TË PËRGATITURIT E VETES PËR AHIRET

TË PËRGATITURIT E VETES PËR AHIRET

0 1590

Lavdërimi i takon Allahut i cili ka thënë: “E, për atë që i pat frikë paraqitjes para Zotit të vet, janë dy xhennete.”[1]Allahu dërgoftë lavdërimet dhe bekimet e Tij mbi të Dërguarin e Ti, i cili ka thënë: “Sikur ta dinit atë që e di unë, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë.”[2] Dhe Allahu qoftë i kenaqur me sahabët, të cilët kur e dëgjuan këtë hadith qanë.

Është e drejtë për ne që të kemi frikë nga ajo ditë me të cilën të gjithë ne do të ballafaqohemi. Dita e Rringjalljes është ditë e shqetësimit dhe e keqardhjes së thellë. Është ajo ditë e gjatë dhe kërcënuese në të cilën i gjithë njerëzimi do të qëndrojë para Zotit të tyre. Në atë ditë, frika do ta bëj gruan shtazënë të abortojë barrën! Njerëzit do të jenë sikurse të ishin të dehur, megjithëse ata nuk do të jenë të dehur, porse ashpërsia e dënimit të Allahut do t’i bëjë ata në asi gjendje. Në atë ditë, frika do t’i bëjë të zbardhohen flokët në kokat e fëmijëve të vegjël.

Ne duhet seriozisht të fillojmë të përgatitemi për atë ditë, meqenëse ajo është udhëkryq në udhëtimin e gjatë të ekzistencës sonë. Nga atje, ne do të drejtohemi ose për Xhenet ose për Xhehenem. Ata të cilët hyjnë në Xhenet do të jetojnë aty përjetësisht në lumturi dhe kënaqësi të pasosur, ndërsa ata të cilët hyjnë në Xhehenem do të ballafaqohen me tortura, sikurse njashtu, banorët e Xhehenemit do të kuptojnë për fatkeqësinë e tyre se ata do të kenë jetë të përhershme aty.

Megjithatë, ne duhet të kemi mendim të mirë për Zotin tonë. Mëshira e Tij është me të vërtetë e gjerë për ata të cilët besojnë sinqerisht në Të dhe e adhurojnë sinqerisht, sikurse njashtu mëshira e Tij gjithmonë e paraprinë hidhërimin e Tij.

Pejgamberi, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka thënë se: “Allahu është më i Mëshirshëm ndaj nesh, se sa një nënë e përkushtuar që është ndaj fëmijës së saj të porsalindur.”[3]

Frika që e kemi nga Dita e Ringjalljes duhet të na motivojë të jemi më të përkushtuar në ibadet dhe më të gatshëm për t’u angazhuar në vepra të mira. Duhet të falemi dhe të agjërojmë më shpesh dhe të ripërtërijmë përpjekjet tona për të bërë Haxhin. Duhet të sillemi mirë me familjarët tanë dhe të shfaqim dashamirësi ndaj prindërve tanë. Ekzsitojnë mënyra të ndryshme për të bërë mirë.

E njëjta frikë duhet të na ndihmojë që të largohemi nga gjunahet dhe nga mosrrespektimi i Allahut. Kjo frikë, pastaj do të ketë vërtetë efekt pozitiv tek ne. Nuk është frikë negative që na bën joaktivl dhe të pashpresë në mëshirën e Allahut.

Aktivitetet që do t’i përmendim në vijim janë shumë të dobishme për të ndihmuar muslimanin të përgatitet për atë ditë të vështirë,  “Ditës kur ata do të dalin (prej varrezave) në shesh, e All-llahut nuk mund t’i fshihet asgjë e tyre..”[4]

  1. Duhet të lexojmë Kuranin dhe të meditojmë në domethëniet e tij. Duhet t’i kemi parasysh vendimet e tij dhe të çmojmë të mirën të cilën na e premton si dhe paralajmërimet të cilat na i jep!
  2. Duhet të lexojmë rreth jetës së Pejgamberit, -sal-lallahu alejhi ue selem!-. Duhet të mësojmë se si ai e ka udhëhequr vetveten në nënshtrueshmëri ndaj Allahut dhe si është përmbajtur nga teprimi në kënaqësitë e dunjasë.
  3. Gjithashtu, duhet të lexojmë biografitë e sahabëve dhe të atyre që pasuan pas tyre dhe të shikojmë se si ata janë orvatur të fitojnë suksesin që i premtohet në ahiret.
  4. Duhet të meditojmë  pashmangshmërinë e vdekjes. Duhet të jemi të vetëdijshëm për gjykimet që pasojnë në varr si dhe gjatë rringjalljes. Duhet të përfytyrojmë veten duke qëndruar para Allahut, më të Saktin dhe më të Drejtin e gjykuesve. Duhet të mendojmë për urën të cilën duhet ta kalojmë në mënyrë që të arrijmë shpëtimin, urë prej të cilës shumë do të rrëshqasin dhe do të bien në shkatërrim. Duhet të mendojmë për lumturinë që do ta shijojnë njerëzit e Xhenetit, si dhe të mendojmë për vuajtjen dhe pikëllimin e banorëve të zjarrit.

Kemi nevojë të mbajmë në mend gjithmonë se vdekja mund të na vijë në çdo moment. Si duam ta takojmë Zotin tonë?! A duam ta takojmë në gjendje mirësie dhe nënshtrimi apo ta takojmë gjersa jemi të angazhuar në mëkate? Ibn Umeri rrëfen se Pejgamberi, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, një herë e vendosi dorën e tij në shpatullën e tij dhe i tha: “Ji në këtë botë sikur të ishe një udhëtar ose një i huaj duke kaluar.” Për këtë shkak, Ibn ‘Umeri shpesh thoshte: “Kur të ngrysesh mos e prit agimin e kur të gdhihesh mos e prit mbrëmjen. Përfito nga shëndeti yt para se të sëmuresh dhe përfito nga jeta jote para se të vdesësh”[5]

  1. Ne kemi nevojë të bëjmë studime serioze në rrugën e kërkimit të dijës islame. Kur ne mësojmë sa më shumë njohuri për fenë tonë, jemi më të vetëdijshëm për Allahun dhe më të frikësuar prej Allahut. Allahu thotë: “Në të vërtetënga robëriteTij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët” (Fatir, 28)
  2. Duhet të shoqërohemi me njerëz të devotshëm, veçanërisht ata të cilët kanë dituri islame dhe ata të cilët janë të angazhuar në thirrjen e të tjerëve në Islam. Gjithashtu, duhet t’i shmangemi shoqërisë së njerëzve mëkatarë dhe të pandershëm. Shoqëria e mirë na ndihmon t’i pastrojmë zemrat tona. Gjithashtu, gjejmë përkrahje tek këta njerëz për përpjekjet e tona për të bërë atë që është e drejtë. Dhe anasjelltas, shoqëria e keqe na i ngurtëson zemrat. Njerëzit e pamoralshëm na nxisin të bëjmë vepra imorale. Gjithashtu, kur zemrat tona ngurtësohen, ne largohemi nga Allahu dhe lidhemi më shumë me gjërat e dunjasë.
  3. Duhet të mbajmë në mend gjithmonë se kjo botë është vendbanim i përkohshëm. Ata të cilët kënaqen me kënaqësitë e kësaj bote nuk do të jenë në gjëndje t’i marrin ato kënaqësi me vete. Ata kanë për t’i marrë me vete vetëm veprat e tyre. Allahu thotë: “Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vete atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). All-llahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij, megjithëqë All-llahu është i mëshirshëm ndaj robërve.”[6]

Pa marrë parasysh se sa e mrekullueshme mund të na duket kjo botë, në të vërtetë është mjaft e pavlerë. Pa marrë parasysh se sa e përhershme që mund të duket tani, ajo është e shkurtër sikur një natë që duhet të përfundojë me agimin tjeter. Jeta jonë e kësaj bote do të përfundojë në varr.

Pejgamberi, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka thënë: “Jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër është sikur ndonjëri prej jush të fus gishtin e tij në oqean dhe ta nxjerrë prap, e mëpastaj të krahasojë ujin që mbetet në gishtin e tij dhe ujin që mbetet në oqean.”[7]

  1. Së fundi, duhet të kalojmë më shumë kohë në lutje të sinqerta drejtuar Zotit tonë. Duhet t’i lutemi Atij që të na e bëj ahiretin më të dashur për neve dhe të jemi më pak të dhënë pas dunjasë. Duhet t’i lutemi Atij që të na e dhurojë Xhenetin dhe kënaqësitë e tij,  sikurse edhe të na ruajë nga hidhërimi i Tij. Me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe i përgjigjet lutjeve tona.

Përktheu nga anglishtja: Nazlije Maliqi

[1] Kurani, Err-Rrahman: 46

[2] Shënon Buhariu në “Sahih” (4621, 6486, 7295) dhe Muslimi në “Sahih” (2359)

[3]  Shënon Buhariu në “Sahih” (5999) dhe Muslimi në “Sahih” (2754)

[4] Kurani, Gafir: 16

[5] Shënon Buhariu në “Sahih” (6416)

[6] Kurani, Ali-Imran: 30

[7] Shënon Muslimi në “Sahih” (2858)

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 620