OBLIGIMET TONA NDAJ MUHAMEDIT, -SALALLAHU ALEJHI VE SELEM!

OBLIGIMET TONA NDAJ MUHAMEDIT, -SALALLAHU ALEJHI VE SELEM!

0 1751

Duhet ta dijë çdo musliman se obligimi kryesor i njeriut është ndaj Allahut,- xhele veala!,-  e menjëherë pas Tij është obligimi ndaj të dërguarit të Tij, Muhamedit, – salallahu alejhi ve selem!.

Dhe nuk ka asnjë krijesë që meriton të drejtë dhe obligim më shumë sesa Muhamedi,- salallahu alejhi ve selem!.

Allahu,- xhele veala!,- për të thotë në Kuran:

إِنَّا أَرْ‌سَلْنَاكَ شَاهِدًا وَمُبَشِّرً‌ا وَنَذِيرً‌ا ﴿٨﴾ لِّتُؤْمِنُوا بِاللَّـهِ وَرَ‌سُولِهِ وَتُعَزِّرُ‌وهُ وَتُوَقِّرُ‌وهُ وَتُسَبِّحُوهُ بُكْرَ‌ةً وَأَصِيلًا ﴿٩

 “Ne, me të vërtetë, të kemi dërguar ty dëshmitar dhe sihariq e paralajmërues (8) për të besuar Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij, dhe që të ndihmoni (dispozitat) e Tij, dhe ta madhëroni Atë dhe falënderoni Atë me namaz në mëngjes dhe mbrëmje.”1

Dhe, mu për këtë arsye është e detyrueshme që dashuria ndaj Muhamedit,- salallahu alejhi ve selem!,- të vihet në rend të parë, para dashurisë së njerëzve, si dhe duhet që ne të mos duam më shumë se ai, as prindin, as fëmijën, as gruan e madje as veten tonë.

Këtë na e argumenton edhe vetë i dërguari Allahut,- salallahu alejhi ve selem!,- kur thotë: “Nuk ka për të besuar askush prej jush, përderisa të mos jem për ju më i dashur se fëmija, se prindi dhe se njerëzit në përgjithësi.”

Gjithashtu, prej obligimeve ndaj Muhamedit, – alejhi selam!, – është edhe respektimi dhe nderimi i tij ashtu siç ai e meriton, duke mos e tepruar e as mangësuar atë, njashtu këto realizohen duke e respektuar personalitetin e tij të lartë si i Dërguari i Allahut dhe i dashuri i Tij, e gjithashtu duke i zbatuar e respektuar sunetet që ai na mësoi e sqaroi , porositë dhe traditat e tij,- salallahu alejhi ve selem!.

Nëse i shikojmë sjelljet e sahabëve të Muhamedit, -alejhi selam!, -, do të shohim se ata, sa e kanë respektuar dhe nderuar personalitetin e tij, si dhe sa ata i kanë zbatuar urdhrat dhe sunetet e tij.

I tillë është rasti kur idhujtarët e Mekës dërgojnë një njeri nga mesi i tyre , të quajtur Urvete bin Mesud, që të lidhë marrëveshje paqeje me muslimanët në luftën e Hudejbisë, në vitin e gjashtë të hixhretit.

Dhe, pasi ai është kthyer prej tyre në Mekë, iu tregon shokëve të vet se si i ka gjetur muslimanët.

Për marrëdhëniet e tyre me Muhamedin, -alejhi selam!, – ai u tha: “Kam hyrë tek mbretërit e Persisë, romakëve e të Abisinisë, por nuk kam parë asnjërin prej atyre (mbretërve) të respektohet prej shokëve të tij, siç i kam parë shokët e Muhamedit duke e respektuar atë.

Nëse i urdhëronte për diçka shpejt i përgjigjeshin, e kur ai merrte abdes shtyheshin se cili prej tyre të ia presë dhe marrë ujin e abdesit, për ta përdorur ujin për bereqet. Kur fliste ai ata e ulnin zërin dhe e përcillnin me shikim nga respekti dhe nderimi që posedonin ndaj tij.”

Pra, kështu shokët e Muhamedit, -alejhi selam!,- e kanë respektuar atë dhe kanë zbatuar urdhrat e tij.

E, kështu duhet të veprojmë edhe ne, duhet të ecim në rrugën e tij, në rrugën  shokëve të tij, ti besojmë e ta zbatojmë atë që ka urdhëruar e të largohemi prej asaj që ka ndaluar Muhamedi.,- salallahu alejhi ve selem!.

Gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të mos kemi dyshim se rruga dhe tradita e tij është rruga më e mirë dhe më e drejtë, dhe se sheriati e ligji i tij është ligji më i plotë prej të gjitha ligjeve të tjera, cilado dhe çfarëdo lloji qofshin ato ligje.

Të gjitha këto jemi të obliguar patjetër, ne si muslimanë, ti zbatojmë ato në jetën tonë të përditshme.

Ndërsa, për këtë na obligon Allahu,- xhele veala!,-  kur thotë:

 فَلَا وَرَ‌بِّكَ لَا يُؤْمِنُونَ حَتَّىٰ يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ‌ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لَا يَجِدُوا فِي أَنفُسِهِمْ حَرَ‌جًا مِّمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُوا تَسْلِيمًا ﴿٦٥

“Betohem në Zotin tënd, se ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, përderisa mos të marrin ty për arbitër, për ato konflikte që ekzistojnë ne mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dëshpërimi ndaj gjykimit tënd dhe të binden ty plotësisht.”  2

قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللَّـهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّـهُ وَيَغْفِرْ‌ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ ۗ وَاللَّـهُ غَفُورٌ‌ رَّ‌حِيمٌ ﴿٣١

 “Thuaju (o Muhamed!): “Nëse ju e doni Perëndinë, ejani pas meje, atëherë Perëndia ju do juve dhe ju falë mëkatet tuaja! Se Perëndia falë dhe është mëshirues.”. 3

Gjithashtu, edhe prej obligimeve tona ndaj Muhamedit, -alejhi selam!, – është edhe mbrojtja e sheriatit të tij dhe ruajtja e traditës dhe sunetit të tij, aq sa ka mundësi njeriu.

Si dhe, nuk i lejohet asnjë muslimani të heshtë kur dëgjon të sulmohet sheriati apo Muhamedi, -alejhi selam!,- kur ka mundësi ta mbrojë atë.

Dhe në fund!

Allahu na bëftë prej atyre të cilët e duan Muhamedin, -alejhi selam!,- më shumë se çdo njeri tjetër, na bëftë prej atyre që i kryejnë urdhrat e tij e luftojnë për sheriatin e tij,- salallahu alejhi ve selem!.

Muhamed bin Salih El-Uthejmin, -Allahu e mëshiroftë!-.
Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Suad Shabani
Burimi: albislam.com

  1. Kur’an: El Fet’h, 8-9.
  2. Kur’an:Nisa, 65.
  3. Kur’an: Ali Imran, 31.

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 576