Për çdo vjet muslimanët gëzohen me rastin e Ashurës, ditën e dhjetë të muajit Muharem, për këtë arsye desha që në këtë shkrim modest të përmbledh hadithet e sakta që kanë të bëjnë me këtë ditë dhe të spjegoj kuptimin e tyre. Lusim Allahun, subhanehu ve teala, që të na ndihmojë, se e qëlluara është vetëm në Dorë të Tij, në Të mbështetem, Ai më mjafton, sa përkujdesës i mirë që është Ai.
Historiku i Ashurasë
Dita e Ashurasë ka qenë ditë e dalluar edhe te popujt e kaluar. Ka qenë ditë e bekuar ashtu siç transmetohet në Sahihul-Buhari dhe Muslim se arabët në periudhën e injorancës kanë agjëruar në këtë ditë, kanë agjëruar Kurejshët këtë ditë si dhe Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, në Meke para se të bëjë hixhret. Aishja, radijallahu anha, thotë: “Kurejshët e agjëronin ditën e Ashurasë në xhahilijet. Edhe Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e agjëronte këtë ditë në xhahilijet e pasi që shkoi në Medine edhe të tjerët i urdhëroi të agjërojnë. Kur u obliguam të agjërojmë muajin e Ramazanit, dita e Ashurasë mbeti të agjërohet sipas dëshirës.
Si duket agjërimi i kësaj dite tek arabët kishte mbetur nga feja e pastër e Ibrahimit, alejhis-selam, që më vonë u shtrembërua.
Është cekur nëpër disa transmetime se kjo ditë ka qenë e bekuar qysh në kohën e Nuhit, alejhis-selam. Transmeton Ebu Hurejreja se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, kaloi pranë disa hebrenjve të cilët agjëronin ditën e Ashurasë. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i pyeti për shkakun që i shtynte ata të agjërojnë këtë ditë e ata u përgjigjën: kjo është dita në të cilën Allahu, subhanehu ve teala, e ka shpëtuar Musain, alejhis-selam, … dhe në këtë ditë është ndalur anija e Nuhit, alejhis-selam, në kodrën Xhedva, dhe për këtë agjëroi Nuhi dhe Musa në shenjë falendërimi Allahun, subhanehu ve teala. (Transmeton Ahmedi. Në zinxhirin e këtij hadithi është Habib ibën Abdullah el-Ezdij)
Pra edhe hebrenjtë kanë agjëruar këtë ditë duke festuar triumfin e Musait, alejhis-selam, ndaj faraonit të cilin e fundosi Allahu, subhanehu ve teala. Transmetohet nga Ibën Abbasi, radijallahu anhu, i cili thotë: Erdhi Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, në Medine dhe aty pa hebrenjtë që agjëronin ditën e Ashurasë. Ai pyeti: ç’është kjo ditë? Ata u përgjigjën: Kjo është dita në të cilën Allahu ka shpëtuar Beni Israilët nga armiku i tyre dhe për këtë Musai e agjëroi këtë ditë. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: Mua më parë më takon të pasoj Musain se ju. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Kështu pra kthehet e mira me falënderim…
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i ka nxitur muslimanët për të agjëruar këtë ditë duke shpresuar që Allahu, subhanehu ve teala, me këtë t’i shlyej mëkatet e një viti të plotë. Transmeton Ebu Hurejreja, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, është pyetur për agjërimin e ditës së Ashurasë dhe është përgjigjur: “I shlyen mëkatet e vitit të kaluar. (Transmeton Muslimi) kurse në transmetimin e Ibën Maxhes qëndron: “Unë shpresoj që me agjërimin Ashurasë t’i falë Allahu, subhanehu ve teala, mëkatet e vitit që ka kaluar . “
Sa shpërblim i madh që është ky! I falë mëkatet e një viti të tërë! E ne jemi njerëz që bëjmë shumë mëkate, kundërshtojmë fenë e Allahut në shumë raste, lëmë mangu obligimet tona ndaj Tij, lusim Allahun që të na falë.
Nuk është për tu habitur pse Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e ka nderuar këtë ditë në këtë mënyrë nëse vërtetohet se agjërimi i kësaj dite ka qenë prej fesë së Ibrahimit, alejhis-selam, sepse në fakt feja e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, është ripërtërirje e fesë së Ibrahimit, alejhis-selam.
Agjërimi i ditës së Ashurasë te muslimanët ka kaluar në disa etapa:
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, agjëronte këtë ditë qysh në Meke siç përmendëm më lartë.
Po ashtu agjëroi pasi që bëri hixhret në Medine dhe i urdhëroi muslimanët të agjërojnë. Kështu ishte para se të shpallet obligimi i agjërimit të muajit Ramazan.
Ibën Haxheri në librin e tij Fethul-Bari thotë: Selefi nuk kanë qenë të një mendimi se a ka pasë agjërim të obliguar para Ramazanit apo jo? Pjesa dërmuese e tyre (e kjo është edhe mendimi i shafijve) kanë përkrahur mendimin se nuk ka pasë agjërim të obliguar para Ramazanit asnjëherë. Mendimi tjetër (këtë mendim e përkrahin hanefijtë) është se agjërimi i parë i obliguar për njerëzit ka qenë dita e Ashurasë e pasi që shpallet obligimi i Ramazanit derogohet vendimi për ditën e Ashurasë.
Prej argumenteve të shafijve është hadithi merfu’ që e transmeton Muaviu, radijallahu anhu: “Allahu nuk iu obligoi agjërimin e kësaj dite.”
Hanefijtë kanë marrë për argument hadithin e Ibën Omerit dhe hadithin e Aishes, radiallahu anha, të përmendur më lartë ku qartë shihet urdhëri për agjërim si dhe hadithin që e transmeton Rubejj bint Muavvedh: “Ai që është gdhirë duke agjëruar le ta plotësoj agjërimin e tij. Ajo tha më tej: çdo herë e kemi agjëruar atë ditë dhe i kemi shtyrë fëmijët tanë të agjërojnë”.(Muslimi)
Argument tjetër i hanefijve është hadithi që e transmeton Seleme ibën Ekva’ ku Pejgmberi, sal-lallahu alejhi ue selem, për ditën e Ashurasë ka thënë: “Kush ka ngrënë le të agjërojë pjsën e mbetur të ditës e ai që nuk ka ngrënë le të vazhdojë agjërimin” (Buhariu dhe Muslimi)
Ibën Haxheri në Fethul-Bari thotë: Ajo që nënkuptohet prej fjalëve të dijetarëve, pa pikë dyshimi, është se agjërimi i Ashurasë nuk ka qenë obligim apo se ka qenë obligim e pastaj është deroguar.
Ibën Haxheri vërteton se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka urdhëruar muslimanët për herë të parë të agjërojnë ditën e Ashurasë në fillim të vitit të dytë të hixhretit. Këtë e argumenton fakti se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, emigroi në Medine në muajin Rebiul-evvel kështu që dita e parë e Ashurasë i takon muslimanët në Medine vitin e dytë të hixhretit.
Në po të njejtin vit bëhet obligim për muslimanët agjërimi i muajit të Ramazanit dhe derogohet obligimi i agjërimit të Ashurasë (kjo e fundit sipas mendimit të hanefijve) dhe mbetet hukmi i kësaj vepre sunnet muekked .
Ibën Haxheri nga e gjithë kjo konkludon se dita e Ashurasë ka qenë obligim vetëm një vit e pastaj ndërohet ky vendim në vepër të preferuar.
Ibën Abdul-Berri përmendë Ixhma-në se agjërimi i kësaj dite tani nuk është obligim por mustehab (vepër e preferuar).
Hadithet që aludojnë se kjo ditë është mustehab të agjërohet janë të shumtë. Po përmendim disa në vijim:
Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Muaviu, radijallahu anhu, i cili thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: Këtë ditë të Ashurasë Allahu nuk ua ka bërë obligim ta agjëroni.Unë agjëroj, ai që dëshiron, le të agjëroj e kush dëshiron të ushqehet le të ushqehet.”
Transmetohet nga Ibën Abbasi, radijallahu anhu, i cili thotë:” Nuk kam parë të Dërguarin e Allahut të mbivlerësoj ndonjë ditë ndaj ditëve tjera me agjërim përveç kësaj dite: Ditës së Ashurasë dhe këtij muaji ” d.m.th. Muajin e Ramazanit. (Buhariu dhe Muslimi)
Transmeton Muslimi nga Ebu Katadeja i cili thotë: I Dërguari i Allahut tha: “Shpresoj tek Al-llahu, subhanehu ve teala, që me agjërimin e ditës së Ashurasë t’i shlyej mëkatet e vitit që ka kaluar”.
Transmetohet nga Ebu Hurejreja, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas muajit të Ramazanit është në muajin e Allahut Muharrem “.
Na tregon zonja e nderuar, Rubej bint Muavedh ibën Afra, se Pegamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, në mëngjes të ditës sëAshurasë dërgoi lajm nëpër të gjitha fshatërat e Ensarëve përreth Medinës: Se ai që është gdhirë duke agjëruar ta plotësoj agjërimin deri në mbrëmje e ai që është ushqyer ta agjëroj pjesën e mbetur të ditës”. (Buhariu dhe Muslimi) Si duket kjo ka ndodhë në kohën kur agjërimi i Ashurasë ka qenë obligim. Më tej kjo zonjë përmendë se pas këtij urdhëri të përgjithshëm për të agjëruar madje edhe ata që kishin ngrënë në fillim të ditës, muslimanët janë kujdesur me mish e me shpirt për të agjëruar këtë ditë. Ajo thotë: Pas atij urdhëri agjëronim Ashuranë dhe i shtynim të agjërojnë edhe fëmijët tanë të vegjël. Shkonim me ta në xhami dhe loznim për t’ua harruar ushqimin. Kur kërkonin ushqim, ua jepnim lodrat për t’i mashtruar dhe kështu për të plotësur agjërimin.
Përmendëm më lartë se hebrenjtë kanë agjëruar këtë ditë e me këtë kanë festuar triumfin e Musait, alejhis-selam, ndaj faraonit. Desha që të shtoj në lidhje me këtë se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, kur pa se hebrenjtë agjëronin këtë ditë dhe i pyeti për shkakun e këtij agjërimi e ata u përgjigjën se ajo ditë ishte dita kur Allahu, subhanehu ve teala, kishte shpëtuar Musain, alejhis-selam, tha: “Mua më parë më takon të pasoj Musain se ju.” Pastaj urdhëroi të agjërohet kjo ditë edhe kësaj herë. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, duke u nisur nga parimi për t’u dalluar nga hebrenjtë nxiti muslimanët që ditës së Ashurasë t’ia bashkangjesin edhe një ditë tjetër para ose pas. Ai vendosi që nëse jeton deri në vitin e ardhshëm të agjërojë ditën e nëntë dhe të dhjetë të muajit Muharrem siç flasin për këtë transmetime të shumta.
Njëherit kjo tregon se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i ka kushtuar rëndësi të posaçme kësaj dite deri në fund të jetës së tij. Ai, sal-lallahu alejhi ue selem, në lidhje me këtë ka thënë: “Po të jem gjallë deri në vitin e ardhshëm do ta kisha agjëruar edhe ditën e nëntë”. Transmetuesi thotë: erdhi viti i ardhshëm e Pegamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tani më kishte vdekur.(Muslim)
Ibën Haxheri në Fethul-Bari thotë: nga kjo nënkuptohet se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka agjëruar ditën e dhjetë dhe dëshiroi të agjërojë edhe ditën e nëntë mirëpo nuk arriti për shkak se ndërroi jetë.
Është me rëndësi të ceken dy çështje:
1) Urtësia e agjërimit të kësaj dite.
2) Shkalla e haditheve të shumta që kanë të bëjnë me këtë temë.
Sa i përket çështjes së parë them (e Allahu e din më së miri): Njeriu është i përbërë prej dy elementeve, prej trupit dhe shpirtit. Ashtu sikur trupi që ka nevojë për ushqim edhe shpirti ka nevojë për të njejtën gjë. Ndikimi i agjërimit në shpirtin e njeriut është i dëshmuar. Ai është mjet për të arritur devotshmërinë, metodë për ushtrimin e shpirtit në ambicie të larta. Agjërimi e liron shpirtin nga arroganca, i kalit emocionet, zbut zemrën dhe ngret moralin.
Pasi që Islami është fe e lehtësimit dhe tolerancës siç thotë Allahu, subhanehu ve teala: “All-lahu ju dëshiron juve të lehtën dhe Ai nuk don që t’i vështirësojë gjërat për ju” (Bekare 185), “Allahu nuk e rëndon askënd mbi mundësitë që ai ka” (Bekare 286), “Nuk ka vënë mbi ju ndonjë mundim në fe” (Haxh 78), “Allahu nuk don që t’ju vërë në vështirësi” (Maide 6) nuk i ka obliguar muslimanët me agjërim përveç muajit të Ramazanit dhe për çdo agjërim tjetër e ka lënë vullnetin e njeriut të lirë. Agjërimi pra në shumë raste është vullnetar (i preferuar, jo i obliguar) e një prej tyre është edhe dita e Ashurasë.
Mua më brengos fakti që shumica e fetarëve musliman e kanë lënë pas dore këtë sunnet. I sheh ata duke u kujdesur për namazet vullnetare mirëpo në agjërim pak prej tyre nxitojnë.
Sa i përket çështjes së dytë, janë transmetuar shumë hadithe që kanë të bëjnë me Ashuranë e që i kanë përmendur dijetarët në librat e haditheve të trilluara. Më i njohur është hadithi “për ndihmën e të varfërve ditën e Ashurasë” e për këtë nuk ka asnjë hadith të saktë por gjithë që është transmetuar në këtë temë janë hadithe të dobëta siç kanë përmendur dijetarët e hadithit.
Zanafilla e gjithë kësaj si duket kthehet te zënka ndërmjet injorantëve të EHLI SUNNETIT dhe SHIAVE. Eshtë e ditur se Husejni, radijallahu anhu, është vrarë në ditën e Ashurasë. Vrasja e tij ka qenë rastësi e pastër. Shiat e tepruan në këtë gjë dhe e bënë këtë ditë, ditë të pikëllimit, vuajtjes dhe mbajtjes zi. Ata i nxinë fytyrat në këtë ditë, i rrahin gjoksat dhe shpinat e tyre, vajtojnë, bërtasin, qajnë e bëhen sikur qajnë.
Ata me këtë mendojnë se afrohen tek Allahu, subhanehu ve teala, për shkak se janë injorantë dhe të humbur. Ata në këtë ditë organizojnë gosti e ceremoni.
Disa injorantë të EHLI SUNNETIT duke dashur që t’i hidhërojnë e t’i pezmatojnë këta të humbur, trilluan hadithe që flasin se në këtë ditë muslimani duhet pastruar e parfymosur, duhet zbukuruar e zbardhuar, si dhe nxitin që të ndihmohen të varfurit e tjerë. Për këtë shumë mirë e ka thënë një fjalë Ibën Xheuzi: Disa injorantë të EHLI SUNNETIT patën për qëllim zemërimin e Rafidijve dhe për këtë trilluan hadithe për vlerën e Ashurasë kurse ne jemi largë dy palëve. Është vërtetuar se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka urdhëruar agjërimin e Ashurasë kur ka thënë: agjërimi i Ashurasë i shlyen mëkatet e një viti. Mirëpo ata nuk u kënaqën me këtë por deshën me tepër dhe ranë në gënjeshtër.
Prej këtyre haditheve të trilluara është fjala: “Kush lahet ditën e Ashurasë nuk sëmuret asnjëherë përveç sëmurjes së vdekjes, e kush i lyen sytë me kuhël, nuk do të gleposen sytë e tij atë vit” (Hadithi është mevdu (i trilluar)).
Dijetari Mer’ij el-Kermij pasi që cekë këtë hadith thotë: Kështu edhe ngjyerja me këna ditën e Ashurasë, e gjithë kjo është gënjeshtër dhe trillim me pajtimin e të gjithë atyre që njohin shkencën e Hadithit. Pastaj përmendi fjalën e Ibën Tejmijjes: Asnjëri prej imamëve nuk e ka preferuar larjen e trupit ditën e Ashurasë, as kuhlin, as ngjyerjen me këna e as të ngjashme. Shkaku i trillimit të këtyre haditheve kanë qenë Rafidijt të cilët shfaqin pikëllim, vajtim, mosdurim, mundim të trupit dhe të kafshëve në ditën e Ashurasë për shkak se Husejni, radijallahu anhu, është vrarë në këtë ditë. Kjo shkaktoi që një grup prej Ehli Sunnetit të trillojnë hadithe për t’i kundërshtuar veprat e atyre risitarëve. Kështu kundërshtuan të kotën me të kotë dhe e kthyen bidatin me bidat
Në lidhje me këtë ditë ka edhe bidate tjera që nuk kanë bazë në fenë tonë por neve na mbetet të përkujtojmë gjithmonë fjalën e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem: “Kush shpikë në fenë tonë diçka që s’është prej saj ajo është e refuzuar”(Buhariu dhe Muslimi) dhe fjalën e tij: “Fjala më e mirë është fjala e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, gjërat më të këqia janë shpikjet në fe dhe çdo shpikje në fe është humbje” (Muslimi)
Shqipëroi: Agim Bekiri
Burimi në gj. shqipe: albislam.com