Pyetje: Im shoq ka ndërruar jetë në aksident. Dua të di a quhet pasuri dëmshpërblimi që merret për aksidentin? Im shoq ka lënë si trashëgimtar mua dhe dy motra qe janë të martuara, si ndahet pasuria ndërmjet nesh? Pjesë në pasuri janë edhe të mira tjera materiale, të tundshme apo të patundshme.
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon Allahut.
Allahu e mëshiroftë burrin tuaj. E gjithë pasuria që është në emër të tij (dëmshpërblimi nga sigurimi, toka, shtëpia) është pasuri që duhet të ndahet mes trashëguesve, normalisht pasi t’i lahen borxhet apo testamentet eventuale.
Në rastin tuaj, unë siç e kuptova burri juaj nuk ka lënë asnjë trashëgimtar përveç ty dhe dy motra. Nëse është kështu atëherë nga e gjithë ajo pasuri, ty të takon 1/4 pasi Allahu ka thënë: “e nëse ju nuk keni fëmijë, atyre(bashkëshorteve) u takon një e katërta” ndërsa dy motrave së bashku u takon 1/3, Allahu ka thënë: “Nëse i vdekuri qoftë burrë ose grua, është pa prindër dhe fëmijë, por ka vëlla ose motër, atëherë çdonjërit prej tyre u takon një e gjashta, e nëse ka më shumë nga ata, atëherë marrin pjesë bashkërisht në një të tretën e pasurisë”.
p.sh. nëse ka lënë 120.000 euro, ty të takojnë 30.000 euro, motrave 40.000 euro ndërsa për pjesën e mbetur dijetarët kanë mendime të ndryshme nëse ajo duhet të shkojë në Bejtul Mal (institucion financiar në shtet islam) apo duhet tu kthehet atyre që kishin hise të caktuar. Mendimi më i vërtetë është se duhet tu kthehet atyre që Allahu u ka caktuar hise dhe të afërmve po ashtu, sepse Allahu ka thënë: “Të afërmit janë më meritorë mes vete sipas Librit të Allahut”. Tash, pasi këta i morën hiset e tyre, pjesa e mbetur (50.000 euro) duhet tu ndahet të afërmve të tij, si p.sh. tezeve, hallave dhe djemve të mixhës, në proporcion dy hise meshkujve e një femrave. E nëse nuk ka asnjërin nga këta, atëherë ajo pasuri ndahet mes teje dhe motrave të burrit, në mënyrë të barabartë.
Allahu e di më së miri.
Burimi: albislam.com