaj thotë para se të ngritet nga ai mexhlis:

سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ، أَشْهَدُ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا أَنْتَ، أَسْتَغْفِرُكَ وَأَتُوبُ إِلَيْكَ

(I Lartësuar qofsh, o Allahu im, Ty të takon Falëndërimi: dëshmoj se nuk ka të adhuruar  tjetër përveç Teje; kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem)

Allahu ia ka falë ato gjatë atij mexhlisi”. Shënon Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Hibbani,Hakimi

Këto ishin disa rregulla dhe udhëzime të cilat na i ka mësuar i dërguari, sal-Allahu alejhi ve sel-lem, rreth kësaj teme dhe neve na takon t’a ndjekim sunetin e tij në mënyrë që të japin këto mexhlise frytat e tyre dhe të jenë të dobishme.

Lusim Allahun që të lëshoj bereqetin e Tij në ndejat tona dhe të na shton në ato harmoninë dhe dashurinë ndërvëllazërore. E lusim Allahun që të na bëjë mexhliset tona të dobishme ku përmendet Emri i Tij dhe në të cilat këshillohet për në të mirë! Allahu i vetëm është Ai që na frymëzon me vepra të mira dhe na udhëzon në ringjalljen e sunetit. Nga Allahu kërkojmë ndihmën dhe suksesin!

Përgatiti: Hoxhë Ardian Elezi

albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM