Të nderuar vëllezër e motra
Koha po kalon, vallë nuk e meritojmë të ndalemi disa çaste të flasim me fjalë të buta dhe shprehje nostalgjie. Vëlla e motër ju lus që mos të bëheni koprrac ndaj meje me lexim të këtij artikulli duke i ndarë pesë minuta nga koha e juaj e çmuar. E kush nuk është i gatshëm tani për lexim le t’i shtypë (printon) këto fjalë e le ti lexojë më pas, ngase këto fjalë meritojnë kujdes të veçantë.
Vëlla e motër … O ju që dëgjoni muzikë …Shkronjat e mia ju thërrasin me shpresë. Mos thoni nuk kemi dobi edhe nëse e përsërit këtë këshillë por duke e thënë të vërtetën thoni po, do të heshtim para thirrësit të vërtetë. I mençur është ai i cili e njeh hakun dhe e pranon atë ndërsa injorant është ai i cili i mbyll sytë para hakut… Haku gjithnjë shndritë kurse gënjeshtra fundoset.
Mirë, t’ia fillojmë…
A nuk e ke vërejtur vëlla i dashur apo motër e dashur se: Kur ka dëgjuar dikush nga ju muzikë një periudhë të gjatë trupi i tij është në dridhje dhe reaksion nga këto këngë andaj gjysmë ore nuk mund të ulet e të dëgjojë diçka nga kur`ani duke e ditur se ai është shërues i zemrave, udhëzues i njerëzimit, libër qiellor, dritë dhe hair i gjithë njerëzimit. A e ke pyetur veten ndonjëherë?! Pse këngët zënë vend te ti dhe i dëgjon ata, a të vjen rëndë që të ulesh të dëgjosh e të meditosh mbi kur`anin? Allahu xh.sh në kur`anin famëlartë thotë: “Shejtani ua ka zbukuruar veprat e tyre”. Kjo është e vërtetë. Kjo është ajo për të cilën ju thërras që të jemi të qartë.
Fatkeqësi është ta tradhtosh vetveten, sepse me të dëgjuarit e muzikës largohesh nga të përmendurit e Allahut e ajo ta ngushton jetën. Allahu subhanehu ue teala, thotë: “Kush ia kthen shpinën Kur`anit tim do t`i japim atij jetë të ngushtë (plot halle, vështirësi të parehatshme) dhe do ta ngjallim ditën e kiametit të verbër” TA HA 124.
E vërteta e këngëve është se ato janë dhimbje dhe dëshpërim. Edhe pse duket se ka njëlloj dëfrimi por ai dëfrim është i falsifikuar nga djalli. Atëherë dëgjoni fjalën e Allahut lidhur me Iblisin (djallin) e mallkuar: “Dhe me atë alarmin e zërit tënd, mashtroje atë që mundesh prej tyre, me kalorësit e këmbësorët tuaj thirri (bërtitu) ata, përzieju me ta në pasuri dhe në fëmijë dhe premtoju atyre! Por, shejtani nuk u premton tjetër, përveç mashtrimit”.
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: qëllimi në këtë ajet është për muzikën. Muxhahidi thotë: për muzikën dhe fjalët e kota. Kurse Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Prej tradhtive të iblisit është se ai i mashtron ata që janë të dobët në dije, logjikë dhe fe, e ua rrëmben mendjen dhe i bën që ata të merren me muzikë, fishkëllima dhe duartrokitje që t`i pengojnë zemrat nga Kur`ani e t`i kthejnë nga shfrenimi dhe urrejtja, e ai është Kur`ani i iblisit, perde e sheshtë (e fortë) prej Kur`anit dhe magji e zinasë, me të cilën mëkatari ia arrin qëllimit të vet, si dhe të keqen ua zbukuron që t`u duket e mirë, kështu që Kur`ani mbetet larg tij. Ky dëfrim i rrejshëm dhe ky gëzim i falsifikuar kalon shpejt, por mëkati mbetet i regjistruar në regjistrin e veprave të tij, sepse muzika është shpalosje e mëkateve të njeriut. Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, thotë: “Umetit tim i falen mëkatet, pos atyre të cilët i shpalosin mëkatet e veta”. E disa krenohen me muzikë dhe e mbajnë kokën lartë. Krenohen me mëkatin që ia kanë bërë Allahut. Dikush thotë ky është këngëtari im, kjo është këngëtarja ime.
A nuk e dinë ata se ditën e ringjalljes do të ringjallen me ata të cilët i kanë dashur në këtë botë. Disa prej tyre janë të mashtruar nga djalli duke e quajtur muzikën si art apo edukues i gjeneratave. Por nëse i dëgjon vetëm fjalët, atëherë e kupton se ajo është porosi e djallit të mallkuar meqë të shpie nga e keqja. Shumë është e qëlluar fjala e atij i cili e ka quajtur muzikën si magji dhe postë të zinasë.
O bijtë dhe bijat myslimane… Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që ta pastrojmë shpirtin: “Ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten”. Muzika nuk është tjetër pos padrejtësi që ia bën shpirtit që Allahu ta ka dhuruar dhe për të cilin të ka urdhëruar ta pastrosh. Pra, liroje atë nga mëkatet dhe epshet, e mos e mashtro atë me muzikë sepse në këtë mënyrë i ke bërë padrejtësi shpirtit tënd.
Allahu subhanehu ue teala, thotë: “Ai nuk i shpëton zullumqarët”. Dhe thotë: “Po ka nga njerëzit që blejnë tregime boshe e me qëllim që t`i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut pa pasur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet ) si tallje. Për ata sigurisht është përgatitur dënim i turpshëm”. LLUKMAN 6
Abdullah b. Mesudi është betuar se qëllimi në këtë ajet është muzika.
Muhamedi salallahu alejhi ue selem, duke na sqaruar dhe duke na e tërhequr vërejtjen nga kjo sëmundje thotë: “Do të ketë nga umeti im që do ta bëjnë hallall marrëdhënien jashtëmartesore, mëndafshin, verën dhe instrumentet muzikore” d.m.th. të gjitha këto janë të ndaluara por do të vijë një kohë ku dikush do t’i bën të lejuara.
Pastaj në hadithin tjetër thotë: “Pa dyshim se do të ketë njerëz nga ky ummet që do ta pinë alkoolin, të cilin do ta emërtojnë me emra tjerë. Ata do të dëfrehen edhe me muzikë dhe këngëtare. Këta njerëz do t’i lëshojë toka dhe do t’i shndërrojë Allahu në derra dhe majmuna”. Albani thotë se ky hadith është i vërtetë. Të mos thotë dikush se muzika e qetë është e lejuar. Apo, dikush të thotë se këngët patriotike me muzikë janë të lejuara, sepse argumentet që e ndalojnë këtë janë shumë të qarta.
Pastaj duhet ta dish se për të hollat dhe kohën që e ke harxhuar për muzikë do të japësh llogari, sepse as lodra e as shkopi i lodrës nuk do të bëjnë dobi ditën e gjykimit përpos veprës së mirë.
Pra, a je përgatitur që të takohesh me Allahun?!
Në fund… Secilit që ka vendosë të pendohet dhe të kthehet te e vërteta, ia dërgoj këtë përgëzim. Për atë që ka vendosur të heqë dorë prej muzikës dhe i pastron veshët e tij nga kjo sëmundje.
Ta dërgoj këtë përgëzim, lexo fjalën e Allahut: “Dhe ditën kur do të ndodhë kiameti, atë ditë do të ndahen (njerëzit). E ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, ata do të jenë të gëzuar në një kopsht (të xhenetit)” ER-RUM 14-15. Fjala “të gëzuar” në këtë ajet është shprehur me fjalën “juhberun”, e cila fjalë tekstualisht d.m.th. kënaqësi dhe dëgjim. Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, thotë: “Hyritë do të këndojnë në xhenet. Do të thonë: Ne jemi hyri të bukura, jemi bërë gati për burrat e ndershëm”. Albani thotë se ky hadith është i vërtetë.
Dijetari i famshëm Ibën Kajimi, nga ana tjetër, i ka radhitur fjalët e Ibën Abasit në disa vargje të mrekullueshme, ku Ibën Abasi thotë:
Zoti ynë dërgon erën që dridhë balluket e palëvizshme
Që shkaktojnë zëra që prekin të dëgjuarit e njeriut
Sikur tingujt e peshuar
Oj kënaqësi e dëgjimit mos u adapto me kënaqësinë e dalë nga telat dhe lahuta
për të dëmtuar dëgjimin ashtu siç zemrën e dëmtojnë të kënduarit dhe sikleti
pastroje të dëgjuarit tënd nëse dëshiron të dëgjosh zërin e tyre (hyrive)
se në zemrën e robit asnjëherë nuk bëhen bashkë dashuria e Kur’anit me dashurinë e melodisë së këngës.
Vallahi dëgjimi i tyre për zemrën dhe imanin është sikur helmi për trupin
Dikush nga ju mund të pyes si të largohem prej muzikës, duke pasur parasysh se unë e kam bërë shprehi që të dëgjoj muzikë e nuk mund të largohem lehtë? Atëherë ndiqi këto këshilla – e nëse do Allahu – do të fitosh:
1- Të bëhesh i sinqertë në pendim dhe qëllime të pastra si dhe të kesh trimëri, sepse ky vendim kërkon edhe trimëri
2- T`i shkatërrosh të gjitha kasetat që i posedon
3- Nëse epshi të nxit që të dëgjosh muzikë atëherë shpejto dhe merre mus`hafin dhe lexo që ta qetësosh shpirtin, e nëse nuk mundesh atëherë dëgjo ndonjë kasetë Kur`an apo ndonjë ligjëratë të inçizuar nga ndonjë hoxhë
4- Nëse dikush tallet me ju se nuk po dëgjoni muzikë mos iu kundërvë por thuaj: “Allahu të shpërbleftë“ apo “Allahu të udhëzoftë“, etj. sepse kjo fjalë e lë pa tekst atë, ndërsa juve ju qetëson.
5- E nëse dikush nga familja juaj dëgjon muzikë sqarohu atyre në mënyrë të edukuar duke u dhuruar ndonjë libër apo kasetë qoftë Kur`an apo ligjëratë dhe ua bën me dije se dëgjimi i tyre edhe ty të pengon, sepse e ndien veten i vetmuar dhe larg prej tyre.
Vëlla e motër
Dijeni se, nëse jeni të sinqertë në pendim dhe ia mbyllni të gjitha shtigjet shejtanit është shumë lehtë që të largoheni nga kjo sëmundje. E mos të thotë dikush do të pendohem pas kësaj kasete, e dikush pas disa ditësh, e dikush pas disa muajsh, sepse iblisi një ditë ta bënë dy, një muaj dy, një vit dy e kështu me radhë. Sa e sa vëllezër e motra janë të pavetëdijshëm ndërsa buzët e tyre rregullisht i përsërisin këngët që i kanë dëgjuar dhe gjuhët e tyre nuk mundin ta përmendin Allahun.
Kush e len një gjë vetëm për hir të Allahut, Allahu ia zëvendëson me diçka më të mirë se ajo.
Vëlla e motër
Nëse dikush nga farefisi juaj dëgjon muzikë këshillojeni atë. E nëse nuk ju përgjigjet atëherë duhet të largoheni nga ai ambient. Dhe mos të thotë dikush më mjafton mua të pendohem e nuk ndikon ai tek unë. Ruajeni veten tuaj prej vendeve të ndyra dhe degjeneruese dhe shpejtoni me teube nga momenti kur ta lexoni këtë artikull dhe mos thoni “Pastaj“ sepse fjala pastaj është nga armët e shejtanit.
Marrë nga: www.saaid.net / albislam.com
Përktheu: Enver Azizi