E dua shumë, këtë dijetar, dhe kjo dashuri ndaj tij më është shfaqur prej kohësh. Dallohet me mendime të thella për shumë çështje të ndërlikuara. Me të folur del në pah dituria e madhe. Hulumtimet i shkruan arabisht edhe anglisht. Shkrimet e tij edhe pse jo të gjata i ofrojnë lexuesit njohuri që nuk i gjen as në hulumtimet e gjata. Ky shkrimtar dallohet prej të tjerëve. Shkrimet e tij nuk janë të llojit copy/paste, përkundrazi mbështetet në mendimet dhe idetë e tij personale.
I lexoja shkrimet e tij dhe dëgjoja për të para se ta takoj, i jepja vetes shpresë të takohem me të…
Kaluan dite dhe vite me veçoritë mahnitëse që i ka vetë koha. Unë si banor i Riadit nuk e pata fatin të takohem me këtë person edhe pse shumë shpresoja. Vullneti i Allahut caktoi të takohemi përtej oqeaneve në Uashington.
Në vitin 1407 H isha pjesëmarrës në seminarin e organizuar për imamë dhe ligjërues të SHBA-ve dhe Kanadasë që mbahej në Akademinë islame të Arabisë Saudite në Virxhinia. Pjesëmarrës në këtë seminar ishte edhe Prof. Dr. Xhafer Shejh Idrizi, një sudanez që ishte profesor në Universitetin Mbreti Saud e pastaj në Universitetin islamik Imam Muhamed bin Saud.
Ky është dijetari për të cilin ju fola dhe të cilin kisha dëshirë të madhe ta takoj. Gëzimi im për këtë takim që e caktoi i Plotfuqishmi ishte shumë i madh. Nuk bëhej fjalë për një takim një apo dyditor. Qëndruam bashkë dy muaj.
Po t’ju flisja për dobitë që i përfitova prej tij, nuk do të mjaftonte koha, por do mjaftohem me atë që e thash në një intervistë: Të gjithë që dëgjoja për ta kur i takoja e kuptoja se janë më poshtë së sa ishin pritjet të mia, përpos Xhafer Shejh Idrizi. Ai i tejkaloi pritjet e mia.
Me takimin tonë doli në shesh një befasi mahnitëse. E kuptova se i do takimet, përgjigjej në ftesat për manifestime, për biseda të lira, për shoqërim. I thash
vetes: Pasi kaq kohë kalon në takime, biseda dhe manifestime kur lexon ky dijetar? Kur hulumton? Kur shkruan?
E pata vështirë ta pyes, për shkak të respektit dhe edukatës me dijetarët. Pas kursit lidhja jonë u forcua më tepër. U shtua dashuria dhe respekti i ndërsjellë.
Në vitin 1408 H ishim pjesëmarrës në një kurs fetar në qytetin Mombasa në Keni. Në këtë udhëtim pranë vetes e kisha edhe djalin tim Enesin i cili asokohe ishte tetëvjeçarë. E pa hoxhën Xhafer Shejh Idriz duke e lexuar një libër të madh dhe pasi e takoi, përsëri, pas tetë muaj e pyeti: A e përfundove leximin e atij libri të madh? Hoxha qeshi shumë me këtë pyetje.
Në vitin 1409 H fillova punën si drejtor në Institutin për studime islame dhe arabe në Uashington. Pata fat që në atë kohë Dr. Xhaferi u transferua nga universiteti në institutin tonë në qendrën e hulumtimeve dhe studimeve. Ky rast ishte më i volitshmi të përfitoj nga dituria dhe përvoja e tij. Gjatë verës kërkova të banoj me të një muaj sepse në banesën time kisha mysafir nga Arabia Saudite, ndërkohë që familjen e kisha në Riad.
Ky qëndrim bashkërisht ishte rasti që ta zbuloj sekretin që më mahniti te ky dijetarë i nderuar.
Zbulova se ai zgjohej një orë para namazit të sabahut, falte aq sa mundte namaz nate, lexonte Kuran deri në kohën e sabahut. Pas namazit të sabahut fillonte të lexojë dhe të hulumtojë deri në kohën e fillimit të orarit në punë, ora nëntë para drekës.
Pas orës pesë pasdite kthehej në shtëpi. Nëse ishte i ftuar për darkë apo takim shkonte dhe nuk vonohej më vonë se ora dhjetë në mbrëmje kur kthehej në shtëpi dhe fillonte orari i gjumit.
Një ditë i tregova për atë që më mahniste tek ai dhe për zbulimin tim. Ai më tha: Të kam si djalë, ti je më i ngarkuar se unë nga aspekti kohor për shkak të obligimeve të shumta zyrtare. Pasi je nxënës i dijes prej teje kërkohet edhe hulumtimi i çështjeve. Të këshilloj ti shfrytëzosh kohët e “vdekura” dhe ti
ngjallësh me hulumtim, shkrim dhe lexim, dhe vazhdo kështu. Do të shohësh se realizimi yt në projektet shkencore do ti tejkalojë pritshmërinë tënde.
Mësoje veten që të mos flesh pas namazit të sabahut, shfrytëzoje këtë kohë për të lexuar, shkruar dhe hulumtuar. Është kohë në të cilën nuk priten vizita nga askush ndërsa mendja është e kthjelltë në atë kohë.
Shfrytëzoje edhe kohën mes iqindisë dhe akshamit ngase vizitat në atë kohë janë të rralla.
Pastaj vazhdoi duke thënë: Ai që e ka bë shprehi gjumin pas sabahut dhe pas iqindisë e humb kohen më të vlefshme dhe nuk do të gjejë kohë për ta kompensuar atë periudhë.
Me fillimin e natës fillojnë edhe vizitat dhe takimet shoqërore.
Kjo shkurtimisht ishte këshilla e këtij dijetari të respektuar. Pasi e dëgjova fillova menjëherë me zbatimin e saj. Për një kohë të shkurtër përparova shumë në aspektin akademik. Disa shokë u befasuan ngase e dinin ngarkesën e orarit tim me angazhime administrative, humanitare dhe shoqërore. Para vete e kisha vetëm një koleg i cili e kishte mbyllur shtëpinë e tij, nuk vizitonte askënd dhe vet nuk vizitohej. Ai arriti ti përfundojë hulumtimet e tij akademike vetëm një muaj para meje.
Kështu fillova ti shfrytëzoj kohët e vdekura për kryerjen e detyrave sepse në kohërat tjera isha i angazhuar me angazhime të ndryshme, zyrtare, vullnetare, tregtare, shoqërore….
Pas ndihmës së Allahut, këshilla e hoxhës së nderuar Xhafer Shejh Idriz më ndihmoi shumë. Këshilla e tij që të përfitoj nga ato kohë që shumica i humbin u bë parim i punës time.
Autor: Dr. Salih El Ajid-Riad
Përktheu: Talha Kurtishi
Burimi: albislam.com