Pyetje: hoxhë i nderuar kam një pyetje për ty nëse ke kohë të më përgjigjesh. Kam qenë në …. këtë pranverë herët diku në muajin mars, aty ka pas një ligjëratë në Shtëpinë e Kulturës nga një hoxhë dhe në atë ligjëratë kanë qenë shumë hoxhallarë dhe nga imami kryesor dëgjova diçka që sa kam dëgjuar kurrë: në një xhami ishte një shishe e qelqit e mbyllur dhe në të kishte një qime floku e Pjgamberit dhe sipas tij ruhet me shumë kujdes dhe njëherë në vit nxirret para xhamisë dhe besimtarët shkojnë e vizitojnë atë shishe me qime dhe lejohet nga njerëzit që ta prekin ose ta puthin varësisht nga dëshira e tyre. Desha me e ditë çka është puna e këtij veprimi, a është në rregull kjo apo është risi në fe apo siç na keni mësuar ju është bidat kjo punë, kam dëshirë një përgjigje?!
Përgjigje: bismilahirrahmani rrahim, elhamdulilah:
Të gjithë dijetarët e Fesë Islame janë të pajtimit se lejohet Teberrruku (marrja e bekimit) nga gjërat e të Dërguarit, salallahu alejhi ve selem, qofshin ato flokët e tij, rrobat, shtrojat, gjaku etj. Për këtë ka shumë argumente, po përmendi një hadith që është në sahih Muslim, i përcjellë nga Enes iben Maliku: “Kur i Dërguari hodhi guralecët dhe preu kurbanin, berberi ia rroi flokët, kapi njërën anë të flokëve te tij, i rroi, pastaj i Dërguari thërriti Ebu Talhan dhe ia dha (flokët), pastaj kapi anën tjetër të flokëve, berberi ia rroi, pastaj i Dërguari ia dha sërish Ebu Talhes dhe i tha: shpërndajua njerëzve!” Ky hadith si dhe shumë të tjerë tregojnë se qenia e të Dërguarit dhe ajo që del prej tij është e bekuar dhe Allahu i madhëruar dhuron mirësi nëpërmjet tyre, prandaj besimtarët mund të përfitojnë nga ato mu ashtu siç vepronin sahabët, radijallahu anhum, me ujin e avdesit, me pështymen, këlbazin, gjakun e të Dërguarit. Mirëpo duhet t’i kemi parasysh dy gjëra:
E para: Teberruku nuk lejohet me askënd tjetër pas të Dërguarit dhe po të ishte e lejuar këtë do ta bënin besimtarët me Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin, Aliun dhe sahabët tjerë të devotshëm, mirëpo një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Prandaj nëse sheh dikë duke tentuar të merr bekim nga dikush prej njerëzve të devotshëm atëherë dije se ose është injorant ose bidatxhi.
E dyta: qimja për të cilën ke pyetur, sikur të kishim argumente të prera se është e të Dërguarit me siguri që do ishte e lejuar të merrnim bekim prej saj, mirëpo problemi qëndron aty se këto gjëra janë të pavërtetuara, jo vetëm në vendin ku ke dëgjuar për të por kudo nëpër vende islame, prandaj dijetarët këshillojnë që të mos mashtrohemi me gjëra të tilla, të pavërtetuara dhe të largohemi prej tyre sepse janë bërë karakteristikë e ithtarëve të bidatit. Lidhur me këtë shejh Albani në librin e tij “Tevesul” thotë: “dihet mirëfilli se gjurmët e të Dërguarit, rrobat, flokët dhe tepricat e tij janë humbur dhe asnjëri nuk mundet që në mënyrë të prerë dhe bindshëm të pohojë ekzistimin e tyre”