Allahu thotë: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.” Sureja Bekare, 172
Të jetosh në tokë detyrimisht duhet pasuri, e që të ndërtosh këtë botë sipas dëshirës së Allahut patjetër që muslimani duhet ta ndërtojë me hallall, e me gjëra të mira prej riskut.
Në Sahihun e Muslimit transmetohet hadithi i Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili ka thënë: i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Vërtet Allahu i Madhëruar është i Pastër dhe nuk pranon vetëm se të pastrën. Allahu i urdhëroi besimtarët me atë që i urdhëroi pejgamberët, duke thënë: “O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe bëni vepra të mira” po ashtu tha: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë”, pastaj përmendi njeriun që ka udhëtuar gjatë, flokëshprishur dhe i pluhurosur, që ngre duart lart, duke thënë: Zoti im! Zoti im!, ndërkohë që haja e tij është haram, pija e tij është haram, është ushqyer me haram, si mund t’i përgjigjet lutjes së tij?!.”
Meditoni rreth pesë shkaqeve tek ky person i cili ka ngrënë haram, ato pesë janë prej gjërave që Allahu i përgjigjet lutjeve dhe njeriu i afrohet Allahut: udhëtimi i gjatë, flokëprishur, pluhurosja, ngritja e duarve gjatë lutjes dhe insistimi në lutje.
Gjithë këtë e shkatërroi të ushqyerit haram, pija haram dhe veshja haram, kështu ai u privua nga përgjigjja e kësaj lutje, sepse ky trup ka ngrënë prej mëkatit, e që atë e afron më afër zjarrit.
Një njeri me emrin Ebu Jezid el Fejd ka pyetur Musa ibën Eajan rreth ajetit Kuranor “Vëretë, Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve.” Sureja Maide 27, ai i është përgjigjur: këta (të devotshmit) janë ruajtur edhe nga disa gjëra që janë hallall, nga frika të mos biejnë në haram, për këtë u quajtën të devotshëm.
Pasi që risku është proces reciprok në mesin e njerëzve, dikush merr e dikush jep, për këtë shkak, edhe llogaria ditën e Kijametit do të jetë për këto dy procese, i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Nuk do të lëviz këmba e birit të Ademit ditën e Kijametit para Zotit, pa u pyetur për pesë gjëra: për jetën ku e harxhoi, për rininë ku e kaloi, për pasurinë e tij se ku e fitoi dhe ku e shpenzoi dhe çfarë veproi me diturinë e tij.” Këtë e transmeton Abdullah ibën Mesudi, e shënon Tirmidhiu.
Kështu që njeriu është një prej katërve:
a) ai i cili fiton me haram dhe e shpenzon në haram
b) ai i cili e fiton me haram dhe e shpenzon në hallall
c) ai i cili e fiton me hallall dhe e shpenzon në haram
d) ai i cili e fiton me hallall dhe e shpenzon në hallall
Që të gjithë do të dështojnë përpos të katërtit, sepse ai ka qenë stabil në hallall dhe e ka shpenzuar në hallall, dhe Allahu e shpëton atë ditë kur të tjerëve këmbët do t’u rrëshqasin.
Shiko se kush e ka kuptuar këtë fjalë siç duhet, Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: Ebu Bekri kishte një djalosh i cili ia sjellte Ebu Bekrit pjesën e tatimit mujor, dhe Ebu Bekri ushqehej me atë që ia sjellte. Një ditë prej ditëve ai i solli diç, e Ebu Bekri e mori dhe e ngrënim djaloshi i tha: A e di se çfarë është kjo? Ebu Bekri i tha: çfarë është? I tha: unë jam marrur me fall me një njeri në kohën e injorancës, e në fakt un nuk di fare për fallin, por unë atë e mashtrova, kur ai më takoi ma dha këtë, kjo është që tani ti po ha prej saj. Kështu Ebu Bekri shtiu gishtin dhe e vjelli gjithë atë që kishte në barkun e tij.
Në një transmetim thuhet: do ta nxjerrja atë që kam në bark sikur të më dilte edhe shpirti, o Zot kërkoj falje nga ajo që e kanë marrë damarët e mir dhe është përzier në barkun tim.
Rob i Allahut, ti nuk do të marrësh më tepër se atë që ta ka caktuar Allahu, e as që do të ndahesh nga kjo botë e të mbetet një got ujë apo një frymëmarje, i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Vërtetë Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) e ka vulosur në zemrën dhe shpirtin tim se asnjë njeri nuk mund të vdes pa e plotësuar exhelin (afatin e jetës së tij), dhe pa e harxhuar apo shpenzuar riskun e caktuar të Tij. Frikësojuni Allahut dhe kërkoni prej Tij, mos e lejoni veten për të mos kërkuar risk prej Allahut e pastaj të kundërshtoni dhe të mos i përfillni urdhrat e Allahut. Vërtet prej Allahut përfitohet duke respektuar urdhrat e Tij”. E transmeton Ebu Umame el Behili.
Risku është ose shpërblim ose mëkat; një kafshatë që e konsumon prej hallallit të jep jetë të mirë, dhe një kafshatë prej haramit të sjell ty sprova prej nga nuk e pret, e nuk mund të arrihet ajo që është tek Allahu, si mëshira, begatia, bereqeti në risk me mëkat ndaj Allahut, ndoshta Allahu ka caktuar për ty risk hallall, kurse ti përshpejton dhe e merr riskun haram.
Thuhet se Ali ibën Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) një ditë kishte hyrë në xhaminë e Kufes, dhe i tha një njeriu i cili po qëndronte në këmbë në derë të xhamisë: Mbaje kafshën time. Ai e mori frerët e mushkës dhe e la mushkën aty, kur doli Aliu prej xhamisë, kishte në dorë dy dirhem, që t’ia jep atij personi si këmbim pse ia mbajti mushkën, kur pa vetëm mushkën pa frerë, kështu ai i hipi dhe vazhdoi, më pas i dha shërbetorit të tij qesen me dy dirhem që të blejë frerë tjerë për mushkën, shërbetori shkoi në treg aty gjeti frerë dhe i bleu nga vjedhësi për dy dirhem. Atëherë Aliu kur e pa tha: njeriu e privon veten e tij nga risku hallall për shkak mosdurimit.
Ta dini se pasuri është mjaftueshmëria me riskun që na e ka caktuar Allahu, e nuk është nuk është me atë se sa osedon prej kësaj dynjaje, i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: O ju njerëz! Pasuri nuk është kush posedon më shumë mall, por pasuri është pasuria e shpirtit, Allahu i jep robit të Tij atë që ia ka caktuar prej riskut, kështu kërkoni në formën e bukur, merrni atë që është hallall dhe leni atë që është haram.” E transmeton Ebu Hurejra.
Nëse shpirti nuk ngopet dhe nuk mjaftohet me atë që ia ka caktuar Allahu, atëherë nuk do t’i mjaftojë edhe nëse e gjithë toka i bëhet ari, e që në fakt do t’i mjaftojë një grusht dhe.
“Allahu çdo njeriu ia ka plotësuar pesë gjëra: exhelin, riskun, gjurmët, ku do të varroset, dhe i mirë apo i keq është.” E transmeton Ebu Derda.
“Risku më tepër e kërkon njeriun se sa exheli i tij.” E transmeton Ebu Derda.
Sad ibën Ebi Vekas këshillonte djalin e tij: o biri im! Nëse kërkon të jesh i pasur, kërko mjaftueshmërinë, sepse është pasuri që s’ka fund, dhe kekujdes nga lakmia, sepse është varfëri e pandarë.
Risku ka shkaqe që të jetë i bereqetshëm, dyer të mirësisë, prej tyre:
Një: Pendimi dhe istigfari, Allahu thotë: “Unë u thashë: “Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë” Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.” Sureja Nuh, 10-12.
Dy: Mbështetja në Allahun, i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: sikur ju të i mbështetëni Allahut njëmend, do t’ju furnizonte ashtu siç i furnizon shpezët, gdhihen barkshprazur e kthehen të ngopur. E shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu.
Tre: Ibadeti, të i përkushtohesh e të kujdesesh ndaj adhurmit, Ebu Hurejra transmeton se i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Allahu i madhëruar thotë: o biri i Ademit, ndaj kohë që të më adhurosh, do të të mbush zemrën me pasuri dhe mbyll fukarallëkun për ty, e nëse nuk vepron ashtu, do të mbush duart me angazhim, dhe nuk e pengoj fukarallëkun për ty.
Katër: Haxhi dhe Umreja, ibën Abasi transmeton se i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: pasojeni haxhin dhe umren, njëra pas tjetrës, sepse ato dyja zhdukin varfërinë dhe mëkatet, njejtë sikur që zjarri zhduk ndryshkun prej hekurit.
Pesë: Mbajtja e lidhjeve farefisnore, i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: kush dëshiron që t’i shtohet riskum, e t’i fshihen gjurmët (mëkatet) le t’i mbajë lidhjet farefisnore. E shënon Buhariu.
Gjashtë: Shpenzimi në rrugë të Allahut, Allahu thotë: “Thuaj: “S’ka dyshim se Zoti im është Ai që i jep furnizim të begatshëm atij që do nga robërit e vet dhe Ai ia pakëson atij, e çkado që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është dhuruesi më i madh”.” Sureja Sebe, 39. I dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Allahu i madhëruar thotë: o biri i Ademit, jep lëmoshë (shpenzo) Unë të jap ty.
Shtatë: Falënderimi ndaj Allahut për dhuntitë, Allahu thotë: “Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!.” Sureja Ibrahim, 7.
Tetë: Falja e namazit, Allahu thotë: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.” Sureja Taha, 132.
Nëntë: Ngrënia e ushqimit hallall, ngaqë Allahu është i mirë dhe e pranon vetëm të mirën.
Dhjetë: Dalja herët për kërkim të riskut, i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: o Allah, jepi bereqet umetit tim në mëngjesin e hershëm.
O Allah kërkojmë veprat që na ofrojnë mëshirën Tënde, dhe që bëhen shkak për të na falur, e bëhen shërim nga çdo mëkat, na mundëso ta veprojmë çdo të mirë, të fitojmë xhenetin, e të shpëtojmë nga zjarri.
Përktheu: Hoxhë Shpend Zeneli