Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, ndërsa paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Muhamedin , familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Ja pra kaluan nga ky muaj i bekuar njëzet ditë dhe nuk mbetëm veçse dhjetë ditë, por ditët e mbetura janë ditët më të mira të këtij muaji, dhe netët e mbetura janë netët më të mira të tërë vitit.
Nuk janë shumë larg ditët kur ne me hare dhe gëzim të madh e prisnim muajin e Ramazanit, ja pra për një çast ai erdhi dhe kaloi një pjesë e madhe e tij, dhe nuk mbetën veçse edhe disa ditë dhe ai do të kalojë i tëri.
Me të vërtetë ka nga njerëzit që i kanë shfrytëzuar ditët e kaluara nga ky muaj, ku ata agjëruan gjatë ditës, falnin namaz gjatë natës, dhanë lëmoshë, lexuan Kuran, shpejtuan në punë të mira, u larguan nga veset dhe punët e liga. Këta janë ata që kanë përfituar gjatë këtyre ditëve, prandaj le të vazhdojnë kështu apo edhe më mirë deri në fund të këtij muaji.
Por kemi edhe një grup tjetër, i cili nuk i shfrytëzoi ditët që kaluan, nuk ishin të përpiktë në agjërim, nuk i dhanë rëndësi namazit, nuk lexuan Kuran, ishin koprracë dhe nuk dhanë lëmoshë. Ky grup me të vërtetë ka dështuar dhe ka bërë një gabim shumë të madh, por prapëseprapë nuk duhet t’i humbasin shpresat, meqë Allahu u ka mundësuar atyre ta arrijnë këtë dhjetëditësh të fundit, të cilin Allahu e ka lënë për ata që dëshirojnë të përmirësohen dhe të pendohen. Le t’i kthehen Allahut me sinqeritet, le të fillojnë me punë të mira në ditët e mbetura, le t’i shfrytëzojnë këto ditë ashtu siç dëshiron Allahu, padyshim se Ai do t’i falë, sepse veprat me të vërtetë vlerësohen sipas përfundimit.
Veçoritë e dhjetëditëshit të fundit
Këto ditë kanë veçori të shumta, ndërsa ne do të përmendim disa nga ato:
1- Në këto ditë zbriti Kurani Famëlartë
Me të vërtetë Kurani zbriti në Natën e Kadrit, ndërsa Nata e Kadrit është në dhjetëditëshin e fundit të muajit të Ramazanit. Allahu thotë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (Kadr:1). Gjithashtu Allahu thotë: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në Natën e begatshme të Kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm.” (Duhan:3). Zbritja e Kuranit në dhjetëditëshin e fundit është një ndër veçoritë më të mëdha të këtyre ditëve, pasi Kurani është një libër, i cili është dritë dhe udhëzim. Me këtë libër Allahu i Madhëruar e nxorri njerëzimin nga errësira në dritë, ua qartësoi atyre rrugën e vërtetë, që ta pasojnë atë, dhe ua qartësoi rrugën e pavërtetë dhe humbjen, me qëllim që të largohen nga ajo.
Allahu thotë: “Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).” (Bekare:185). Gjithashtu thotë: “Allahu e vë me atë (me Kuranin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë.” (Maide: 16).
Kurani është shërim i plotë për të gjitha sëmundjet, pa marrë parasysh a janë ato sëmundje fizike apo psikike dhe e mohon këtë gjë vetëm njeriu i paditur apo mendjemadh. Allahu thotë: “Ne të shpallim Kuranin, që është shërim për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërimit.” (Isra: 82). Gjithashtu thotë: “O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.” (Junus:57).
Prandaj një libër si ky duhet të besohet bindshëm, të meditohet mbi ajetet e tij, të lexohet në mënyrën më të bukur, të gjykojmë me të, të jemi të kënaqur me gjykimin e tij, të mos kemi asnjë grimcë dyshimi në të, por të jemi të kënaqur me të si libër dhe me gjithë atë çka na mëson, urdhëron apo ndalon. Allahu thotë: “ (Junus: 58).
2- Nata e Kadrit
Ashtu sikurse Allahu i Madhëruar e zbriti Kuranin, gjithashtu e madhëroi edhe natën në të cilin filloi zbritjen ky libër dhe e quajti Nata e Kadrit, natë e cila ka një vlerë të madhe. Allahu thotë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo është paqe deri në agim të mëngjesit.” (Kadr: 1-5).
Në ajetet e lartpërmendura bëhet e qartë, se adhurimi në këtë natë është më i vlefshëm se adhurimi një mijë muaj jashtë saj, që është më tepër se 83 vite. Prandaj atij që i mundësohet ta shfrytëzojë këtë natë i është dhënë një mirësi e madhe, e me të vërtetë mirësitë e Allahut janë të mëdha. Dijetari i njohur Muhamed bin Saleh Uthejmin thotë: “Nga sureja Kadër mund të nxjerrim shumë dobi, që na e bëjnë të qartë vlerën e kësaj nate, e ndër ato janë:
– Allahu në këtë natë zbriti Kuranin;
– Duke dëshiruar të na bëjë të qartë vlerën e saj, Allahu na tërheq vëmendjen duke pyetur: “E ç’të bëri ty të dijsh se ’është nata e Kadrit?”(Kadr:1)
– Kjo natë është më e vlefshme se një mijë muaj;
– Në këtë natë zbresin melekët, të cilët sjellin vetëm mëshirë, bereqet dhe dobi;
– Është paqe dhe është quajtur me këtë emër, si shkak i numrit të madh të njerëzve që Allahu do t’i falë dhe do t’i ruajë nga dënimi i Tij;
– Allahu për këtë natë ka zbritur një kaptinë të tërë, gjë që me të vërtetë e bën të qartë vlerën e kësaj nate.
3- Çlirimi i Mekes dhe mposhtja e mushrikëve
Nga veçoritë e kësaj nate është ngadhënjimi i të vërtetës dhe shuarja e së kotës. Kjo ishte dita kur Muslimanët hynë në Meke, dhe e çliruan atë, dita nga ku filloi edhe përhapja e të vërtetës. Aty Allahu i Madhëruar i mposhti pabesimtarët dhe bestytnitë e tyre, u pastrua Qabja nga idhujt e shumtë që ishin në të, ku u larguan më shumë se treqind idhuj. Kështu u shndërrua në një vend ku thirret ezani, ku adhurohet vetëm Allahu, vend ku u shua politeizmi dhe mbizotëroi monoteizmi (teuhidi).
4- Zelli në adhurim
Nga veçoritë e këtyre ditëve është, se i Dërguari i Allahut ishte i përkushtuar në adhurim më shumë se ditët tjera. Na përcillet nga Aishja, se Pejgamberi në dhjetëditëshin e fundit ishte më i përkushtushtuar në adhurim, se sa ditëve të tjera të vitit. (Buhariu, Muslimi). Gjithashtu Aishja na tregon se: “Kur hynte dhjetë-netëshi i fundit i Ramazanit, Pejgamberi e zgjonte familjen e tij, e paloste shtratin dhe e shtrëngonte brezin e tij (nuk flinte me gratë e veta).” Në këto hadithe me të vërtetë vërehet vlera e këtyre netëve, netë të cilat i Dërguari i veçonte me adhurim, ku e shtonte namazin vullnetar, e shtonte leximin e Kuranit, jepte më shumë lëmoshë etj.
Me gjithë këtë mund që shpenzonte i Dërguari , kishte si qëllim kënaqjen e Allahut dhe arritjen e shpërblimit më të mirë në Natën e Kadrit, sepse ai që e kalon këtë natë me besim dhe shpreson në shpërblimin e Allahut, atij do t’i falen të gjithë mëkatet e bëra deri më tani.
Çfarë jemi të detyruar të veprojmë gjatë këtyre ditëve
Siç u përmend më sipër, se Pejgamberi gjatë këtyre ditëve ishte i zellshëm në të gjitha llojet e ibadeteve ai gjithashtu këto ditë i veçonte me disa vepra të veçanta. Ibn Rexhebi ndër të tjera përmend:
Gjallërimi i natës: Pejgamberi e kalonte natën duke adhuruar Allahun, duke bërë dhikër, duke u përgatitur për syfyr, saqë Aishja na përcjell se: “Profeti e përziente, njëzetëditëshin e fundit me namaz nate dhe me gjumë, por kur hynte dhjetëditëshi, nuk flinte por shtrëngonte brezin e tij.” (Ahmedi).
Edhe sot ne hasim njerëz që nuk flejnë gjatë Ramazanit, por koha e tyre fatkeqësisht nuk kalohet në adhurim, por kalohet nëpër kafene, apo duke ndjekur filma serialë.
Zgjimi i familjes: Pejgamberi përveç se e kalonte natën në adhurim, në këtë dhjetëditësh ai zgjonte edhe familjen e vet. Sufjan Theuriu thotë: “Gjëja më e dashur për mua gjatë këtyre ditëve është që t’i kaloj ato në adhurim, duke dhënë maksimumin tim në të, por gjithashtu ta zgjoj edhe familjen që ta bëjnë edhe ata një vepër të tillë, nëse kanë mundësi.”
Na përcillet në librin Muvata, se Omeri r.a. falej gjysmën e natës, pastaj zgjonte familjen e tij që të falen, duke iu thënë: Namazi, namazi,- dhe lexonte fjalën e Allahut: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata),ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.” (Taha:132).
Na tregohet që gruaja e Ebu Muhamed Habib el-Farisit i thoshte burrit të vet: “Kaloi edhe kjo natë, ndërsa neve na pret një udhëtim i gjatë, përgatitjet tona për këtë udhëtim janë të mangëta, karavanët e të mirëve (që bënë vepra të mira në Ramazan) na tejkaluan, ndërsa ne mbetëm prapa.”
O ti që gjatë gjithë natës flen……….a nuk e vëren o i nderuar se fundi të vjen,
Shfrytëzoje natën me ibadet………. dhe mos flejë edhe pse gjum të vjen,
Ai i cili tërë natën në gjum e kalon….. asnjëherë nuk do ta arrijë pozitën e lartë që e kërkon.
Largimi nga gratë
Siç u bë e qartë në fillim, se Pejgamberi i përkushtohej aq shumë adhurimit gjatë këtyre ditëve, saqë nuk kishte kohë të flejë edhe me familjen e tij.
Kërkimi i natës së Kadrit dhe gjallërimi i saj me adhurim
Nga Suneti i të Dërguarit është kërkimi i Natës së Kadrit dhe gjallërimi i saj me adhurim. I Dërguari ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit”. Gjithashtu ka thënë: “… ai i cili e kalon këtë natë me besim dhe shpreson në shpërblimin e Allahut, atij do t’i falen të gjithë mëkatet e bëra deri më tani.” Gjithashtu ju përkujtojmë se adhurimi në të është më i vlefshëm se një mijë muaj.
Kur është Nata e Kadrit
Nuk dihet dita e sigurtë kur është kjo natë madhështore, vetëm se mund të themi që ajo është në dhjetëditëshin e fundit tek të muajit të Ramazanit. Muhamedi ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit tek të Ramazanit”.
Hafidh ibn Haxheri ka thënë: “Edhe pse ka shumë mendime të dijetarëve, se kur është Nata e Kadrit, mirëpo mendimi më i vërtetë është se ajo është në dhjetëditëshin e fundit tek të këtij muaji, por ajo nuk është për çdo vit në një natë, por ajo ndërron.” (d.m.th., mund të jetë një herë në natën e 25, herën tjetër në natën e 27, e kështu me radhë).
Arsyeja pse Allahu i Madhëruar nuk ia ka treguar robërve të vet cila është nata e Kadrit është se Allahu ua don të mirën robërve të vet, dhe meqë ata nuk e dinë, bëjnë adhurim gjatë më shumë netëve, duke u munduar ta qëllojnë atë natë, ndërsa sikur ta dinin do të bënin adhurim vetëm një natë.
5- Itikafi
Itikafi është qëndrimi në xhami me qëllim adhurimin e Allahut të Madhëruar. Ai përmendet në Kuran dhe në hadithet e të Dërguarit . Allahu i Madhëruar thotë: “E kur jeni të izoluar (në itikaf) në xhami, mos t’u afroheni atyre (grave, për marrëdhënie intime).” (Bekare: 187). Na përcillet nga Aishja, se i Dërguari bënte çdo vit itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ai vazhdoi ta veprojë kështu derisa ndërroi jetë, e pastaj vazhduan me itikaf familja e tij. Qëllimi i Itikafit është shkëputja e njeriut nga kontaktet me njerëzit, me qëllim që të veçohet me Allahun në një nga xhamitë, duke kërkuar nga Allahu mëshirë dhe falje. Njëherit kjo është edhe mënyra më e mirë për shfrytëzimin dhe arritjen e vlerës së plotë të natës së Kadrit.
A lejohet biseda në itikaf?
Nuk është e ndaluar që të bisedohet në itikaf, por bisedat e kota, thashethemet, humbja e kohës, duhet të mënjanohen.
A lejohet që personi që bën itikaf të dalë nga xhamia?
Nëse kjo dalje ndodhë vetëm me një pjesë të trupit të tij atëherë është e lejuar.
Na përcillet nga Aishja, se Pejgamberi duke qenë në itikaf nxirrte kokën e tij nga xhamia, ndërsa unë ia laja atë, edhe pse isha në kohën e menstruacioneve.
Ndërsa për sa i përket daljes me tërë trupin ajo është tre llojesh:
- Nëse del nga itikafi si shkak nevoje, siç mund të jenë: shkuarja në banjo, marrja abdes, larja, ngrënia e ushqimit… etj, nuk ka diçka të keqe në të, nëse e njëjta vepër nuk mund të bëhet brenda në xhami.
- Dalja për ndonjë vepër të mirë, por jo-obligative, sikurse është vizita e një të sëmuri, apo përcjellja e xhenazes… etj. Kjo lloj dalje nuk është e lejuar.
- Dalja për diçka që është e ndaluar në itikaf, siç është shitblerja, marrëdhëniet intime… etj. Kjo lloj dalje e prish itikafin.
Disa nga gabimet që ndodhin gjatë këtyre dhjetë ditëve
Ndër gabimet më të shquara gjatë këtyre ditëve janë:
- Dobësimi në adhurim – ndodh që dikush mundohet shumë në fillim të Ramazanit, ndërsa pas disa ditëve fillon të dobësohet, dhe kur arrin në dhjetëditëshin e fundit nuk paraqet një zell të madh në adhurim.
- Shtimi i veprave të mira vetëm në natën e njëzet e shtatë – ndërsa netët e tjera anashkalohen, e Allahu e di më së miri, se kur është Nata e Kadrit.
- Mospraktikimi i Itikafit.
- Humbja e kohës nga personat që bëjnë Itikaf.
- Shkuarja e personave që bëjnë itikaf për faljen e teravive tek ndonjë hoxhë në ndonjë xhami tjetër, si shkak i zërit të mirë që ai ka.
- Moskujdesja për pastërtinë e xhamisë.
- Udhëtimi në këto ditë: disa nga njerëzit në vend që ta shfrytëzojnë kohën me adhurim, ata e kalojnë këtë pjesë të kohës në veturë.
- Moskujdesja për kohën e hyrjes dhe daljes nga itikafi. Duhet ditur se itikafi fillon në ditën e njëzetë para perëndimit të diellit, dhe zgjat deri pas perëndimit të diellit në natën e fundit të Ramazanit.
… dhe u afrua koha e largimit
A thua vallë me të vërtetë po largohet ky muaj, a thua me të vërtetë po ndahemi nga ai.
Dritat u shuan, teravitë mbaruan, shejtanët u lëshuan nga prangat dhe tani filluan përsëri me kryerjen e veprave të liga.
Kaloi Muaji i Ramazanit me harenë dhe dritën e tij, me bereqetin dhe begatinë e tij.
Ahhh, çfarë kënaqësie është për një njeri, i cili e shfrytëzoi këtë muaj, ashtu siç u kërkua nga ai, dhe sa mjerim është për një njeri që i kaloi ky muaj pa e shfrytëzuar atë.
Ku është lodhja, vapa, pagjumësia e atyre, që u munduan ta shfrytëzojnë këtë muaj. Të gjitha u harruan, ndërsa shpërblimi ka mbetur.
Ndërsa ata që nuk e shfrytëzuan këtë muaj, gjumi, argëtimi të gjithë u harruan, por çka është më e keqja, se ata nuk fituan asgjë, kurse në Ditën e Gjykimit do të vërehet dëshpërimi i tyre.
Prandaj vëlla i dashur, motër e nderuar, nëse jeni nga ata që bënë adhurim në këtë muaj të madhështor, vazhdo me adhurim edhe në muajt e tjerë, ti me të vërtetë je rob i Allahut e jo i muajit të Ramazanit.
E nëse je nga ata që e ngarkuan veten me gjynahe, e të gjithë ne jemi nga ata, kthehu tek Allahu me një pendim të sinqertë, sepse aty është vendi i vetëm ku do ta gjesh gëzimin tënd.
Përgatiti: Ali Ashani