SINQERITETI ËSHTË THEMELI

SINQERITETI ËSHTË THEMELI

0 3829

Allahu i madhëruar thotë:

Thuaj: “Unë jam i urdhëruar ta adhuroj Allahun, të jem i sinqertë në adhurimin ndaj Tij!” Dhe jam i urdhëruar të jem i pari i muslimanëve! Thuaj: “Unë i frikësohem dënimit të një dite të madhe, nëse kundërshtoj Zotin tim.” Thuaj: “Vetëm Allahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.” Sureja Zumer, 11-14.

Të nderuar besimtarë! Zemra është mbreti i gjymtyrëve, nëse zemra është e mirë edhe gjymtyrët janë mirë, e nëse zemra është e prishur edhe gjymtyrët janë të prishura, e zemra rregullohet vetëm me sinqeritet dhe drejtësi.

Tema rreth sinqeritetit dhe shërimi i nijetit është një temë shumë e madhe dhe precize, është themel i pranimit dhe refuzimit të punëve, është rrugë edhe e shpëtimit edhe e dështimit.

Nijeti dhe sinqeriteti:

Është vepër e zemrës që nuk e sheh askush pos Allahut, dhe në bazë të saj do të pasojë edhe llogaria dhe shpërblimi, ose dënim ose shpërblim.

Nijetin dhe sinqeritetin nëse njeriu e anashkalon ka gjasa që ibadetet t’i shndërohen në vepra të rëndomta, në një formalitet pa shpirt, kështu që nijeti dhe sinqeriteti janë themeli, thelbi dhe shpirti i punës. Allahu i madhëruar thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.” Sureja Bejine, 5.

Sinqeriteti është vet teuhidi, që përmes zemrës dhe veprës të synojmë vetëm kënaqësinë e Allahut.

Sinqeriteti është të pastrosh veprat nga animi dhe lakmia për shfaqjen e tyre para njerëzve.

Pra, sinqeriteti është dëlirësi, pastërti nga çdo gjë që e njollos dhe e prish, për atë ji i sinqertë që të jesh i dëlirë, e mos e njollos nijetin e të njollosesh, është prej veprave më të mëdha e më të rëndësishme të zemrës, nijetin e mirë nuk e di askush pos Allahut të gjithëdijshmit, Ai i di fshehtësirat, bile veprat e zemrës janë shumë më me rëndësi se veprat e gjymtyrëve, kështu që veprat e zemrës janë baza e veprat e gjymtyrëve janë sekondare. Disa mendarë kanë thënë: Sinqeriteti është sekreti mes robit, pra njeriut dhe Allahut , nuk ka çasje aty as meleku e ta regjistrojë, as shejtani që ta dëmtojë, as njeriu që ta lavdërojë.

Sinqeriteti është themeli i lumturisë dhe shpëtimit, fitimit dhe suksesit.

Nëse njeriu dëshiron të shikojë se cilat janë veprat e tija më të mira, do t’i gjejë ato vepra që i ka kryer me nijet dhe sinqeritet, “Kush ka fe më të mirë se ai që sinqerisht i është bindur Allahut.” Sureja Nisa, 125.

Nijet është kusht për të gjitha adhurimet e veprat e mira “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.” Sureja Bejine, 5.

Nuk pranohet asnjë vepër që e bën njeriu, me të cilën vepër ai dëshiron t’i afrohet Allahut, nëse nuk është e sinqertë për hir të Allahut, e pastër nga syefaqësia, nga dëshira për t’u përmendur, e për tu lavdëruar.

Në sahihun e Buhariut shënohet hadithi se i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit, dhe secilit i takon atë për çfarë e ka bërë nijet.”

Në hadith autentik ka thënë: “Allahu nuk pranon veprat përveç se ato që janë të sinqerta dhe për hir të Tij.”

Kështu që vepruesit nuk i mbetet asnjë vepër për të përveç atyre veprave që janë për hir të Allahut, “Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë”.” Sureja Kehf, 110.

Atij që nuk është i sinqertë i thuhet mos e lodh veten, ngaqë sinqeriteti është themel i çdo vepre.

Allahu  i madhëruar ka shpjeguar në librin e Tij se njeriut nuk i bën dobi ditëne Kijametit përveç atyre veprave që i ka bërë për hir të Allahut me zemër të pastër, Allahu thotë: “Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. (bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” Sureja Shuara, 88-89.

Në sahihun e Muslimi qëndron hadithi i Ebu Hurejres se i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Allahu i madhëruar ka thënë: “Unë nuk kam nevojë për ortak. Kushdo që e bën një punë për hir të dikujt tjetër si dhe për hir Timin, Unë e lë veprën e tij të shpërblehet nga ata të tjerët.”

Disa komentator të Kuranit tek fjala e Allahut “e prej Allahut do tu shfaqet ajo që ata as nuk kanë mundur ta mendojnë.” Zumer, 43.  Ata kanë vepruar vepra që në dunja i kanë llogaritur se janë vepra të mira por në ditën e Kijametit do t’u shfaqen si vepra të këqija.

I dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: kushdo që vepron një punë të ahiret për hir të dynjasë, nuk do të ketë hise në ahiret.

I dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Allahu do tu thotë: shkoni dhe kërkoni prej atyre për të cilët keni vepruar, shikoni nëse ata kanë se çfarë t’ju japin.

Për këtë të parët e këtij umeti  ishin njerëzit që më së tepërmi frikoheshin për veprat e tyre që të mos përzihen me syefaqësi, ose të ngatërrohen me një formë shirku, kështu ata kontrollonin veten, përpiqeshin që t’i kenë fjalët e veprat me sinqeritet për hir të Allahut.

Jahja ibën Ebu Kethiri ka thënë: mësojeni nijetin ngaqë nijeti është më i madh se sa veprimi.

Sehl El Testeri ka thënë: kush shfaq dëshirë që njerëzit të kenë qasje në raportin e tij me Allahun, ai vërtetë është gafil (i shkujdesur).

Ikrime ka thënë: Allahu i jep njeriut për nijetin e tij atë që nuk ia jep për vepërn e bërë, sepse nijeti i tij ka qenë pa syefaqësi.

Ibën Kajimi ka thënë: Veprat pa sinqeritet dhe pa pasim janë sikur udhëtari që mbush torbën e tij me rërë, e bartë me vete e nuk i bën dobi.

Imam el Makdisiu ka thënë: Veprat pa sinqeritet janë lodhje dhe mundim, nijeti pa sinqeritet është syefaqësi, dhe sinqeriteti pa ndjekje (pasim të profetit) është humbje dhe dështim.

Allahu thotë: “E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur.” Sureja Furkan, 23.

Disa dijetarë kanë thënë: njerëzit më afër syefaqësisë janë ata që ndihen të sigurtë prej syefaqësisë.

Mund të duket çështja e nijetit shumë e lehtë por në fakt nuk është ashtu, ka nevojë për mundim para veprimit, po edhe gjatë veprimit, e edhe pas veprimit.

Ejub Sihtijani ka thënë: për muslimanët e parë pastrimi i nijetit ishte gjëja më e rëndë se sa vetë veprimi.

Sufjan Theuri ka thënë: nuk kam mjekuar diç më të rëndë për mua se sa nijetin tim, ngaqë nuk më qëndron stabil.

Jusuf Esbet ka thënë: përkujdesi i vepruesve për nijetin se a do të jetë i pastër apo i keq është gjë më e rëndë se sa mundi, e shumica e njerëzve ose nuk kanë nijete ose ju mungon sinqeriteti.

Zotëriu i tabiinëve Uvejs el Karnij thotë: nëse ngrihesh për tu falu lute Allahun të ta rregullojë zemrën dhe nijetin tënd, sepse nuk ka gjë më të rëndë që duhet t’i mjekosh se këto dyja.

Allahu e mëshiroftë atë njeriu i cili shikon dhe mendon, mendon dhe mediton, mediton dhe kupton, kupton dhe vendos, vendos dhe qëndron dhe duron, e kush duron fiton: “E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bëmirësve.” Sureja Ankebut, 69.

Kush mundohet të veprojë vepra për Allahun, dhe kujdeset që të realizojë sinqeritetin në fjalët e në veprat e tija, ky do të arrijë begati e keramete të llojllojshme, e mbron Allahu nga të kqëijat dhe sëmundjet, e shpëton atë nga sprovat, epshet dhe dyshimet, medito: “Ajo e mësyni atë qëllimisht, e atij do t’i shkonte mendja ndaj saj, sikur të mos i prezentohej argumenti nga Zoti i tij. Ashtu (e bëmë të vendosur) që ta largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet, ai ishte nga robtë tanë të sinqertë.” Jusuf, 24.

Me sinqeritet e mbron robin e Tij nga sulmet e shejtanit, mediton se çfarë thotë Allahu për armiqësinë e Iblisit: “Ai tha: “Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit e Tu!.” Sureja Sad, 82-83.

Me sinqeritet shtohen shpërblimet, riten meritat, arrihen gradat e larta, bile me nijet gjërat që janë në esencë të lejuara shndërrohen në adhurime, dhe prej zakoneve në ibadete.

Në sahihun e Muslimi shënohet hadithi se i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: edhe kontakti juaj me bashkëshortet e juaja shpërblehet. I thanë: o i dërguar i Allahut! A edhe kur ndonjëri prej nesh i afrohet bashkëshortes së tij shpërblehet? Tha: Si mendoni, nëse ai e shuan epshin e tij në haram a do të llogaritet kjo për të mëkat, kështu ndodh kur ai e shfryen eshin në hallall, për të ka shpërblim.

Dhe kështu e gjithë jeta e njeriut bëhet për hir të Allahut : “Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.  Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem).” Sureja Enam, 162-163.

Me sinqeritet arrihet ndërmjetësimi ditën e Kijametit, në sahihun e Buhariu shënohet hadithi se i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Njerëzit më të lumtur për ndërmjetësimin tij do të jenë ata që thonë la ilahe il Allah, me sinqeritet prej zemrave të tyre.

Atëherë kur sinqeritet të zë vend tek njeriu, sinqeriteti ia sjell edhe drejtësinë, e drejtësia ia sjell devotshmërinë: “E ai që e solli të vërtetën dhe ai që e vërtetoi atë, të tillët janë ata të ruajturit.” Sureja Zumer, 33.

E kur të arrihet devotshmëria vje edhe fitmi i madh, ngaqë Allahu i do të devotshmit, dhe fundi i mirë u takon atyre: “Është e vërtetë se të devotshmit do të jenë në xhennete e në lumenj.  Në një vend të kënaqshëm, te Sunduesi i plotfuqishëm (te Allahu).” Sureja Kamer, 54-55.

Për sinqeritetin Allahu shpërblem në mënyrë të veçantë, sikur që është në hadithin kudsij: Agjërimi është për Mua, dhe Unë shpërblej për të.

Sepse agjërimi nuk mund të zbatohet përveç se me sinqeritet.

Në dy sahihët transmetohet hadithi ku i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) përmend shtatë grupet të cilët Allahu do t’i strehojë nën hijen e Tij, atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër, gjejmë se tre prej tyre kanë arritur këtë shpërblim madhështor me sinqeritet, prej tyre: “personi i cili përmendi Allahun në vetmi, dhe i rrjedhën lotët, personi që zemra e tij është elidhur për xhami, dhe personi i cili jep një sadaka, kështu që e fsheh atë, deri në atë masë sa të mos e sheh dora e majtë atë që e jep dora e djathtë.”

Si të arrijmë të jemi të sinqertë?

1.Të kujdesemi ngaqë veprat tona i shikon Allahu, e të mos i kushtojmë rëndësi pse njerëzit na shikojnë, me veprat tona të kemi synim vetëm kënaqësinë e Allahut.

2.Të mos ndikon tek ne lavdërimi e as përçmimi i njerëzve, çfarë të bën dobi lavdërimi i njerëve kur Allahu me ty nuk është i kënaqur? E çfarë të bën dëm përçmimi i njerëzve kur Allahu është i kënaqur me ty?

3.Të jetë gjendja jonë e njetë, ajo e brendshme me të jashtmen.

4.Të jemi prej atyre që e adhurojnë Allahun qoftë në vetmi qoftë në shoqëri, qoftë në opinion qoftë në fshehtësi.

5.Të bëjmë lutje, që Allahu të na bëjë prej të sinqertëve.

Ta kemi frikë Allahun, të shërojmë zemrat tona, ngase kanë shumë nevojë për shërim, ta kontrollojmë nijetin e ta përmirësojmë.

Përktheu: Hoxhë Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM