“I Dërguari (alejhi selam) vizitoi një musliman i cili ishte dobësuar si një zog pule dhe e pyeti nëse ai i ishte lutur Zotit apo ka kërkuar diçka. Ai i tha: Po, thoja: “O Zot, me atë që dëshiron të më dënosh në botën tjetër, më dëno më parë në këtë botë,”i Dërguari i tha: “SubhanAllah! Nuk mundesh, ose, nuk je në gjendje ta përballosh atë.” Pastaj i tha: më mirë të thoje: “O Zot na jep të mira në këtë botë, dhe në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit”.
[Enesi] tha: Personi e luti Allahun dhe Allahu e shëroi.
E shënon Muslimi
Kuptimi i hadithit
I dërguari ﷺ, vizitonte të sëmurët, interesohej për të tjerët, ua mësonte çështjet e fesë, dhe i mësonte kur gabonin. Si në këtë rast kur ai hetoi se nuk ishte në rregull diç me këtë person, ngase i ishte pranuar lutja tij, e ai e përmirësoi këtë lutje të tij me lutjen Kuranore, që çdo e mirë që ekziston në dynja e në ahiret të na e dhuron Allahu, e të na mbrojë nga dënimi. Allahu ia pranoi lutjen dhe e shëroi.
Dobi nga hadithi
01) Nuk bën që njeriu të kërkojë sprovë, fatkeqësi a sëmundje
02) Besimtari duhet të kërkojë çdo mirësi nga Allahu.
03) Vizita e të sëmurit është prej etikës islame.
04) Mund të pyetet i sëmuri për arsyen e sëmundjes me gjasë ta informojë për mjekimin e duhur.
05) Thënia: SubhanAllah, kur na çudit diç.
Përktheu: hoxhë Shpend Zeneli