Asgjë nuk e qetëson dhe nuk e lumturon zemrën se sa të menduarit mirë për të tjerët. E mbron nga dëmi i mendimeve shqetësuese që shqetësojnë paqen e tij në mendje dhe rraskapitin trupin.
Të menduarit mirë për të tjerët të çon drejt një zemre të shëndoshë, forcon lidhjet e përzemërsisë dhe dashurisë mes individëve të një komuniteti, dhe çliron zemrat nga urrejtja dhe ligësia.
Ebu Hurejre tregon se Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë:
“Kini kujdes nga paragjykimi sepse paragjykimi është gënjeshtra më e madhe. Mos hulumtoni gabimet e njëri tjetrit, mos spiunoni njëri tjetrin, mos kini zili njëri tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri tjetrit dhe mos e urreni njëri tjetrin, por bëhuni që të gjithë robër të Allahut”. Buhariu dhe Muslimi, sahih Ahmedi Albani.
Vetëm atëherë kur pjesëtarët e umetit islam do t’i përmbahen kësaj sjellje sublime, armiqtë e tyre nuk do të guxojnë t’i sulmojnë me maksimën e tyre të fëlliqur “përçaj e sundo”, dhe se kurrë nuk do të kenë sukses, sepse zemrat e muslimanëve janë të bashkuar dhe shpirtrat janë të pastërt.
Mënyrat për të menduar mirë për të tjerët:
Ka shumë mënyra që një musliman mund të mendojë mirë për të tjerët, disa prej të cilave janë siç vijojnë:
Lutja
Lutja te Allahu i Plotfuqishëm është porta për çdo mirësi. Pra, nëse lutemi për ata, d.m.th. që mendojmë mirë dhe ia duam të mirën atyre.
Vëre veten në vendin e tyre
Në qoftë se secili prej nesh vendos veten në vend të vëllait të tij, kur ky i fundit bën apo thotë diçka, kjo do të na ndihmojë të mendojmë mirë për të tjerët. Allahu i Plotfuqishëm urdhëron robërit e Tij në këtë kuptim në ajetin ku thotë: “E përse kur e dëgjuan atë (shpifje për Aishen) besimtarët dhe besimtaret të mos mendonin të mirën si për vete dhe të thonin: “Kjo është shpifje e qartë?!” Kuran 24:12.
Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, i bën besimtarët të ndjehen sikur të jenë një qenie e vetme, “Muslimanët janë si një trup që nëse një pjesë e trupit ndjen dhembje, i tërë trupi dhembjen e ndjen…”.
Interpreto fjalët e tyre në mënyrën më të mirë
Ky ishte zakon i paraardhësve të devotshëm. Omeri tha: “Mos mendoni keq për një fjalë që flet vëllau yt besimtar aq kohë sa mund të interpretohet në një mënyrë të mirë”. Tregohet njëherë kur Imam Shafiu ishte i sëmurë, disa nga vëllezërit e tij erdhën për ta vizituar, njëri prej tyre tha: “Allahu ta forcoftë dobësinë tuaj (Ai kishte për qëllim t’i lutet Allahut për t’ia eliminuar dobësinë e tij).” Imam Shafiu i tha: “Nëse Allahu forcon dobësinë time, ajo do të më vrasë!” Njeriu i tha: “Pasha Allahun, nuk kisha për qëllim asgjë tjetër veçse mirësi.” Imam Shafiu iu përgjigj: “Edhe nëse më ofenduat, e di se ju kërkuat mirësi.” Të menduarit mirë për të tjerët është vëllazëria e vërtetë, madje edhe në gjëra që nuk mund të interpretohen në një mënyrë të mirë.
Arsyetoji ata
Kur dikush thotë apo bën diçka që bezdis ose pikëllon dikë, ai duhet të përpiqet të gjejë arsyetim për të dhe të risjell në mend gjendjen e të devotshmëve se si vepruan ata, dhe si arsyetonin shokët e tyre. Ata sigurisht do të thonin: “Ju duhet t’i gjeni shtatëdhjetë arsyetime për vëllanë tuaj”. Ibn Sirini, thotë: “Nëse keni ardhur të dini se një vëlla ju ka dëmtuar ose me fjalë ose me vepër, ju duhet të bëni një arsyetim për atë, e nëse nuk gjeni ndonjë, duhet të thoni, ‘mund të jetë një arsye që unë nuk e di’ . Kur përpiqeni maksimalisht të arsyetoni për fjalët dhe veprat e të tjerëve, do të kurseni veten nga problemet e supozuara dhe do të shmangni fajësimet e tepërta të miqve tuaj.
Mos i gjyko qëllimet e tyre
Kjo është një nga shkaqet më të mëdha që e ndihmojnë njeriun të mendojë mirë për të tjerët. Duhet lënë qëllimet vetëm Atij që i di ato: Allahut të Plotfuqishmit, e Ai nuk na urdhëruar për të kontrolluar zemrat dhe qëllimet e njëri tjetrit, dhe kështu duhet të shmangim mendimet e këqija për të tjerët.
Kujto pasojat e dëmshme të supozimeve të këqija
Ai që mendon keq për të tjerët jeton në telashe dhe pikëllim të pa fund, për të mos folur për faktin se ai e humbet të gjithë ata që shoqëroheshin me të, madje edhe njerëzit më të afërt të tij. Është e natyrshme që njerëzit bëjnë gabime, madje edhe pa qëllim. Duke i akuzuar të tjerët dhe duke menduar mirë për veten, është një nga pasojat e këqija të të menduarit keq për të tjerët. Kjo është një mënyrë që personi mund të jetë fajtor i përshkrimit të pastërtisë për veten që Allahu i Lartësuar e ka ndaluar në Librin e Tij. Allahu i Plotfuqishëm thotë : “mos lavdëroni veten, se Ai e di kush është më i ruajtur” Kuran 53: 32. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar i kritikon hebrenjtë, kur ata i përshkruanin pastërtinë vetes së tyre. Allahu i Plotfuqishëm thotë : “A nuk ke kuptuar për ata që vlerësojnë vetveten? Jo, Allahu vlerëson atë që do dhe nuk bën padrejtë asnjë fije.” Kuran 4: 49.
Të menduarit mirë për të tjerët kërkon trajnim të gjerë dhe duke luftuar kundër vetvetes (vetëmohim), veçanërisht për shkak se djalli është i pandashëm nga njeriu si gjaku që qarkullon nëpër trupin e tij. Ai nuk i ndalë përpjekjet e tij për të mbjellë përçarje brenda muslimanëve, nuk ndalon derisa me cytjet e tij arrin të shumëfishojë mosmarrëveshjet mes tyre. Të menduarit mirë për të tjerët është një nga mjetet më të mëdha për të bllokuar këtë rrugë para djallit. Ne lusim Allahun e Plotfuqishëm të na japë zemrat të shëndosha dhe të na ndihmojnë për të menduar mirë për vëllezërit dhe motrat tona.
Përshtati nga anglishtja: Fitim NUHIU