Si ta kuptoj se jam i lumtur?
Kush i ka tri gjëra është i lumtur realisht: Falënderimi për begatitë, durimi ndaj sprovave dhe kërkimi i faljes për mëkatet.
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kur njeriu e falënderon Allahun për begatitë e tij, bën durim në fatkeqësi, kur bën mëkat kërkon falje nga Allahu, atëherë këta tri çështje janë titull i kënaqësisë së robit, shenjë e shpëtimit të tij në dunja dhe në ahiret, prandaj nga këto të mos shmanget robi kurrë dhe asnjëherë.”[1]
Kur ti kuptosh këto gjëra e llogarit veten tënde për neglizhencën që ke, i stërmadhon lëshimet tua, ke frikë nga Krijuesi yt për rrahjet e kota të zemrës tënde jashtë bindjes ndaj Krijuesit tënd, i harron mirësitë e tua ndaj Krijuesit, të gjitha këto tregojnë se shpirti e kërkon jetën e lumtur.
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Shenjë e lumturisë së njeriut është që veprat e mira të tij ti lërë pas shpine, e të këqijat e tij ti mbajë para syve, ndërsa shenjë e fatkeqësisë, dështimit të njeriut është që njeriu ti mbajë para syve të tij veprat e mira, ndërsa të këqijat e tij ti hedh pas shpine.[2]
I lumtur është ai i cili i frikësohet Krijuesit të tij, bën vepra të mira, falënderon Allahun për mirësitë e tij dhe ata i shfrytëzon në respekt ndaj Tij. Fatkeqësitë i përballon me durim dhe shpreson në shpërblimin e Allahut si dhe e mban zemrën e tij të hapur në bindje ndaj Allahut, se Ai do ta pastrojë me këto gjëra dhe do t’ia ngrit gradat e tij në xhennet, kërkon falje nga Allahu për mëkatet e tij dhe pendohet për veprat e shëmtuara që i ka vepruar.
Përgaditi: Nexhat Ceka
[1] Vabilu sajib, fq. 6.
[2] Miftahu daru seade, 2/310.