Nëpër disa takvime shohim se kanë caktuar edhe një kohë të re, të cilën e quajnë “imsak”, të cilit ia caktojnë kohën 10-15 min para namazit të sabahut. Kjo gjë a ka bazë në sunet apo është prej bidateve? Na tregoni All-llahu ju shpërbleftë.
Përgjigje: Kjo është prej bidateve dhe nuk ka ndonjë bazë në sunet.
Përkundrazi, sunet është e kundërta, sepse All-llahu, subhanehu ue teala, në Librin e Tij ka thënë: “..hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim”. (el-Bekare 187).
Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Bilali e thërret ezanin duke qenë natë, hani dhe pini derisa Ibën Ummi Mektumi ta thirrë ezanin, sepse ai nuk e thërret përveç pas daljes së agimit”.[1]
Këtë imsak që e kanë bërë disa njerëz është shtim mbi atë që e ka detyruar All-llahu, azze ue xhel-le, andaj është e kotë. Kjo vepër bën pjesë në teprim, për të cilin Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “U shkatërrofshin ata që e teprojnë, u shkatërrofshin ata që e teprojnë, u shkatërrofshin ata që e teprojnë”.[2]
[1] Buhariu në kapitullin e Agjërimit (1918); Muslimi në kapitullin e Agjërimit (1092)
[2] Muslimi në kapitullin e Dijes (2670)