Allahu, subhanehu ue teala, duke i transmetuar fjalët e djallit të mallkuar thotë: “Unë, doemos do të marr një pjesë të caktuar të robërve të Tu. Doemos do t’i shpie ata në rrugë të shtrembër, do t’i josh me shpresa të kota
dhe, me siguri, do t’i urdhëroj që t’u presin veshët bagëtive, e pastaj do t’i urdhëroj që të ndryshojnë krijesën e Allahut. Kush merr djallin për mbrojtës në vend të Allahut, ai ka pësuar humbje të qartë. Ai (djalli) u premton atyre dhe i josh me shpresa, por ato që premton djalli, janë vetëm mashtrime. Për ata, vendbanim është Xhehenemi dhe nuk mund të gjejnë shpëtim prej tij.” (En Nisa, 118-121)
Nga ky ajet kuptojmë se njëra prej mënyrave se si shejtani i mashtron njerëzit është lidhja e njeriut me shpresat e rrejshme (të kota). Me këto shpresa ai synon ti largon njerëzit prej rrugës së drejtë të cilën, për mirësinë e njerëzimit si individë dhe shoqëri, e ka skicuar Islami.
Allahu, subhanehu ue teala, gjithashtu thotë: “Elif Lâm Râ. Këto janë vargjet e Librit, të Kuranit të qartë! Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin myslimanë. Lëri ata që të hanë e të kënaqen dhe le t’i mashtrojë shpresa; ata do ta marrin vesh!” (El Hixhr, 1-3)
Nga ajeti në fjalë kuptojmë se mbështetja në shpresa që nuk kanë bazë është cilësi e jobesimtarëve ndërsa tek besimtari cilësi e pandarë është shpresa e shkurtër.
Ibën Umeri, radijallahu anhu, e rrëfen hadithin në të cilin i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: Në këtë dynja sillu si udhëtar ose si i huaj. Këtyre fjalëve profetike Ibën Umeri, shpeshherë ua shtonte fjalinë: në mbrëmje mos e prit mëngjesin, ndërsa kur të gdhihesh mos e prit mbrëmjen, shfrytëzoje shëndetin para sëmundjes dhe jetën para vdekjes. (Buhariu, nr. 6053)
Ebu Hurejre, radijallahu anhu, transmeton hadithin tjetër në të cilin i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: Zemra e plakut është e re për dy çështje: Për dashurinë ndaj dynjasë dhe për shpresën e gjatë. (Buhariu, nr. 6057)
Në një hadith tjetër të cilin e transmeton Enesi, radijallahu anhu, i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: I biri i Ademit do të plaket por dy cilësi nuk do ti plaken: lakmia dhe shpresa. (Ahmedi, nr. 12163)
“Shembulli i njeriut, shpresës dhe exhelit është ky: vdekja vjen prej anësh ndërsa shpresa qëndron para njeriut. Në momentin kur njeriu niset drejt shpresës i vjen exheli prej anësh dhe e godet (papritmas).” (Musnedu Shamijjin, nr. 2605)
I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Për Umetin tim, më shumë kam frikë prej pasioneve dhe shpresës së gjatë. Pasionet (epshet) e largojnë njeriun prej së vërtetës dhe si pasojë e shpresës së gjatë e harron ahiretin. Dynjaja kalon, ahireti afrohet, bëhuni prej bijve të ahiretit dhe mos u bëni prej bijve të dynjasë. Sot jeni në vendin e punës (në dynja) ndërsa nesër do të jeni në vendin e shpërblimit /dënimit dhe nuk do të keni mundësi për punë.” (Bejhekiu, prej Xhabirit, radijallahu anhu)
Është transmetuar: Pse e grumbulloni atë që nuk do ta hani, shpresoni në të paarritshmen dhe ndërton shtëpi prej të cilëve do të shpërnguleni. Gjeneratat e para i ka shpëtuar bindja , asketizmi dhe modestia në dynja ndërsa gjeneratat e fundit do të vuajnë prek koprracisë ndaj Allahut, vetes dhe njerëzve dhe për shkak të shpresës së gjatë. (Ibën Ebi Dunja, El Jekin fq. 3)
Aliu, radijallahu anhu, i tha Omerit, radijallahu anhu: Nëse dëshiron të jesh në shoqërinë e paraardhësve tuaj (Resulullahu dhe Ebu Bekri) stolise veten me shpresë të shkurtër, ha aq sa të mjafton dhe mos i zvarrit rrobat tuaja për toke. (Ibën Ebi Dunja, Et Tevadu’u uel Hamul 1/183)
Hasan El Basriu thotë: Dështimi dhe shkatërimi i njerëzve ka katër shenja: zemra e ngurrtësuar, syri që nuk qan, shpresa e gjatë dhe lakmia pas dynjasë. (Ibën Ebi Dunja, Dhemmud Dunja, fq. 396)
Selman El Farisiu, radijallahu anhu, ka thënë: Tre gjëra në të njëjtën kohë më brengosin dhe më bëjnë të qeshi: Njeriu që shpreson në dynja dhe të cilin në çdo moment mund ta godet vdekja, njeriu që është në gaflet ndaj Allahut ndërsa Allahu nuk e harron atë dhe njeriu që qesh me zë ndërsa nuk e di a është Allahu i kënaqur me të ose ndoshta është i hidhëruar. (Ibën Ebi Dunja, Kisarul Emel, fq. 29)
Sufjan Theuriu, thotë: Zahidi i vërtetë është ai që ka shpresë të shkurtër jo ai që vesh rroba të ashpra.
Fudajl ibën Ijadi, thoshte shpresa e shkurtër që duhet ta ketë çdo besimtar është të mos jetë i sigurt se Allahu do t’ia mundësojë edhe një herë të merr frymë.
Në një vend janë tubuar tre dijetarë dhe bisedonin për shpresën e shkurtë. I pari tha: Unë nuk e arrij muajin e ri që të mos mendoj se në të do të vdes. I dyti tha: Unë nuk e filloj javën e që të mos mendoj se në të do të vdes. I treti tha: Çfarë shpreson ai që shpirtin e tij e ka në dorën e tjetërkujt.