RREZIKU I PIJEVE ALKOOLIKE DHE NARKOTIKËVE

RREZIKU I PIJEVE ALKOOLIKE DHE NARKOTIKËVE

0 2066

Falënderimi i takon vetëm se Allahut, Atë e lavdërojmë dhe vetëm nga Ai falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e Pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.

O ju njerëz, frikojuni dhe falënderoni Allahun i cili e nderoi njeriun nga krijesat tjera ashtu siç e cek edhe në Librin e Tij: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar”.  Isra 70.

Nga ajo që e nderoi Allahu njeriun është mendja. Ajo e bën të dallohet nga kafshët dhe ia mundëson të dallon mes të mirës dhe të keqes dhe të dëmshmes dhe të dobishmes. Njeriu nëse e humb mendjen atëherë nuk do të ketë dallim mes tij dhe kafshës. Madje, kafsha do të jetë në një gjendje më të mirë se sa njeriu për arsye se nga kafsha ka mundësi të përfitohet diçka kurse nga njeriu i cili e humb mendjen e tij nuk ka mundësi të përfitohet asgjë. Me mendje njeriu i mediton argumentet e Allahut dhe me mendje shpik dhe zbulon dhe prodhon.

Mendja është ajo e cila e nxit njeriun të stoliset me gjëra të mira dhe të largohet nga ato të ligat, të bën mirë dhe të largohet nga bërja e dëmit. Allahu i qortoi ata që nuk mendojnë dhe i gradoi në një gradë më të ulët se atë të kafshëve dhe tha: “A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë”. Furkan 44.

Allahu ndaloi nga përdorimi i gjërave që e dëmtojnë mendjen dhe caktoi kufij dhe dënime për ata që i tejkalojnë ato. Mendja është një nga pesë gjërat e patjetërsueshme në të cilën janë unik të gjitha fetë qiellore se ajo duhet të ruhet, për arsye se me ruajtjen e saj mbrohen edhe dobitë dhe interesat njerëzore. Ai që e ka të humbur mendjen e dëmton veten duke e futur në rrezik dhe duke e sulmuar tjetrin e me këtë e rrezikon edhe sigurinë e shoqërisë dhe në të frikë dhe terror. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?“. Maide 90 – 91.

Allahu i qartësoi dëmet e alkoolit dhe të gjërave tjera të cekura në ajet se ato janë nga veprat e ndyra të shejtanit, se ajo shkakton në shoqëri çorodi dhe armiqësi dhe urrejtje mes anëtareve të saj dhe i largon nga përmendja e Allahut, ku nëpërmjet saj ngjallen zemrat, dhe i largon nga falja e namazit, që largon nga e liga dhe imoraliteti. Të gjitha këto janë dëme të mëdha dhe rreziqe të shumta.

Alkool konsiderohet çdo gjë e cila e mbulon apo e deh trurin pa marr parasysh se nga çfarë lënde është prodhuar dhe me çfarë emri e kanë emërtuar. Përcillet me një hadith se do të vjen një kohë kur njerëzit do ta emërtojnë me emra të tjerë  mirëpo emrat nuk e ndryshojnë realitetin. E njëjtë me alkoolin apo më mirë të themi se më e rrezikshme se alkooli është çdo gjë që e dobëson dhe e vyshk trupin e njeriut dhe ia dëmton shqisat. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka ndaluar nga çdo gjë që e deh trurin dhe e dobëson trupin.

O ju musliman, armiqtë juaj gjithmonë planifikojnë shkatërrimin e juaj dhe dëmtimin e juaj nëpërmjet çdo mjeti, ashtu siç edhe Allahu e cek në Kuran: “Ata dëshirojnë që të vuani. Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre, është edhe më e madhe”. Ali Imran 118.

Nga planifikimet më të fëlliqura të tyre dhe nga armët më të rrezikshme që i përdorin në këtë kohë është arma e narkotikëve. Ata i mbjellin narkotikët dhe i prodhojnë dhe i eksportojnë në vendet e juaja dhe i përhapin në mesin e juaj në mënyra të llojllojshme dhe të fshehta, duke e ndihmuar përhapjen e saj shejtanët njerëz nga tregtarët e shkatërrimit të cilët i shesin këto narkotik në vendet dhe shtëpitë e muslimanëve. Ata, përhapësit e narkotikëve, e meritojnë dënimin më të rreptë për arsye se përhapin nëpër tokë shkatërrim dhe dëm dhe detyrohet çdo njëri që i njeh t’i lajmëron në organet kompetente që të mbrohen nga sherri i tyre. Kjo është nga bashkëpunimi në mirësi dhe devotshmëri dhe nuk lejohet mbrojtja e tyre dhe ndërmjetësimi për ta.

O ju musliman, narkotikët janë më të rrezikshme se sa alkooli për arsye se ato e shkatërrojnë mendjen dhe karakterin dhe ia humb xhelozinë njeriut. Të përbashkët me alkoolin e kanë dehjen kurse dëmet i ka më të mëdha se sa ajo. Disa nga dijetarët i kanë cekur se në të janë njëqind e njëzet dëme në fe dhe dynja.

Nga dëmet e narkotikëve në fe janë: Ajo e largon njeriun nga përmendja e Allahut, ia humb turpin dhe moralin dhe shkakton lënien e namazit dhe bërjen e mëkateve.

Nga dëmet e saj trupore janë: Ajo e dëmton trurin, shkakton sëmundje të ndryshme, e djeg gjakun, e ngushton shpirtin, e dëmton mëlçinë, e dobëson të shikimin, jep vesvese dhe i dobëson ambiciet, e dëmton sistemin nervor dhe shkakton çmenduri, etj.

Narkotikët pra, janë arma më e fortë të cilën e përdorin armiqtë për ta shkatërruar një shoqëri njerëzore. Ato janë një ndër rreziqet më të mëdha të cilat i kanosen shoqërive me shkatërrim dhe zhdukje e mos të flasim për sëmundjet ngjitëse të cilat vijnë si rezultat i saj.

Përhapësit e saj me qëllim të fshehjes së saj përdorin metoda të llojllojshme duke ia ndryshuar pamjen, formën dhe emrin me qëllim që të mos dallohet se është narkotik dhe tentojnë që atë ta përhapin në mesin e njerëzve. Për këtë arsye mos i lejoni fëmijët e juaj të shoqërohen me njerëz të tillë dhe kujdesuni për edukimin e tyre në mënyrë të drejtë dhe mësojani rrezikun e saj dhe dëmet që i shkakton në shoqëri.

O ju musliman, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e mallkoi atë që e pinë alkoolin, atë që e prodhon, që e përhap dhe që e ndihmon përhapjen e tij dhe lajmëroi se ai që është dhënë pas alkoolit është si adhuruesi i idhujve. Ai që e bën hallall duke qenë i vetëdijshëm për ndalesën e tij bën kufër, kurse ai që e pinë duke e patur bindjen se ai është i ndaluar konsiderohet si veprues i një mëkati të madh dhe nga ai kërkohet pendim i sinqertë.

Nuk lejohet përdorimi i tij për kënaqësi apo për shërim. Kur u pyet i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për alkoolin i cili përdoret si ilaç tha: “Ai është sëmundje e nuk është ilaç”.

Njerëzit sot shpesh arsyetohen se e përdorin për ilaç apo se mjeku u ka preferuar ta përdorin për shërim mirëpo arsyetimi i tyre nuk pranohet aspak dhe ata i bëjnë gjynah Allahut  pa të drejtë. Për çdo sëmundje ka zbritur ilaç i lejuar dhe për këtë arsye nuk ka nevojë që ai të kërkohet aty ku Allahu nuk është i kënaqur me ne.

SHEJH DR. SALIH FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU   

GJITHASHTU NË ALBISLAM