PASTRIMI PËR NAMAZ 2/2

PASTRIMI PËR NAMAZ 2/2

0 3048

       Pastërtia është dy llojesh: Të pastruarit me ujë dhe të pastruarit me dhe.

Në të pastruarit me ujë hynë: larja (gusli) dhe avdesi.

Forma e avdesit:

Transmeton Humrani, shërbëtori i Uthmanit, radijAllahu anhu, duke thënë:

“Një herë Uthmani kërkoi ujë që të marrë avdes, dhe pastaj i lau duart tri herë, pastaj lau gojën dhe hundën, pastaj e lau fytyrën tre herë, pastaj dorën e djathtë deri në bërryl tre herë, pastaj dorën e majtë deri në bërryl tri herë, pastaj fërkoi kokën (i dha mes’h), e pastaj lau këmbën e djathtë tre herë deri në zog të këmbës, e kështu lau edhe të majtën, e pastaj tha: “Kështu e kam parë Muhamedin, salAllahu alejhi ue selem, duke marrë avdes. E pasi që e kreu tregoi se Muhamedi salAllahu  alejhi ue selem ka thënë: “Ai që merr avdes si unë, e pastaj falë dy rekate duke mos bërë mëkat, Allahu ia falë atij mëkatet e bëra më parë.”

Kushtet e vërtetësisë së avdesit:

1- Të bërit nijet 2- Përmendja e emrit të Allahut, subhanehu ve teala, në fillim. 3- Kontinuiteti gjatë marrjes së avdesit

Farzet e avdesit:

1- Të larët e fytyrës. Këtu bën pjesë edhe të shpëlarit e gojës dhe hundës: 2- Të larët e duarve deri në bërryla; 3- Të dhënët mes’h (të fërkuarit) krejt kokës dhe veshëve, ngase veshët bëjnë pjesë në kokë; 4- Të larët e këmbëve deri në nyje 5- Futja e ujit në brendi të mjekrës 6- Pastrimi i meseve të gishtërinjve të dorës dhe këmbës.

Sunnetet e avdesit:

1- Të përdorurit e misvakut. 2- Larja e duarve tri herë në fillim të avdesit 3- Larja e gojës dhe hundës tri herë me një grusht 4- Larja mirë e gojës dhe hundës, për atë që nuk është agjërues 5- Dhënia përparësi anës së djathtë 6- Fërkimi i pjesës së trupit gjatë marrjes së avdesit 7- Pastrimi i gjymtyrëve gjatë marrjes së avdesit nga tri here 8- Radhitja gjatë marrjes së avdesit 9- Duaja pas avdesit 10- Të falurit e dy rekateve pas avdesit

Gjërat që e prishin avdesin:

1- Çdo gjë që del prej dy vrimave, qoftë urinë, nevojë e madhe ose erë 2- Gjumi i thellë 3- Humbja e vetëdijes

4- Të prekurit e organit pa leckë (direkt) me epsh 5- Ngrënia e mishit të devesë.

Për çka duhet marrë avdes:

1-Për të falë namaz 2- Për të bërë tavaf rreth Ka’bës

Veprat për të cilat është mustehab (e pëlqyer) që të merret avdes:

1- Të përmendurit e Allahut, subhanehu ve teala. 2- Para se të flesh 3- Nëse ai që është xhunub dëshiron të hajë ose të pijë, apo të flejë, ose të ketë sërish kontakt seksual 4- Të merret avdes para larjes, pa marrë parasysh se a është larja vaxhib apo sunnet 5- Të marrë avdes pas ngrënies së gjërave që i ka prekur zjarri 6- Të merret avdes për çdo namaz 7- Pas çdo prishje të avdesit 8- Pas vjelljes 9- Ai që e mban të vdekurin

Regullat e mesteve:

Imam Neveviu, rahimehullah ka thënë: “Të gjithë dijetarët janë të pëlqimit se lejohet të dhënit mes’h mesteve në udhëtim dhe në vendbanim, kur ke nevojë dhe kur s’ke nevojë, sa që edhe gruas që qëndron në shtëpi të saj, i lejohet t’i japë mes’h mesteve në kohën kur nuk ecën. E këtë nuk e kanë pranuar shiitët dhe havarixhët, mirëpo thënia e tyre është e pavlerë.”[1] Kushtëzohet që për tu dhënë mes’h mesteve, duhet të jenë të mbathura me avdes. Kohëzgjatja e mes’hit të dhënë mesteve është tri ditë e tri net për udhëtarin, kurse një ditë e një natë për vendasin. Mes’hi i jepet pjesës së sipërme të këmbës. Ashtu siç lejohet dhënia mes’h mesteve, gjithashtu lejohet të dhënit mes’h çorapeve dhe sandaleve. Mugire b. Shu’be thotë: “Muhamedi salAllahu alejhiue selem mori avdes dhe u dha mes’h çorapeve dhe sadaleve”.[2]

Mes’hi prishet me njërën nga këto gjëra:

  1. Kalimi i afatit të caktuar. E pasi që afati i mesteve është i caktuar, atëherë nuk lejohet shtimi i kësaj kohe.
  2. Xhunubllëku 3. Nxjerrja e mesteve prej këmbës, pasi që u është dhënë mes’h atyre ngase po u nxorën e pastaj mbathen, atëherë nuk do të jenë të pastra (këmbët) kur të mbathen mestet.

 

Gusli-Larja:

Kur detyrohet larja?

  1. Ejakulimi i spermës në gjumë apo duke qenë i zgjuar
  2. Kontakti seksual, edhe pse nuk ka ejakulim 3.Kur kafiri pranon Islamin 4- Ndërprerja e menstruacionit dhe lehonisë.

Kushtet larjes: Nijjeti

Forma e larjes: Aishja, radijAllahu anha thotë: “Resulullahu, salAllahu alejhi ue selem, kur lahej nga xhunubllëku, fillonte me larjen e duarve, e pastaj merrte ujë me dorën e djathtë dhe gjuante në të majtën, pastaj lante organin, më pastaj merrte avdes si për namaz, pastaj merrte ujë dhe e hidhte në kokë duke futur gishtat në rrënjët e flokëve, e kur e shihte se ka fërkuar tërë kokën, hidhte tre grushta ujë në kokë, pastaj hidhte në tërë trupin e pastaj e lante tërë trupin.”

Kur gruaja të lahet nga xhunubllëku, nuk detyrohet t’i zgjidhë gërshetat e flokëve, kurse kur të lahet nga menstruacioni obligohet t’i zgjidhë.

Kur është mustehab larja:

1- Larja menjëherë pas çdo akti seksual, 2- Larja e gruas që është në istihada për çdo namaz, ose larja për Drekë dhe Ikindi së bashku, për Akshamin dhe Jacinë së bashku, dhe për çdo mëngjes veçmas. 3 – Larja pas alivanosjes 4 – Të larët pas varrimit të mushrikut 5 – Larja për dy Bajramet dhe ditën e Arafatit 6 – Të larët për atë që lan të vdekurin 7 – Larja para veshjes së ihramit për Haxhillëk ose Umre 8 – Larja për të hyrë në Mekë 9- Të larët në ditën e Arafatit.

Tejemumi-të pastruarit me dhe:

Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Në qoftë se jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyni (merrni tejemum) dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrën dhe duart”. 4 Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Dheu i pastër është pastrim për besimtarin edhe nëse nuk gjen ujë dhjetë vjet”.

Shkaqet kur lejohet të merret tejemum:

Marrja e tejemumit lejohet në rast kur nuk ka mundësi të përdoret uji, nëse nuk ka fare ujë, nëse ekziston frika se uji të bën dëm, nëse është shumë ftohtë (sa që të bën dëm), ose je i sëmurë.

Forma e tejemumit:

Vendosen duart mbi dhe, pastaj fryhet në to, fërkohet fytyra, më pas shuplakat. Tejemumi është sikurse avdesi, mund të bësh me të atë që mund të bësh me avdes, mund të marrësh tejemum para namazit si në rastin kur merr avdes, mund të falësh disa namaze me një tejemum.

Çfarë e prish tejemumin

Tejemumin e prish çdo gjë që prish avdesin, e plus kësaj, nëse gjen ujë ose i mundësohet të përdorë ujë atij që s’ka pasur mundësi ta përdorë, e namazet që ka falur me tejemum nuk detyrohet t’i përsërisë (nëse vjen uji). Ai që ka plagë në trup dhe e ka mbështjellë me leckë, nuk obligohet ta lagë atë pjesë as t’i japë tejemum. Me këtë argumentohet se çdo vepër që nuk mund ta kryejë njeriu, bie obligimi prej tij, zëvendësimi i kësaj duhet të vijë me Kur’an dhe Sunnet, e duke qenë se Kur’ani dhe Sunneti nuk kanë treguar zëvendësim për pjesën e mbuluar me leckë që nuk mund ta lajmë, atëherë nuk obligohemi ta fërkojmë me dorë të lagët ose tejemum.

Hajzi (menstruacioni) dhe Nifasi (lehonia):

Menstruacioni është dalja e gjakut të njomë te gratë, kurse sheriati nuk ka përcaktuar afatin e kësaj gjakderdhjeje, as afatin më të shkurtër e as atë më të gjatë, por duhet mbështetur në traditën e grave.

Kurse lehonia është gjaku që del nga shkaku i lindjes, e afati më i gjatë është 40 ditë. Nëse pastrohet para se të mbushë 40 ditë – atëherë konsiderohet e pastër, kurse në rast se gjakderdhja vazhdon edhe pas 40 ditëve, ditën e 40 lahet dhe konsiderohet e pastër.

Çka ndalohet për gruan gjatë periudhës së hajzit dhe nifasit

Gruaja që gjendet në menstruacione dhe lehoni, i ndalohen të gjitha ato vepra që i ndalohen xhunubit, e duke i shtuar kësaj edhe:

1 – I ndalohet agjërimi, të cilin e kompenson kur të pastrohet.

2 – Kontakti seksual

Dispozitat e sheriatit për atë që kryen marrëdhënie me gruan që gjendet me menstruacione

Imam Neveviu, radijAllahu anhu, thotë: “Nëse ndonjë mysliman beson se kryerja e marrëdhënieve seksuale me gruan që është me menstruacione është e lejueshme, del prej feje dhe bëhet felëshues – murted. Ndërsa, nëse ndokush prej myslimanëve kryen këtë vepër duke mos besuar se është e lejueshme, e bën këtë nga harresa, apo nuk e di se gruaja e tij gjendet në menstruacione, dhe nuk e di se kjo punë është e ndaluar ose detyrohet – atëherë nuk ka mëkat, e as që duhet të japë shpagim (kefaret). Nëse e kryen aktin seksual me gruan që është me menstruacione me qëllim, duke ditur se është haram kjo punë – atëherë ka bërë mëkat të madh, duhet të pendohet, kurse, sa i përket shpagimit, ka dy mendime. Mendimi më i vërtetë është se këtij njeriu i bëhet obligim shpagimi duke u bazuar për këtë në hadithin e Ibn Abbasit, radijAllahu anhu, i cili tregon se Resulullahu salAllahu alejhi ue selem atij që ka pasur kontakt seksual me gruan e tij, e që ka qenë me menstruacione, ka thënë: “Jepni shpagim një dinar ose gjysmë dinari”.

El-istihada:

Është gjak që del jashtë periudhës së menstruacionit dhe lehonisë ose bashkë me të. Nëse është së bashku me të menstruacioneve dhe lehonisë, atëherë ajo është në këtë formë:

1 – Nëse gruaja ka pasur si traditë t’i zgjasë menstruacioni shtatë ditë, e me këtë rast zgjatet afati deri në dhjetë ditë, atëherë kjo që ka tepruar (tre ditëshi) është ISTIHADA.

2 – Nëse gruaja di ta dallojë gjakun atëherë, “gjaku i zi” te gratë është menstruacion. Kurse gjaqet tjera janë ISTIHADA.

Nëse një femër posa ka hyrë në pubertet dhe nuk mund ta dallojë istihadën dhe menstruacionin, atëherë

vepron sipas traditës së shumicës së grave.

Regullat e istihadës:

Gruas që është në Istihada, nuk i ndalohen veprat që i ndalohen në menstruacion, por obligohet të marrë avdes për çdo namaz. Preferohet që të lahet për çdo namaz, ashtu siç e cekëm kur folëm mbi larjet e pëlqyeshme.

[1] Shiko: “Sherhu Sahihil-Muslimi”, 3/164.

[2] Ebu Davudi

GJITHASHTU NË ALBISLAM