TË VDESËSH QË TË TJERËT TË JETOJNË!

TË VDESËSH QË TË TJERËT TË JETOJNË!

0 1422

Të sakrifikosh jetën që t’u mundësohet të tjerëve liria është ideal i burrave të rrallë, sepse jo të gjitha nënat shqiptare lindin burra që i bëhen kurban popullit shqiptarë, të pakta janë ato nana dhe të paktë janë ata burra, të cilët janë në gjendje t’i japin jetë kombit shqiptarë, dhe vërtetë se në gjendje lufte duhet dikush të vdes që të tjerët të jetojnë, duhet dikush të bëhet kurban, të sakrifikohet, t’ia shes gjakun Kosovës, prej tyre ishte edhe kushëriri im, komandant Ilir Konushevci, i cili sakrifikoi jetën e tij që të tjerët të jetojnë.

Vendosa të shkruaj diçka për të, jo në emër të familjes Konushevci, por në emrin tim, dhe në pika të shkurtra për jetën dhe veprën e tij, që t’i njohim më mirë ata që na e mësuan çka do të thotë liri dhe robëri, çlirim dhe okupim, sinqeritet dhe hipokrizi.

Lirinë sot po e shijojmë, ani pse të pjesërishme dhe jo bash atë liri për të cilën baci Ilir dhe bashkëluftëtarët e tij luftuan që ta arrijnë, sepse po të ishin ata gjallë sot për shumë sende që po ndodhin në emër të “lirisë”, do ta ngritnin zërin kundër tyre, sidoqoftë Kosova me burrat e vet, dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, të cilët i falënderojmë, arriti të bëhet tokë e lirë, sfidë pas sfide, edhe sot ballafaqohemi me sfida të rëndësishme.

Për vlerën e gjakut të dëshmorëve, për idealin e sakrifikimit të jetës që t’u mundësohet të tjerëve liria, për vdekjen në rrugë të Zotit dhe në mbrojtje të atdheut, më së miri flet Krijuesi i jetës dhe i vdekjes, tek i Cili dëshmorët kanë një status dhe vlerë të vaçantë, paguhen dhe shpërblehen pak më ndryshe, i ka në konsideratë më shumë, sepse siç thashë në fillim se ata vdesin që të tjerët të jetojnë, andaj Ai thotë:

“Kurrsesi mos thoni për ata që u mbytën në rrugën e Allahut: “Janë të vdekur”, jo, ata janë të gjallë, por ju nuk e kuptoni (gjallërinë e tyre)”. (Kur’an, kaptina nr.2, ajeti nr.154).

Ata i pret Xheneti i shtrenjt, i përgatitur për ata të cilët jetojnë dhe vdesin në emër të Zotit, dhe edhe kur të është në pyetje jeta për atdhe, ata nuk e kursejnë, nuk ju dhimbset kjo botë që ta japin në mbrojtje të atdheut, nuk ju dhimbset as familja, as pasuria, as pozita, as kënaqësitë e dëfrimet e kësaj jete kalimtare, shkojnë dëshmitarë tek Zoti, këta janë burrat e vërtetë, të cilëve ju kemi borgj shumë, si shoqëri dhe si institucione, por fatkeqsishtë këtu tek ne nuk po nderohen dëshmorët ashtu si e meritojnë, nuk po përkrahen të gjitha familjet e dëshmorëve ashtu si e meritojnë, duhet ditë njëherë e përgjithmonë se nuk nderohet dëshmori me ngritjen e një busti apo përmendore të ngurtë në formën e tij, kjo për mua është lojë çka bëjnë disa krerë tonë politik, e as me një minutë heshtje, e as me dërgim të kurorave tek varri i tij.

Dëshmori më së miri mund të nderohet në këtë botë nëse emanetin e tij e çojmë në vend, fund!

E dihet fare mirë pse luftoj Ilir Konushevci, çka synoj dhe për çka e dorëzoj dhe sakrifikoj jetën e tij, jo që duke e keqpërdorë lirinë që na e sollën dëshmorët, t’i bëhet hyzmet institucionalisht hajnisë, amoralitetit, injorancës, padrejtësisë, mafisë, tradhëtisë e përçarjes, sepse asnjë hap drejtë këtyre nuk e bëri Iliri dhe as asnjë bashkëluftëtarë i tij, dhe këtë e dinë shumë mirë politikuajtë e tonë, sepse ata duke u mundu “t’i mbrojnë qëllimet e dëshmorëve”, ata bëjnë të kundërtën, dhe pastaj një pjesë e popullit nga injoranca bie viktimë, jo, duhet ngritë zërin për t’u tregu këtyre që kanë pushtet mbi sipërfaqe të tokës, se ata që gjenden në barkun e tokës, dëshmorët e vdekur, me ju dhanë mundësia mu kthy në këtë Kosovën tonë “të lirë”, së cilës ia dhanë jetën, ndryshe do t’ishin marrë vesh me ta, populli e përdorë një fjalë: “Tjera këngë ishin këndu!”

Prapë se prapë është bë diçka për ta nga ana e institucioneve tona, nuk ua humbim meritën, por ka shumë pa bë, shkurtimisht ua paraqesim një biografi të shkurtë të komandantit Ilir Konushevci, të cilin e dekoruan “Hero të Kosovës”, pak fjalë nga jeta dhe vepra e tij:

Ilir Konushevci u lind më 20 qershor të vitit 1969. Rrjedh nga një familje e urtë e punëtore, e mbi të gjitha me tradita patriotike. Kjo familje është shpërngulur nga fshati Konushefc para 60 vjetësh dhe është vendosur në fshatin Llugë të Podujevës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore nga kjo familje kishte pjesëtarë që u mobilizuan në radhët e forcave progresive të asaj kohe. Kjo traditë u vazhdua edhe gjatë luftës së fundit kundër pushtuesit serb. Në radhët e para të UÇK-së, përpos Ilirit, ishte edhe vëllai i tij, Saimir Konushevci, i cili dha një kontribut të madh pas legalizimit të UÇK-së në Llap, në shtrirjen, organizimin dhe furnizimin e saj.

Iliri fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes. Shkollën fillore e kreu në fshatin Lluzhan, të mesmën në Podujevë, duke u dalluar në mësime dhe në sjellje. U regjistrua në Shkollën e lartë në Ferizaj, të cilën nuk arriti ta përfundojë. Iliri ishte fëmija i tretë i Halitit dhe nënës Nazmies. Iliri ishte i martuar me Luljeta Ramadanin nga Ferizaji, e cila është absolvente e SHLT-së në Ferizaj. Ata kanë një vajzë, Nertilën. Që nga mosha e hershme rinore, Iliri u angazhua rreth çështjes kombëtare. Ishte në moshë te re kur në Kosovë ndodhnin ngjarje të rëndësishme, protestata, demonstrata, greva etj, përmes të cilave shqiptarët shprehnin qëndrimin e tyre kundër pushtetit serb, i cili pretendonte të bëhej absolut në Kosovë. E gjejmë në mesin e demonstruesve, si në Ferizaj, Prishtinë etj. Viti 1989 mbeti i paharruar për Ilirin; u vranë dy bashkëfshatarët e tij, Afrim Zhitia dhe Bedri Sokoli.

Në atë kohë Iliri theksonte: “Këto vrasje dhe vrasjet e tjera, do ta forcojnë edhe më shumë moralin dhe idealin tonë në rrugën e çlirimit të Kosovës”.

Iliri dha një kontribut të jashtëzakonshëm. Si pasojë e kërkimit të rrugëve për çlirim, pas bisedimeve dhe konsultave të shumta, Iliri, së bashku me shokët: Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin illegal, apolitik, të gjithë ishin studentë. Grupi është themeluar në mbledhjen e mbajtur më 13.5.1992, në Podujevë, në vendin e quajtur “Te Kisha”. Pra, në këtë mbledhje ishte vendosur për themelimin e një grupi, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë.

Grupi, nga dhjetë shtatori i vitit 1992 e deri kur hyri nën urdhërat e komandantit Zahir Pajaziti, kreu disa aksione, ku kontributi i Iliri Konushevcit ishte jashtëzakonishtë madhor. Ky grup, në vitin 1993 (qershor), bie në kontakt me LKÇK-në, kurse takimet organizoheshin përmes Selim Hazirit, anëtar i njësitit “Shqiponjat” dhe Agron Rrahmanit, anëtar i LKÇK-së.

Njësiti “Shqiponjat” pranon që t’i ndihmojë ata në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”. Ky bashkëpunim zgjati gjer nga fundi i vitit 1993 dhe fillimi i vitit 1994.

Zahiri thoshte: “Ia kam lakmi Ilirit për qëndrimin, guximn, sakrificën”, ndërsa Sabit Zejnullahu (babai i Hakifit), kujton fjalët e Hakifit kur ai thoshte: “I vetmi është Iliri, i cili mund ta zëvendësojë Zahirin në çdo kohë”.

Zahir Pajaziti, pas aksioneve të shumëta dhe të suksesshme gjatë vitit 1996, vendosi që të shkonte në Shqipëri (dhjetor, 96), kurse me të ishin Ilir Konushevci, Shaip Haziri dhe Hakif Zejnullahu. Këta u kthyen pasi e përcollën komandant Zahirin gjer te kufiri me Shqipërinë. Ditën kritike ishin së bashku, në banesën e Zahirit, Ilir Konushevci dhe Shaip Haziri, duke biseduar për realizimin e detyrave të parashtruara.

Më 31 janar 1997, në orën 16 e 5 min, në fshatin Pestovë afër Vushtrrisë, u vranë Zahiri, Hakifi dhe Edmondi. Për këte rast të rëndë dhe të hidhur, Iliri mori lajmin të nesërmen nga vëllai i Hakifit, i cili e priste para shitores së Ilirit.

Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë, e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e kryente kryesisht me Ardian Krasniqin (pas vrasjes së Luan Haradinajt). Mirëpo, Iliri punoi shumë edhe rreth afrimit të të gjitha forcave në luftë kundër Serbisë.

Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit shumë çka nuk ishte si më parë. Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror. Gjatë verës së vitit 1997, për shkak të rrethanave të krijuara, nga Kosova largohen edhe Naim Haziri, Naim Hyseni e Selim Haziri, të cilët shkojnë në Shqipëri, dhe atje bien në kontakt me Ilirin dhe shokët e tjerë që vepronin atje. Kështu, gjatë asaj kohe, aktiviteti i UÇK-së në Llap vështirësohet, mirëpo ndërkohë Rrustem Mustafa-Remi, së bashku me Sejdi Ramën (Sejda në qershor-korrik ishte në Gjermani, ku u takua me Sabri Kiçmarin e Ali Ramën), shkuan në Shqipëri dhe atje biseduan me shokët në fjalë, për gjetjen e mundësisë së riorganizimit të UÇK-së në ZOLL. Pas këtij takimi, u kthyen në Kosovë dhe mbajtën mbledhjen e parë në nivel të Llapit, ku edhe u vendos hierarkia e UÇK-së për Zonën e Llapit, për të cilën gjë Iliri kishte luajtur rol vendimtar.

Mbledhja është mbajtur më 2.9.1997, në fshatin Surkish dhe morën pjesë: Ilir Konushevci, Rrustem Mustafa, Naim Haziri, Selim Haziri, Murat Ajeti, Refik Jashari dhe Latif Gashi. Në këtë mbledhje është vendosur që Rrustem Mustafa-Remi të jetë përgjegjës-koordinator i ZOLL-it me Zonat e tjera, Ilir Konushevci vendoset që ta vazhdojë punën furnizuese me armatim në nivel vendi dhe të jetë anëtar i Shtabit Qendror, kurse Latif Gashi anëtar i Shtabit Rajonal.

Pas këtij takimi, Iliri, së bashku me Naimin dhe Muratin, u kthye në Shqipëri, ku e vazhdoi punën në furnizim me armatim, si dhe mobilizimin e vullnetarve që vinin nga diaspora apio edhe viseve të tjera Shqiptare. Ishte mesi i muajit tetor 1997, kur Iliri, së bashku me Adrian Krasniqin (Rexhën) dhe shokë të tjerë, solli një sasi të madhe të armatimit në Kosovë. Me propozim-vendimin e shokëve, sulmohet Stacioni i policisë serbe në Kliqinë të Pejës (në orët e vona të natës në mes të 15 e 16 tetorit). Në këtë aksion morën pjesë: Adriani (Rexha), Iliri (Mërgimi), Mujë Krasniqi (Kapuqi) dhe Qerim Kelmndi (Dema).

Gjatë sulmit, u vra Adriani. Vrasja e tij ishte një humbje e madhe për shokët, për UÇK-në e veçanërisht për Ilirin, sepse ata pos të tjerash ishin edhe shokë të pandarë të aksioneve. Pas këtij rasti, Iliri ngarkohet nga shokët me rolin kryesor për sjelljen e armatimit në Kosovë. Gjatë gjithë kohës sa punoi në këtë detyrë, ai hyri në Kosovë mbi tridhjetë herë, duke sjellë armatim të llojllojshëm, nga armët e brezit e deri tek armatimi kundërtank. Mjetet për blerje të këtij armatimi vinin kryesisht nga mërgimtarët nga Evropa dhe Amerika. Iliri furnizohej me mjetet nga Fondi “Vendlindja thërret” dhe atë në dy drejtime nga Gjermania e Zvicra, si dhe nga Amerika përmes Florin Krasniqit (një i afërm i Adrianit) dhe Muharrem Tovërlanit. Iliri, pos që punoi rreth furnizimit me armatim, kontribuoi shumë edhe në sjelljen e eprorëve profesionistë në radhët e luftëtarëve të lirisë. Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm (rreth orës 2:00) të datës 9 maj 1998, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim. Vrasja e Ilirit, atje ku më së paku pritej, shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe Shtabin e saj Qendror.

Në varrimin e tij morën pjesë me mijëra bashkatdhetarë, të cilët atë ditë kishin ardhur nga të gjitha anët e botës për t’i dhënë lamtumirën e fundit komandantit të logjistikës dhe luftëtarit të paepur të radhëve të para të UÇK-së. Pas vrasjes se komandantit të parë të UÇK-së Zahir Pajaziti , si dhe rënja heroike e komandantit legjendarë Adem Jashari, ishte pikërisht vrasja e tretë ndaj Ilir Konushevcit që okupatori serb me bashkëpuntorë ndërmorri ndaj themeluesëve dhe njerëzve më me ndikim të UÇK-së. Andaj në vitin e kaluar pikërisht në përvjetorin e rënjes për liri, ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu për kontributin dhe rolin e tij në luftën për çlirimin e Kosovës i akordoi Ilir Konushevcit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, urdhërin “Hero i Kosovës”.

Përgatiti: Labinot Kunushevci

Biografia e marrë nga një portal në internet.

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 592