SI TË ZGJOHEM PËR NAMAZIN E SABAHUT?

SI TË ZGJOHEM PËR NAMAZIN E SABAHUT?

0 2986

Çdokush që përcjell gjendjen e muslimanëve, i sheh ata të neglizhuar dhe humbës të shumë gjërave, prej tyre edhe namazin e sabahut, të cilin shumica e anashkalojnë dhe janë të shkujdesur, përkundër se ai namaz është një prej pesë namazeve, kusht prej kushteve  të fesë, ashtu sikur që e dimë, për më tepër se namazi i sabahut përfshin  vlera dhe përfitime të shumta, për të cilat ka nevojë secili individ musliman, për shembull; namazi i sabahut llogaritet si njësi matëse e imanit, Ebu Hurejra, radijallahu anhu, transmeton se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Nuk ka namaz më të rëndë për hipokritët se namazi i sabahut dhe namazi i jacisë, po ta dinin çfarë shpërblimi  ka në to do të vinin qoftë edhe zhargas”.

Gjithashtu mundëson një gjë shumë të rëndësishme që bën të dallohet nga namazet tjera, ajo është se kur njeriu zgjohet nga gjumi që të fal namazin e sabahut në xhami, ai me këtë ka realizuar një fitore të madhe mbi veten e tij, po ashtu i ka dhënë përparësi urdhrit të Allahut para epshit të tij, që e josh atë për gjumë dhe braktisje të namazit, sikur që korrë fitore edhe ndaj shejtanit, e gjithë kjo është një fitore e madhe për njeriun saqë pas kësaj ai me lehtësi ka mundësi të fitojë mbi veten, shejtanin, epshin e tij, gjatë ditës, kur atë e urdhërojnë që t’i kundërshton urdhrat e Allahut, subhanehu e teala, dhe veprimin e ndalesave të Allahut.

Këto vlera dhe të tjera, që nuk na mjaftojnë këto reshta të zgjerohemi më shumë, ngase kjo temë ka për qëllim të shëron një aspekt tjetër që ndërlidhet me namazin e sabahut, është aspekti i ankimit të shumicës së muslimanëve për pamundësinë e tyre për të falur namazin e sabahut, me gjithë atë se ata kanë dëshirë për ta falur, për atë do të mundohem që të vendos disa parakushte që ndihmojnë që muslimani të bëhet një  shëmbëlltyrë në kryerjen e këtij namazi, këto i kam përmbledhur nga Libri i Allahut dhe suneti i të dërguarit, sal-Allahut alejhi ve selem, dhe thënieve të dijetarëve të selefit e të tjerëve, këto pika janë:

1-Frika dhe druajtja nga Allahu i Madhëruar.

2-Largimi nga mëkatet.

3-Kërkimi i faljes.

4-Shpeshtimi i veprave të mira gjatë tërë ditës.

5-Nijeti i sinqertë.

6-Fjeta duke qenë me abdes.

7-Namazi i natës, qoftë edhe me dy reqate.

8-Dhikri para fjetjes.

9-Përdorimi i mjeteve që e ndihmojnë në ngritje për namaz të sabahut.

Frika dhe druajtja nga Allahu i Madhëruar

Çdo musliman duhet që të ndien frikën në zemrën e tij nga Allahu, qoftë edhe nëse është duke vepruar ndonjë vepër në formën më të përkryer, e si jo kur ne jemi neglizhent dhe të mangët në ndonjë prej urdhrave të Allahut të Madhëruar, andaj, kjo ndjenjë mund të jetë një shtytës i madh për të vepruar, duke pasur nijet të sinqertë që e bën atë të jetë çdoherë i kujdesshëm për të falë namazin e sabahut në kohë. Ndoshta në këtë kontekst duhet përmendur disa shembuj nga sahabët dhe të tjerët, të cilët kishin frikë nga Allahu i Madhëruar edhe në atë moment kur ata vepronin një vepër më madhështore. Është rasti me Ebu Bekr Sidikun, radijallahu anhu, i cili thoshte: “Do të dëshiroja të jem një qime në trupin e një robi besimtar”. Është Omeri, radijallahu anhu, i cili lexoi suren “Tur” derisa arriti në ajetin “me të vërtetë, dënimi i Zotit tënd, do të ndodhë”, filloi të qajë aq shumë saqë u sëmur dhe njerëzit e vizituan, në fytyrën e tij ishin dy vije të zeza nga të qarit. Othman ibn Afani, radijallahu anhu, kur qëndronte pranë një varri fillonte të qajë derisa iu lagte mjekra e tij dhe thoshte: “Po të jam unë mes xhenetit dhe zjarrit, nuk e di se kah cila do të urdhërohem të shkoj, do të zgjedhja të jem pluhur para se të dija se nga do të shkoj”.

Ali ibn Ebi Talib, radijallahu anhu, i njohur me të qarit e tij, frikën ndaj Allahut, më së shumti frikohej prej dy gjëra: prej shpresës së gjatë dhe pasimit të epshit Ngase sa i takon shpresës së gjatë, ajo bën që të harron ahiretin dhe pasimi i epshit e pengon nga e vërteta.

Largimi nga mëkatet

Ngase mëkatet lënë gjurmë dhe shkaktojnë dënime të shumta mëkatarëve, në zemrat e tyre, trupat, që në dynja dhe në ahiret. E nga gjurmët e mëkateve mund të jetë edhe të penguarit e robit nga namazi sabahut,  ngase mëkati vepron në pengimin e njeriut nga adhurimet, e veprimi i mëkatit është pengim nga adhurimi, mëkati është një zëvendës i adhurimit dhe ndërpret rrugën e adhurimeve tjera. Mëkati ndërprenë rrugën e dytë, të tretë, të katërt, e shumë të tjera. E atij personi i ndërpriten adhurime të shumta, që çdo adhurim për të është më e mirë se dynjaja dhe çfarë ka në të. Sikur personi i cili ha një lloj ushqimi që i shkakton atij sëmundje të gjatë, që e pengon atë nga shumë ushqime që janë më të mira se me atë që është ushqyer. Gjithashtu mëkati e dobëson rrugëtimin e zemrës drejtë Allahut dhe ahiretit, apo e pengon, e ndalon, e ndërprenë nga të ecurit, e nuk e le që ta bën asnjë hap drejt Allahut. Pra mëkati pengon vazhdimësinë, ndërprenë ecjen.  Zemra në të vërtetë ecë drejt Allahut me fuqinë e saj, e kur të sëmuret me mëkate, dobësohet ajo fuqi që e shtyn të ecë, që nëse largohet në tërësi, ndërpritet nga Allahu dhe largohet mundësia për ta arritur. Nga Allahu kërkojmë ndihmë.

Kërkimi i faljes

Me gjithë kujdesin e muslimanit që të mos e vepron ndonjë mëkat, pos që ai patjetër se do të bie në mëkat, bile, çdonjëri është në mëkat, për atë duhet që ai të kërkon falje nga Allahu që të mos dënohet për shkak të saj në dynja e ahiret. Nga njeriu kërkohet që të kërkon falje nga Allahu, subhanehu ve teala për mëkatet e tija të vepruar gjatë tërë ditës, bile të kërkon falje edhe nëse nuk e vepron asnjë mëkat, në këtë aludon fakti se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, kërkonte falje nga Allahu gjatë ditës dhe natës më shumë se shtatëdhjetë herë apo më shumë se njëqind herë, kështu vepronte edhe pse atij i ishin falur mëkatet e mëhershme dhe ato të mëvonshme.

Gjithashtu, kërkimi i faljes ka dobi të shumta, prej tyre fjala e Allahut, tebareke ve teala: “Dhe ju thashë: Kërkoni falje nga Allahu, sepse, me të vërtetë, Ai është falës, i madh; Ai do t’ju dërgojë juve shi të bollshëm, dhe do t’ju ndihmojë me pasuri dhe me fëmijë, dhe për ju do të krijojë kopshte dhe për ju do të krijojë lumenj”. Po ashtu hadithi i transmetuar nga Enes ibn Maliku, radijallahu anhu, se i dërguari Allahut, sal-allahu alejhi ve selem, ka thënë: “A dëshironi të u tregoj për sëmundjen dhe ilaçin tuaj! Sëmundja është mëkati e ilaçi istigfari!.

Abdullah ibn Busr, radijallahu anhu, transmeton se ka dëgjuar të dërguarin e Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, duke thënë: “Lum për atë që në regjistrin e tij gjen shumë istigfar”.

Transmetohet se Llukmani i ka thënë të birit: “O biri im! Mësoje gjuhën tënde të thotë “O Allahu im! Më fal mua”, ngase tek Allahu janë disa çaste që nuk ia refuzon lutësit lutjen e tij”.

Shpeshtimi i veprave të mira gjatë tërë ditës

Kjo e ndihmon muslimanin që të zgjohet për namaz të sabahut, në këtë aludon ajo që e përmend ibnul Kajim Xhevzi që: “Adhurimet mbjellin adhurime tjera, nga to lindin të tjera, saqë robi nuk mund që të ndahet nga to e t’i anashkalon, sikur që mëkatet mbjellin mëkate tjera, e lindin të tjera”. Disa nga selefët kanë thënë: “Nga dënimi për një vepër të keqe është pasimi i asaj vepre me një të keqe, dhe nga shpërblimi për një të mirë është pasimi me të mirë, njeriu kur të vepron një të mirë i thotë tjetra: Më vepro edhe mua, e nëse e vepron edhe atë, i thotë edhe e treta, e kështu me radhë, i shumëfishohen atij fitimet, i shtohen të mirat, njashtu është edhe me të këqijat. Nëse bamirësi braktis adhurimin, i ngushtohet atij shpirti, i ngushtohet e gjithë bota, e ndien veten sikur peshku kur qëndron pa ujë, derisa të mësohet në atë gjendje, të qetësohet shpirti i tij e të jetë i kënaqur.

Andaj, ne thërrasim çdo musliman i cili është i shkujdesur për namazin e sabahut të shpeshton veprat e mira, që ndoshta me një vepër prej këtyre veprave nderohet me namaz të sabahut.

Nijeti i sinqertë

Muslimani ka nevojë për një nijet të sinqertë, të synon që para fjetjes që do të zgjohet për namaz të sabahut. Nijeti është bazë e çdo vepre, Omer ibn hatabi, radijallahu anhu, transmeton se ka dëgjuar të dërguarin e Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem duke thënë: “Me të vërtetë veprat shpërblehen sipas nijetit, dhe secilit i takon ajo që ka pas nijet…”.

Nijeti nuk është vetëm në kohë të veprimit të adhurimit, por edhe para veprimit. Patjetër që muslimani duhet të jetë i sinqertë sa i takon namazit të sabahut, e të pyet veten para se të flejë, se a dëshiron me të vërtetë të zgjohet të falë namazin e sabahut, a jo?

Fjeta duke qenë me abdes

Kjo e ndihmon muslimanin, jo vetëm se për namaz të sabahut, por edhe për namaz nate, për fjetjen me abdes janë transmetuar hadithe që aludojnë në rëndësinë e fjetjes me abdes me qëllim që të zgjohet për namaz, prej tyre hadithi që e transmeton ibn Omeri, radijallahu anhuma, se i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Ai që fle me abdes, fle e në afërsi të tij ka një melaqe, nuk zgjohet nga gjumi, pos që melaqja ka bërë lutje për të: O Allah fale filanin prej robërve Tu, se ai ka fjetur me abdes”. Kështu që ai e ka më lehtë të zgjohet për namaz nate, apo për namaz të sabahut se ai i cili bie pa abdes.

Namazi i natës

Allahu thotë: “Dhe, kaloje ti një pjesë të natës (duke bërë namaz), si shtojcë të lutjes vetëm për ty! Është shpresë, se Zoti yt do të vendosë ty në një vend të lavdëruar”. Isra 79.

Sehl ibn Sad ka thënë: “Erdhi Xhibrili te i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem dhe i ka thënë: O Muhamed! Jeto sa të duash, ti ke për të vdekur, vepro çfarë të duash, për të do të shpërblehesh, duaje kë të duash, nga i do të ndahesh, dhe dije se nderim për besimtarin është namazi i natës, krenari e tij është pavarësia nga njerëzit”.

Andaj, ne i bëjmë thirrje çdo muslimani që nuk falet gjatë natës, të fillon me të qoftë edhe nëse në fillim falë para se të flejë dhe para se të falë namazin e vitrit, të falë dy reqate a më shumë me nijet të namazit të natës, e më pas të falë namazin e vitrit, me këtë ai llogaritet të jetë falur natën, kështu arrin shpërblimin e namazit të natës. Por muslimani më pas duhet të falë këtë namaz, qoftë duke shtuar reqatet ose të e vonon deri në pjesën e tretë të natës, sikur që i përkushtohej kësaj i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem.

Dhikri para fjetjes

Muslimani me fjetjen e tij duke qenë me abdes, nijetin e tij për t’u ngritur dhe përmendjen e Allahut para fjetjes e bën që gjumi i tij të jetë adhurim ndaj Allahut, aze ve xhel, e ndihmon atë të vepron edhe një adhurim tjetër, e që është namazi i sabahut. Për vlerën e dhikrit para fjetjes aludon hadithi që e transmeton Xhabiri, radijallahu anhu, se i dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem ka thënë: “Kur njeriu shtrihet në shtratin e tij, i afrohen së shpejti një melaqe dhe një shejtan, i thotë melaqja: Përfundo me mirësi. Shejtani thotë: Përfundo me ligësi. Nëse ai e përmend Allahun e pastaj fle, qëndron melaqja duke e ruajtur atë, e kur të zgjohet i thotë melaqja: Nis me mirësi. E Shejtani i thotë: Nis me ligësi. Nëse ai thotë: “Falënderimi i takon Allahut i cili e ktheu shpirtin tim e nuk e bëri të vdes në gjumë, falënderimi i takon Allahut i cili mbron ekuilibrin e qiejve dhe Tokës nga shkatërrimi. E, nëse ato nisen kah shkatërrimi, askush nuk mund t’i mbrojë, pos Tij. Me të vërtetë, Ai është i butë (nuk nxiton për të dënuar), dhe falës (i mëkateve), nëse bie mbi shtratin e tij e vdes, hyn në xhenet”.

Hadithi tregon se melaqja kujdeset dhe e ruan atë që e përmend Allahun, subhanehu ve teala, para se të flejë, andaj ky person është më afër që të zgjohet për namaz të sabahut se ai i cili nuk e përmend Allahun, aze ve xhel.

Për atë, kujdesi jonë për të thirrur në përmendjen e Allahut para fjetjes është se ajo ndihmon muslimanin të zgjohet për namaz të sabahut. Ajo që duhet të theksohet, kur jemi në këtë temë, se ka përmendje të shumta të transmetuara nga i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, që preferohen për muslimanin t’i thotë ato kur ai t’i afrohet shtratit, të cilat mund ti gjeni në librat e lutjeve pejgamberike, librat e haditheve, siç është “Mburoja e myslimanit”, “Lutjet e zemrës”, e të tjera. Për atë i cili dëshiron t’i lexon apo mëson përmendësh.

Përdorimi i mjeteve që e ndihmojnë në ngritje për namaz të sabahut

Sikur përdorimi i alarmeve, apo me ndonjë prej shokëve të cilët janë të kujdesshëm për namaz të sabahut, të vije e të thërret, apo të telefonon, dhe shumë mënyra të përshtatshme për secilin person i cili dëshiron të kryen namazin e sabahut me xhemat.

Burimet dhe referencat

1-    Libri “Ed Dau ve Devau”, të ibnul Kajim Xhevzijeh.

2-    “Xhamiu el Ulum vel Hikem”, të ibn Rexheb el Hanbeli.

3-    “Rijad salihin”, të Neveviut.

4-    “Fikh Suneh” të Sejid Sabik.

Muhamed Mahmud AbdulHalik

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 576