Nijeti është kusht prej kushteve për një agjërim të vlefshëm
Fjala nijet nënkupton: Synimi i të afruarit tek Allahu i Madhëruar me vepra të mira. Vendi i saj është zemra, ndërsa të shprehurit me gojë është risi dhe gjë e urryer, që tregon për mosdijen e vepruesit.
Nijeti është patjetërsueshëm për një vepër, ngase nuk ka vepër pa qëllim, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas nijetit.” Mutefekun alejhi.
Disa dijetarë kanë thënë: “Po të na urdhëronte Allahu për ndonjë vepër pa nijet, do të ishte ngarkim që nuk mund ta bartim (realizojmë).”
Nijeti është i obligativ
Ibn Hejra ka thënë: “Dijetarët janë unanim për obligueshmërinë e nijetit për agjërimin obligativ në muajin e Ramazanit, dhe se nuk lejohet (agjërimi) pos me nijet.”
Koha e obliguar për nijet është në të gjitha netët, por nëse zgjohet për në syfyr i mjafton ajo, sepse nuk zgjohet për të ngrënë syfyr vetëm se me nijet që të agjëron.
Dijetarët kanë kundërthënie në atë se a është i obliguar nijeti për secilën ditë të agjërimit: Prej tyre ka që kanë thënë: “Mjafton në natën e parë të Ramazanit, të bën nijet agjërimin e gjithë muajit që në fillim, përderisa nuk e ndërprenë për ndonjë arsye si udhëtimi, cikli mujor, lehonia, sëmundja, etj, apo të ndërprenë nijetin e tij, në këto raste obligohet që ta ripërtërijë nijetin për agjërim.”
Prej dijetarëve ka që kanë thënë: “Duhet që për secilën ditë të bëhet nijet i veçantë.”
Në përgjithësi ajo që duhet ta kupton myslimani dhe që mund të bashkohet mes thënieve të dijetarëve është se myslimani nëse nuk e bën nijet agjërimin e çdo nate, ai me ngrënien në syfyr, përgatitjen për syfyr dhe për të agjëruar, është në vend të nijetit, sepse ai nuk e vepron një gjë të tillë po se ka synuar të agjërojë, e ky synim është nijeti, sikur ai që merr abdes për namazin e drekës, ai në nijetin e tij e ka që të merr abdes për të falur namazin e drekës, që nëse e fal namazin e drekës dhe mbetet ende në abdes, derisa të falë edhe ikindinë e akshamin dhe jacinë, për atë nuk është e patjetërsueshme të ripërtërijë nijetin e abdesit për namazet tjera, por mjafton nijeti i parë.
Ata të cilët thonë se duhet për çdo ditë argumentohen se secila ditë është adhurim i veçantë. E ata që thonë se mjafton vetëm një herë për gjithë muajin argumentohen se nëse kushtëzohet adhurimi i njëpasnjëshëm mjafton nijeti në fillim, përderisa nuk e ndërprenë për ndonjë arsye të papritur.
Se, po të themi se obligohet me nijet për secilën ditë, mund që njeriu të bie në gjumë në natën e Ramazanit e të mos zgjohet vetëm se pas lindjes së sabahut, e sipas kësaj atij nuk i pranohet agjërimi i asaj dite, se ai nuk ka bërë nijet qw prej natws. Sipas mendimit më të saktë, agjërimi i tij është në rregull, sepse ai ka bërë nijet agjërimin e muajit që në fillim dhe ai i mjafton.
Caktimi i nijetit
Edhe në këtë çështje dijetarët kanë kundërthënie, me caktimin e nijetit është për qëllim: Që të bën nijet se atë që do të agjërojë është agjërimi i muajit të Ramazanit, apo shpagim, apo agjwrim për shkak të zotimit, apo kompensim i Ramazanit, etj.
Argument për këtë është thënia e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, “Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas nijetit, dhe secilit i takon ajo që ka pas për qëllim.” Mutefekun alejhi
Dhe thënia e tij, sal-Allahu alejhi ve selem: “Kush nuk e bën nijet agjërimin që prej natës, ai nuk ka agjërim.” E transmeton Nesaiu, Bejhakiu.
Nijet që prej natës është i veçantë vetëm për agjërimin e obliguar e jo edhe për atë vullnetar, sepse në agjërimin vullnetar mund që njeriu të bën nijet edhe gjatë ditës, dhe ai e ka shpërblimin e asaj dite qw prej kur e ka bërë nijet, me kusht që më herët të mos ketë vepruar një prej gjërave që prishin agjërimin, mbështetur në hadithin e Aishes, radijallahu anha, se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, vinte te ajo në ditët jashta Ramazanit, dhe e pyeste: “A ka diç për të ngrënë? Nëse jo, atëherë unë jam agjërueshëm.” E transmeton Muslimi.
Ajo që është më së miri, agjërimi me nijet të caktuar për secilwn ditë, për t’iu shmangur divergjencave. (Marrë nga libri “Mevsuah fikhije 28/24)
Koha kur bëhet nijet
Medh’hebi Hanbeli dhe ai Shafi përmendin se koha e nijetit për agjëruesin është gjatë tërë natës, pra që nga perëndimi i diellit e deri në lindjes e sabahut, e gjithë kjo është koha për të bërë nijetin.
Disa dobi të rëndësishme në lidhje me nijetin
1-Ai i cili është i dyshimtë në nijetin i tij për agjërim, agjërimi i tij nuk është i vlefshëm, nëse thotë: “Unë nesër jam agjërueshëm, inshaAllah,” duke dyshuar në agjërimin e tij, atëherë nuk është i vlefshëm agjërimi i asaj dite, derisa të bëjë nijetin të sigurt apo të përmend “inshaAllah” në kuptimin për ta realizuar dëshirën e tij, përndryshe agjërimi i tij nuk është i vlefshëm.
2-Ai i cili fle natën e tridhjetë të muajit Shaban, dhe nuk është i sigurt se a ka hyrë muaji Ramazan a jo? Ai duhet të bën nijet që nëse të nesërmen është Ramazan ai është agjërueshëm, se dyshimi është për hyrjen e muajit dhe konfirmimin e ditës së parë, e nuk është për caktimin e nijetit, që domethënë se ai është i sigurt se nëse të nesërmen është Ramazan, ai është agjërueshëm, përndryshe jo, ndërsa nëse thotë në vete në natën e parë të Ramazanit mund që të agjëroj dhe mund që të mos agjëroj, agjërimi i tij nuk është i vlefshëm, sepse ky ka dyshim në nijetin e tij.
Gjithashtu në fund të muajit Ramazan, natën e tridhjetë, dyshon në vazhdimin e muajit të Ramazanit e jo në nijetin e tij.
3-Ai i cili agjëron dhe gjatë ditës së agjërimit me zemër bën nijet të prish agjërimin, agjërimi i tij nuk është i vlefshëm, dhe ai duhet të kompenson nëse është agjërim farz. E nëse është agjërim vullnetar nëse e bën nijet të ndërprenë agjërimin e ndërprenë, e nëse e bën nijet të agjërojë gjatë ditës pasi të ketë bërë nijet të ndërprenë dhe para se të prish agjërimin, atij i llogaritet sipas nijetit të fundit që është agjërimi.
4-Agjërim i caktuar duhet të bëhet nijet që natën, sikur që është agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval, dita e Arafatit, dita e Ashurës, etj, ndërsa për agjërimin vullnetar lejohet që të bëhet nijet që prej natës apo edhe gjatë ditës dhe shpërblehet prej kohës kur ka bërë nijet.
5-Kush bën nijet se kur do të gjejë ushqim e pije, do të ushqehet, agjërim i tij është i pavlefshëm, që nëse është në muajin Ramazan i duhet të abstenoj dhe të kompenson. E nëse është agjërim vullnetar agjërimi i tij është i pavlefshëm dhe nuk duhet të abstenon pjesë e mbetur të ditës.
6-Nuk prish gjë që pasi të ketë bërë nijet në kohën e mbetur të natës të hanë dhe të pinë apo të kryen marrëdhëniet intime me gruan.
Jahja ibn Musa Zehrani
Tema e pestë nga: KAPITULLI MBI AGJËRIMIN E MUAJIT TË RAMAZANIT
Përktheu: Shpend Zeneli