PENDIMI

PENDIMI

0 2686

Pendimi “teube” në gjuhën arabe e ka kuptimin kthim.

Në terminologjinë e fësë islame dmth: kthim kah Allahu i Madhëruar për të kërkuar faljen e mëkateve.

Allahu i Madhëruar u ka bërë thirrje për teube të gjithë robërve të Tij.

Ka thënë:

Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim. “ Nur: 31

Po ashtu ka bërë thirrje që ai pendim të jetë i sinqertë:

O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë. “ Tahrim: 8

Në rast që robërit e Tij e humbin shpresën dhe bien në gjendje të dëshpëruar, u thotë:

Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”“ Zumer: 53

Mirëpo, nëqoftëse robërit refuzojnë të pendohen, atëherë …

“… E ata që nuk pendohen, janë mizorë. “ Huxhurat: 11

Teubeja në sunetin profetik

I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ve selem) ka thënë:

” ياأيها الناس توبوا إلى الله واستغفروه فإنى أتوب في اليوم مائه مرة”

“O ju njerëz, pendohuni te Allahu dhe kërkoni falje se unë pendohem gjatë ditës njëqind herë.”

Tra. Muslimi

Poashtu ka thënë:

لله أفرح بتوبة عبده من أحدكم سقط على بعيره وقد أضله في أرض فلاة

“Allahu gëzohet më shumë me teuben e robit të vet se sa ndonjëri që është rrëzuar nga deveja dhe ka humbur në shkretëtirë.”

Tra. Muslimi

Dmth, kur pas kësaj që i ka ndodhur, e gjen devenë.

Po ashtu ka thënë:

إن الله تعالى يبسط يده بالليل ليتوب مسيء النهار، ويبسط يده بالنهار ليتوب مسيء الليل حتى تطلع الشمس من مغربها

“Allahu i Madhëruar e shtrin dorën e tij gjatë natës për t’ia falur mëkatarit që ka bërë mëkate gjatë ditës dhe e shtrin dorën e tij gjatë ditës për t’ia falur mëkatarit që ka bërë mëkate gjatë natës dhe kështu bën derisa të lindë dielli nga perendimi.“

Tra. Muslimi

Dera e pendimit është e hapur

I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ve selem) ka thënë:

أن النبي صلي الله عليه و سلم ذكر باباً من المغرب مسيرة عرضه أو يسير الراكب في عرضه أربعين أو سبعين عاماً. قال سقيان أحد الرواة قبل الشام خلقه الله تعالى يوم خلق السموات والأرض مفتوحاً للتوبة لا يغلق حتى تطلع الشمس منه

“Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) e ka përmendur një derë të gjërë që nga perendimi aq sa të ecë kalorësi dyzet apo shtatëdhjetë vite (nga Shami), e ka krijuar Allahu në ditën që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, është hapur për pendim dhe nuk mbyllet derisa të lindë dielli nga atje.“

Tra. Tirmidhiu

Kur mbyllet dera e teubes

1 – Kur të lindë dielli nga perendimi

2 – Kur të ndodhë gargareja para vdekjes

Teubeja i ka tre kushte

1 – Të ndihet pishman për mëkatin e bërë

2 – Ta braktisë mëkatin dhe të mos kthehet në të

3 – Ta shprehë pendimin me fjalë.

Nëse mëkati është mes krijesave, shtohet kushti i katërt, të kërkojë hallallëk nga ai ndaj të cilit ka bërë padrejtësi, e nëse është materiale, tia kthejë, apo të bëjë shpagim.

E lusim Allahun e Madheruar t’i falë besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallë prej tyre dhe të vdekur.

Përgatiti: Hoxhë Ali Shabani

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 600