Shkrimi në vijim është një pasqyrim i shkurtër i revoltave popullore që kanë ndodhur përgjatë historisë islame që synon paraqitjen e realitetit lidhur me forcën e popullit dhe ndikimit të tij shoqëror. Prijësi i besimtarëve, sahabiu dhe halifeja Ali ibën Ebi Talib, radijallahu anhu, për masën thotë: Barbarë, turmë që ndjek çdo krikëllimë dhe ecin pas çdo thirrësi. (Hiljetul Evlija, 1/79). Sahabiu i ndershëm dhe shkruesi i shpalljes Muaviu, radijallahu anhu, duke e këshilluar birin e tij ka thënë: Frikoju britmës së popullit. (Hiljetul Evlija, 4/324 dhe Sijer të Dhehebiut 4/312)
Fjalë të ngjashme ka thënë edhe tabiini i njohur, Muhammed ibën Eslem, Allahu e mëshiroftë, i cili ka thënë: Keni kujdes me turmën e cila ka vrarë shumë të dërguar të Allahut. (Hiljetul Evlija, 9/240)
Sidoqoftë masa dhe turma dallohen me spontanitet dhe guxim që nuk e gjen te mendimtarët dhe analistët. Masën, gjithashtu e dallon edhe çiltërsia e natyrës dhe zemërbardhësia që rrallë gjendet tek ata që janë angazhuar me dyshime dhe i kanë trajtuar ato. Xhuvejniu është penduar për angazhimin e tij me apologjetikën dhe ka thënë: Ja po vdes në besimin e nënës time, ose ka thënë në besimin e plakave të Nejsaburit. (Sherh Tahavijje, 1/245) Amidiu një dijetarë tjetër që ka qenë i zhytur në filozofi dhe apologjetikë thotë: U thellova në shkencën e apologjetikës dhe nuk përfitova asgjë përveç asaj që e beson populli i thjeshtë. (Der’u tearud, 3/262)
Kur Omer ibën Abdul Azizi, rahimehullah, u pyet për disa nga risitë tha: Përqendrohu në besimin e fëmijës në mejtep dhe beduinit dhe mos u merr me gjëra tjera. (Akidetu selef, fq. 247)
Dijetari edukues përshkruhet si dijetar i popullit. Shejhul Islam Ibën Tejmijje ishte i dashur te populli sepse natë e ditë punonte në dobinë e tyre, me gjuhën dhe lapsin e tij. (El Xhami’ fi sireti Ibën Tejmijje, fq. 408)
Historia jonë është plotë me ndodhi në të cilat populli shpërthen, revoltohet dhe turma çohet në këmbë duke ndikuar në drejtimin e ndodhive. Ndikimi i masës në ato ndodhi ishte i dukshëm dhe i fuqishëm.
Masa u revoltua kundër Bishr El Mirisiut (Mu’teziliu që vdiq në vitin 218 H) dhe kërkuan prej halifës që të kërkon prej tij të pendohet për fjalët e tij. Halifeja e pranoi dhe kërkoi prej ti të pendohet. (El Muntedham, 10/106)
Transmetohet se fëmijët e godisnin xhenazen e tij me gurë dhe brohorisnin kush do ti shkruaje Malikut, melekut që e ruan xhehenemin. (Tarih Bagdad, 7/64, Kitabu Sunne-Hal-lal, 5/114)
Në këtë fragment historik shihet se si populli ndikoi dhe një shpikës i bidateve u paraqit para kadiut për tu penduar për fjalët e thëna.
Revoltë e ngjashme është lëvizja “Mutavvi’in” që kishte nisur për të shprehur ndaluar të keqen që bëhej në Bagdad në vitin 201H. Disa banditë kidnaponin gra dhe fëmijë, vidhnin, plaçkitnin dhe të vjedhurat i shitnin pa frikë në pikë të ditës në tregjet e Bagdadit. Banorët kërkuan nga pushtetarët që ti pengojnë por nuk gjetën përgjigje. Atëherë një trim me emrin Halid Ed Derjus i tuboi njerëzit me thirrjen për urdhërim në të mirë dhe pengim të së keqes. Populli u tuboi e pengoi te keqen duke i burgosur vjedhësit dhe pastaj duke ia dorëzuar pushtetit.
Lëvizje e ngjashme është edhe ajo e Selame El Ensarit i cili me njëjtën thirrje e mobilizoi masën. Populli u përgjigj në pengim dhe ndalim të së keqes. Filloi lufta edhe kundër pushtetit dhe historia e saj përfundoi me shuarjen e kësaj lëvizjeje nga ana e ushtrisë së halifes ne vitin 202 H. (El Muntedham, 10/92-93;107 Mukadimetu Ibën Haldun, 2/530-531)
Angazhimi i parit ishte i dobishëm për sigurimin e paqes dhe mënjanimit të krimit, në kohë që angazhimi i të dytit nuk ishte i drejtë e as i arsyeshëm. Atë nuk e përkrahin as tekstet e shpalljes e as rregullat që duhet respektuar. E ngarkoi veten dhe shokët e tij me detyrë që nuk e përballonte dot me forcën që e kishte. Kështu erdhi deri në shuarje të kësaj lëvizjeje.
Kjo na e kujton ngjarjen me Ibën Esh’athin në vitin 81 H. Ai dhe pasuesit e tij filluan luftën për të larguar nga posti Haxhxhaxhin por nuk u ndalën në këtë pikë dhe kërkuan që edhe halifeja Abdul Melik ibën Mervan të heq dorë nga pushteti dhe e refuzuan ofertën e halifës për shkarkimin e Haxhxhaxhit. Pasoi një fitne e madhe, u vranë shumë njerëz dhe kjo ndodhi ishte shkak për paraqitjen e Irxhasë. (El Bidaje ven Nihaje, 9/35-54)
Ibën Halduni ka shkruar fjalë të fuqishme lidhur me mossuksesin e lëvizjeve për urdhërim në të mirë dhe ndalin nga e keqja. Tregoi rastin eSelame Ensariut dhe numrin e madh të përkrahësve nga masa e thjeshtë dhe turma që e ndihmuan këtë thirrje fetare. Sipas tij atyre u mungonin fise dhe familje që do ti mbronin. Ibën Halduni pohon se asnjë thirrje fetare nuk realizohet pa ndihmëtarë dhe mbrojtës sepse thirrës në të mirë dhe penguesit e së keqes ballafaqohen me rreziqe të shumta. (Mukadimetu Ibën Haldun, 2/528-532)
Një revoltë e ngjashme e përgjithshme ndodhi edhe në vitin 308 H kur çmimet arritën në kulm dhe kur u shtuan tatimet. Shpërtheu populli, ndodhën rrëmujë që përfunduan me uljen e çmimeve dhe me anulimin e tatimeve. (El Muntedham, 13/194)
Revolta popullore ishte shkak për uljen e çmimeve anulimin e tatimeve.
Në vitin 227 H në Sham u paraqit Ebu Harb El Muberke’ El Jemani i cili reagoi kur një ushtar sulmoi gruan e tij. Ebu Harbi e vrau ushtarin dhe pastaj u fortifikua në male. E pasuan një numër i madh i fshatarëve dhe bujqve, numri i tyre arriti afro njëqind mijë luftëtarë. Kur erdhi koha e lëvrimit njerëzit u shpërndanë dhe iu kthyen tokës. Me Ebu Harbin mbeti vetëm një grup i vogël, u kap dhe u soll para halifes El Mu’tesim. (El Bidaje ven Nihaje, 10/295)
Sa shpejtë u përgjigjën bujqit dhe fshatarët kur ishin pa punë dhe sa shpejtë u larguan në kohën e lëvrimit.
Një kryengritje popullore ndodhi edhe në vitin 403 H në kohën e halifës El Kadir Bil-lah. Vdiq gruaja e njërit prej udhëheqësve të krishterëve në Bagdad dhe procesioni mortor kaloi nëpër mesin e qytetit me kryqe dhe tupanë. Këtë e kritikoi njëri nga familja Benu Hashim të cilin të krishterët e goditën në kokë. Muslimanët u revoltuan dhe Bagdadin e përfshiu rrëmujë. U mbyllën xhamitë dhe situata u qetësua pasi u dërgua fajtori para drejtësisë. (El Muntedham, 15/91-92)
Ky rast ishte shkaku që të krishterët përsëri të detyrohen me kushtet e Omer ibën El Hattabit, radijallahu anhu, që nënkupton se të krishterët nuk do të ngritin zërat gjatë procesioneve mortore dhe nuk do ta shfaqin kryqin. (Iktidau Siratil Mustekim, 2/330)
Halifeja El Kadir Bil-lah veproi mirë duke i riaktivizuar kushtet që njiheshin me emrin kushtet e Omerit që u zbatuan edhe nga halifët Omer ibën Abdul Aziz, Harun Er Reshid dhe El Mutevekkil.
Periudha e këtij sunduesi musliman dëshmoi disa incidente të shkaktuara nga krishterët, disa muslimanë u bënin padrejtësi të krishterëve por me zbatimin e kushteve të Omerit në vitin 403 H u qetësua situata dhe përsëri u rikthye siguria. Këtë e pohon edhe historiani bashkëkohorZhan Moris Fi (libri Gjendja e krishterëve gjatë hilafetit Abasit, fq. 265)
Në vitin 429 H sunduesi Xhelalu Deule urdhëroi të emërohet me titullin ShahinShah (Mbreti i mbretërve, në hadith të saktë i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: Emri më i pavlefshëm tek Allahu është emri i njeriut që e quan veten Mbreti i mbretërve, nuk ka sundues (të vërtetë) pos Allahut. Buhariu dhe Muslimi). Disa hatiba e lajmëruan këtë vendim nëpër hytbet e tyre. Populli u hidhëruar dhe i gurëzuan hatibët që e bën atë gjë. Ndodhi fitne e madhe, u pyeten dijetarët, disa e lejuan e disa e ndaluan (Dhejlu Tabekat 1/84 dhe El Muntedham, 15/265)
Këtë ndodhi e përmendëm që të theksojmë natyrën e pastër të masës së thjeshtë e cila nuk pranon që dikush të shpreh rivalitet me Allahun në emrat dhe cilësitë e Allahut. Kjo revoltë popullore e detyroi sundimtarin të kërkojë leje prej dijetarëve.
Të përfundojmë masa dhe turma ndikojnë qartë në lëvizjet kundër sundimtarëve të këqij, në shpërthim kundër ithtarëve të mosbesimit dhe risive. Thjeshtësia e tyre dhe reagimi momental nxit ndryshime shoqërore që nuk do ndodhnin po të ishin prej atyre që analizojnë gjatë e gjerë. Gjithashtu është fakt i pamohueshëm se ndonjëherë për shkak të paditurisë dhe aspiratave të larta rezultatet nuk ishin ato që i prisnin.
Revista El BEJAN, nr. 297
Përshtati në shqip: M-r. Talha Kurtishi