QË TË MOS HUMBET BESNIKËRIA

QË TË MOS HUMBET BESNIKËRIA

0 3605

E filloj këtë shkrim me një tregim të njohur që e rrëfen një dijetar: Isha në prani të Omer ibën Abdul Azizit, në sëmundjen pas të cilës ndërroi jetë, kur dikush i tha: o prijës i besimtarëve i ke lënë fëmijët tuaj pa pasuri, nuk u le lënë asnjë të trashëgojnë. Ai pasi i dëgjoi këto fjalë tha: thirri djemtë e mi, që ishin mbi trembëdhjetë e asnjëri nuk ishte në moshën e pjekurisë. Kur i pa sytë iu mbushën me lot dhe tha: o djemtë e mi, pasha Allahun nuk ua kam ndaluar asnjë të drejtë që ju takon dhe nuk jam prej atyre që e marrin pasurinë e njerëzve e ua ndajnë fëmijëve të  tyre. Ju jeni njëri nga dy llojet e njerëzve, nëse jeni të mirë Allahu i ka nën mbrojtje dhe përkujdesje të mirët. Nëse jeni nga ata që janë të llojit të dytë (të këqijtë) atëherë nuk dëshiroj që ti lë pasuri të cilën do ta shpenzon në diçka që e ka ndaluar Allahu. Tani shkoni jeni të lirë u tha në fund.

I njëjti dijetarë tha: pasha Allahun e kam parë njërin nga djemtë e Omer ibën Abdul Azizit se si i përgatit njëqind ushtarë me kuajt dhe pajisjet e tyre për ti dërguar në xhihad (dmth. Allahu u kishte dhënë pasuri pas vdekjes së babait)

Omer ibën Abdul Azizi, Allahu e mëshiroftë, ishte prijësi i muslimanëve që udhëhiqte me një shtet që shtrihej nga lindja e largët deri në perëndim, së bashku me tokën e Andaluzisë. Ai ishte sunduesi i Algjerisë, Shamit, Jemenit, i ishujve Qipro dhe Rodos. Trashëgimia që u nda djemve të tij ishte më pak së njëzet dërhem për çdo djalë. (Mexhmu’ul Fetava, 28/249-250)

Qëllimi i këtij tregimi është të vërtetohet se ai që e çon në vend amanetin dhe e kundërshton epshin e tij do të fiton mbrojtjen e Allahut i cili do ta mbron edhe pasurinë e tij edhe familjen pas vdekjes së tij. E kundërt është gjendja e atij i cili i nënshtrohet epshit të tij, të cilin Allahu e dënon me të kundërtën që e ka për qëllim, i nënçmohen pasardhësit dhe humbet pasuria e tij. (Mexhmu’ul Fetava, 28/249)

Vështruesi i vëmendshëm i realitetit bashkëkohor nuk mundet të mos sheh forma të ndryshme të tradhtisë së përhapur në gjitha sferat e jetës. Është humbur besnikëria në tregti, në poste, në kryerje të detyrave. Mëkëmben shumë të drejta, shkatërrohen pasuri të shumta, përhapet ryshfeti dhe njoftësia, shtohet dita ditës edhe mashtrimi dhe falsifikimi. Ky realitet tani më është i kapshëm për çdo sy dhe çdo vesh.

Gjithë këto forma të mungesës së besnikërisë janë pasojë e moskryerjes së obligimeve ndaj Allahut, subhanehu ue te’ala.

Ka edhe raste të mungesës së amanetit që është rezultat i injorancës rreth detyrimeve që i kemi marr përsipër, i mosperceptimit të drejtë të konceptit të besnikërisë që nënkupton respektim të kontratave dhe marrëveshjeve.

Bazamenti i prishjes së amanetit dhe mungesës së tij është imani i dobët dhe zbehja e religjiozitetit te muslimanët i cili është në shumicën e rasteve sipërfaqësor dhe formal. Mungon frika prej Allahut, subhanehu ue te’ala, vetëdija për mbikëqyrjen e Tij në çdo kohë, nuk kujtohet shpesh qëndrimi para Allahut, faktorë këto që lëvizin besnikërinë dhe e zgjojnë. Për këtë shkak disa dijetarë fjalën amanet e kanë komentuar me fjalinë: Amanet është çdo gjë e fshehtë prej punëve të robit që i di vetëm Allahu.

Ka relacion të pamohueshëm mes imanit dhe amanetit. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: S’ka iman ai që nuk ka amanet (nuk është besnik). (Transmeton Ahmedi) Ibën El Arabiu jo rastësisht imanin e ka definuar me fjalën amanet.

Thelbi i bisedës është se rrënjëzimi i imanit, adhurimet e frikës dhe frikë-respektit janë nxitës për rritjen e besnikërisë dhe forcimit të saj.

Tradhtia dhe mashtrimi janë mëkate që Ligjvënësi (Allahu) i ka shpallur mëkate të mëdha që pas vete tërheqin dënime të rënda. Në një prej lutjeve të Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, thuhet: O Allah te Ti strehohem nga tradhtia, e sa fshehtësi e keqe që është. (Ebu Davudi, Albani e vlerëson si hasen)

Në një hadith tjetër thuhet: Kur ti tubojë Allahu të parët dhe të fundit në Ditën e gjykimit, çdo tradhtarit do ti ngritet një flamur me të cilin do të dallohet. Do të thuhet kjo është tradhtia e filanit… (Buhari)

Tradhtia është një prej cilësive të mynafikëve. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka paralajmëruar: Shenjat e mynafikut janë tre dhe në mesin e tyre ka përmendur: Kur ti besohet diçka tradhton… (Buhari dhe Muslim)

Allahu urdhëron të çohet në vend amaneti dhe të respektohen përgjegjësitë dhe pasojat e tyre: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt.” (En Nisa, 58)

Të njëjtin urdhër e jep edhe Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili thotë: Çoja amanetin atij që ta ka besuar atë, dhe mos e tradhto atë që të ka tradhtuar. (Ebu Davud, Tirmidhi dhe tjerë. Albani e vlerëson si sahih)

Është fakt se disa njerëz amanetin që u është besuar dhe pozitën e kanë shndërruar në burim të përfitimit duke e ushqyer veten me haram, duke e ndihmuar prishjen dhe duke u ngarkuar me padrejtësi ndaj njerëzve.

Të kota dhe të ulta janë arsyetimet dhe komentimet me të cilat mundohen të arsyetohen humbja e amanetit dhe moskryerja e detyrave. Njëri i jep vetes të drejtën të përvetëson pronën e përgjithshme. Tjetri nuk e bën të madhe zhytjen në haram madje edhe e mbron këtë duke thënë se kjo është hisja ime në mallin e përgjithshëm. I treti e konsideron fitore dhe sukses sepse mendon se i ka rikthyer shanset dhe rastet që i kanë ikur. Vazhdimisht e dëgjon vetëm palën që e “arsyeton” lëshimin e tij dhe moskryerjen e detyrave duke i larguar kritikuesit konstruktiv.

Sa do që të gjurmojmë fakt është se këto dukuri largohen me zgjimin e këshilluesit të brendshëm në zemrën e çdo besimtari. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: Mëkat është ajo që të brenë në shpirt, që dridhet në gjoks madje edhe nëse të japin fetva njerëzit. (Ahmed, Darimi. Albani e vlerëson si sahih)

Është fakt se shumë gjëra që nuk ndryshojnë me këshillat e Kuranit, ndryshojnë me forcën e pushtetit i cili është i obliguar që shumë prej këtyre tradhtive ti sanksionojë me dënimet fetare dhe me fuqinë e pushtetit.

Edhe njëherë e nënvizoj se dituria e dobishme që nxit frikën ndaj Allahut dhe respektin e drejtave që, sipas Islamit, i gëzojnë të tjerët është mënyra më efikase, për forcimin e besnikërisë si dhe për pakësimin deri në zhdukje të padrejtësive.

Allahu, subhanehu ue te’ala, thotë: “Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie).” (Ahzab, 72)

Përktheu dhe përshtati: M-r. Talha Kurtishi

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 586