Një grup i caktuar njerëzish mund të të shkaktojnë lodhje shpirtërore dhe mendore gjatë komunikimit. Kjo ndodh sepse ata jetojnë në një gjendje të vazhdueshme paniku, duke keqinterpretuar çdo fjalë, çdo veprim, madje edhe çdo postim, si një mesazh të drejtuar personalisht kundër tyre.
Nuk po flas për ata që janë të ndjeshëm ndaj dhimbjes dhe vuajtjeve të të tjerëve, por për ata që shpesh e shohin botën përmes një dritareje të pasigurisë dhe dyshimit. Ata i interpretojnë veprimet e të tjerëve me kuptime që nuk kanë kurrë synim të dëmtojnë, dhe shpesh i shohin këta veprime si kërcënime të rrezikshme për ta.
Në realitet, jeta është shumë më e thjeshtë. Njerëzit janë të angazhuar me punët, ëndrrat dhe sfidat e tyre. Askush nuk ka kohë dhe energji për të shpenzuar për diçka që synon të ofendojë dikë tjetër. Kur mendjet janë të mbushura me brenga dhe aktivitete të përditshme, është e natyrshme që njerëzit të mos kenë mundësi të vërejnë gjithçka që ndodh rreth tyre, ashtu siç mund të mendojmë ne.
Një karakteristikë e zakonshme tek ata që kanë këtë lloj ndjeshmërie të tepruar është koha e lirë. Kur koha nuk mbushet me aktivitete të vlefshme dhe produktive, mendimet e gabuara dhe dyshimet mund të mbizotërojnë, duke krijuar një perceptim të ngushtë dhe të kufizuar të jetës. Ky është momenti kur njeriu fillon të interpretojë çdo gjë si një kërcënim ndaj tij, duke prishur balancën dhe marrëdhëniet me të tjerët.
Të nderuar, duhet të kemi kujdes. Fokusohu në jetën tënde dhe përqendrohu në qëllimet që të ndihmojnë të rritesh dhe të përmirësohesh. Mos u mundo të jetosh jetën e të tjerëve dhe mos e interpreto çdo veprim si një sulm personal. Maturia e vërtetë është të kuptosh që bota nuk është e fokusuar vetëm tek ti. Ajo që mendon se është një sulm ndaj teje, shpesh është vetëm pasqyrë e pasigurisë dhe angazhimit tënd me vetveten.
Jeta është shumë më e gjerë se mendimet e tua. Mos e blloko jetën me beteja që nuk kanë nisur kurrë.
Muwaffak Muhamed Al-senusi
Përktheu: Nusret Ramadani.