Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos Allahut Një, i Cili nuk ka rival dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Do të ndalemi një moment të shkurtër me një ajet nga libri i Allahut,: “Ti tërhiqju atyre vërejtjen për ditën e dëshpërimit, kur të marrë fund çështja (e përgjegjësisë e dikush në xhenet, dikush në zjarr), se ata (sot) janë të pakujdesshëm, dhe ata nuk janë duke besuar”. Merjem, 39.
Allahu i Madhëruar urdhëron të Dërguarin e Tij Muhamedin salallahu alejhi ue selem që t’ua tërheq vërejtjen njerëzve nga dita e dëshpërimit dhe e keqardhjes, ajo është dita e Kiametit, kur do të shtohet dëshpërimi, keqardhja, nuk ka humbje më të madhe, se humbja e kënaqësisë së Allahut dhe xhenetit, përfitimin e hidhërimit, dhe amshimin në zjarr saqë nuk mund askush të kthehet në dynja të rifillon të vepron.
Allahu thotë: “Thuaj: “Të dështuar në ditën e kijametit janë ata që e kanë humbur veten dhe familjen e vet. Vini re: ky është ai dështimi i njëmendtë”. Zumer, 15.
Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Dita e dëshpërimit është një emër prej emrave të ditës së Kiametit, nga e cila ka alarmuar Allahu.
AbduRrahman ibn Zejd ibn Eslem për fjalën e Allahut “ti tërhiqu atyre vërejtjen për ditën e dëshpërimit” është dita e Kiametit, dhe lexoi: “O i mjeri unë që kam lënë mangu respektimin ndaj Allahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!”. Zumer, 56
Dhe fjala e Allahut “kur të marrë fund çështja” kur të përfundon llogaria, dhe banorët e xhenetit të hynë në xhenet dhe banorët e zjarrit hynë në zjarr.
Dhe fjala e Allahut “se ata (sot) janë të pakujdesshëm” në këtë botë me epshet, kënaqësitë e tyre nga të vepruarit për ditën e dëshpërimit, dhe fjala e Tij “dhe ata nuk janë duke besuar” nuk besojnë në ringjalljen pas vdekjes dhe për kënaqësinë e përhershme për atë që ka respektuar Allahun, dhe dënimin e dhembshëm për atë që ka kundërshtuar Atë.
Ebu Said el Hudriju, radijallahu anhu transmeton se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Do të sillet vdekja ditën e Kiametit në formë të dashit të trashë (Ebu Kurejb ka shtuar “vendoset mes xhenetit dhe zjarrit”) e do të thirren: O banorë të xhenetit a e njihni këtë? Do të zgjasin qafat, shikojnë dhe thonë: Po, kjo është vdekja. Thotë: O banorë të zjarrit a e njihni kush është ky? Do të zgjasin qafat, shikojnë dhe thonë: Po, kjo është vdekja. Urdhëron të theret, pastaj thotë: O banorë të xhenetit, jetë të përhershme, nuk ka më vdekje, dhe o banorë të zjarrit jetë të përhershme, nuk ka më vdekje. Pastaj i dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem lexoi ajetin: “Ti tërhiqu atyre vërejtjen për ditën e dëshpërimit, kur të marrë fund çështja (e përgjegjësisë e dikush në xhenet, dikush në zjarr), se ata (sot) janë të pakujdesshëm, dhe ata nuk janë duke besuar”. Dhe bëri me shenjë kah kjo botë”.[1]
Muslimi ka shënuar një pjesë shtesë të transmetimit të ibn Omerit radijallahu anhu: “Atëherë banorëve të Xhenetit do t’u shtohet gëzim mbi gëzimin që do të kenë, ndërsa banorëve të Zjarrit do t’u shtohet pikëllim mbi pikëllimin që do të kenë”.[2]
Në transmetimin e Tirmidhiut qëndron: “Po të vdiste ndokush nga gëzimi, do vdisnin banorët e xhenetit, dhe po të vdiste ndokush nga pikëllimi do vdisnin banorët e zjarrit”.[3]
Prej dobive të këtij ajeti janë:
Një: Ditën e dëshpërimit dhe keqardhjes do të pendohet jobesimtari për mosbesimin, i padrejti për padrejtësinë, i shkujdesuri ndaj adhurimit të Zotit për shkujdesin e tij, mirëpo, nuk bën dobi pendimi. Allahu thotë: “Në ditën kur zullumqarëve nuk u bën dobi arsyetimi i tyre, ata janë të mallkuar dhe ata e kanë vendin më të keq”. Gafir, 52.
Dhe thotë: “Atë ditë zullumqari do t’i kafshojë duart e veta dhe do të thotë: “I mjeri unë, ta kisha marrë rrugën e Pejgamberit!” O shkatërrimi im, ah të mos e kisha bërë filanin mik! Në të vërtetë, pasi e gjeta rrugën e drejtë, ai më largoi mua prej asaj, e djalli është ai që njeriun e humb dhe e lë të vetmuar”. Furkan, 27-29.
Dhe thotë: “Ata që përgënjeshtruan se do të takohen me Allahun (në ditën e gjykimit) kanë humbur përderisa t’u vijë momenti (kijameti) befas e të thonë: “Të mjerët ne për atë që lëshuam” (nga punët e mira në Dynja), e duke i bartur gabimet e veta në shpinë, dhe, e shëmtuar është ajo që bartin”. En’am, 31.
Dhe thotë: “Ne ua tërhoqëm juve (idhujtarëve) vërejtjen për një dënim të afërt, në ditën kur njeriu (besimtar) shikon se çka i kanë sjellë duart e veta, e jobesimtari thotë: “Ah, sa mirë do të ishte për mua sikur të isha dhé!”. Nebe’, 40.
Dy: Duhet që muslimani të mos jetë i shkujdesur, por të jetë në gatishmëri të takojë Zotin e tij, Allahu thotë: “E kush shpreson takimin (shpërblimin) e Allahut, s’ka dyshim se afati i Allahut do të vijë patjetër, e Ai është dëgjuesi i dijshmi”. Ankebut, 5.
Dhe thotë: “O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë Allahun, e s’ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që punoni”. Hashr, 18.
Tre: Ditën e dëshpërimit, jobesimtarit do ti duket se nuk ka qëndruar në këtë botë vetëm se një kohë të shkurtër, Allahu thotë: “(Përkujto) Ditën kur i tubojmë ata, (atyre u duket) sikur nuk qëndruan (në Dunja) vetëm një moment të ditës”. Junus, 45.
Dhe thotë: “Ditën kur ta përjetojnë atë, atyre (idhujtarëve) do t’u duket sikur nuk kanë jetuar më tepër se një mbrëmje ose një mëngjes të saj”. Naziat, 46.
Katër: Gjëja më e madhe për çka do të vajtojnë banorët e zjarrit është se çdo njëri prej tyre do të dëshiron të sakrifikon veten për të shpëtuar nga dënimi i Allahut, pasurinë e tij, fëmijën dhe gjithë njerëzimin, po edhe dynjanë dhe çka në të, edhe pse prej atij kërkohej diç më e lehtë se kjo, e nuk e veproi, Allahu thotë: “Edhe pse ata shihen ndërmjet vete (edhe njihen, por ikin prej njëri-tjetrit). Krimineli dëshiron sikur të kishte paguar dënimin e asaj dite me bijtë e vet. Dhe me gruan e vet dhe me vëllain e vet. Edhe me të afërmit e tij që ai te ata mbështetej. Edhe me krejt çka ka në tokë, e vetëm të kishte shpëtuar!” Mearixh, 11-14.
Dhe thotë: “Ata që nuk besuan dhe vdiqën si mosbesimtarë, asnjërit prej tyre nuk do t’i pranohet për kompensim, qoftë edhe plotë faqen e dheut ari. Ata i pret një dënim i dhembshëm dhe për ta nuk ka ndihmëtarë”. Ali Imran, 91.
Enes ibn Maliku radijallahu anhu transmeton se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu tebareke ve teala do ti thotë banorëve të zjarrit që do kenë dënimin më të vogël: Po të kishe dynjanë dhe çka në të a do ta shpenzoje, do të thotë: Po. E i thotë: Unë të kërkova gjë më të lehtë se kjo duke qenë ti në boshtin kurrizor të Ademit, që të mos bësh shirk e të mos të, të fus në zjarr, e ti refuzove gjithçka përveç shirkut”.[4]
Pesë: Besimtari duhet që të ruan fenë dhe besimin e tij deri në vdekje, Allahu thotë: “O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” Ali Imran, 102.
Aisheja radijallahu anha transmeton se i Dërguari salallahu alejhi ue selem shpesh bënte këtë lutje: “O rrotullues i zemrave, përqendroje zemrën time në fenë Tënde dhe në bindje ndaj Teje”.[5]
Falënderim i takon Zotit të botëve, paqja dhe bekimit Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamed, mbi familjen e tij, shokët dhe gjithë ata që e pasojnë deri në Ditën e Fundit.
Dr. Emin ibn Abdullah Shekavi
Përktheu: Shpend Zeneli
[1] Sahih Buhari 3/258 dhe Sahih Muslim 4/2188.
[2] Sahih Muslim, 4/2189 me numër 2849.
[3] Sunen I Tirmidhiut 4/693, dhe ka thënë: Ky hadith arrin gradën hasen sahih.
[4] Sahih Buhari 4/201 me numër 6557 dhe Sahih Muslim 4/2160 me numër 2805.
[5] Musnedi I Imam Ahmedit 6/251.