Pyetje: Një shoqe e imja është udhëzuar – Elhamdulilah – por çdo namaz e falë dy herë? Unë i kam thënë se mjafton pendimi që të nisësh një fletë të re dhe nuk ka nevojë të kompensohen namazet e kaluara, por ajo më tha se kjo vlen vetëm për ata që konvertohen dhe jo edhe për ne që kemi qenë edhe më parë muslimanë?!
Përgjigje:
Lavd-falënderimi është për Allahun që na ka udhëzuar në Islam, nëse Ai nuk do të na udhëzonte s’do mund të udhëzoheshim, ndërsa lavdërimet dhe paqja qoftë mbi të Dërguarin, i cili na e mësoi rrugën më të shkurtë dhe më të lehtë drejt xhenetit…
Njeriut mund t’i ikë namazi nga koha e caktuar në këto situata:
Një: T’i ikë namazi pa qëllim domethënë me arsye të harresës apo gjumit ndërsa në thelb tregon kujdes për ta falë çdo namaz në kohën e tij. Me këto arsye, ai person duhet ta kompensojë atë namaz në momentin e parë që e vëren se i ka ikur aksh namaz. Argument për këtë është rasti kur Pejgamberin, alejhi salatu ue selam dhe shokët e tij, radijallahu anhum, i kaploi gjumi gjatë kohës së sabahut dhe pastaj shokët e tij, të shqetësuar pyetnin: A thua si do ta shpaguajmë këtë shpërfillje që ia bëmë namazit? Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Gjumi nuk është shpërfillje, shpërfillës është ai që nuk e falë namazin derisa të vijë koha e namazit tjetër. Kujt i ndodhë kjo (që na ndodhi neve) le ta falë namazin atëherë kur ta vërejë”.
Kjo nuk vlen për ata që flenë qëllimisht në kohë të namazit apo nuk bëjnë asnjë përgatitje për tu çuar në atë kohë.
Dy: T’i ikë namazi pa arsye domethënë të mos e falë me qëllim. Ky është gjynah shumë i madh dhe krim i rrezikshëm, madje shumë dijetarë japin fetva se ky njeri është bërë qafir. Ky fillimisht duhet të bëjë teube (pendim) të sinqertë dhe të pastër. Ashtu thonë të gjithë dijetarët.
Ndërsa sa i përket asaj se a duhet t’i kompensojë ato namaze që i ka lënë me qëllim, dijetarët ndajnë dy mendime. Shumica e tyre thonë se është detyrim të kompensohen kurse një grup i dijetarëve thonë se nuk duhet, madje nuk është veprim legjitim.
Ibën Tejmije ka thënë: “Ai që le namazin me qëllim nuk është e ligjësuar ta kompensojë, po edhe nëse e falë nuk vlen. Ai njeri duhet falë sa më shumë namaz nafile (namaz vullnetar) dhe ky është mendimi i disave nga selefi”.
Mendimi më i saktë është mendimi i dytë. Atë e kanë përkrahur edhe Ibën Bazi dhe Ibën Uthejmini. Ky i fundit thotë: “Mendimi më i vërtetë është: Ai nuk detyrohet të kompensojë sepse nuk ka dobi nga kjo – nuk do t’i bëhet kabull meqë rregulli thotë: çdo adhurim kohor ka kohë të caktuar dhe nëse ai vonohet nga koha e tij pa arsye nuk mund të arrihet.
Prandaj, për një njeri që udhëzohet dhe e kupton rëndësinë e namazit, i themi fillo dhe fali namazet që tani e deri sa të jesh gjallë, pendohu fort dhe sinqerisht për ato që të kanë ikur më parë, mos i le synetet e ditës, fal namaz nafile, bëj vepra të mira dhe mos harro premtimin e Allahut: “Unë jam shumë Falës për atë që pendohet, beson, bën vepra të mira dhe pastaj udhëzohet” (Taha 82).
Ky premtim dhe çdo ajet e hadith tjetër vlen për çdo besimtar, qoftë i porsa-konvertuar apo më i vjetër, qoftë mashkull apo femër dhe qoftë i ri apo plak. Nëse ajo motër vazhdon duke falë namazin nga dy herë, kam drojën që ky është një mashtrim nga shejtani i mallkuar, sepse pas një kohe më të gjatë ndoshta do të lodhet dhe nuk do të ketë mundësi t’i vazhdojë në atë mënyrë, duke e falë çdo namaz nga dy herë ashtu që ndoshta – Allahu na ruajttë të gjithëve – e le gjithë namazin për shkak të pamundësisë t’i falë nga dy herë.
Nëse ajo nuk e pranon këtë mendim dhe dëshiron të vazhdojë sipas mendimit tjetër, ti nuk ke të drejtë ta qortosh e as t’i thuash se është duke bërë gabim përderisa ajo ndjekë mendimin e dijetarëve. Allahu na dhëntë sukses të gjithëve.
Burimi në gj. shqipe: albislam.com