Në botën e njerëzve, fjalët nuk janë veç zëra që thuhen e harrohen. Ato janë çelësa: hapin zemra të mbyllura, ndriçojnë errësirën e një shpirti, dhe nganjëherë mbyllin derën e një sherri para se ai të lindë.
Thuhet në një urtësi: “Fjalët janë si çelësat… nëse i përdor siç duhet, mbyll me to një gojë dhe hap një zemër.”
Dhe sa herë kemi nevojë për këtë urtësi në jetën e përditshme – në familje, në miqësi, në rrugë, në xhami!
Nuk është trimëri të kthehesh me fjalë të ashpra. Trimëri është të flasësh me butësi kur shpërthen zemërimi. Është sunnet. Është rrugë pejgamberësh.
Allahu i tha Musait dhe Harunit kur i nisi për te Faraoni:”Flisni me të me fjalë të buta, ndoshta do të përkujtojë ose do të ketë frikë.” (Taha, 44)
Nëse fjala e butë është shpresë për të kthyer zemrën e Faraonit, si të mos jetë për vëllain tënd, për nënën tënde, për mikun që gaboi?
Pejgamberi (lavdia dhe paqja qofshin mbi të) tha:”Fjala e mirë është sadaka.”(Muslimi)
Një “faleminderit”, një “të dua për hir të Allahut”, një “më fal” – janë fjalë të lehta, por ndikimi i tyre është më i rëndë se një mal. Fjalët e mira janë urë, janë qetësi, janë pasuri për shpirtin.
Kush i kupton fjalët si amanet, i përdor si ilaç – jo si armë.
Hoxhë Agim Bekiri 30/04/2025