Do të vdesim, po, do të vdesim, dhe veprat tona do të ndërpriten. Do të ndërpriten namazi, agjërimi, dhikri dhe të gjitha veprat tjera. Çfarë fatkeqësie e madhe është që të mirat e tua të ndërpriten, ndërsa ti kishe mundësi që ato të vazhdonin edhe pas vdekjes!
A nuk është kjo një nga humbjet më të mëdha. Por, o vëlla i dashur, gëzohu, sepse do të, të tregoj për një vakëf, jo si ato të tjerët, të cilat mund të ndërpriten dhe përfitimet e tyre të mbarojnë pas shumë vitesh. Ky është një vakëf që do të, të sjellë të mira të panumërta, të cilat, me lejen e Allahut, nuk do të ndërpriten deri në Ditën e Gjykimit.
Mendoj se tashmë je i përmalluar për ta njohur këtë vakëf të madh që nuk vdes. Gëzohu, tash po ta tregoj këtë vakëf! Bëhet fjalë për udhëzimin e një personi në Islam!
Ky është një vakëf njerëzor i përhershëm. Nëse ky person pranon Islamin, ai bëhet një burim i përhershëm i të mirave për ty, nga ai dhe pasardhësit e tij deri në Ditën e kiametit.
Vëlla i nderuar dhe motër e respektuar: Mos e përfundo jetën pa asnjë arritje të këtillë! Arritja është diçka e bukur në jetën e të suksesshmëve, dhe secili përpiqet arritje të synimit që e ka vendosur. Një nga arritjet më të mëdha është që dikush të zbulojë rrugën e drejtë me shkakun tënd, dhe ti të përfitosh shpërblimin për të dhe për pasardhësit e tij. Prandaj, angazhohu për këtë arritje të madhe dhe për këtë përpiqu.
Si mundet që dikush me shkakun tend të bëhet musliman? 1. Shpërndani mesazhe ftuese për jo-muslimanët nëpërmjet rrjetave sociale, ose komentoni me këto mesazhe në videot dhe fotot në profilet e huaja. (Videot e Kur’anit të përkthyera kanë ndikim të madh tek shumë nga njerëzit që e pranojnë Islamin.)
2. Bashkëpunoni me qendrat e davetit, duke botuar broshura ose duke donuar për programet që synojnë udhëzimin e njerëzve. (Një nga qendrat më të mira në Maqedoni është organizata Belig që bën promovimin e Islamit për jo-muslimanët në gjuhën maqedonase)
3. Krijo profile në rrjetet sociale duke bërë shpërndarje të mesazheve ftuese për jo-muslimanët. (Mund të gjesh postime të tilla dhe libra të dobishme në Belig.mk)
4. Mbani me vete broshura që e prezantojnë Islamin në gjuhë të ndryshme. Nëse takoni jo-muslimanë, dhe ua jepni atyre – ky gjest mund të jetë shkaku i Islamit të tyre. (Shumë njerëz e kanë pranuar Islamin falë ndonjë broshure që e kishin lexuar)
5. Ruaji në telefon numrat e thirrësve që punojnë me jo-muslimanë. Nëse takon dikë, mund t’i japësh numrin e një thirrësi që ai të bisedojë me të – ndoshta kjo bëhet shkak që ai ta pranon Islamin.
6. Ruaj në telefonin tënd video të sureve të shkurtëra të përkthyera. Nëse e takon dikë, dhe ia shfaq – ka mundësi ai të udhëzohet. (Ka shumë video me përkthime dhe lexim të bukur në YouTube)
7. Shkarkoje një përkthim të plotë të kuptimeve të Kur’anit në PDF në telefon. Nëse takon një jo-musliman, dërgoja dhe kjo mund të bëhet shkak që ai ta pranon Islamin. (IslamHouse ofron përkthime në të gjitha gjuhët)
Një informacion i rëndësishëm: Udhëzimi i njerëzve është në të vërtetë një sadaka rrjedhëse, një dije nga të cilën përfitojnë të tjerët dhe një fëmijë i mire që lutet për ty. Si? Pejgamberi (paqja dhe bekimi qofshin mbi të) ka thënë: “Kur njeriu vdes, veprat e tij ndërpriten, përveç në tri raste gjërave: një sadaka rrjedhëse, një dije nga e cila përfitojnë njerëzit, ose një fëmijë i mirë që lutet për të.” (Muslim)
Ky mysliman i ri, me shkakun tënd, do të jetë një sadaka rrjedhëse për ty, sepse namazi, agjërimi dhe dhikri i tij do të jenë shpërblime që vazhdojnë. Ai gjithashtu ka marrë dijen më të mirë – njohurinë e Tevhídit – dhe do të jetë si një fëmijë i mirë që do të lutet për ty.
Kjo është një begati e madhe e AllahutShejhu i njohur Ibn Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ngushtoni ithtarët e të pavërtetës që punojnë në internet, (punoni edhe ju në internet) që e vërteta të dalë në shesh.”
Prandaj, mos u lini komoditet atyre që shpërndajnë të pavërtetën dhe shpërndani gjënë më të madhe – Tevhidin, që udhëzon njerëzit.
Garo për të qenë shkaku i udhëzimit të sa më shumë njerëzve dhe mosi harro fjalët e Allahut: “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam mysliman.” (Fussilet, 33)
Përktheu: Dr. Amel Kurtishi