- Jam besimtar dhe për këtë falënderoj Allahun. Kam kryer Haxhin dhe Umren megjithatë nuk e ndiej ëmbëlsinë e besimit, ç’më këshilloni?
Përgjigje: Ne të këshillojmë, që të kujdesesh në zbatimin e urdhrave të Allahut, leximin e Kuranit, shpeshtimin e dhikrit, sepse këto janë nga shkaqet më të rëndësishme për të shijuar dashurinë dhe ëmbëlsinë e besimit.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Tre gjëra kush i ka, do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit: të jenë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashur se çdo kush tjetër, ta dojë dikë vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në mosbesim pasi Allahu e ka shpëtuar, ashtu siç urren të hidhet në zjarr.” Dashuria e sinqertë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dashuria e sinqertë ndaj vëllezërve të tu, urrejtja e mosbesimit janë shkaqet me të cilat e shijon besimin. I Dërguari po ashtu thotë: “E ka shijuar ëmbëlsinë e besimit kush kënaqet që Allahu të jetë Zoti i tij, Islami feja e tij dhe Muhamedi i Dërguari i tij.”, po ashtu ai ka thënë: “Kush do për hir të Allahut, urren për hir të Allahut, jep për hir të Allahut dhe ndalon për hir të Allahut, do ta shijojë ëmbëlsinë e imanit.” Pra, qëllimi është që të përkujtojmë sa më shpesh Allahun, të lexojmë shumë Kuranin, të përqendrohemi në fe, të duam Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të duash vëllezërit e tu pa pasur ndonjë interes, të urresh mosbesimin dhe të gjitha mëkatet; të gjitha këto janë shkaqe për të shijuar imanin në zemrën tënde, bindju Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kënaqësia jote është aty.
Abdulaziz ibën Baz
- Shpresoj të më ndihmoni për të gjetur atë që kam humbur, mendoj se kam humbur kënaqësinë e mëparshme, apo më mirë me thënë zemrën e mëparshme. Isha shumë e lumtur, kënaqësia ime ishte në përmendjen e Allahut, mirëpo tani nuk e ndiej një gjë të tillë, çka më këshilloni?
Përgjigje: Këtë kënaqësi të cilën po na përshkruan, apo që mundohesh ta përshkruash është një ndjenjë, të cilën Allahu i Madhëruar ua dhuron disa prej robërve të Tij për t’i parë nëpërmjet saj horizontet e larta dhe për t’i kërkuar ato, për të ripërtërirë mallin e tyre…
Nuk është e thënë që njeriu të mbetet në një shkallë të lartë të dritës dhe pastërtisë. Më parë janë ankuar edhe shokët e të Dërguarit me të njëjtën gjë, kurse mësuesi i tyre ju tha: Sikur të vazhdoni ashtu siç ndiheni kur jeni me mua melekët do t’ju përshëndetnin për dore, në rrugë e në shtëpi, mirëpo herë-herë.” Sheriati erdhi për t’i rregulluar të gjitha poret e jetës dhe zemrës, t’ua sigurojë një pjesë të pastërtisë dhe më pas për t’iu ndihmuar me këtë pastërti për të tejkaluar pengesat e ndryshme në këtë botë. Kjo pastërti reflektohet në sjelljen e mirë me bashkëshortin, dhembshurinë ndaj fëmijëve, tolerancën me shokët madje edhe me armikun, indiferencën ndaj gjërave të ulëta, ambiciet për t’u larguar nga mëkatet dhe për të mos ngulur këmbë në veprimin e tyre. Sikur të mos kishe zemër nuk do ta hetoje humbjen e saj. I vdekuri nuk ndien dhimbje. Ankesa jote kthehet ne disa shkaqe:
- a) gjendja e parë e ndriçimit të imanit ka qenë e fuqishme dhe të ka ardhur vështirë dobësimi i asaj fuqie.
- b) Probleme të ndryshme kanë ngarkuar shpirtin tënd, madje mundet që të kesh humbur ndonjë shok me të cilin ke ndarë çdo brengë, kështu që e ke ndier veten si e huaj, kërko veten te Kurani, sepse me përkujtimin e Allahut qetësohen zemrat. Lexo Kuran, dëgjo, këndo dhe medito, duke menduar gjithashtu rreth asaj se fjalët e kujt po lexon, kush i shpalli ato? Mendo se Ai të flet ty, të udhëzon, të thërret, të do edhe pse është i pavarur prej teje, kurse ti ke nevojë të madhe për të. Kërko veten tënde tek varret, aty ku pushojnë trupa të heshtur, mirëpo që flasin me gjuhën më të qartë e më të sinqertë. Shiko se si të gjithë barazohen në këtë vend! Vallë i këputi shpresat vdekja? Kërko zemrën tënde te njerëzit nevojtarë, varfanjakë, të mjerë, jetimë, të brengosur, ashtu siç duhet kërkuar zemra duke shikuar mëkatarët, të humburit që nuk marrin shembull. Kërko zemrën tënde te këshilla, a këshillohet apo gjendja e saj është ashtu siç thanë të këqijtë “është njësoj për ne, na këshillove apo jo” (Shuara: 136). Shpeshto istigfarin (kërkimin e faljes) dhe kujto se asnjëri nuk do të hyjë në xhenet me veprat e tij, përpos nëse Allahu nuk e kaplon me mëshirën e Vet.
Selman ibën Fehd el-Aude
- Njerëzit kur pendohen zakonisht nisma e tyre në punë të mbara është e fuqishme dhe thotë: Djalli më urdhëron të punoj më pak. Kështu i shton vazhdimisht punët e mira derisa të mos dobësohet dhe t’i shuhen ambiciet dhe të mendojë, se “Allahu nuk i ngarkon njerëzit përtej mundësive”, pyetja ime është: ç’më këshilloni, të startojmë fuqishëm apo gradualisht në mënyrë që të përqendrohemi?
Përgjigje: Udhëzimi dhe pendimi tek Allahu është një prej begative më të mëdha që Allahu ia jep ndonjë muslimani. Ndryshimi i gjendjes së tij në më të mirë e afron atë më tepër me Zotin. Zakonisht ata që pendohen i kthehen fuqishëm adhurimeve dhe mundohen që ta kompensojnë atë që u ka ikur nga jeta e tyre.
Kjo është një gjë normale për sa i përket atij që pendohet sinqerisht. Këtë gjë e ka përmendur i Dërguari ynë, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe gjithashtu ka përmendur atë që ndodh pas pendimit, pra shuarjen e ambicieve. Kjo është një gjë normale përpos nëse ndodh që shuarja e ambicieve te ndonjëri nuk ndalet derisa ta kthejë atë në gjendjen para se të pendohet. Për këtë arsye duhet të kemi kujdes dhe në momentet kur na shuhen pak a shumë ambiciet ne duhet të jemi mesatarë, të kapemi pas Sunetit për të ruajtur kapitalin tonë, në mënyrë që të ristartojmë fuqishëm për së dyti në kryerjen e adhurimeve vullnetare, ngase ta nisësh prej mesatares është më mirë se prej zeros.
Abdullah ibën Amri, radijallahu anhuma, përcjell se i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Për çdo punë ekziston një ambicie, për çdo ambicie ekziston një amulli. Ata që i kanë ambiciet e tyre sipas Sunetit tim shpëtojnë, e nëse i kap amullia në ndonjë rrugë tjetër shkatërrohen.” (Sahih Tergib).
Ebu Hurejre, radijallahu anhu, përcjell se i Dërguari ka thënë: “Çdo gjë ka një ambicie, çdo ambicie ka një amulli, nëse ai që ka ambicie është mesatar shpresoni për të mirën, nëse tregohet për të me gisht, mos e llogaritni asgjë.” (Sahih Tergib).
Robi i Zotit në mënyrë që t’u largohet dy skajeve të qortuara duhet të përpiqet të jetë mesatar. Nuk e tepron me ibadete në mënyrë që të mos goditet nga ndonjë amulli dhe t’i braktisë të gjitha, po ashtu nuk bëhet dembel dhe t’i lërë ibadetet, në mënyrë që të mos mësohet në atë mënyrë. Këto janë dy skajet e qortuara. Ai që është mesatar mbetet në rrugë të drejtë, ai që është në rrugë të drejtë arrin atje ku dëshiron Allahu dhe i Dërguari i Tij.
Ebu Hurejre, radijAllahu anhu na përcjell, se i Dërguari ka thënë: “Asnjërin prej jush nuk do ta shpëtojë vepra e tij.– E pyetën: -As ty, o i Dërguari i Allahut?- Tha: -As mua, nëse nuk më përshkon Allahu me mëshirën e tij. Jini mesatarë, mos e teproni, jini të arsyeshëm, mbani rrugën mesatare në mënyrë që të arrini”.
Rezymeja: Të thërrasim për të menduar rreth haditheve të lartpërmendura, medito rreth tyre dhe dije se pendimi duhet të pasohet me falënderim. Falënderimi më i madh është të vazhdosh i penduar. Kjo nuk mund të realizohet përpos duke vazhduar me vepra të mira. Dije gjithashtu se “punët më të dashura tek Allahu janë ato që janë të vazhdueshme edhe nëse janë pak.” Mos fillo me energji shumë të madhe, në mënyrë që mos të të godasë plogështia e menjëhershme, porse bëhu mesatar, sepse kjo është në mundësinë tënde. Sa herë që e ndien veten të zellshëm shfrytëzoje këtë në adhurime, sa herë që të kap ndonjë amulli ktheju mesatares. Lusim Allahun që t’ua lehtësojë dhe t’ju udhëzojë kah fjalët, sjelljet dhe veprat më të mira.
Muhamed ibën Salih Munexhid