Ka disa njerëz që thërrasin në konsiderimin e paraqitjes së hënës në Mekke, duke u kujdesur për bashkimin e gjithë ummetit në hyrjen e muajit të Ramazanit dhe muajve të tjerë. Kush është mendimi juaj?
Përgjigje: Kjo nga aspekti astronomik është e pamundshme, sepse dalja e hënës në vende të ndryshme siç ka thënë Shejhul Islam Ibën Tejmije, rahimehull-llah, dallon dhe për këtë pajtohen të gjithë ata që e njohin këtë shkencë.
Pasi dallon, atëherë rezultati i argumentit tekstual dhe logjik është që secili vend të ketë dispozitë më vete. Sa i përket argumentit tekstual, All-llahu, azze ue xhel-le, ka thënë: “…E kush e sheh prej jush këtë muaj, le të agjërojë…”. (el-Bekare 185).
Nëse e zëmë se njerëzit në skaj të tokës nuk e kanë parë hyrjen e muajit -d.m.th. hënën- ndërsa Mekelinjtë e kanë parë, në këtë rast si mund ta orientojmë urdhërin tek ata që nuk e kanë parë hyrjen e muajit?!
Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Agjëroni kur ta shihni hënën dhe lëreni agjërimin kur ta shihni hënën”.[1] Muttefekun alejhi.
Shembull: Nëse banorët e Mekës e shohin hënën, në çfarë mënyre mundet që banorët e Pakistanit dhe lindorët që janë pas tyre t’i detyrojmë me agjërim, duke e ditur se hëna ende nuk ka dalë në qiellin e tyre, ndërsa Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, fillimin e agjërimit e ka bërë të lidhur ngushtë me shikimin e hënës.
Ndërsa argument logjik është kijasi (analogjia) i shëndoshë, i cili në asnjë mënyrë nuk mundet të refuzohet. Ne e dijmë se agimi del në anën lindore para se të dali në anën perëndimore, pra, kur del agimi në anën lindore a duhet ta kryejmë syfyrin, ndërsa te ne është ende natë? Përgjigjja: Jo.
Kur të perëndon dielli në anën lindore, ndërsa ne jemi ende në ditë, a na lejohet të fillojmë iftarin? Përgjigjja: Jo.
Atëherë, çështja e hënës me diellin është e njëjtë plotësisht, hëna ka kohë të caktuar mujore, ndërsa dielli ka kohë të caktuar ditore.
Pastaj Ai që ka thënë: “Natën e agjërimit u është lejuar afrimi të gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. All-llahu e di se ju e keni mashtruar Veten, prandaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tashti e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu dhe hani e pini derisa të dallohet qartë peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në itikaf) nëpër xhamia, mos t’i afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e All-llahut, pra, mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë All-llahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen”, (el-Bekare 187), është i Njëjti që ka thënë: “…E kush e sheh prej jush këtë muaj, le të agjërojë…”. (el-Bekare 185).
Pra, aludimi i argumentit tekstual dhe atij logjik është që për çdo vend të bëjmë dispozitë të veçantë lidhur me fillimin e agjërimit dhe mbarimin. Kjo lidhet ngushtë me shenjën shqisore, të cilën e ka caktuar All-llahu, subhanehu ue teala, në Librin e Tij dhe Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, në Sunetin e tij.
Ajo shenjë është shikimi i hënës dhe shikimi i diellit apo agimit.
përktheu: Omer B.
[1] Buhariu në kapitullin e Agjërimit (1909) dhe Muslimi në kapitullin e Agjërimit (1081).