Reputacioni nuk dhurohet, ai fitohet. Reputacioni nuk është vetëvlerësim, atë e di, dhe sipas tij vepron dikush tjetër. Edhe shteti e ka reputacionin e vet dhe ai si i tillë është rezultat i mënyrës së veprimit të tij. Ai mund të jetë i mirë por gjithashtu edhe i keq. Përsëri them reputacionin e vlerëson dikush tjetër. Në këtë kontekst dua ta zhvilloj bisedën time lidhur me ndodhitë e fundit në këtë vend. Shumë keq është kur dikush perceptimin për vetën e tij e ndërton në bazë të asaj që i serviret e jo në bazë të parimit “njihe vetveten”. Atëherë i pashmangshëm është vlerësimi i gabuar që pas vete tërheq edhe veprime të gabuara. Në Maqedoni po vërehet një tendencë që perceptimin që e kanë qytetarët për shtetin e tyre të ndërtohet në bazë të asaj që si fushatë po zhvillohet. Thelbi i kësaj fushate është motoja “we’re the best (jemi më të mirët)”, që pasohet me krizë kur populli kupton se “we’re not even close (as që jemi afruar)” Në realitetin e kësaj fushate shpeshherë bëhen gabime të mëdha ngase realiteti nuk përkon me vetëvlerësimin. Supermeni i paraqitur, në realitet është një njeri i thjesht që vuan nga shumë paqartësi që prekin edhe vet thelbin e identitetit individual dhe kolektiv. Në këtë rast bashkuesi i popullit është armiku. Pasi e kuptuan se opsioni ti akuzojmë gjithë shqiptarët për vrasjen e pesëfishtë, nuk do kaloje aq lehtë pa gjeneruar një krizë më të gjerë nga xhepi nxorën opsionin “islamistët radikal”. Me logjikën njëherë vepro e pastaj mendo ata i rrënuan gjithë parimet e “shtetit ligjor” në të cilin besojnë. Përsëri vepruan me parimin dëno para se të vërtetohet faji. Kështu veprojnë mendjelehtët që jetojnë në ëndrrën “we’re the best”. Pas zgjimit del në shesh se më shumë se 50% prej të arrestuarve ishin të pafajshëm, lirohen dhe pushteti dhe megafonët e tij vazhdojnë të glorifikojnë aksionin të cilin nuk arrijnë të bëjnë as shtetet më të zhvilluar.
E kam thënë edhe më herë se dy parime duhet të merren parasysh nëse dëshirojmë të ndërtojmë shtet me reputacion të “shtetit”. Parimi i parë është të mos bëhen kompromise me drejtësinë. Nëse në raste të këtilla e sakrifikojmë parimin e drejtësisë ne krijojmë viktima të dyfishtë, të vrarët si dhe të akuzuarit padrejtësisht për atë krim të shëmtuar. Parimi i drejtësisë duhet të zbatohet edhe ndaj atyre që nuk mendojnë njësoj me shtetin. Shteti me reputacion nuk i quan radikalë ata që besojnë se feja e tyre dhe parimet e saj janë modeli më i mirë i jetesës që kanë zgjedhur për vete. Shteti me renome nuk e lajthit popullin e vet duke e portretizuar popullin tjetër si armik, i rrezikshëm dhe shpeshherë si kryes i gjitha të këqijave nga të cilat vuan shteti. Një parim i tillë vë në pyetje vendosmërinë e shtetit ta ndërtojë ose jo vetveten. Prandaj drejtësia është ndihma më e madhe që qeveria mundet me ja ofrue vetës në ndërtimin e një shoqërie në të cilën çdokush, pa dallim kombi dhe besimi, do të gëzojë të drejtat. Një hap i tillë do të stimulojë angazhimin pozitiv e të gjithëve.
Parimi i dytë është që duhet respektuar është të krijohet një situatë në të cilën populli do të arrijë të njeh veten, ashtu si është, pa zbukurime, pa mistifikime, pa kompleks të vlerës së lartë. Duke e njohur veten do të hapen horizontet e njohjes të tjerëve. Atëherë pa paragjykime do të analizojmë vlerësojmë, pse jo edhe do të korrigjojmë gjitha dukuritë shoqërore. Njeriu që e njeh veten ashtu si duhet është i aftë ti njeh edhe të tjerët pa i nënvlerësuar, pa i stigmatizuar dhe pa i flijuar. Vetëm ideologjitë e dështuara janë ndërtuar mbi parimin e racave dhe popujve të zgjedhur. Shikoni historinë nëse nuk ju kujtohet për kë po flas.
Nëse pushteti nuk i merr parasysh këto parime mendoj se hendeku mes njerëzve në rrafshin individual dhe atë kolektiv dita ditës do të zgjerohet. Do të krijohen situata të padëshiruara. Do të mbesin vetëm përcaktimet protokollare që tanimë nuk i besojnë as besnikët partiak. Këtu dua ti rikujtoj edhe pjesëmarrësit shqiptarë në pushtet se nuk ja vlen të mbrohet një sistem i cili ende nuk ka vendosur parimin e drejtësisë dhe qasjes reale ndaj problemeve. Së paku hapni sytë dhe shikoni realitetin i cili tanimë është shumë i qartë. Ende i mbetem besnik thirrjes sime të drejtuar pushtetit. Zbatoni këto dy parime që i nënvizoj dhe do të shihni se gjërat do të nisin të ecin në drejtimin e duhur.
Është momenti i duhur të kujtojmë se nga do vazhdojmë. Është thënë: Progresi njerëzor nuk është automatik dhe i paevitueshëm. Çdo hap në drejtim të qëllimit të drejtësisë kërkon sakrificë, vuajtje dhe angazhim të paepur. Ai arrihet me përpjekje të palodhshme dhe interes të pasionuar të individëve të përkushtuar. (Martin Luther King jr.)
Allahu u jep urtësi atyre që i do.
M-r. Amel Kurtishi