Dr. AbduRezzak El Bedr
Ai që i lexon biografitë e selefëve dhe të dijetarëve të shquar me diturinë dhe veprimtarinë e tyre has në raste të shumta që vërtetojnë ambiciet e larta të tyre si dhe vendosmërinë e tyre të sinqertë. Këto shembuj e skicojnë rrugën që duhet ta ndjekim dhe na motivojnë të veprojmë ashtu si kanë vepruar ata.
Në këtë tekst do të shkruaj për disa shembuj që u përkasin periudhave të ndryshme të historisë por të gjithë e vërtetojnë dashurinë e tyre për Sunnetin dhe qëndrueshmërinë e tyre në këtë rrugëtim. Nëse gjendja e tyre ka qenë kështu me veprat vullnetare dhe të pëlqyera, ashtu që vetëm se mundemi ta paramendojmë përkushtimin e tyre në veprat që janë obligime, farze dhe vaxhibe.
Sot, fatkeqësisht, tek njeriu arrin hadith i cili nënkupton ndonjë detyrë fetare, por nuk e gjejmë atë përkushtim dhe nxitim për ta kryer atë detyrë fetare sikur ishte te gjeneratat e mëhershme. Tregimet e tyre janë freskim për shpirtrat tonë dhe ndikojnë që t’i pasojmë në çdo model pozitiv që na e kanë lënë në amanet. Sa më afër pranë tyre do t’u ngjajmë më shumë dhe do jemi më afër gradave të larta që i kanë arritur.
Ibën Tejmije, rahimehullah thotë: Më afër përsosmërisë nga ky Ummet janë as’habët e Resulullahut, salallahu alejhi ve selem, pastaj ata që më së shumti ngjajnë me ta.
Anbese b. Ebu Sufjan në sëmundjen e vdekjes ka rrëfyer, e kam dëgjuar Ummu Habiben, e cila tha, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ve selem, të thotë: Kush i fal dymbëdhjetë rekate (vullnetare), gjatë natës dhe ditës, shkaku i tyre Allahu ia ndërton një shtëpi në xhenet. Ummu Habibja tha: prej kohës kur e dëgjova këtë hadith nuk i kam lënë këto dymbëdhjetë rekate. (transmeton Muslimi) Të njëjtën e thanë edhe Anbese b. Ebu Sufjan, Amër b. Eus dhe Numan b. Salim, transmetuesit e këtë hadith të Resulullahut, salallahu alejhi ve selem. Të gjithë nuk i kanë lënë këto dymbëdhjetë rekate prej çastit kur e kanë dëgjuar këtë hadith.
Abdullah b. Omeri, radijallahu anhuma, tregon se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: Besimtari, që ka diçka për ta lënë me testament, nuk ka të drejtë t’i kalojnë tri net pa e pas pranë tij testamentin e shkruar. Abdullah b. Omeri, radijallahu anhuma, tha: prej kur e dëgjova këtë prej të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem, nuk ka kaluar asnjë natë pa testamentin (vasijetin) pranë meje. (transmeton Muslimi)
Aliu, radijallahu anhu, tregon: Fatimeja, radijallahu anha, erdhi te i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem dhe kërkoi një shërbëtor. Muhammedi, alejhi salatu ve selam, i tha: A dëshiron të, të tregoj diçka që është më e mirë se sa shërbëtori, para gjumit thuaj tridhjetë e tre herë subhanallah, tridhjetë e tre herë elhamdulilah dhe tridhjetë e katër herë Allahu ekber. Aliu tha: Asnjëherë nuk e lash këtë vepër. E pyetëm as natën para betejë Siffin, tha as natën para Siffinit. (Muttefekun alejhi)
Ibën Omeri, radijallahu anhuma, tregon: Faleshim me të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ve selem, kur një njeri nga të pranishmëve tha: Allahu ekber kebiren, velhamdulilahi kethiren, ve subhanallahi bukreten ve esilen, I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, tha: Kush i tha këto fjalë? Njeriu tha: Unë o i Dërguari i Allahut, e Resulullahu tha: U habita, për këto fjalë u hapën dyert e qiejve. Ibën Omeri, radijallahu anhuma, tha: Pasi e dëgjova këtë që e tha i Dërguari i Allahut, asnjëherë nuk i kam lënë këto fjalë.
Ebu Umameja, radijallahu anhu, e transmeton këtë hadith: Ai i cili në fund të çdo namazi e lexon Ajetul Kursinë, mes tij dhe hyrjes në xhenet është vetëm vdekja. (transmeton Nesaiu). Ibën Kajjimi, thotë se hoxha i tij Ibën Tejmije, Allahu i mëshiroftë të gjithë, nuk e ka lënë leximin a Ajetul Kursisë, pas çdo namazi.
Ebu Seid El Hudriu, radijallahu anhu, thotë: I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: Larja ditën e xhumasë është obligim për çdonjërin që ka arritur moshën e pjekurisë. (transmeton Ahmedi) Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, në komentin e tij të librit Bulugul Meram ka shkruar: E saktë për mua është se larja ditën e xhumasë është obligim për çdo njeri dhe nuk e kam lënë asnjëherë, në verë e as në dimër, kur ka qenë nxehtë apo ftohtë, e as gjatë sëmundjes kur e përballoja larjen.
Shembuj të këtillë kemi shumë, por qëllimi ishte të shpalosim disa prej tyre. Allahu na bashkoftë të gjithëve me njerëzit e mirë dhe na dhëntë forcë dhe vullnet për çdo vepër të mirë.
Solli në shqip: Dr. Amel Kurtishi