23.8 C
Skopje
E shtunë, 19 Prill, 2025

SHENJAT E ARDHJES SË PROFETIT

Me sa u përmend në temën para kësaj, duket qartë se ishte zgjeruar e çara midis Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe popullit të vet.

Ai shqetësohej kur i shikonte njerëzit në punë të këqija dhe në vuajtje dhe donte të largohej prej tyre e të qëndronte në vetmi, për të menduar një rrugë që mund t’i shpëtonte ata. Ky shqetësim sa vinte e bëhej më i madh dhe me përparimin e moshës iu forcua më tepër dëshira për t’i shpëtuar njerëzit nga shkatërrimi. Dukej sikur dikush e thërriste për të qëndruar në vetmi dhe për t’u shkëputur nga njerëzit.

Prandaj, filloi të shkonte në shpellën Hira. Atje adhuronte Allahun sipas asaj që kishte mbetur nga feja e Ibrahimit (paqja qoftë mbi të!). Ai shkonte atje çdo vit një muaj, muajin e Ramazanit. Pasi kalonte koha e caktuar dhe plotësohej plot një muaj, kthehej në Mekë në mëngjes dhe bënte tavaf rrotull Shtëpisë së Shenjtë. Pastaj kthehej në shtëpinë e vet. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vazhdoi kështu tri vjet rresht.

Kur Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) arriti moshën 40 vjeç, që është mosha e zhvillimit të plotë të njeriut, moshë në të cilën u bënë profetë edhe Profetët para tij, nisën t’i shfaqen shenjat e profetësisë dhe sihariqet e lumturisë. Filloi të shikonte ëndrra të mira, të cilat dilnin siç i shikonte. Shikonte ndriçimin dhe dëgjonte zërin. Një herë ai tha: “Unë di një gur në Mekë, që më përshëndeste me “Selam!”, para se të bëhem Profet.”

Zbritja e Zbulesës ishte muaji i Ramazanit, kur Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pati arritur moshën 41 vjeç dhe ndodhej në shpellën Hira duke përmendur Allahun dhe duke e adhuruar Atë, kur papritmas i erdhi Xhebraili (paqja qoftë mbi të!) me mesazhin profetik dhe Zbulesën (Revalatën).

Për këtë le të dëgjojmë fjalën e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila na e tregon hollësisht këtë ngjarje: “Në fillim, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka marrë zbulesën në formë ëndrrash të mira. Pra, sa herë që ai shikonte ndonjë ëndërr, i vinte një ndriçim, ashtu siç shkëlqen kur zbardh agimi. Më pas, atij i pëlqente të rrinte në vetmi. Prandaj, shkonte e rrinte i vetëm në shpellën Hira. Aty e adhuronte Allahun disa net dhe për këtë merrte ushqim me vete. Pastaj kthehej te Hatixhja dhe i linte asaj ushqim dhe çfarë i nevojitej. Vazhdoi kështu, derisa i erdhi e Vërteta aty, në Shpellën Hira. Profeti ka thënë,- vijoi Aishja: “Më erdhi engjëlli Xhibril dhe më tha: “Lexo!” Iu përgjigja: “Unë nuk di të lexoj.” Engjëlli më mori e më shtrëngoi aq fort, sa mu zu fryma. Pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” Unë i thashë: “Nuk di të lexoj.” Atëherë, engjëlli më kapi e më shtrëngoi përsëri sa desh më mbyti. Pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” Unë i thashë: “Unë nuk di të lexoj.” Ai më shtrëngoi për të tretën herë, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një pike gjaku të ngjizur. Lexo! Se Zoti yt është më bujari. Ai e mësoi njeriun të shkruajë me penë. I mësoi njeriut atë, që nuk e dinte.”

Me këto ajete, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye, duke iu dridhur zemra dhe hyri te Hatixhja, bija e Huvejlidit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i tha: “Mbulomë! Mbulomë!”. E mbuluan dhe ai qëndroi ashtu, derisa i kaloi frika. Pastaj i tregoi Hatixhes atë që i kishte ndodhur. “Pata frikë se nuk mund ta kryeja këtë detyrë”,- i tha ai Hatixhes. “Mos ki frikë,- i tha Hatixhja. Për Zotin, Allahu kurrë nuk do të të turpërojë ty. Ti e shikon farefisin; ti i duron vështirësitë; i jep atij, që nuk ka; ti e mirëpret të dobëtin; ti ndihmon që të vihet në vend e drejta.”

Pastaj Hatixhja shkoi te Varaka ibën Esed ibën Abdu Uzza, biri i xhaxhait të Hatixhes, i cili ishte i krishterë. Ai dinte ta shkruante Librin në hebraishte. Në atë kohë Varaka ishte plakur dhe ishte verbuar. “O biri i xhaxhait tim!”,- i tha Hatixhja. Dëgjo nga biri i vëllait tënd.” Varaka i tha Muhamedit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “O biri i vëllait tim, çfarë ke parë?” I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tregoi atë që kishte parë në shpellën Hira. “Ai është Xhebraili, që Allahu ia zbriti Musait”,- tha Varaka. “Ah, sikur të isha i fuqishëm! Ah, sikur të isha gjallë, kur populli yt të të nxjerrin ty prej Mekës.” “Vërtet, do të më nxjerrin mua ata?”,- pyeti i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). “Po,- iu kthye Uaraka. Çdo njeri që ka ardhur me atë që vjen ti, është luftuar e në qoftë se do të isha gjallë kur të vinte dita jote, do të të ndihmoja sa të mundja.” Nuk kaloi shumë kohë dhe Uaraka vdiq. Ndërkohë, Zbulesa u ndërpre.

Safijurrahman el-Mubarekfuri

(nga libri “Lulishtja e dritave”)

Hoxhë Mr Shpend Zeneli
Hoxhë Mr Shpend Zenelihttps://www.albislam.com
Kryeredaktor i faqes islame albislam.com, nga viti 2011 e ne vijim. I diplomuar në fakultetin e sheriatit pranë Universitetit Islamik në Medine. Viti 2005-2011. Magjistër i shkencave Kuranore pranë Universitetit Al Kasim, viti 2014-2018. Hatib, imam dhe mualim pranë xhamisë Haxhi Azem, Shkup, me fillim nga dhejtori i vitit 2018. Përkthyes i rregullt i librave nga gjuha arabe, recenzues fetar dhe njëkohësisht ligjerues në kurse për mësimin e gjuhës arabe.

Ndani postimin:

Abonohu

Të fundit

Të ngajshme
Artikuj

Vërtet të mirët janë në një jetesë të këndshme

"Vërtet të mirët janë në një jetesë të këndshme!"...

Zbukurohu për Allahun… jo për njerëzit!

Allahu i Madhëruar thotë: "O bijtë e Ademit! Merrni stolitë...

Pesë kategoritë e namazlinjëve

"Njerëzit në namaz ndahen në pesë kategori:" ➊ I ndëshkuar...

Kur’anijunët dhe rreziku i tyre

Kur'anijunët janë një grup që pretendojnë të ndjekin vetëm...

Çka është për ty libri?

Për Xhahidhin, me sa vijon:"Nuk njoh fqinj më të...

Shpresa (الرجاء)

Shpresa (الرجاء) është një adhurim i rëndësishëm i zemrës,...

Dashuria si akt i zemrës

Dashuria në Islam është një nga adhurimet më të...

Një kokërr ve mund të vërtetojë ekzistimin e Zotit

U pyet Ahmed ibn Hanbeli: si e njohe ekzistimin...

Vitit të Ri Hixhrij

Fillimi i vitit të ri hixhrij është një ngjarje...

Frika si adhurim i zemrës

Frika (الخوف) është një ndjenjë e natyrshme dhe thelbësore...

Koncepti i Teuhidit dhe bukuria e tij

Teuhidi është koncepti themelor në Islam që nënkupton njësimin...

Dita e 13 e Dhul-Hixhes

Dita e 13 e Dhul-Hixhes është një ditë me...