SHËNDETI I ZEMRAVE

SHËNDETI I ZEMRAVE

0 4090

Allahun e falënderojmë, vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga të këqijat tona dhe të këqijat e veprave tona, kë Allahu e udhëzon nuk ka kush e lajthit, dhe kë Allahu e devijon nuk ka kush që e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër po Allahut, i Cili është Një i pa rival, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij.

Libri i Allahut dhe suneti i të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem, tregojnë se zemra mund të sëmuret dhe shëndoshet, siç thotë Allahu: “O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët”. Junus, 57.

Në këtë ajet Allahu sqaron se Kurani Fisnik, që është këshillë, është shërues për gjokset (zemrat), pra, nëse është për të shërues, kjo tregon se ajo zemër mund të sëmuret, dhe se Kurani është shërues i saj, me lejen e Allahut.

Allahu thotë: “(bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë”. Shuara, 89.

E zemër e shëndoshë, nënkupton të jetë e shëndoshë, e pastër nga sëmundjet, qofshin ato sëmundje të epsheve apo të dyshimeve.

Allahu i Madhëruar thotë për hipokritët: “Në zemrat e tyre kanë sëmurje, e Allahu u shton sëmundje edhe më shumë”. Bekare, 10.

E për ta bërë atë (dyshim) që djalli e hedh si sprovë për ata që në zemrat e tyre kanë dyshim (munafikët) dhe për ata që i kanë zemrat e shtangëta”. Haxh, 53.

O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse kini kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura”. Ahzab, 32.

Po nëse hipokritët dhe ata që kanë zemra të sëmura, dhe ata që përhapin gënjeshtra në Medine, nuk ndalen, Ne do të bëjmë që ti të dominosh mbi ta e pastaj ata nuk do të jenë fqinj me ty në të, vetëm një kohë të shkurtër”. Ahzab, 60.

Kjo sëmundje nuk mund të largohet e as të shërohet pos duke konsumuar medikamentet imanore e pejgamberike, siç thotë Allahu: “O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët”. Junus, 57.

Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim”. Isra, 82.

Përmirësimi  zemrës apo sëmundja nuk përqendrohet vetëm se në zemër, por ajo reagon edhe në gjithë trupin, siç na ka treguar i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem: “Me të vërtetë në trup është një copë mishi, nëse ajo është e shëndoshë i gjithë trupi është i shëndoshë, nëse ajo prishet i gjithë trupi prishet, padyshim se ajo (copë mishi) është zemra”. E transmeton Buhariu me numër 53 dhe Muslimi me numër 4850.

Kjo sëmundje është si edhe sëmundjet tjera, ka shenjat dhe simptomat e saja, ka shkaqet, ka metoda për t’u ruajtur dhe për t’u shëruar prej tyre, këto do t’i paraqesim në vijim:

Shenjat apo simptomat të cilat aludojnë se zemra është e sëmurë:

1-Humbja e oreksit: Ashtu sikur që trupi ka ushqimin e vet, edhe zemra ka ushqimin e saj, e ushqimi i zemrës është përmendja e Allahut, si leximi i Kuranit, lartësim i Allahut, falënderimi, madhërimi, dhe llojet tjera të adhurimeve. E që nëse zemra sëmuret, nuk gjen rrugë drejt Kuranit, përmendjes së Allahut, dhe atëherë që shëndoshet kënaqet në shijimin e tyre, saqë as nuk mund të ngopet.

2-Praktika e dobët e adhurimeve: ashtu sikur që trupi nëse sëmuret dobësohet, njashtu zemra e sëmurë nuk është e fortë për adhurime, e bëhen sikur të jenë male,  dhe prej veprave më të rënda për të, sikur që thotë Allahu për namazin: “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin)”. Bekare, 45.

Pra, ata që kanë frikë Allahun, kanë zemrat e shëndosha, ndërsa për poseduesit e zemrave të sëmura ajo është e madhe, pra e vështirë, për shkak zemrave të dobëta, si shkak i sëmundjeve që kanë në zemër.

3-Plogështia gjatë përmendjes së Allahut, dhe gëzimi, rehatia dhe hareja gjatë dëfrimit, lojës dhe gjërave të kota, Allahut thotë: “Kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë botën tjetër neveriten, e kur përmenden, përveç Atij, të tjerë, ata gëzohen”. Zumer 45.

Pra, ai që ka sëmundje në zemrën e tij, ndihet mirë dhe gëzohet për ndejat të cilat zgjasin me orë të tëra e që kalojnë pa përmendje të Allahut, që i endin ata nëpër luginat e dynjasë, e që kur të prezanton në ndonjë ligjëratë, apo ndonjë këshillë ku përmendet Allahu, i vështirësohet atij, saqë thotë me gjuhën e tij:

“Oj natë e gjatë kur do të përfundosh…”.

4-Dashamirësia më mëkatarët: të duhen mëkatarët ndërsa të jetë i vrazhdë me të mirët, Allahu na ruajt.

5-Buzëqeshja, gëzimi, e rehatia gjatë hyrjes në tregje e vende të dëfrimeve e lojërave, e të ngjashme, dhe ndjenja e ngushtimit, vështirësisë e shqetësimit gjatë hyrjes në xhamitë e vendet ku kultivohet besimi.

6-Mos ndjenja e plagëve të mëkateve, gënjen, e braktis namazin, bie në imoralitet, e kështu me radhë, pastaj nuk gjen brejtje, se po të kishte jetë në zemër ajo do të kishte ndikim, po aq sa ka jetë në zemrën e tij.

Shkaqet që sjellin sëmundjen e zemrës:

1-Ushqimi i dobët dhe i neglizhuar shpirtëror: këmbimin me ushqime të dëmshme, i le adhurimet, farzet, vaxhibet, sunetet, gjërat e preferuara, i lëshon zemrës së tij mëkate të shumta nga kanalet e ndryshme, e zemra e tij është e hapur për ato mëkate.

2-Fitnet e ndryshme, qofshin ato dyshime apo epshe: Siç qëndron në hadithin e Hudhejfe ibnul Jeman, radijallahu anhu, i cili thotë: i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “U shfaqen fitnet zemrave, po si hasra (e thurur) një nga një, ajo zemër e cila i pranon, i shënohet një pikë e zezë, e ajo zemër e cila i refuzon i shënohet një pikë e bardhë, saqë të bëhet me dy zemra: të bardhë si mermeri i bardhë, nuk i bën dëm asnjë fitne për aq sa janë qiejt dhe toka, ndërsa tjetra e zezë e errët, si mashtrapë e pjerrët nuk njeh të mirën e as që mohon të keqen, pos atë që e pranon nga epshi i tij.”

3- Fjalët e kota: është për qëllim fjalët e panevojshme, shpeshtimi i këtij lloji të fjalëve është helm për zemrën, Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Helm i zemrës janë katër gjëra: fjalët e kota, shikimi i kotë, ushqimi i kotë dhe ndenja e kotë”.

I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, na tregon për rrezikun e fjalëve të tepërta, nga të cilat nuk ka dobi, dhe ka thënë siç qëndron në dy “Sahihët”, nga hadithi i Ebu Hurejres, radijallahu anhu: “Kush është që beson në Allahun dhe ditën e Fundi, le të flet mirë ose le të heshtë”. Buhariu dhe Muslimi.

Si dhe në hadithin e Muadh in Xhebelit, radijallahu anhu: “Isha me të dërguarin, sal-Allahu alejhi ve selem në një udhëtim, e një ditë isha afër tij, e ishim duke ecur, e i thash: O i dërguari i Allahut! Më trego për një punë që më fut në xhenet dhe më largon nga zjarri? Tha: “Ke pyetur për një gjë madhështore, por është e lehtë për atë që ia lehtëson Allahu. Të adhurosh Allahun dhe t’i mos i përshkruash rival, të falësh namazin, të japësh zeqatën, të agjërosh Ramazanin, dhe të kryesh haxhin”. Pastaj tha: “A dëshiron të të udhëzoj kah dyert e mirësive? Agjërimi është mburojë, lëmosha e shuan gjynahun ashtu si uji e shuan zjarrin, dhe namazi i njeriut në errësirën e natës”. Pastaj lexoi: “I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin. Pra, për ata që kanë vepruar, nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim”. Sexhde, 16-17.

Pastaj tha: A dëshironi t’ju tregoj për gjënë kryesore, shtyllën dhe kulminacionin e gjithë kësaj? Thashë: Gjithsesi o i dërguari i Allahut! Tha: Ruaje këtë.’ I thashë: ‘O Pejgamberi i Zotit, a thua edhe për këtë përgjegjës do të jemi?’ Ai tha: ‘Të pastë nëna (Zoti të dhashë jetë) o Muadh! A thua diç tjetër i hedh njerëzit në zjarr përveç gjuhëve (thënieve) të tyre të këqija’.”[1]

4-Shikimi i pakontrolluar: Në hadith qëndron “Shikimi është shigjetë e helmuar prej shigjetave të Iblisit, ai që e ul shikimin për hir të Allahut Allahu i dhuron atij kënaqësi që e ndien në zemër deri në ditën e Kiametit”.[2]

Allahu thotë: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata”. Nur, 30.

Shikimi në gjëra të kota e veshë zemrën me errësirë, sikur që ulja e shikimit për hir të Allahut, e ndriçon atë, Allahu në ajetin e sures “Nur” përmend “Allahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i gjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërus e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lidjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai.”, pas fjalës së Tij “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit)” Nur, 35. Kur zemra të ndriçon afrohen mirësitë e shumta nga çdo anë, ashtu si kur të errësohet afrohen retë e fatkeqësive prej çdo vendi.

Ai që ruan shikimin e tij nga harami, Allahu ia ndriçon atij sytë, dhe ai që shikon në haram Allahu ia verbëron sytë dhe zemra e tij sëmuret.

5-Ushqimi i pakontrolluar:

Ushqimi i tepërt e mbyt zemrën, dhe është shkak kryesor i çdo sëmundje, i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Nuk ka mbushur biri i Ademit enë më të keqe se barkun e tij, i mjafton birit të Ademit disa kafshata që ta mbajë kurrizin e tij, e nëse është patjetër, atëherë (le të ndajë) një të tretën për ushqim, një të tretën për pijë dhe një të tretën për frymëmarrje.”

Ibrahim Ed’hemi ka thënë: “Ai që e rregullon barkun e tij e rregullon edhe fenë e tij, ai që e zotëron urinë zotëron sjellje të mirë, dhe me të vërtetë mëkati ndaj Allahut është larg të uriturit e më afër të ngopurit.”

6-Shoqërimi i pakontrolluar:

Njerëzit në këtë pikë ndahen në katër kategori:

Kategoria e parë, është ajo kategori që shoqërimi me ta është po si ushqimi i përditshëm, nuk mund të qëndrojmë pa të gjatë ditës e natë, e ata janë dijetarët dhe njerëzit e mirë.

Kategoria e dytë, që shoqërimi me ta është po si marrja e ilaçeve, nuk i konsumon njeriu pos për ndonjë nevojë, dhe me sasi të caktuar, ky lloj i njerëzve janë ata që e ke patjetër të shoqërohesh me ta, si shokët e punës, me ata që ke raporte, etj. Që nëse e kryen nevojën tënde që e ke patjetër, atëherë shpejto të largohesh nga ata, pos nëse janë nga kategoria e parë.

Kategoria e tretë, që shoqërimi me ta është si sëmundja, janë ata që shpalosin mëkatet e tyre, këtë kategori mos e shoqëro, sado që të kushton të ikësh prej tyre, ngase shoqërimi me ta ngurtëson zemrën.

Kategoria e katërt, që shoqërimi me ta është shkatërrim, nga i cili nuk ka shpëtim më pas, këta janë jobesimtarët dhe bidatçitë.

Metodat e mbrojtjes dhe shërimit:

1-Përmendja e Allahut dhe leximi i Kuranit.

2-Kërkimi i faljes dhe pendimi i sinqertë.

3-Lutja dhe kthimi tek Allahut.

4-Salavatet mbi të dërguarin, sal-Allahu alejhi ve selem.

5-Namazi i natës.

6-Largimi nga vendet e fitneve e të shthurura.

Dhe në fund, e lusim Allahun e Madhëruar të na dhuron shëndet në zemrat tona, në trupat tonë, të largojë sëmundjet nga ne. O Allah, na e bëj të dashur imanin, e zbukuro atë në zermat tona, na e bën të urrejtur kufrin (mosbesimin), shthurjen morale, e mëkatet, dhe na bë prej të udhëzuarve.

O Zot na dhuro urtësi e na bë prej të mirëve, na mundëso të flasim drejt për të tjerët, na bë prej trashëguesve të xhenetit të begatshëm, mos na poshtëro ditën e ringjalljes, atë ditë që nuk bën dobi as pasuria e as fëmija, pos ai që vije para Allahut me zemër të pastër…

Muhamed ibn Abdullah Sehmrani

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

[1] Hadithi është i vërtetë, e transmeton Tirmidhiu 7/362.

[2] Hadithi është i dobët, e transmeton Taberani 8/63.

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 575