Sa i dhimbshëm i Dërguari
I ulur në karrigën e punës dhe gishtin tregues e mbaja në mes faqeve të një libri të cilin e kisha në dorë. Sytë i kisha të orientuar drejt librit, por s’e shikoja atë, ngase mendtë m’i kishte marrë argumenti i fundit të cilin e lexova. U zhyta i tëri në atë thënie dhe s’dija as vetë se ku gjendem dhe ç’jam duke bërë. Aq fuqishëm ndikoi në mua që më bëri edhe më të fortë në lidhje me të. E di se je kureshtar ta dish atë që sapo e lexova unë në libër. Aty bëhej fjalë për dhembshurinë që kishte i Dërguari ndaj të tjerëve. S’po e përmendi krejt siç e lexova, veç në përgjithësi po e cek se për çka bëhej fjalë. Si i afronte të tjerët afër vetes pa thënë asnjë fjalë, ngase fjala më e madhe ishte sjellja që shprehej prej tij. Ai u bë dritë në mesin e atyre që e rrethonin, me siguri, nga shkaku se përmes Tij na u soll Drita në tokë. Erdhi argument për botën dhe pikërisht bota përmes Tij mori argument se Atij duhet t’i binden. Aty ku dija buron nga zemra, fjala dëgjohet nga heshtja. Sa më e ndjeshme zemra, aq më afër u qëndron zemrave tjera. Si ka qenë Ai që edhe adhurimet i ka zgjatur veç fëmijëve mos t’ua prishë qetësinë. Ka qenë i afërt me secilin në takim dhe thuajse secili ka mbetur i molisur nga ndarja prej tij. Më kujtohet se edhe druri i palmës është pikëlluar nga ndarje prej tij. As ajo s’mundi t’i mbajë dënesjet e ndarjes dhe s’donte të pajtohej me faktin që më s’do të jenë bashkë siç kanë qenë. E Atij iu dhimbs pse vajtoi që po ndahen, ndaj e përkëdheli që edhe pse po ndahen, sërish do të jenë bashkë. Më shumë donte që t’i plotësoj nevojat e të tjerëve duke e lënë veten keq se sa të kënaqet e tjerët të vuajnë nga skamja. Si ishte Ai që krahas vuajtjeve të cilat i ka përjetuar në rrugën e thirrjes, buzëqeshja pasqyrohej në fytyrën e Tij. Durimi e bën njeriun më të fortë, dhe loti dhemb më shumë nga vuajtja se sa nga dhimbja. I këshillonte të tjerët që ndaj të moshuarve të sillen me butësi, se aty ku mëshira lëshon rrënjë, mbijnë lule që në çdo vend lëshojnë erë. Mëshira është cilësi e cila mbjellet nga besimi kur ai do të zë vend në zemër. Si ka qenë Ai që edhe vuajtjet i dukeshin të ëmbla veç të tjerët mos të vuajnë në errësirën e paditurisë dhe të pranojnë thirrjen e Tij. Kur njeriut i dhimbsen të tjerët, ai veten e vë në shërbim të tyre. Besoj se s’ka vuajtje më të mëdha për një njeri që tjetrin të cilin ky e do, ai të mos e pranojë atë të cilën ky e ndien dhe e përjeton. I dhimbshëm ka qenë rasti i Taifit, ku banorët e tij, jo vetëm që s’e pranuan thirrjen e të Dërguarit, por edhe e përgjakën. E dëbuan prej fshati dhe përshëndetjen ia dhanë me gurë. E loti i Tij i bekuar rridhte nëpër faqe, por sërish, asgjë s’doli nga gjuha e Tij, përveç bekimit dhe mëshirës ndaj tyre. S’donte që Zoti t’i dënojë, por t’i udhëzojë në rrugën e Tij. Më shumë e donte faljen e tyre se sa ndëshkimin. Të gjithë dëshironte t’i shikojë në gjerësinë e kësaj feje dhe t’i largojë nga ngushtësia e kësaj bote. U falte atyre që gabonin ndaj Tij, dhe vetë u bë shembull i faljes për të gjithë… Në çast disi ndjeva mpirje në gishtin tregues. Libri më ishte rënduar dhe fare nuk e kisha vërejtur tërë këtë gjendje në të cilën kisha qenë. Më erdhi i shijshëm udhëtimi në mendime rreth argumentit në fjalë. As vetë s’e dija si kisha arritur të grumbullojë aq shumë fakte rreth dhimbshurisë së Tij, duke e lexuar vetëm një në libër. S’desha më shumë të lexojë prej librit, u mjaftova me kaq. Mësova një argument të mirë, por edhe më mirë e mbështeta me mendimet e mia. E mbylla librin, e lashë te rafti i librave prej ku edhe e mora dhe u ngrita prej karrigës së punës.
Blerim Muhaxheri
Ballina SA I DHIMBSHËM I DËRGUARI