SËMUNDJA E ZEMRËS DHE SHËRIMI I SAJ

SËMUNDJA E ZEMRËS DHE SHËRIMI I SAJ

0 11696

Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na mundësoi që ta shijojmë ëmbëlsinë e imanit. Atë e falënderoj dhe lavdëroj dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.

O ju robërit e Allahut, frikojuni Allahut i Cili ju krijoi dhe përsosi dhe ju formësoi në formën më të bukur që Ai dëshiroi: “O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi!”. Infitar 6-8.

 O ti njeri, mos harro se je i përbërë nga shumë organe dhe se çdo organ i jot është krijuar për një punë të veçantë dhe nëse të sëmuret ai organ do të privohet nga funksioni i tij pjesërisht apo tërësisht. Nëse sëmuret dora do të privohet nga goditja, nëse sëmuret syri do të privohet nga shikimi, nëse sëmuret zemra nga mëkatet do të privohet nga puna e veçantë për të cilën është krijuar e ajo, është dituria, urtësia, njohja dhe dashuria e Allahut dhe adhurimi i Tij. Sëmundja e zemrës është sëmundje që shërohet me vështirësi dhe është sëmundje e fshehtë të cilën nganjëherë pronari i saj aspak nuk e vëren dhe për këtë e neglizhon, dhe nëse e vëren i vjen shumë rëndë që të bën durim në shërimin e saj për arsye se për shërim të saj nevojitet kundërshtimi i epshit. Zemra është mbreti i organeve dhe burimi i lumturisë apo i vuajtjeve të tyre dhe burimi i përmisimit apo i shkatërrimit të tyre.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Me të vërtetë në trup ndodhet një copë mishi, nëse ajo përmisohet i gjithë trupi përmisohet e nëse ajo prishet i gjithë trupi shkatërrohet, ajo copë e mishit është zemra”.

Ky hadith është argument se përmisimi i veprave të robit varet nga përmisimi i zemrës dhe shkatërrimi i veprave të robit varet nga shkatërrimi i zemrës. Zemra e përmisuar pra, është zemra e pastër dhe e vetmja e cila i bën dobi robit tek Allahu: “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”. Shuara 88-89.

Zemrat janë tre lloj:

Lloji i parë: Zemra e pastër, e cila është e mbrojtur nga çdo sëmundje dhe e keqe dhe në të ekziston vetëm se dashuria ndaj Allahut dhe frikërespekti ndaj Tij.

Lloji i dytë: Zemra e vdekur, e cila në të nuk ka jetë dhe ajo zemër nuk e njeh Zotin e saj dhe as nuk e adhuron Atë dhe këtë lloj zemre e udhëheqin epshet dhe pasionet, edhe pse e zemërojnë dhe irritojnë Allahun, dhe nuk i përgjigjet këshillës por e ndjek çdo shejtan të rebeluar.

Lloji i tretë: Zemra e sëmur, e cila në të ka jetë po ka edhe sëmundje.

Zemra e parë është e gjallë, e butë. Zemra e dytë është e thatë e vdekur, kurse zemra e tretë është zemër e sëmurë dhe sëmundja e saj varet nga veprat e saj se sa janë ato të mira dhe se sa janë ato të liga.

Jeta, vdekja dhe sëmundja e zemrës varen nga veprat që i vepron njeriu dhe nga shkaqet që e bëjnë zemrën të gjallë është nënshtrimi ndaj urdhërave të Allahut, leximi i Kuranit, meditimi i tij dhe preokupimi me përmendjen e Tij. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!“. Rad 28, dhe ka thënë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten”. Enfal 2, dhe poashtu ka thënë: A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur”. Hadid 16.

Nga shkaqet që i japin jetë zemrës është edhe ndeja me njerëz të mirë, shoqërimi i tyre dhe ndjekja e tyre, pastaj dëgjimi i këshillave, ligjëratave, përkujdesja për namazin me xhemat dhe namazin e Xhumasë, meditimi dhe përsiatja në krijesat e  Allahut dhe çka në to nga urtësia. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt”. Bekare 186.

Nga shkaqet bë e bëjnë zemrën të vdesë është mospranimi i të vërtetës pas njohjes së saj. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur ata u larguan (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë); Allahu nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin jobesimtar”.Saf 5, dhe tha: “pastaj largohen. Allahu i shmang zemrat e tyre, sepse ata janë njerëz që nuk kuptojnë!”. Teube 127, dhe poashtu tha: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij”. Enfal 24.

Pronari i zemrës së vdekur është më i ulët se sa kafshët dhe shembulli i tij vendin e ka në Xhehenem. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit”. Earaf 179.

Kjo zemër shndërrohet në një zemër të degjeneruar dhe të vulosur dhe pronari i saj nuk ka mundësi të përfiton nga ajo, për arsye se ai e refuzoi të vërtetën dhe u kënaq me të kotën dhe e kota iu bë ushqimi i tij, devijimi rruga e tij dhe zjarri vendbanimi i tij.

Shkaqet e sëmundjes së zemrës janë të shumta dhe nga ajo ngrënia e pasurisë haram. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, me një hadith thotë: “Vërtet Allahu i madhëruar është i mirë dhe nuk pranon përveç se të mirën, dhe vërtet Allahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve. I Madhëruari ka thënë: “O ju të dërguar, hani gjërat e mira dhe punoni mirë“. I Madhëruari ka thënë:“O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar”.Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura dhe i cili i shtriu duart e tij kah qielli: “O Krijues, o Krijues!” Kurse ushqimi i tij është haram, dhe pija e tij haram, dhe veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”.    

 

Sot ngrënia e pasurisë haram është shtuar me të madhe në shoqërinë tonë ashtu siç shihet edhe haptazi dhe kjo është një nga shkaqet e degjenerimit dhe devijimit në moral.

Nga shkaqet e sëmundjes së zemrës është edhe veprimi i mëkateve. Mëkatet ndikojnë në zemra dhe i sëmurin  ato. Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat”. Mutafifin 14. Përcillet me një hadith se robi kur bën një mëkat i bëhet një pikë e zezë dhe nëse pendohet i largohet pika e nëse jo atëherë ajo pikë shtohet dhe zemrës i kanoset rrezik më i madh.

Nga shkaqet e sëmundjes së zemrës është edhe dëgjimi i asaj që nuk lejohet të dëgjohet nga fjalët e ndaluara, nga muzika dhe nga instrumentet muzikore. Kjo bela është shtuar me të madhe në shoqërinë tonë e sidomos kohëve të fundit ku dëmet e këtij mëkati janë bërë të shumëllojshme dhe janë shtuar rrugët e përhapjes së tij nëpërmjet internetit, radios, televizionit, etj. Paraqitja e këtij mëkati në shoqëri ka lënë pasoja të mëdha e sidomos në sjelljen e grave, fëmijëve dhe madje edhe të burrave. Muzika dhe këngët janë nga mjetet më të rrezikshme të Iblisit ku nëpërmjet tyre e shkatërron zemrën dhe Allahu i Madhëruar thotë: “Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata!”. Isra 64, dhe ceket se qëllimi i thënies “me zërin tënd” në ajet është për qëllim  muzika.

Nga shkaqet e shkatërrimit të zemrës është edhe shikimi i ndaluar. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, me një hadith thotë: “Shikimi në të ndaluarën është shigjetë e helmuar nga shigjetat e Iblisit”.

Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara)“. Nur 30-31. Shikimi i ndaluar trashëgon pasion në zemër të cilën edhe e sëmur.

Nga shkaqet e sëmurjes së zemrës poashtu është edhe shikimi dhe leximi i librave dhe revistave të fëlliqura të cilat përmbajnë tematike të fëlliqura dhe foto të ndyta të cilat i lexojnë burrat dhe gratë dhe madje edhe fëmijë, Allahu na ruajt.

O ju robërit e Allahut, nuk ka shërim për sëmundjet e zemrës përveç se me ilaçe të cilat i ka zbritur Allahu në librin e Tij dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët”. Junus 58, dhe “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje”. Isra 82.

Për këtë arsye kapuni për Librin e Allahut dhe traditën e të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, t’i shëroni zemrat e juaja nga sëmundjet e saj. Në to ka mëshirë, shërim, dritë, udhëzim, shpirt, jetë, mbrojtje nga shejtani dhe vesveset e tij. Secili nga ne le ta largon veten nga vendet ku ka harame dhe fitne dhe të largohet nga çdo mjet i cili e çon deri tek ato dhe poashtu largoni fëmijët e juaj dhe shtëpitë e juaja nga mjetet e degjenerimit nëse dëshironi shërim për zemrat e juaja  dhe hajr për shoqëritë e juaja dhe shpeshtojeni thënien e kësaj lutjeje që e thonte i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam: “O Ti që i rrotullon zemrat! Bëje zemrën time të qëndrueshme në fenë Tënde!”.

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

GJITHASHTU NË ALBISLAM