Çdo vit prindërit e shoqëronin në tren për ta çuar tek gjyshja që të kalonte pushimet verore. E linin aty dhe ktheheshin të nesërmen.
Këtë vit ju tha atyre dyve: tani më jam rritur, çka mendoni të shkoj vetë te gjyshja?
Pas një debati të shkurtër, prindërit pranuan. Erdhi dita për të udhëtuar, dhe ja, prindërit duke qëndruar në trotuar të stacionit i përsërisnin djalit të tyre ca këshilla… ndërsa ai ofshante…njëmijë herë i kam dëgjuar këto prej jush!
Pak para se të nisej treni, iu afrua babai dhe i pëshpëriti në vesh: merre këtë, është për ty në rast se ndjen frikë apo të kaplon ndonjë sëmundje, dhe i futi diçka djalit në xhep.
U ul djali në tren, për herë të parë i vetëm, pa familjen e tij. Vështronte panoramën natyrore nga dritarja dhe dëgjonte zhurmën e njerëzve të huaj përreth tij. Hynin dhe dilnin në vagonin e tij.. madje kontrollori i trenit shfaqi një habi dhe i bëri ca pyetje nëse ishte i vetëm. Një grua e shikonte me keqardhje. Djali u hutua, kuptoi që diçka nuk ishte në rregull. Filloi të ndjehet i frikësuar, ra në karrige dhe sytë iu mbushën me lot.
Në atë çast iu kujtua pëshpëritja e babait i cili i kishte lënë diçka në xhep. Duke iu dridhur dora, e futi në xhep dhe kapi një copë letre… kur e hapi, aty shkruante: djali im, unë dhe nëna jote jemi në vagonin e fundit!
Kështu është jeta, ua lirojmë krahët fëmijëve tanë, u japim vetëbesim… mirëpo duhet gjithnjë që të gjendemi në vagonin e fundit për sa kohë që frymojmë, në mënyrë që t’ju dhurojmë siguri!
Përkthim nga arabishtja:
Agim Bekiri
29/04/2023