SHOKU I KEQ

SHOKU I KEQ

0 5495

Shoku i keq

 

Ndeja  me njerëz të këqij ndikon shumë në fenë e besimtarit, moralin, sjelljen, dëshirat dhe në të folurit e tij. Pikërisht nisur nga ky fakti i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj le të ketë kujdes çdonjëri pre jush se më kë shoqërohet.”[1]

Dëmi i shokëve të këqij është shumë i qartë. Nga shkaku i këtij dëmi islami i kushton vëmendje të veçantë kësaj çështjeje dhe e mëson besimtarin të ketë kujdes më kë shoqërohet, andaj e ndalon ndejën me njerëzit e këqij si dhe e obligon largimin nga shoqëria e keqe në të mirë. Allahu i Lartësuar thotë: “Engjëjt që ua morën shpirtin e atyre që ishin mizorë të vetvetes ju thanë: “Në çfarë ishit ju? – Ata thanë: “Ne ishim të pa aftë në atë tokë!” (Engjëjt ju thanë): “A nuk ishte e gjerë toka e Allahut e të migroni në të?” (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit). Vendi i tyre është xhehennemi dhe sa vend i keq është ai![2]

Natyra e njeriut është e tillë që menjëherë ndikohet nga ata me të cilët përzihet, madje njeriu ndikohet edhe kur qëndron me kafshët. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mendjemadhësia dhe mburrja është me ata që flasin ashpër, beduinët nomad e që i ruajnë devetë, ndërsa butësia është tek bariu i dhenve.”[3]

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, na tregoi se te bariu i deveve mbisundon mendjemadhësia, mburrja dhe kryelartësia, ndërsa te bariu i dhenve mbisundon qetësia dhe butësia. Prandaj përderisa njeriu ndikohet edhe nga kafshët të cilat nuk logjikojnë, e as që mund ti i kuptojë zërat e tyre e as që mendohet njeriu të hajë bashkë me to apo të bëj ndonjë veprim tjetër me to, atëherë si thua vallë sa mund të ndikohet nga vetë lloji i vetë me të cilin komunikon në çdo aspekt?! Jo vetëm kaq, porse njeriu me njeriun kuptohet edhe shumë më thellë madje kur ky komunikim ndërtohet mbi epshe, teka dhe dyshime të shëmtuara nga shumica e njerëzve atëherë neve na bëhet i qartë realiteti se ndikimi i shoqërisë jo morale sot mbi ne është shumë i fuqishëm, prandaj nga ky ndikim negativ njerëzit shpëtojnë varësisht prej devotshmërisë, dijes dhe ruajtjes, kush më pak e kush më shumë.

Shoku i keq të largon nga Zoti yt, ti ndjek të metat tua, kur ka interes qëndron me ty, kur ti ke nevojë për të largohet prej teje, çdoherë lakmon nga dëshirat e tij, e poqëse ia prish për diçka, ai menjëherë distancohet prej teje.

Shoku i keq të bën dëm deri në frymën e fundit të kësaj bote. Poqëse dëshiron ta kuptosh realitetin e kësaj fjale, medito rreth rastit të xhaxhait të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, Ebu Talibit i cili ishte para vdekjes, ndërsa në krahun e tij qëndronin dy shokët e këqij Abdurrahman ibn Umeje dhe Ebu Xhehli, e në krahun tjetër qëndronte i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, që i tha: “O xhaxhai im thuaj La ilahe ilAllah, një fjalë me të cilën do të kem mundësi të argumentohem me të tek Allahu.” – Kurse Ebu Xhehli dhe Ebu Umeje i thanë: A do të lësh fenë e Abdul-Mutalibit? – Që do të thoshte ndryshe: Mos e prano islamin, por vazhdo në mosbesim. – I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, përsëri ia tha të njëjtën, kurse ata i qëndronin mbi kokë dhe ia thoshin po të njëjtën, e si pasojë në fund Ebu Talibi tha: Ai Ebu Talibi është në fenë e Abdul-Mutalibit. – Pra, e mohoi fjalën La ilahe ilAllah dhe vdiq si mosbesimtarë.[4]

Shiko në kujdesin e këshilltarit të mëshirshëm për xhaxhain e tij, i cili ishte në shtrat të vdekjes, ai priste nga xhaxhai i tij që ta thotë këtë fjalë me të cilën do të shpëtonte nga zjarri, ndërsa dy shokët e tij të këqij nuk e mëshiruan njeriun e dobët pak para vdekjes. Madje e bënin të kundërtën, pra e mësonin të vdes në kufër derisa e lëshoi këtë botë dhe vdiq si i tillë. Madje ato e dinin shumë mirë se ai do të hynte në zjarr nëse e bën një gjë të tillë, edhe pse e dinin se nëse ai e pranonte islamin nuk do tu bënte dëm atyre aspak, ngase ai ishte nisur ne rrugën e vdekjes, mirëpo kështu është gjendja e shokut të keq.

Shoku i keq dëmin e ka në çdo aspekt, nisur nga kjo i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e ka shëmbëllyer këtë shoqëri me shembullin e zejtarit të cili nëse e viziton ai gjithsesi do të dëmtojë. Thotë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është si shembulli i pronarit të parfumeve dhe zejtarit. Të parin nëse e viziton ose të dhurojë ndonjë parfum, ose ti do të blesh diçka prej tij ose vetëm nga ndeja tek ai do të vijë era e mirë pasi të dalësh prej tij, kurse i dyti ose ti djeg rrobat ose nëse shpëton nga kjo do të kundërmosh erë të keqe.”[5]

Dëmi i shokut të keq është i dukshëm për të gjithë, çdoherë të thërret në neglizhencë ndaj adhurimit të Allahut dhe veprave të mira, ti cenon ambiciet e larta, nuk dëshiron që ti të jesh i suksesshëm në jetën tënde, madje nuk të largon nga veset e ulëta dhe nënçmuese.

Shoku i keq abstenon dhe ndalet përpara ambicieve të tua të larta dhe dëshirave të mira, madje dije se ndikimi i tij është edhe në pamjen tënde të jashtme me çka dëshiron të ta prish namin e mirë që e posedon në shoqërinë tënde ku gjendesh.

 

Kur ta shoqërosh dikë ndër njerëzit shoqëroje të mirin,

mos e shoqëro të keqin që të shkatërrohesh me të keqen e tij.

 

Ki kujdes nga shoku i keq para se të pendohesh nga shkaku i shoqërimit me të. Allahu thotë: “Atë ditë zullumqari do t’i kafshojë duart e veta dhe do të thotë: i mjeri unë, ta kisha marrë rrugën e Pejgamberit! O shkatërrimi im, ah të mos e kisha bërë filanin mik! Në të vërtetë, pasi e gjeta rrugën e drejtë, ai më largoi mua prej asaj, e djalli është ai që njeriun e humb dhe e lë të vetmuar.”[6] Prandaj puno me këshillën profetike e cila në lidhje me përzgjedhjen e shokut thotë: “Mos shoqëro dikën përpos se besimtarit, si dhe le të mos e hajë ushqimin tënd përpos se i devotshmi.”[7]

 

 

Përgaditi: Nexhat Ceka

 

[1] Transmeton Ebu Davudi.

[2] Nisa: 97.

[3] Mutefekun-alejhi.

[4] Mutefekun-alejhi.

[5] Mutefekun-alejhi.

[6] Furkan:27-29.

[7] Transmeton Ebu Davudi.

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 624