POROSI PËR ATA QË POSTOJNË NË RRJETET SOCIALE

POROSI PËR ATA QË POSTOJNË NË RRJETET SOCIALE

0 2826

Duke parë kohëve të fundit disa dukuri negative se shpesh po përsëriten nëpër rrjetet sociale më nxiti që ta shkruaj këtë tekst me shpresë se fjalët e mia do të arrin deri në vendin e duhur. Kohëve të fundit jemi dëshmitar se nëpër faqet Islame të cilat gjenden nëpër rrjetet sociale administruesit e faqeve postojnë gjëra të cilat bien në kundërshtim me parimet fetare dhe me kodin e moralit të një muslimani. Shohim postime ku paraqiten gra me mbulesa, e disa nga to të veshura me fustane nusërie dhe madje çështja arriti deri në atë gradë, sa të shohim se vëllezërit tanë dhe motrat tona postojnë foto ku burri e puthë në ballë gruan e tij (sipas gjykimit të asaj çka e shohim në foto për arsye se ka mundësi që ata dy të mos jenë çift bashkëshortor) dhe për këtë të mos mërziten aspak. Çuditem se si është e mundur një musliman t’i neglizhon dispozitat e Allahut i cili na urdhëron dhe thotë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre”. Nur 30 dhe “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre”. Nur  31. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kurvëria e syve është shikimi (i gjërave të ndaluara )”.

A harrojnë ata vëllezër dhe motra se shikimi i një gruaje të huaj për sytë e burrave është i ndaluar dhe shikimi i një burri të huaj për sytë e grave është i ndaluar? A harrojnë ata se mjetet e informimit në përgjithësi dhe rrjetet sociale në veçanti, dijetarët lejojnë të përdoren vetëm se për gjërat të cilat i bëjnë dobi muslimanëve dhe për ta përhapur këtë fe! Me kësisoj postime dhe foto ku paraqiten gra të huaja dhe burra të huaj ku në shumicën e rasteve ata janë ose jobesimtarë ose mëkatarë të cilët vishen me veshje Islame vetëm se për përfitime materiale dhe s’kanë lidhje me Islam, nuk besoj se i bëjnë dobi ndokujt po vetëm se zemrat ua shkatërron. Këto foto dhe postime janë shkak që sytë tanë të shikojnë harame, të na dëmtojnë zemrat dhe të na dobësojnë imanin. Ne nuk kemi nevojë që fjalët e dashurisë dhe të nxiturit për martesë të paraqiten nëpërmjet fotove të ndaluara. Neve na mjaftojnë ajetet dhe hadithet dhe postimi i tyre. Për këtë arsye le t’i kenë frikë Allahut ata që nxjerrin kësisoj foto dhe mos të harrojnë se veprat pranohen vetëm nëse plotësohen dy kushte: sinqeriteti për Allahun dhe vepra të jetë sipas traditës së të Dërguarit, alejhi salatu ue selam, dhe parimeve fetare. Këto foto edhe pse në postimin e tyre ndoshta ka sinqeritet nuk pranohen, për arsye se bien ndesh me parimet fetare dhe shpërblimi humbet dhe fitohet zemërimi i Allahut. Mos e lejoni veten ta prishni me duart e juaja atë që tentoni ta ndërtoni me shumë mundime.

Dukuri tjetër poashtu e përhapur nëpër rrjetet sociale është postimi i haditheve të rrejshme, të shpikura, apo të dobëta dhe poashtu postimi i tregimeve që nuk kanë bazë në fe. Kjo padyshim se vjen nga mosnjohja e fesë dhe nga mos konsultimi me hoxhallarë. Shumica e faqeve Islame nuk marin hoxhë si përgjegjës që i kontrollon materialet dhe i përcjell postimet e tyre për arsye se ata mendojnë se e kanë arritur gradën e njohjes që vet të veprojnë në fushën e davetit pa mos u konsultuar me askënd. Kjo padyshim se është bindje e gabuar dhe mashtrim i madh i shejtanit. Gabimet gjuhësore poashtu janë dukuri negative dhe ato nëpër faqe janë të shumta dhe është turp se si e lejon një administrues i një faqeje që pretendon se është Islame dhe në gjuhën shqipe ta lejon veten që në faqen e tij të lejon gabime gjuhësore dhe ashtu tua mëson edhe të tjerëve gjuhën. Rrallë mundesh të lexosh një tekst ku shkruhet shkronja “ë” e mos të flasim për radhitjen e ajeteve, haditheve, fjalëve dhe thënieve. Kur jemi te thëniet ato janë bërë më të postuara dhe më të kërkuara se sa ajetet dhe hadithet. Muslimanëve të sotit më shumë u interesojnë thëniet e njerëzve se sa fjalët e Krijuesit të njerëzve. Feja jonë është ka thënë Allahu dhe ka thënë i Dërguari i Tij, alejhi salatu ue selam , dhe jo ka thënë filani dhe halani edhe pse në to ka mundësi të ketë dobi mirëpo jo të merren si bazë dhe të anashkalohen ajetet dhe hadithet.

Dukuri tjetër negative dhe shumë e përhapur nëpër rrjetet sociale është edhe marrja e temave dhe artikujve nga faqet e ndryshme duke mos e cekur burimin e marrjes dhe autorin e tekstit. Plot nga faqet dhe administruesit e faqeve duke mos pasur material të mjaftueshëm për faqet e tyre detyrohen të marrin nga faqet e njohura dhe të besueshme Islame dhe nganjëherë ndodh që ta fshehin këtë mangësi para masës dhe mos ta cekin burimin e tekstit dhe emrin e autorit dhe ta paraqesin si të vetin. Nga besnikëria është që të tregohet burimi dhe poashtu emri i autorit sa do që të jetë i vogël ai tekst apo artikull apo thënie.

Dhe për në fund më mbeti ta ceki edhe dukurinë më të rrezikshme negative që e hasim nëpër rrjetet sociale e ajo është marrja nën kontroll apo më mirë të themi vjedhja e faqeve Islame. Kjo dukuri ka filluar që të shpeshtohet kohëve të fundit dhe si rast më të freskët e kemi marrjen e faqes në Facebook të Radio Pendimit, faqe e cila tenton që ta përhap Islamin dhe mirësinë dhe ta largon nga shoqëria injorancën dhe sherrin. Kjo faqe me sa e di unë është hera e dytë që të merret nga një “super musliman” i cili pretendon se është më musliman se udhëheqësit e faqes dhe të pretendon se ai është më meritor ta mirëmban faqen dhe të kërkon haraç nga kryeredaktori i saj që ta kthej. I drejtohem atij dhe shokëve të tij që i shëmbëllejnë në vepër dhe u them se kjo vepër është e ndaluar dhe është mëkat nga mëkatet e mëdha. Vjedhja, kërcënimi, kërkimi i haraçit, shpifja, pengesa në davet dhe mirësi, janë mëkate nga mëkatet e mëdha ku dënimi vjen në dynja para atij në ahiret. Një muslimanit nuk i lejohet të posedon cilësi të tilla dhe në emër të Islamit të bën vepra që bien në kundërshtim me parimet fetare. Ajo faqe dhe faqet e tjera Islame qëllimi i tyre është përhapja e hajrit dhe Islamit dhe largimi i paditurisë dhe sherrit nga shoqëria dhe me ndaljen e këtyre faqeve pengohet dhe ndalohet edhe daveti dhe shumë nga muslimanët privohen nga kjo mirësi dhe nga mësimi i fesë së tyre.

Urrejtja, xhelozia, pakënaqësia nuk ka nevojë të shprehen në këtë formë, ekzistojnë edhe forma tjera ku njeriu i zgjedh problemet e tij në mënyrë më të mirë dhe më të drejtë duke mos e dëmtuar askënd.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër”. Maide 2.

Shënon imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë,  një hadith nga Abdullah Ibën Jezid Ensarij, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i cili tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, e ka ndaluar grabitjen e pasurisë.

Marrja e faqes padyshim se është marrje e pasurisë për arsye se ajo është pronë dhe pasuri e huaja.

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit. Kjo do të thotë se ai nuk i bën dëm dhe nuk i hyn në hak, nuk e lë pa ndihmë, dhe nuk e nënçmon.

Ebu Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nga fjalët e Pejgamberëve të parë që kanë arritur njerëzit është: “Në qoftë se nuk ke turp atëherë bën ç’të duash!”.

Nëse vidhen faqet e huaja kjo aludon se ata nuk kanë turp dhe ai që nuk ka turp vepron çka të donë dhe çka t’ia merr mendja atij vet ashtu siç na mëson edhe ky hadith.

Imran Ibën Husejn, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Turpi nuk sjell gjë tjetër, veçse të mirën”.

Për këtë arsye tregoni veten e juaj se jeni musliman të mirë, të cilët nuk i bëjnë dëm askujt dhe ktheni faqen në duart e atyre që e posedojnë dhe dëshmojeni veten se keni turp.

Disa prej selefit thanë: “Kujdesu që vëllai musliman t’i ketë të garantuar prej teje tri  gjëra: Nëse nuk mund t’i bësh mirë mos e dëmto, nëse nuk mund  ta gëzosh mos e hidhëro, dhe nëse nuk mund ta lavdërosh mos e kritiko e as nënçmo.”

E lus Allahun që të na bën nga të drejtit dhe të na mundëson që çdo mjet të hajrit ta përdorin në përhapjen e fesë së Tij.

Hoxhë: Irfan JAHIU

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 577