AJETET:
“Le të bëhet një grup prej jush që do të thërrasë në të mirë, e që të urdhërojë vepra të bukura e të ndalojë prej të shëmtuarave! E, ata njerëz do të jenë të shpëtuar. Mos u bëni si ata që pasi që u erdhën argumentet e dukshme, u shpërndanë dhe u distancuan në mendime. E, për këta do të ketë dënim të madh. Atë ditë (të Kijametit) kur disa fytyra do të zbardhen, e disa do të nxihen. Atyre që u nxihet fytyra u thuhet: “Pasi ishit besimtarë, përse u bëtë mohues? Prandaj, shijoni dënimin për shkak se nuk besuat!”. Kurse ato fytyra që zbardhen e shkëlqejnë do të jenë në mëshirën e Allahut, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” (Ali Imran: 104-107).
” Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin: urdhërojnë që të bëhen vepra të mira, e pengojnë të këqijat, falin namazin, japin zeqatin, dhe i përulen Allahut dhe Pejgamberit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve – kopshte të xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, në të cilat do të banojnë përherë. Dhe (u ka premtuar) pallate të mrekullueshme në xhenetin e Adenit. E, kënaqësia prej Allahut është shpërblim më i madh. Kjo është lumturi e madhe. ( Teube: 71-72).
” Dhe urdhëroje familjen tënde që të bëjë namaz dhe në këtë bëhu këmbëngulës! Na nuk kërkojmë furnizim prej teje. Na të furnizojmë ty, e përfundimi i mirë është për ata që ruhen nga mëkatet. (Ta Ha: 132).
” E, kush flet më bukur se ai që thërret te Allahu, bënë vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë, jam musliman!”. (Fussilet: 33).
” Thuaj: “Kjo është rruga ime, unë thërras (në besimin) e Allahut, duke pasur argumente të qarta, unë dhe çdonjëri që më pason mua, dhe qoftë lavdëruar Allahu, unë nuk jam prej idhujtarëve!”. ( Jusuf: 108).
” Thirri në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur. Dhe, diskuto me ta si është më bukur! Me të vërtetë, Zoti yt di më së miri ata, që janë shmangur nga rruga e Tij, e Ai di më së miri (edhe) ata që janë në rrugën e drejtë. (Nahl: 125).
” Nuk duhet të shkojnë (në ushtri) të gjithë besimtarët. E, pse të mos shkojë prej çdo grupi nga një njësi, që të mësohet në besim dhe kur të kthehet tek ata të këshillojë popullin e vet që t’i druajnë Allahut. (Teube: 122).
” Dhe, paralajmëroje farefisin tënd më të afërm, dhe bënu i butë ndaj besimtarëve, që të pasojnë ty! .” (Shuara: 214 215).
” U mallkuan ata nga bijtë e Israelit që ishin mohues, me gjuhën e Davudit dhe të Isait – të birit të Merjemës, për shkak se ishin të padëgjueshëm dhe ngase kishin kaluar kufirin: njëri-tjetrin nuk e pengonin nga veprat e këqija që punonin. E, sa të shëmtuara ishin veprat që punonin ata!.” (Maide: 78-79).
” Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq, dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!.” (Enfal: 25).
HADITHET:
Transmetohet nga Ebu Seid el Hudriu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut,- salallahu alejhi ue selem!,- duke thënë: ” Kush prej jush sheh ndonjë të keqe, le ta largojë atë me dorë, e nëse nuk ka mundësi, atëherë me gjuhë, e nëse as këtë nuk mundet, atëherë (sëpaku ta urrej) me zemër. Por, kjo është shkalla më e ulët e imanit.” (Shënon Imam Muslimi: 49).
Transmetohet nga Ubadete ibn Samit,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se ka thënë: Ia dhamë besën (premtimin) të Dërguarit të Allahut,- salallahu alejhi ue selem!,- se do ta dëgjojmë dhe respektojmë kur jemi në vështirësi dhe lehtësi, në gjëra që na pëlqejnë dhe që nuk na pëlqejnë, edhe nëse na bëjnë të padrejtë. Nuk do ta kontestojmë udhëheqjen e udhëheqësve, përpos nëse shohim tek ta kufrin e qartë që të kemi argument para Allahut (për kufrin e tyre, dhe mosnënshtrimin ndaj tyre si shkak i kufrit). Do ta themi hakun (të vërtetën) kudo që të jemi si dhe për të Allahut ne nuk do t’i frikësohemi kërcënimit të askujt që na kërcënohet.” (Shënuan: Buhariu: 7056 dhe Muslimi: 1709).
Transmetohet nga Temim ed Dariu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se pejgamberi,- salallahu alejhi ue selem!,- ka thënë: ” Feja është sinqeritet. Ne e pyetëm; Sinqeritet për kë, o i Dërguari i Allahut? Tha (i dërguari Allahut): ” Sinqeritet për Allahun, të Dërguarin e Tij, udhëheqësit e muslimanëve dhe për të gjithë muslimanët.” ( Shënuan Buhariu: Kapitulli mbi Imanin: 42/2, dhe Muslimi: 55, teksti është i Muslimit).
Transmetohet se Ebu Bekër es Sidiku,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: O ju njerëz! Ju po e lexoni këtë ajet: ” O ju të cilët keni besuar, kujdesuni për veten tuaj! Ai i cili ka humbur nuk ka mundësi të ju dëmtoj juve, kur ju jeni nê rrugën e drejtë.”( Maide: 105), dhe unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut,- salallahu alejhi ue selem!,- duke thënë: ” Me të vërtetë nëse njerëzit e shohin zullumqarinë e nuk kapin për dore me largu nga zullumi, është rrezik se ata ka për t’i përfshirë dënimi i Allahut.”
(Shënon: Ebu Davudi: 338, Tirmidhiu: 3059, 3169 dhe thotë se hadithi është hasen sahih). Njashtu, edhe Hakimi transmeton një hadith të cilin e vlerëson si sahih; 34/7036,- : ” Nëse e sheh se Umeti im frikësohet që atij që bënë zullum t’i thotë: O ti që po bën zullum( o zullumqarë), prej atij momenti thuaju atyre: lamtumirë.” (Mirëpo shejh Albani këtë hadithë që transmeton Hakimi thotë se ky hadithë është i dobët: Silsiletu ehdithe ed daife).
Transmetohet nga Ebi Abdilah Tarik ibn Shihab el Bexhelijil Ahmesiji,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut,- salallahu alejhi ue selem!,- i cili e kishte varë (vënë) këmbën mbi shalë: Cili është xhihadi më i mirë? Pejgamberi alejhi selam iu përgjigj duke i thënë: ” Thënia e hakut (të vërtetës) para sunduesit (sulltanit, kryetarit) të padrejtë.” (Shënon Nesiu me zingjir transmetuesi të saktë(sahih): 4209).
Transmetohet nga Nu’man ibn Beshiri,- Allahu qoftë i kënaqur me ta!,- se i Dërguari i Allahut,- salallahu alejhi ue selem!,- ka thënë: ” Shembulli i atij i cili thërret në ligjet e Allahut dhe i atij i cili nuk thërret dhe nuk i përfillë ligjet e Allahut, është sikur shembulli i disa njerëzve që u vendosën në pjesën më të lartë të anijes e disa pjesën e poshtme të anijes. Këta që ishin pjesën e poshtme të anijes, kur dëshironin të pinin ujë duhej të hipnin në pjesën e lartë të anijes, si shkak i kësaj thanë: Ne më mirë të hapim një vrimë në pjesën tonë, e të mos i bezdisim e mërzisim ata që janë lartë. Nëse i lejojnë të veprojnë ashtu siç duan ata, atëherë do të zhdukeshin të gjithë. Dhe, nëse i ndalojnë dhe nuk i lejojnë të veprojnë siç duan ata, atëherë do të shpëtojnë të gjithë.” (Shënuan: Buhariu: 2493, Tirmidhiu: 2173).
Transmetohet nga Ibn Mes’udi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se pejgamberi,- alejhi selam!,- ka thënë: ” Nuk ka pejgamber që Allahu dërgoi para meje tek populli i tij, e të mos ketë ai pejgamber ndihmës dhe shokë, të cilët do ta ndjekin rrugën e tij si dhe do t’i praktikojnë urdhrat e tij. Mirëpo, pas tyre do të vijnë pasardhës, të cilët flasin gjëra të cilat nuk i veprojnë, dhe veprojnë gjëra që nuk janë të obliguar dhe urdhëruar ti veprojnë. Kush i lufton ata me dorën e tij, ai është besimtarë. Kush i lufton me gjuhën e tij(me fjalë) është besimtarë dhe kush i lufton me zemër është besimtarë. E pas kësaj ma nuk ka iman (besim) as sa kokrra e melit.” (Shënon Muslimi: 50).
Autor: Muhamed Ahmed el Adeui
Nga arabishtja: Suad B. Shabani
Burimi: albislam.com