NGRITJA E ISAIT, ALEJHI SELAM

NGRITJA E ISAIT, ALEJHI SELAM

0 12508

Tregimi Kuranor për ngritjen e robit dhe të dërguarit të Allahut, Isait, alejhi selam, është përmendur në dy ajete; i pari është fjala e Allahut: “(Kujtoje, o Muhammed!) kur Allahu tha: “O Isa! Unë do të marr ty dhe do të ngris pranë vetes dhe do të shpëtojë nga ata që nuk besojnë, dhe do t’i bëj ata që të ndjekin ty, për mbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kijametit. Pastaj, do të ktheheni tek Unë, e do të gjykoj në mes jush për çështjet që jeni grindur.” Ali Imran, 55.

Dijetarët kanë dy thënie rreth kuptimit të fjalës së Allahut: “Unë do të marr ty.”

Mendimi i shumicës së dijetarëve rreth fjalës së Allahut është për qëllim: të marr prej tokës, të ngris në qiell me trup dhe shpirt, për të plotësuar pjesën e jetës atje.

Mendimi i disa dijetarëve tjerë është se qëllimi i fjalës së Allahut: “Unë do të marr ty.” Të marr shpirtin, e të ngris pozitën dhe shpirtin tënd ku Unë të nderoj, në vendin e melaqeve, ashtu siç ngriten shpirtrat e pejgamberëve.

Ajeti Kuranor flet për një aspekt të dinjitetit të Isait, alejhi selam, dhe u sqaron njerëzve shpërblimin e besimtarëve dhe shpërblimin e jobesimtarëve ditën e Kiametit, që të përqendrohen në udhëzim dhe të marrin rrugën që i shpien ata deri tek Zoti i tyre.

Ajeti i dytë i cili vërteton ngritjen e Isait, alejhi selam, fjala e Allahut: “edhe për shkak të mohimit të tyre edhe për shkak të fjalës së tyre – akuzave të mëdha kundër Merjemes. Dhe për fjalët e tyre: “Na kemi mbytë Mesihun – Isain të birin e Merjemes, Pejgamberin e Allahut”. Por, ata as nuk e kanë mbytur as nuk e kanë varë, por iu ka përngja atyre (një person). Ata që bënë polemikë për çështjen e tij, ata me siguri gjenden në dyshim përr të, (Isain). Ata nuk kanë ditur kurrgjë për te, por vetëm u janë mbështetur supozimeve. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë mbytur, por, Allahu e ka ngritur pranë Vetes (në një vend që nuk e arrijnë njerëzit). Se Allahu, është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” Nisa, 156-158.

Ky ajet flet për ndyrësirat me të cilat Allahu i përshkroi zullumqarët nga beni israilët, prej tyre; gënjeshtrën mbi Merjemen, nënën e Isait, alejha selam, dhe për pretendimin e tyre kinse kanë mbytur Isain, alejhi selam. Kjo thënie e tyre edhe pse është në kundërshtim me të vërtetën dhe realitetin, pos që ata vërtetë kanë synuar vrasjen e tij, morrën të gjitha metodat për të realizuar qëllimin e tyre të poshtër, kështu që ata e përçmuan atë tek romakët, e përshkruan atë si gënjeshtar, e magjistar, u munduan që ta dorëzojnë tek armiqt e tij, që ata ta kryqëzojnë, dhe kështu vërtetë ndodhi ata e dorëzuan atë, por Allahu prishi synimin e tyre, çoi kot dinakëritë e tyre, ndërhyri mes tyre dhe dëshirës së tyre, pasi që shpëtoi Isain nga sherri që kishin përgatitur, e ngriti atë tek Ai, pa mos e prekur asnjë e keqe.

Elusi, Allahu e mëshiroftë, ka shënuar fjalën e ibn Abasit, radijAllahu anhu, i cili ka thënë: “Kur mbreti i beni israilëve dëshiroi të vras Isain, alejhi selam, hyri për një dere –një hyrje mes dy shtëpive ku nuk vëndohet derë-, aty ishte një skutë. Mbreti i tha një personi të prishur; hyr dhe mbyte. Ai hyri, e Allahu nxorri një njeri të ngjashëm me Isain, alejhi selam, i cili doli t’u tregon se ai nuk është në shtëpi, ata e mbytën dhe e kryqëzuan, duke menduar se është Isai.

Gjithashtu Elusi ka shënuar nga Vehbi, thënien e tij: “e burgosën, e më pas e ngritën një shtyllë druri që ta kryqëzojnë, në atë moment toka u errësua, dhe Allahu dërgoi melaqet, të cilët ndërhynë mes tij dhe atyre, e morrën një njeri i cili quhej: Jehuda, ky ishte ai i cili u tregoi se ku ndodhej Isai, dhe atë se atë natë Isai kishte tubuar havarijunët, i këshilloi dhe u tha: Njëri prej jush do më mohon mua para se të këndon gjeli, e do më shet me pak dirhem. Kështu ata dolën dhe u ndanë. Ndërsa çifutët po e kërkonin, dhe ashtu ndodhi kur njëri prej havarijunëve erdhi tek ata e u tha: Çfarë vendosni për mua nëse unë u tregoj se ku ndodhet? E ata i dhanë tridhjetë dirhem, e morrën dhe ai i dërgoi tek ai, e Allahu i dha atij përngjasim me Isain, ai u fut në shtëpi, e Isai u ngrit, e u tha atyre: Unë jam ai që u tregova rrugën deri tek Isai. Por, ata nuk i vënë re asaj që ai thoshte, e kryqëzuan duke menduar se është Isai.

Ibn Kethiri transmeton  nga ibn Abasi, radijAllahu anhuma, i cili ka thënë: “Kur Allahu dëshiroi ta ngirt Isain në qiell, doli (Isai, alejhi selam) tek shokët e tij, – në shtëpi ishin dymbëdhjet persona nga havarijunët – që nënkupton: Doli tek ata përmes një skute të shtëpisë, në kokën të tij po pikonte ujë, u tha: Prej jush ka një person që do më mohon mua dymbëdhjetë herë, pasi që të më ketë besuar, pastaj u tha: Cili prej jush dëshironi që të përngjasohet me mua, e të vritet në vend timin, e të jetë me mua në të njejtën pozitë? U ngrit një i ri, në moshë më të re prej gjithë atyre, e tha: Unë! Tha: Ti je ai. Më pas ua përsriti të njëjtën. U ngrit ai i riu. I tha: Ulu. Më pas ua përsëriti, u ngrit i riu e tha: Unë. Tha: Ti je ai. E kështu iu dha atij përngjasim me Isain. E ai (Isau) u ngrit prej një dritare të vogël deri në qiell. Më pas erdh nga çifutët kërkimi për Isain, alejhi selam, e morrën atë që i ngjasonte, e mbytën dhe e kryqëzuan, më pas disa prej tyre dymbëdhjetë herë e mohuan (bënë kufër), pasi që kishin besuar në të. Ata u ndanë në tre grupe, një grup tha: Ishte Allahu tek ne, për aq sa Ai dëshiroi, e më pas u ngrit në qiell, këta quhet Jakubijtë. Grupi i dytë thanë: ishte tek ne i biri i Zotit, për aq sa dëshiroi e më pas Allahu e ngriti në qiell, këta janë Nesturijtë. Dhe grupi i fundit thanë: Ishte tek ne një rob dhe i dërguar i Allahut, për aq sa dëshiroi, e më pas Allahu e ngriti atë në qiell, këta janë muslimanët. Dy grupet jobesimtare demonstruan kundër muslimanëve, dhe i mbytën, dhe kështu islami mbeti i shtypur derisa Allahu dërgoi Muhamedin, sal-Allahu alejhi ve selem.”

Ibn Kethiri ka thënë: “Ky zingjir i transmetimit është i vërtetë deri tek ibn Abasi.

Ithtarët e Librit ranë në mospajtime të mëdha për Isain, alejhi selam, prej tyre që pretenduan se ai është i bir i Zotit, dhe pretenduan se tek Isau ka virtyte hyjnore me virtyte njerëzore. Dhe se atë që e lindi Merjemja është virtyti njerëzor, e më pas u frymëzua me virtytin hyjnor. E prej tyre ka që thanë: Merjemja lindi që të dy virtytet së bashku. Që të dy thëniet i ka përgënjshetruar Kurani Famëlartë, dhe konfirmoi se Isai, alejhi selam, është rob dhe i dërguari i Allahut.

Më pas, ata ranë në mospajtim për vrasjen e tij, disa nga çifutët thanë: Ai ka qenë gënjeshtar, dhe ne realisht e kemi mbytyr atë. Të tjerët u hamendën, e thanë: Nëse i vrari është Isau, atëherë ku është shoku ynë? E nëse shoku ynë është i vrarë, atëherë ku është Isau? Çifutë pretenduan se kishin mbytur Isain, alejhi selam. Ky pretendim i tyre është sa më i largët që mundet nga e vërteta dhe e sakta; për arsye se e vërteta e bindshme rreth kësaj çështje është se ata nuk e vranë, sepse Allahu e shpëtoi nga kurthet e tyre, dhe e ngriti atë. Kjo është ajo që duhet besuar, bazuar në tekstet e Kuranit, e që është se Isai, alejhi selam nuk është mbytur, e as që është kryqëzuar, por Allahu e ngriti atë, e shpëtoi nga kurthet e armiqve, ndërsa ai i cili i vra dhe u kryqëzua është një person tjetër.

Në konceptet e ajeteve që flasin për ngritjen e Isait, alejhi selam, është edhe fjala e Allahut: “Prej ithtarëve të Librit, ka që do t’i besojnë Isait (që është Profet, e jo zot); para se të vdes ai, e, në Ditën e Kijametit, ai (Isai), do të jetë dëshmitar kundër tyre.” Nisa, 159.

Komentuesit e Kuranit kanë kundërthënie mes tyre për përemrin në fjlën e Allahut : “para se të vdes ai.”

Disa kanë thënë: Përemri kthehet tek Isai, alejhi selam, ku kuptimi i ajetit do jetë: Disa prej ithtarëve të Librit ka që besojnë në Isain para se të vdes ai. Këtë kuptim e përkrah edhe dijetari i kometuesve Imam Taberiu, ku thotë: “Prej thënieve më të sakta dhe më të vërteta, është thënia e atyre që pohojnë se kuptimi i kësaj është se disa nga ithtarët e Librit vetëm se do besojnë në Isain, para se të vdes Isai.”

Ibn Kethiri e përcjell fjalën e Taberiut duke thënë: “Padyshim se këtë që e thotë ibn Xheriri, Allahu e mëshiroftë,  është e vërteta, sepse qëllimi i kontekstit të ajetit është të vërteton të pavërtetën të cilën e pretenduan çifutët për vrasjen e Isait dhe kryqëzimin e tij…Ai është i gjallë, do zbret para Kiametit, sikur që tregojnë për këtë hadithet të transmetuar nga një grup i madh i sahabëve.”

Pikpamja e dytë për këtë ajet është se përemri kthehet tek ithtari i Librit: “Prej ithtarëve të Librit.” Që ka kuptimin: Nuk ka asnjë prej ithtarëve të Librit vetëm se do beson në Isain para se të vdes ai ithtar, sepse në çastin e vdekjes do i bëhet e qartë atij e vërteta, do i bëhet e qartë e vërteta e asaj që ai e mohonte, e do beson në Isain, dhe do dëshmon se ai është rob dhe i dërguar i Allahut Një, i Cili nuk ka rival. Mirëpo, ky besim atij nuk do i bën dobi, për arsye se ka ndodhur në momentin e gargarës, e që është momenti ku nuk bën dobi për njeriun besimi i tij, për atë që nuk ka besuar më herët.

Kështu fjala e Allahut në Kuranin Famëlartë sqaron për ngritjen e Isait, alejhi selam, në pozitën që e dëshiroi Allahu, andaj, Ai e ngriti atë në shenjë nderimi dhe respektimi.

Burimi: albislam.com / Islamweb.net

Përktheu: Shpend Zeneli