“NE TË MJAFTOJMË TY KUNDËR ATYRE QË TALLEN”

“NE TË MJAFTOJMË TY KUNDËR ATYRE QË TALLEN”

0 2186

Lavdi i takon Allahut dhe mjafton. Pastaj shpëtimi dhe bekimet e Tij qofshin për robërit që Ai i ka zgjedhur.

Ligj i Allahut lidhur me ata që e shqetësojnë të Dërguarin e Tij është që, nëse nuk i ndëshkon ata në këtë botë me duart e muslimanëve, Ai gjithsesi do ti ndëshkojë ata dhe do tu hakmerret duke i dalur në ndihmë të Dërguarit të Vet. Ngjarjet dhe ndodhitë që e konfirmojnë këtë nga biografia e të Dërguarit, por edhe nga historia e mëvonshme janë të shumta. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dhe ti kumto atë që të është urdhëruar dhe largohu prej mushrikëve. Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen.” (Hixhër, 94-95)


Ngjarja që ndodhi si shkak i zbritjes së ajetit në fjalë ku përshkruhet se si Allahu i shkatërroi tallësit dhe përqeshësit një nga një është e njohur dhe e kanë përmendur autorët e historisë dhe tefsirit. Sipas asaj që përmendet aty, ata ishin disa krerë të kurejshitëve: Velid b. Mugire, ‘As b. Vail, Esved b. Muttalib, Esved b. Abdijeguth dhe Harith b. Kajs.

I Dërguari i Allahut i shkroi letër dhe mesazh për thirrje në Islam Kisraut (perandorit të Persisë) dhe perandorit të Bizantit. Asnjëri prej të dyve nuk e pranoi Islamin. Mirëpo, perandori i Bizantit e pranoi letrën e të Dërguarit me nderime dhe e nderoi emisarin e tij, andaj pushteti i tij vazhdoi. Ibën Tejmijje në “Es-sarimul-meslul” thotë: “Thuhet se pushteti i tij vazhdoi deri në ditët e sotme.” Dhe vërtetë pasardhësit e tij e trashëgonin fronin pandërprerë deri në ato ditë.

Ndërsa Kisrau e shqeu letrën e të Dërguarit dhe e përqeshi atë. Pas një kohe shumë të shkurtër, Allahu e shkatërroi Kisraun dhe e shpartalloi pushtetin e tij. Pas kësaj perandoria e tij kurrë më nuk u ngrit. Kjo është, e Allahu e di më së miri, jetësim i fjalës së Allahut të Madhëruar: “E ai i cili të urren ty, mu ai është i përjashtuar (nga çdo e mirë).” (Keuther, 3) Pra, çdonjëri që e urren, nënçmon dhe armiqëson të Dërguarin e Allahut, Allahu do ta shkatërrojë dhe do t’ia shlyejë të gjitha gjurmët. Thuhet se ky ajet ka zbritur për shkak të ‘As b. Vailit, Ukbe b. Ebi Mu’itit apo Ka’b b. Eshrefit. Sidoqoftë që të tre janë shkatërruar në mënyrë shumë nënçmuese.

Prej fjalëve të përhapura e që gjithsesi e ka vërtetuar historia është fjala: “Mishi i dijetarëve është i helmuar.” Nëse kjo është kështu, atëherë ç’është me mishin e të Dërguarve? Në koleksionet autentike shënohet se i Dërguari ka thënë: “Ka thënë Allahu i Madhëruar: Kush e armiqëson një të dashur Timin, ai më ka shpallur luftë.” E si do të jetë puna me ata që armiqësojnë të Dërguarit e Allahut?!

O ti, që mundohesh të goditësh qiellin për ta copëtuar,

Ruaje kokën tënde, e mos të të dhimbset qielli.

Qëndrim i ehlus-sunnetit është që ai që i ofendon sahabet, e sidomos ata që janë shumë të njohur me vlerat dhe kontributin e tyre, të qenit e tij musliman është shumë i diskutueshëm. I këtilli duhet të ndalohet dhe të ndëshkohet. E kur kemi të bëjmë me të Dërguarit e Allahut, punë është edhe më e ndjeshme. Po kur kemi të bëjmë me Muhamedin, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!. “Ata që e ofendojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Allahu i ka mallkuar në këtë dhe në botën tjetër dhe për ta ka përgatitur ndëshkim poshtërues.” (Ahzab, 57)

Nëse studiohen rrëfimet e të Dërguarve në Kur’an do të vërehet se popujt e tyre u shkatërruan kur filluan ti ofendojnë të Dërguarit, kur u sollën keq me ta me fjalë apo vepra. Kësisoj ishin Benu Israilët, mbi të cilët ra nënçmimi dhe zemërimi i Allahut dhe assesi nuk u ndihmuan kur filluam ti vrasin të Dërguarit e Allahut pa të drejtë, krahas mosbesimit të tyre, ashtu si e ka përmendur Allahu në Librin e Tij: “Mbi ta është poshtërimi kudo që të jenë, përveç kur janë nën mbrojtjen e Allahut ose nga njerëzit. Ata kanë tërhequr mbi veten e tyre zemërimin e Allahut dhe mbi ta është vetëm shkatërrimi. Kjo ngaqë ata gjithnjë mohuan ajetet e Allahut dhe vranë pejgamberët padrejtësisht. Kjo ngaqë ata nuk iu bindën Allahut dhe gjithnjë tejkaluan kufijtë.” (Alu Imran, 112) ofenduesve dhe nënçmuesve të këtillë shumë u përshtatet fjala e poetit el-A’sha:

A nuk do të ndalesh së gdhenduri shkëmbin tonë

Assesi nuk do të dëmtosh derisa ecin devetë

Sikur ai që me brirë don ta vrasë rrasën e gurit që ta qajë

Asaj nuk i bëri asgjë por e theu bririn e mprehtë

Assesi mos u ul derisa i ke dhënë lëndë (djegëse)

Se do të vijë dita kur do të largohesh nga sherri i saj dhe do vajtosh.

Vetëm dëbimi i të Dërguarit nga vendi i vet është heqje e garancës për mbrojtje dhe meritim i ndëshkimit. Për këtë ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ata deshëm të të provokojnë për të të dëbuar ty nga vendi (yt) dhe me këtë rast ata do të mbeteshin pas teje (pa u ndëshkuar) vetëm pak qaste.” (Isra, 76) Nëse ky është ndëshkimi për dëbimin (e të Dërguarve) atëherë si do të ishte ndëshkimi i merituar për ofendimet, nënçmimet dhe përqeshjet? Madje, nuk ka mundësi të gjendet ndonjë njeri i cili ka përqeshur ndonjë të Dërguar, e që nëse nuk është penduar më vonë, të mos jetë goditur nga ndonjë katastrofë.

Shejhul-Islam ibën Tejmijje, pasi që e përmend hadithin e Enes b. Malikut thotë: “Një njeri që kishte qenë i krishterë e e kishte pranuar Islamin dhe i kishte mësuar kaptinat El-Bekare dhe Alu Imran. Ai ishte bërë edhe shkruesi (qatib) i të Dërguarit. Më vonë ai renegoi dhe u kthye në krishterim. Thoshte: Muhamedi nuk di asgjë përveç asaj që i kam shkruar unë. Pas një kohe, Allahu ia mori shpirtin dhe e varrosën. Kur gdhinë në mëngjes e panë se toka e kishte nxjerrë jashtë dhe thanë: Këtë e kanë bërë Muhamedi dhe shokët e tij pasi që ky iku prej tyre, ata e hapën varrin e tij dhe e nxorën jashtë. Pastaj ia hapën një varr edhe më të thellë e e varrosën por kur gdhinë në mëngjes e panë se toka e kishte nxjerrë jashtë. Me këtë rast e kuptuan se ky nuk ishte veprim i njerëzve dhe e hodhën në një greminë. Kjo ngjarje është e shënuar në mënyrë autentike tek Buhariu dhe të tjerët.

Ibën Tejmijje duke e komentuar këtë ngjarje thotë: “Kjo ndodhi e jashtëzakonshme dëshmon se ky ishte ndëshkimi i tij për atë që pat deklaruar ai njeri, ngase gënjente dhe se të tjerëve nuk u ndodhte një gjë e tillë. Krimi i këtij ishte më i madh sesa vet renegimi dhe shumë renegatë vdiqën e nuk u ndodhi një gjë e tillë. Allahu u hakmor për të Dërguarin e Vet nga ai që e ofendoi dhe e shau, e bëri të triumfojë feja e Tij kundër atyre që gënjejnë dhe shpifin edhe nëse njerëzit nuk kanë mundësi ti sanksionojnë në mënyrën e merituar. Ngjashëm me këtë është ajo që na kanë rrëfyer shumë herë njerëzit e mirë dhe të ditur lidhur me eksperiencën e tyre rreth rrethimit dhe marrjes së kështjellave dhe qyteteve bregdetare të Shamit. Kur muslimanët i rrethuan bizantinët në kohën tonë thonin: E mbanim një kështjellë apo një qytet nën rrethim një muaj apo më tepër dhe nuk mund ta merrnim sa që gati i humbnim të gjitha shpresat. Por, kur në një moment banorët e atyre vendeve fillonin të shanin dhe ofendonin të Dërguarin e Allahut, shumë shpejt dhe lehtë e merrnim atë vend brenda një apo dy ditëve, apo edhe më shkurtë. Atyre edhe u ndodhte ndonjë katastrofë e madhe. Kur i dëgjonim duke folur ashtu kundër tij (të Dërguarit) na vinte shumë rëndë dhe pikëlloheshim por njëkohësisht e dinim se fitorja jonë kundër tyre është shumë afër. Kështu diçka më ka rrëfyer edhe një njeri i besueshëm lidhur me raportin e muslimanëve të Magribit me të krishterët. Ligj i Allahut është që armiqtë e Vet ndonjëherë ti ndëshkojë me ndëshkim të drejtpërdrejtë prej Tij, e ndonjëherë me duart e besimtarëve. Një gjë e tillë na është transmetuar nga shumë ndodhi.”

Ai që Flet më së drejti, qoftë i Lartësuar, tregon se si e merr përsipër asgjësimin e të keqes së këtyre: “Thoni: E besuam Allahun dhe atë që na u shpall neve si dhe atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, pasardhësve, si dhe atë që i është dhënë Musaut, Isaut dhe të Dërguarve prej Zotit të tyre. Ne nuk e veçojmë asnjërin prej tyre dhe Atij i jemi nënshtruar. Nëse besojnë në atë që besoni ju, ata janë të udhëzuar, e nëse e kthejnë shpinën do të jenë në përçarje. Allahu do të të mjaftojë ty kundrejt tyre. Ai është Dëgjuesi, i Dituri.” (Bekare, 136-137)

Sa i madh është dallimi në mes të pasuesve të devotshëm dhe të pastër të Islamit të cilët i besojnë të gjithë të Dërguarit e Allahut, i respektojnë dhe nderojnë ata dhe të tjerëve të cilët i trajtuan ata me armiqësi herët dhe vonë dhe këtë në mënyrë të trashëguar.

Nuk ka dyshim se liderët e vendeve që kanë qëndrim mospërfillës ndaj mendjelehtëve të tyre që i nënçmojnë dhe ofendojnë të Dërguarit e Allahut nuk mund të jenë të pa kritikuar. Allahu i ka shkatërruar vendbanimet mizore dhe keqbërëse vetëm pse ishin të këtillë, e s’do mend se mizoria më e madhe është qëndrimi armiqësor ndaj të Dërguarve dhe ofendimi i tyre, ngase kjo është kundër të gjitha ligjeve qiellore, ashtu si është shkelje edhe e ligjeve të venduara në tokë nga vet jomyslimanët. Shtetet perëndimore nëse nuk e kultivojnë parimin e drejtësisë do ti rrënojnë shumë shtylla të qëndrueshmërisë së tyre. Ofendimi që disa perëndimorë i bëjnë të Dërguarit të Allahut është indikator shumë serioz i fillimit të shkatërrimit dhe perëndimit të diellit të civilizimit të tyre, ngase ata nuk u trimëruan për të ndërmarrë këtë hap përveçse kur e humbën logjikën dhe mohuan të gjitha argumentet. Madje, të gjitha argumentet e parashtruara nga muslimanët përballë tyre ishin shumë të pamohueshme, kështu që nuk gjetën mjet për t’iu kundërvënë atyre përveçse duke dalë në terrenin e fyerjeve dhe ofendimeve dhe publikuar kështu botërisht mllefin e tyre dhe urrejtjen që deponojnë në zemrat e tyre ndaj muslimanëve. Mirëpo, nuk e patën parasysh se me këtë tregojnë paaftësinë e tyre intelektuale dhe logjike për të paraqitur argumentet dhe faktet dhe debatimin me dituri, logjikë dhe paanshmëri. Kur civilizimi i tyre shpirtëror u përkul para civilizimit islam, ata zgjodhën rrugën e përqeshjes, nënçmimit dhe sharjes.

ثshtë për tu habitur që disa të mençur në disa shtete i justifikojnë të marrët me lirinë e shprehjes, derisa qëndrimi i tyre ndaj antisemitizmit është diametralisht i kundërt. Mjafton si shembull për këtë raporti i fundit amerikan që flet për liritë e njeriut i cili dënon fuqishëm një rast të manifestimit të antisemitizmit mu në Danimarkë, duke kritikuar angazhimin e zbehtë në nivel qeveritar në këtë drejtim, derisa në anën tjetër shihet një mospërfillje shumë diskriminuese ndaj muslimanëve dhe ndodhive të nënçmimit të Islamit dhe të Dërguarit, që kohëve të fundit kanë ndodhur shpeshherë mu në atë vend.

Nga këtu del në shesh se çështja e demokracisë, lirive të njeriut posaçërisht atyre fetare dhe të besimit si dhe konventave ndërkombëtare (për promovimin dhe respektimin e të cilave trumbetojnë ata) është çështje e standardeve të shumëfishta tek ata. Kriteri kryesor në këtë rast është që e vërteta dhe e drejta doemos duhet të jetë në anën e besimit, fesë dhe kulturës së tyre. Kur kjo të bëhet e qartë, le të dihet së është obligim i patjetërsueshëm i muslimanëve që të dalin në mbrojtje të nderit dhe autoritetit të të Dërguarit të tyre me krejt çka u lejojnë mundësitë praktike dhe teorike. Ndërsa keqbërësi duhet të jap llogari dhe të sanksionohet në mënyrë meritore. Allahu i Madhëruar thotë: “Ta besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ta përkrahni dhe respektoni atë dhe ta madhëroni Allahun në mëngjes dhe mbrëmje.” (Fet’h, 9) Dhe thotë: “Nëse ju i ndihmoni atij (të Dërguarit) dijeni se edhe Allahu i ka ndihmuar…” (Teube, 40)

Disa lëshime të dukshme që kanë ndodhur prej disa muslimanëve vërehen në mosangazhimin e tyre për ti dalë në mbrojtje të Dërguarit të Allahut edhe pse në anën tjetër i sheh manifestimet e ndryshme ku marrin pjesë shumë njerëz (mevlude, e të ngjashme) me pretendim të dashurisë ndaj tij. Athua, ato grupe të mëdha njerëzish, që shpeshherë i akuzojnë të tjerët me mosdashuri ndaj të Dërguarit, a e shprehën drejtë dashurinë e tyre ndaj tij? A janë korrekt ndaj të Dërguarit ata të cilët, duke shprehur servilitet ndaj perëndimit, nuk shprehin më shumë se ofendimi i të Dërguarit është një gjë që nuk duhet të kishte ndodhur, ngase nuk është mirë të flitet për të vdekurit?! A është kjo qasje e drejtë ndaj problemit? A janë këto përmasat reale të këtij problemi tek muslimanët? Sikur të ofendohej ndonjë mbret, pushtetar apo president shteti a do të mbeteshin raportet e shtetit të ofenduar me shtetin ofendues normale publikisht me pretekst të lirisë së shprehjes? A është e pranueshme për myslimanin që një shtet islam të ndërpresë marrëdhëniet e tij me një shtet tjetër jomysliman për çështje shumë të thjeshta dhe probleme margjinale derisa i njëjti shtet nuk bën asgjë për të mbrojtur nderin dhe autoritetin e të Dërguarit të këtij ummeti?

Mbrojtja e nderit të të Dërguarit të Allahut dhe ndëshkimi i keqbërësve ishte praktikë e sahabeve dhe gjeneratave të para të muslimanëve dhe atë më fjalë dhe vepra, e nganjëherë me të dyjat. Ka raste kur individë prej tyre kanë sakrifikuar edhe jetën për këtë arsye, edhe pse themi se sot një gjë e tillë nuk është e kërkuar prej myslimanit, i cili mund të heshtë nëse nuk ka kurrfarë mundësie veprimi. Ngjarja e Ammar b. Jasirit, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe zbritja e ajetit: “Përveç atij i cili detyrohet ndërsa zemrën e ka stabile në besim…” është dëshmi për këtë. Gjithashtu hadithi që e transmeton Xhabiri ku tregohet se Muhamed b. Mesleme e ka vrarë Kab b. Eshrefin dëshmon gjithashtu, si edhe shumë transmetime të njohura tek dijetarët.

Ai që është i dobët dhe i pafuqishëm mos të dëshpërohet dhe le ta dijë se Allahu gjithsesi do të hakmerret për të Dërguarin e Vet dhe krimineli edhe pse i duket se është duke shpëtuar në këtë botë assesi mos të mendojë se nuk do të realizohet mbi të ligji i Allahut, ngase:

Pas tij vie një ditë e vështirë, e tmerrshme

E keqja e saj është shumë me përmasa të gjëra për keqbërësit.

A nuk është mjaft që i këtilli të vdesë duke qenë se gjuhët e një miliard muslimanëve e mallkojnë deri në Ditën e Kiametit, ngase muslimanët disa gjëra i harrojnë dhe i falin por kurrë nuk ia falin atij që e ofendon të Dërguarin e tyre, edhe nëse, duke kërkuar mëshirë kapet për mbulojën e Qabes. Kjo, posaçërisht pas vdekjes së tij, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, e historia është dëshmitari më i mirë i kësaj.

Allahun e lus që të ndihmojë të Dërguarin e Vet, të ngrisë islamin dhe muslimanët. Ai ka mundësi ta bëjë këtë dhe t’u përgjigjet lutjeve. Paqja, bekimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

prof. Dr. Nasir Sulejman el-Umer

marrë nga: almoslim.com

Burimi; albislam.com

Përktheu: Ekrem B. Avdiu

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 588