ROLI I FEMRËS SHQIPTARE NË KRIJIMIN E FAMILJES

ROLI I FEMRËS SHQIPTARE NË KRIJIMIN E FAMILJES

0 5655

      Kam zgjedhë të shkruaj sociologjikisht për rolin e femrës shqiptare në krijimin e familjes. Jo për faktin se deri më tani pak është shkruar në lidhje me sfidat e formimit dhe forcimit të familjes nga ana e femrës shqiptare. Sepse është folur dhe është shkruar; sa e sa studime, hulumtime dhe trajtime të ndryshme janë bërë në këtë drejtim, nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Prapë se prapë mbetet hapësirë dhe nevojë edhe në vazhdimësi që të shkruhet dhe flitet në baza shkencore dhe historike për rolin e femrës shqiptare në ndërtimin e familjes.

      Është një temë që vërtetë ka shumë për të studiuar e shkruar për të, pasi që përfshinë shumë elemente dhe shumë degë, prek shumë dispozita, shumë sfida dhe shumë rrugë, por unë do të mundohem të jem sa më i argumentuar dhe sa më i qartë në përmbledhjen e një numri faktesh që flasin për rolin e femrës shqiptare në krijimin e familjes, duke i përmendur disa prej fazave dhe sfidave me të cilat është ballafaquar femra shqiptare.

      Duke filluar me konceptimin e martesës, si institucionin më të lart të ndërtimit të familjes. Më pas duke përmendur rolin që ka femra shqiptare në krijimin e familjes.

      Pastaj një përmbledhje të shkurtë mbi një trajtim që ia bën Kanuni i Lekë Dukagjinit femrës shqiptare, atëbotë kur tek shqiptarët njihej dhe funksiononte e drejta zakonore – kanunore.

      Pastaj do të përmendi njërën ndër krimet më makabre dhe njërën ndër sfidat më të rënda të femrës shqiptare, atë të vrasjes dhe dhunimit, që i është bërë nga regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë. Dhe të shohim pastaj se a gëzon femra në këto ditë ndonjë përkujdesje apo trajtim nga ana e ndonjë institucioni apo jo.

      Do ta përmendi njërin ndër shumë rastet e hidhura që i ka përjetuar femra shqiptare gjatë okupimit serb.

      Pas gjithë këtij elaborimi në pika të shkurtëra dhe përmbledhëse, për fund do të shkruaj edhe për përpjekjet që janë bërë apo bëhen edhe sot në mbrojtjen dhe zgjerimin e të drejtave të femrave, e që kjo quhet feminizëm.

Koncepti i martesës dhe familjes në këndvështrimin sociologjik

      Dijetarë, autorë dhe ekspertë të ndryshëm të shkencave sociale kanë dhënë koncepte dhe mendime nga më të ndryshmet rreth martesës dhe familjes. Teoricientë dhe sociologë të ndryshëm martesën dhe familjen e kanë konceptuar në rrafshe dhe karaktere të ndryshme.

      Faktet historike na flasin për një zanafillë të mirëfilltë të njeriut në tokë, duke filluar së pari me krijimin e mashkullit dhe femrës, më pas me bashkimin – çiftëzimin e tyre, ku si rezultat pasoj shumimi i qenies njerëzore, prej një mashkulli – shumë meshkuj dhe prej një femre – shumë femra.

      Më pas ndarja e tyre në popuj e fise të ndryshme, të pasuruar me një diversitet ngjyrash e gjuhësh, e gjithë kjo në shërbim të ndërtimit sa më të shëndoshë të mbarë njerëzimit.

Ç’është martesa?

      Martesa tek populli jonë shqiptarë e ka luajtur rolin më të madh në krijimin e familjes si grup shoqëror, ruajtjen dhe prodhimin e brezave të ndryshëm etj. Lirisht mund të themi se martesa mund të përcaktohet si një bashkim seksual i dy individëve të rritur, të dashuruar, i njohur si akt i miratuar nga shoqëria nëpërmjet një ceremonie, e cila legjitimon validitetin e saj. Dhe janë të qarta fare mirë qëllimet e martesës, e që janë bashkëjetesa dhe krijimi i pasardhësve.

       Ekzistojnë definicione të ndryshme mbi martesën që teoricientë të ndryshëm kanë dhënë për të.

      “Qëllimi më i lartë i femrës në bashkësi martesore, veçanërisht në shoqërinë shqiptare tradicionale, ishte lindja e fëmijëve. Martesa konsiderohej ngjarje shumë e rëndësishme familjare, sepse sillte fat dhe sidomos pasardhës dhe krah të ri të punës, ishte faktor i kontinuitetit të familjes dhe të ekonomisë shtëpiake. Martesa përcaktohet si bashkim i dy individëve të rritur (burrit dhe gruas), i njohur dhe i miratuar nga shoqëria në mënyrë zyrtare ose zakonore. Kur dy individë martohen, ata bëhen të afërm me njëri-tjetrin dhe formojnë familjen. Lindin fëmijët, të cilët e forcojnë lidhjen martesore, e vazhdojnë apo trashëgojnë familjen, e ruajnë bashkësinë njerëzore dhe i plotësojnë humbjet në popullatë (zëvendësim i brezave) që i shkakton vdekja”. (Mimoza Dushi, demografe)

      Ekzistojnë edhe koncepte të tjera mbi nocionin e martesës, mbi vlerën dhe rolin që ka ajo në ndërtimin dhe zhvillimin e njerëzimit dhe përfundimisht mund të themi se roli i martesës është shumë i rëndësishëm dhe tejet produktiv në ciklin zhvillimor të brezave të shëndoshë.

Ç’është familja?

      Edhe për familjen janë dhënë shumë definicione dhe koncepte. Familja në sociologji vazhdimisht është trajtuar si grup shoqëror. Dhe kemi parasysh se ekzistojnë teori e funksione të ndryshme mbi familjen, si një institucion shumë i rëndësishëm për zhvillimin njerëzor.

      “Familja është institucion bioemocionalo-socioekonomik që përbën bazën e çdo shoqërie”. (Mimoza Dushi, demografe)

      Aristoteli e konsideronte familjen si bërthamë të shoqërisë, ndërsa i ashtuquajtur “Kumbar i Sociologjisë” Ogys Konti, gati 22 shekuj pas Aristotelit, familjen e trajtoi si qelizë themelore të shoqërisë.

      Lidhja e dy individëve me gjini të kundërt bazohet në marrëdhënie seksuale dhe raporte sentimentale bashkëshortore dhe kjo mbanë të shëndoshë një familje. Ka teori të ndryshme që flasin për familjen, si ajo funksionaliste, interaksioniste, evolucioniste etj.

      Gjithashtu në këndvështrimin sociologjik njihen edhe një numër funksionesh të familjes, prej tyre është funksioni biologjik, funksioni ekonomik, funksioni socializues etj, që të gjitha këto flasin dhe trajtojnë familjen në rrafshe, role e karaktere të ndryshme.

      Por tek ne në Kosovë familjen e kemi patriarkale që përbëhet nga burri, gruaja dhe fëmijët, dhe karakterizohet nga pozita dominante e burrit në familje, e që për mendimin tim patriarkalizmi është më ideal se të qenurit një familje konjugale, pra kur kemi të bëjmë me raporte të barabarta në mes të anëtarëve të një familjeje. Edhe pse në Kosovë janë të pakta këto raporte apo elemente konjugale, por unë personalisht e vlerësoj dhe e shoh shumë ideale që në një familje të jetë funksional patriarkalizmi.

      “Ndër shqiptarët ekzistojnë dy lloj familjesh patriarkale: familja e madhe dhe familja e vogël. Familja e madhe përbëhej nga prindërit me dy djemtë e tyre të martuar dhe me nipërit e mbesat, që do të thotë se përbëheshin nga disa gjenerata apo nga disa familje të vogla. Familja e vogël kryesisht ka numër më të vogël të anëtarëve, mirëpo ka pasur raste kur kjo familje ka mund të ketë edhe 12 anëtarë e më shumë anëtarë (p.sh. prindërit me dhjetë fëmijë)”. (Mimoza Dushi, demografe)

      Prej produktivitetit të zhvillimit të cikleve martesore është edhe zgjerimi i farefisnisë, e që nënkupton lozën e pasardhësve, e cila krijohet si rezultat i marrëdhënieve intime në familje.

Mbrojtja dhe lufta për të drejtat e femrës

 

      Femra në përgjithësi, në veçanti ajo shqiptare, në shumë kohëra dhe vende të ndryshme shtypej dhe diskriminohej dhe arsyet për këtë ishin nga më të ndryshmet. Gjithmonë kishte nevojë për mbështetje dhe përkrahje, jo vetëm morale por edhe institucionale, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, duheshin zëra dhe iniciativa kolektive e organizative feministe që femrës t’i ktheheshin disa nga të drejtat prej të cilave ajo privohej padrejtësisht.

      “Feminizmi është lufta për të mbrojtur dhe për t’i zgjerar të drejtat e grave”. (Anthony Giddens, sociolog)

Lëvizjet feministe

      Lëvizje feministe kishte në shumë vende dhe zhvilloheshin e sfidoheshin në mënyra të ndryshme, por feminizmi në Europë, Francë e SHBA mbetët model i feminizmit.

      “Një nga veprat më të hershme që parashtronte ide feministe ka qenë libri i Mary Ëollstonecraft-it “Mbrojtja e të Drejtave të Grave”, i botuar për herë të parë më 1792. Kuvendi i parë mbi të drejtën e femrave u mbajtë në Ëesleyan Chapel në Seanca Falls, Nju-Jork me 19-20 korrik 1848, ku morrën pjesë mbi 300 gra e burra. Gratë formojnë Shoqatën Shtetërore për Votën e Grave dhe vazhdojnë aktivitetet e tyre për të drejtën e votës për gratë. Konferenca e Dytë e Gruas, e mbajtur në Kopenhagë me 1980, vazhdimësi e konferencës së parë. Konferenca e Tretë e Gruas, mbajtur në Nairobi (Keni) më 1985 mbi Strategjitë e së Ardhmes për Përparimin e Gruas. CEDAË-ja sot numëron 185 shtete anëtare të cilët janë të obliguara që çdo katër vjet, gjatë seancave që mbahen dy herë në vit, të raportojnë për kërkesat e grave, në mënyrë që të përmirësojnë pozitën e tyre në territore të ndryshme. Gjatë periudhës së Revolucionit Francez të vitit 1789, në Paris, dhe në disa qytete tjera të Francës, u formuan disa klube grash të frymëzuara nga idealet e lirisë dhe të barazisë. Klubet ishin vende takimi, ku gratë përgatitnin programe politike për të drejta të barabarta në edukim, punësim dhe qeveri. Udhëheqësja e njërit prej klubeve në këtë kohë ishte Marie Gouze, e cila më 1791 hartoi dhe publikoi një deklaratë të titulluar “Deklarata për të drejtat e njeriut dhe të qytetarit”.(Mimoza Dushi, demografe)

      E shumë iniciativa, organizime, projekte e ide feministe nga të dyja gjinitë filluan dhe u përhapën shumë shpejt nëpër botë, në veçanti në ato vende ku zëri i femrës ishte më i vogël, ku të drejtat e saja ishin të privuara dhe shumë herë shkelej e diskriminohej dhe pak ndihmë e përkrahje i ofrohej.

      Por sfida nuk kishin vetëm femrat në Europë e SHBA, por edhe në Ballkanin tonë jugor, respektivisht tek shqiptaret, ku femra shqiptare në shoqëri dhe në krijimin e familjes kishte një rol tejet të vogël dhe të kufizuar.

      Në vazhdim do të bëjmë një elaborim në lidhje me rolin dhe sfidat e femrës në shoqërinë tonë shqiptare drejt krijimit të familjes.

Roli i femrës shqiptare në krijimin e familjes

      Pasi që kemi paraqitur konceptin e martesës dhe familjes, tani na intereson të dijmë për rolin e femrës shqiptare në këto dy drejtime.

      “Qëllimi më i lartë i femrës në bashkësi martesore, veçanërisht në shoqërinë shqiptare tradicionale, ishte lindja e fëmijëve. Martesa konsiderohej ngjarje shumë e rëndësishme familjare, sepse sillte fat dhe sidomos pasardhës dhe krah të ri të punës, ishte faktor i kontinuitetit të familjes dhe të ekonomisë shtëpiake”. (Mimoza Dushi, demografe)

      Shumë njerëz në botë, për dallim nga kulturat, njohuritë dhe besimet e ndryshme që i kanë, martesën e shohin si zgjidhjen dhe metodën më të mirë drejt krijimit të familjes, shtimit të brezave dhe plotësimit të nevojave njerëzore, por jo të gjithë. Ka prej atyre që i japin përparësi bashkëjetesës, e që ndryshe quhet si martesë kohabituese, apo abortin e bëjnë pjesë të planifikimit familjar. Është planifikimi familjar i servuar nga kulturat e huaja perëndimore ai që sot shumë të rinjve ua ka ndërruar stilin dhe planifikimin e krijimit të bashkëshortësisë. Na intereson të dijmë gjithashtu në shoqërinë kosovare se si ka rrjedhë procesi martesor, konkretisht të shohim në vazhdim për numrin e martesave dhe moshës mesatare të hyrjes në martesë.

      “Numri më i madh i martesave, i arritur ndonjëherë në shoqërinë kosovare, është pas Luftës së Dytë Botërore, ku shënohen 11.3 lidhje martesore në çdo njëmijë banorë”. (Mimoza Dushi, demografe) Ndërsa në kohët e sotme fatkeqsisht shohim një numër të reduktuar të martesave dhe një rritje të shkurorëzimeve.

      “Në vitin 1960 mosha mesatare e hyrjes në martesë ka qenë 23.8 (21.8 për femrat dhe 25.7 për meshkuj)”. (Mimoza Dushi, demografe) Edhe pse ka pasur disa raste kur janë martuar në moshë të re adoleshence 15-16 vjet.

      “Ende i hasim martesat e vajzave të shkollave të mesme të cilat nuk i kanë mbushur 18 vjet”. (E përditshmja Koha Ditore, dt. 11.6.2006, f. 9)

      Gjithashtu përveç hyrjes në martesë, në bazë të një hulumtimi të bërë për moshën e nënës, na del që shumë femra të mitura që në kohë adoleshence pas martesës janë bërë nëna me fëmijë.

      “Femra në grup moshën 15-19 vjet, të përfshira në hulumtim, kanë realizuar dy lindje të gjalla”. (Mimoza Dushi, demografe) Janë bërë shumë hulumtime në lidhje me rrjedhën dhe procesin e lindshmërisë së femrës shqiptare, konkretisht për numrin e përgjithshëm të femrave që kanë lindur në martesa e që këto kanë të bëjnë me trendin e natalitetit të popullit tonë.

      “Sa i përket intervalit protogjenezik, hulumtimi nxorri në pah se nga numri i përgjithshëm i femrave që kanë lindur në martesa, 54,6% lindjen e parë e kanë realizuar brenda vitit të parë; mesatarja e këtij intervali është 18,5% muaj, ndërsa vlera më e përsëritur në seri (modusi) është 12 muaj. Ky fakt tregon se motivacioni për pasardhës është ende i fuqishëm. Përtëritja e popullsisë zhvillohej shumë joracionalisht, sepse ekuilibrimi demografik arrihej me humbje të mëdha njerëzish. Në këtë periudhë, në mes viteve 1911 – 1940, nataliteti mesatarisht sillej 40.4 promilë në vit, do të thotë se kishte vite kur kjo normë ishte nën apo mbi këtë vlerë, varësisht nga ndikimi i faktorëve të jashtëm. Gjatë Luftës së Parë Botërore, përkatësisht në vitin 1915, ishte regjistruar norma më e ulët e natalitetit (vitet 1911 – 1940), vetëm 27.7 promilë, ndërsa më e larta menjëherë pas kësaj lufte, në vitin 1912, duke arritur nivelin në 52.1 promilë”. (Mimoza Dushi, demografe)

      Ndërsa një hulumtim tjetër thotë se 23.000 fëmijë kosovar në vit shkojnë në shkollë fillore, pra numër shumë më i vogël në krahasim me të kaluarën. Këto pra ishin proporcionet e lindshmërisë – natalitetit. Dhe kuptohet se femra shqiptare kishte një rol tejet të rëndësishëm dhe kyq në krijimin e familjes së shëndoshë edhe përkundër sifdave dhe barrierave, ajo gjithmonë ishte dhe mbetet shtyllë dhe themel i shoqërisë, faktor me ndikim në ciklin zhvillimor njerëzor. Shpresojmë që edhe mbështetja dhe investimet institucionale të mos mungojnë së inkurajuari femrën shqiptare që t’u shmanget dhe të shpëtoj nga trafikimet dhe skllavërimet karshi saj, t’u ik dukurive devijante dhe t’i qaset sferave arsimore drejt ndërtimit të personalitetit, të bëhet një nënë e ndershme dhe punëtore e denjë që t’ua zbardhë fytyrën dhe imazhin shoqërisë së saj.

 

Trajtimi i femrës shqiptare në Kanunin e Lekë Dukagjinit

 

 

      Gruaja shqiptare nëpër shekuj është trajtuar në forma dhe mënyra të ndryshme. Shumë batica dhe zbatica kanë rënë mbi të, shumë “të reshura” të fateve të ndryshme të kësaj jete janë derdhur mbi të, kohë pas kohe, fazë pas faze, sfidë pas sfide, ishte një kohë kur gjykohej me normat zakonore – kunanore, kur dihet se tek shqiptarët një kohë funksiononin normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjerësi. Edhe pse edhe sot shumë familje nuk njohin ndonjë ligj apo traditë tjetër pos Kanunit të Lekë Dukagjinit.

 

      “Edhe pse njihen disa lloje të Kanuneve, si p.sh: 1.Kanuni i Skënderbeut ose Kanuni i Arbërisë, 2.Kanuni i Lekë Dukagjinit, 3.Kanuni i Labërisë, 4.Kanuni i Lumës, 5.Kanuni i Maleve etj”. (Mimoza Dushi, demografe) Kanuni i Lekë Dukagjinit dominoi dhe shumë familje udhëhiqeshin nga normat e tij.

      “Fjala kanun ka prejardhje nga fjala latine canon, që e ka kuptimin e dispozitës, rregullorës”. (Mimoza Dushi, demografe)

 

      Por femra shqiptare nën hijen e këtij Kanuni nga shumë njerëz është shikuar me syrin kritik dhe është vlerësuar dhe karakterizuar si përbuzje dhe degradim i dinjitetit të femrës, ndërsa nga disa të tjerë është shikuar me syrin e vlerësimit pozitiv dhe emancipimit të femrës.

 

      “Ajo që e ngarkonte edhe më tepër pozitën e saj ishte zbatimi i normave të Kanunit të Lekë Dukagjinit, që e konsideronte femrën si diçka të dorës së dytë”. (Mimoza Dushi, demografe)

 

      Se a konsiderohej femra si diçka e dorës së dytë apo jo, e që kjo ndikonte edhe në krijimin e familjes dhe zhvillimit të të drejtave të femrës në shoqëri, do të shohim në vazhdim se çfarë trajtimi i kishte dhënë Kanuni i Lekë Dukagjinit femrës shqiptare në disa të drejta të saj, e që faktikisht Kanuni ia merrte ato të drejta nga duart e saj.

 

E drejta e gruas mbi fëmijët e saj

 

      Në familjen patriarkale, gruaja nuk kishte kurrfarë të drejta mbi fëmijët e vet; të gjitha i gëzonte babai. “Gruaja fare tagrit s’ka as mbi të bijt as në shtëpi”. (Kanuni i Lekë Dukagjinit përmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi) Nëna kishte vetëm lidhje morale me fëmijë.

 

E drejta e trashëgimisë

      “Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, as më plang, as në shpi, – kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi. Prindja s’mendon per pajë as per kurrnji send per vajzë të vet. Kanuja njef për trashegues djalin e jo vajzën. Baba edhe në mos pasët djelm, nuk mundet me u lane bijave as tokë, as plang, as shpi”. (Kanuni i Lekë Dukagjinitpërmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi)

E drejta e fejesës

      “Në fejesë varzash do të shikjohet: a) Të mos jetë gjak e gjini; b) Të mos jetë të njij fisit; c) Të mos të jetë mesë fisit të djalit, qi do me e nxanë; d) Të mos të jetë grueja e lshume; e) Të mos të ketë kumari: 1) në të peshuem në derë të Kishës; 2) në kunorë; 3) në të marrun të flokvet; 4) të mos të jetë vllaznue me gjak të pim. Kanuja s’e ban fejesen e martesen, kur të ndermjetson ndalimet e naltpermenduna, edhe në katerqind breza me kenë (me gabue kush kundra këtyne ndalimeve, fisi i vet e giobitë, e qillon qi edhe shpin i a djegë)”. (Kanuni i Lekë Dukagjinit përmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi)

E drejta e të ankuarit në rast të ushtrimit të dhunës

 

      “Me rrahë burri gruen, nuk bie në faj kah kanuja, e as prindja s’mund t’a kerkojn të rrahmen”. (Kanuni i Lekë Dukagjinit përmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi)

E drejta e zgjedhjes së bashkëshortit të jetës

 

       Sipas zakoneve fejesa nuk mund të kundërshtohej. Kundërshtimi i saj ishte mospërfillje e zotit të shtëpisë, gjë që nuk tolerohej. Në rast se vajza nuk donte të martohej me të fejuarin që i ishte caktuar, atë e jepnin me dhunë me “nji fishek në shpinë”. (Kanuni i Lekë Dukagjinitpërmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi)

      Duke i marrë parasysh të gjitha këto dhe citate e norma tjera kanunore karshi femrës, në shumë të drejta të saj, sidomos kur është fjala tek e drejta e krijimit të familjes – bashkëshortësia, lirisht mund të konkludojmë se Kanuni i Lekë Dukagjinit femrës nuk ia kishte dhënë pozitën dhe vlerën që e meritonte dhe kjo ndikonte negativisht edhe në formimin dhe forcimin e një familjeje të shëndoshë nga ana e saj.

Femra shqiptare në shënjestër të vrasjeve dhe dhunimeve

Trajtimi i tyre

      “Në Kosovë, numri i femrave të dhunuara sipas statistikave kap shifra të ndryshme varësisht nga organizatat e ndryshme të cilat kanë bërë hulumtime në këtë drejtim. Ato shifra sillen nga dymijë deri në dhjetëra mijëra! Unë, gjatë punës sime me Organizatën Joqeveritare “Jeta në Kastriot” mund të flasim për 2018 femra të dhunuara për të cilat përveç dëshmive gojore, videoxhirimeve, dëshmive me shkrim dhe fotografive kemi edhe raportet e mjekëve: gjinekologë, infektologë, neoropsikiatër, si dhe raportet mujore të të gjithave së bashku për ta konstatuar gjenedjen e tyre momentale si dhe diagnozat e secilës veç e veç bashkë me tërapinë e përdorur. Mosha e këtyre femrave është kryesisht e re duke filluar nga 14 e deri të 44 vjeç. Ne, përveç se i vizitojmë së paku një herë në muaj dhe kontrollojmë gjendjën momentale te tyre, vazhdimisht kujdesemi që 209 prej tyre të cilat janë në gjendje më të rëndë shëndetësore t`iu sigurojmë barna dhe ilaçe të nevojshme. Poashtu saherë na jipet rasti ushtrojmë ndikimin tonë mbi organizatat e ndryshme qofshin ato të huaja apo vendase, qeveritare apo joqeveritare në mënyrë që të kuptohet domosdoshmëria e ndihmimit dhe trajtimit të kësaj kategorie të braktisur nga shoqëria! Prej rreth 24.000 të vrarëve gjatë luftës në Kosovë 31.2 për qind janë femra të të gjitha moshave dhe në bazë të të dhënave tona vetëm 1,3 për qind nga numri i përgjithshëm kanë qenë në moshë të shtyer. Ndërsa tek ata që kanë përjetuar trauma të të gjitha llojeve, problemet e shëndetit mental janë tejet aktuale. Sipas hulumtimeve tona të bëra pas luftës, del se 62 për qind të të hulumtuarëve kanë qenë buzë vdekjes, 49 për qind viktima të torturave apo abuzimit, 42 për qind të ndarë nga familjet e tyre, 26 për qind kanë përjetuar vrasjën e ndonjë anëtari të familjes apo farefisit, 10 për qind kanë qenë të burgosur dhe 4 për qind të abuzuar seksualisht”. (Autorja Luljeta Selimi)

      Pra siç po e shohim se femra shqiptare gjatë luftës së fundit ishte në shënjestër dhe e sulmuar nga regjimi serb, e torturuar dhe e dhunuar, gjë që pasojat ishin të mëdha. Por në anën tjetër edhe kujdesi e trajtimi nuk mungoj, dikujt i ra ndër mend edhe pse duhet një përkrahje edhe më e madhe e tyre dhe e familjeve të tyre nga institucionet përgjegjëse e jo vetëm përkrahje morale, por edhe financiare e institucionale.

Dhuna e ushtruar

      “Dhunimet sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Statutit të Tribunalit të Hagës, janë vepra penale, të cilat radhitën në Krime kundër njerëzimit. Sipas Statutit të Tribunalit të Hagës (neni 5) dhunimet janë krime kundër popullsisë civile të cilat kryhen në konfliktet e armatosura, qofshin ato ndërkombëtare apo të karakterit të brendshëm. Një ndër format më të rënda të krimit kundër njerëzimit, të cilën e ka përdorur regjimi serb ishte edhe dhunimi masiv i femrave shqiptare. Kjo formë e dhunës është përdorur si mjet lufte dhe ka qenë e planifikuar nga vetë shteti serb, si dhe është kryer në forma të ndryshme. Në këto raste nuk mund të flitet vetëm për cenim të integritetit fizik dhe psiqik të femrës, por para së gjithash edhe për cenim direkt të integritetit moral dhe shpirtëror të popullit, për këtë edhe kjo formë e dhunës dënohet me të gjitha rregullat ndërkombëtare”. (Mentor Neziri, jurist i diplomuar)

      “Dhunimet seksuale të cilat forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe i bënë kundër femrave shqiptare, kanë pasur karakter poshtrues, politik, hakmarrës, si dhe kanë pasur karakter të thyerjes morale dhe shpirtërore të popullit shqiptar”. (Autorja Luljeta Selimi)

      Pra edhe dhuna e ushtruar si ajo seksuale – fizike, psiqike, morale e shpirtërore, ndikuan shumë rëndë në integritetin e femrës shqiptare, e cila trajtohej gjatë regjimit serb si vegël dhe objekt kënaqësie dhe kjo dhunë e ushtruar me gjithë pasojat që la pas vete, tortura, keqtrajtime e dhunime, të gjitha këto ndikuan që femrës t’i vështirësohet rruga drejt krijimit të familjes.

Rrëfime të femrës shqiptare që të mbulojnë me trishtim e pikëllim

 

Plagët e Cigares

 

      “R.N.-në nga rrethi i Prishtinës, pas mbarimit të luftës e kishin gjetur të lidhur në lokalet e Fakultetit Juridik. Ajo muaj të tërë nuk e kishte marrë vetën. Herë pas here kur i vinte vetëdija, ishte e thyer shpirtërisht. Qante dhe fillonte rrëfimin e saj të tmerrshëm… “Pasi më nxorën nga shtëpija, më dërguan drejt në lokalet e Fakutetit Juridik. Aty më futën në një zyrë të profesorëve dhe më vunë prangat e më mbanin tërë kohën të lidhur. Nuk më kujtohet sa ditë me radhë nuk kam ngrënë asgjë. Për çudi nuk kisha uri, por vetëm etje edhe atë etje të madhe. Nga nevoja për ujë më ishin qarë e përgjakur edhe buzët. Pas disa ditësh, kur më morën gjoja në pyetje, njëri nga barbarët serbë më urdhëroi të zhveshëm. Unë refuzova. Njëri nga policët më ra shuplakë dhe përnjëherë më pëlciti gjaku nga buzët e shkrumuara. Tjetri nga “bosët” mu afrua dhe mori nga buzët e mia me gisht gjakun dhe e lëpiu. “Si duket, të gjitha shqiptaret e kanë gjakun e ëmbël, dhe unë me këtë thikë, do t’i shijoj të gjitha…” tha me ironi, dhe me thikën e cila vezulloi para syve të mi, filloi të mi prente rrobat, një nga një dhe… për një moment mbeta e tëra lakuriq. Tentova të bëja diçka, por isha e pafuqishme. Dy nga ata më mbanin, ndërsa njëri më dhunoi. Rezistenca ime e vetme, ishin disa gërvishje me thonjë në fytyrën e dhunuesit… ”Do ta paguash shtrenjtë këtë, ti dhe shqiptaret tjera që janë këtu, si dhe të gjithë ata që do të mbesin në Kosovë” më tha paksa i hidhëruar, ndërsa njëri nga dhunuesit sërish më lidhi dhe më la ashtu lakuriqe, ashtu si isha e rrahur dhe e dhunuar… Pas pak çastesh, ai e urdhëroi njërin nga kolegët e tij t’ia ndiznin cigaren. Më ofroi edhe mua një cigare… Ndihesha aq keq sa që për çdo sekond në vijim më bëhej se vinte e më lëshonte fuqia. Pasi pushoi pak, u afrua dhe më tha: ”Me quajnë Nenad Stojanoviq, dhe nga unë do ta kesh një kujtim që do të shoqërojë tërë jetën. Ndoshta ti do të dëshirosh të jetosh jetën si e re dhe e bukur që je, por unë nuk do të lë gjatë kështu. Do të të vras ngadalë-ngadalë…” dhe ma ofroi cigaren mbi gjinjtë e mi dhe e fiku atë duke më shkatuar plagë të rëndë të djegies. Pastaj e ndezi cigaren tjetër dhe sa herë donte ta fikte cigaren, e fikte në trupin tim atë, dhe më digjte pak nga pak. Ashtu ma dogji trupin për disa orë. Ishte një mizori e përcjellë me dhimbje ofshamë e britma, ishte një torturë nga më të tmerrshmet që nuk e kisha parë as në filma e as nuk kisha mundur të paramendoja se “njeriu” mund të veprojë ashtu kundër njeriut, pa qoftë ai edhe armiku më i madh! Natën që pasoi mi zgjidhën duart dhe disa veta, të tjerë më dhunuan me radhë. Nuk e di saktësisht sa vetë kanë luajtur me trupin tim, por sot e shoh se në tërë trupin tim ka me qindra plagë që më kanë mbetur nga djegiet me cigare, dhe nga thikat e tyre që prenin e shkruanin fjalë në trupin tim…” R.N. e ndërpreu rrëfimin, sepse emocionet ishin të rënda për një rrëfim të tillë dhe filloi të ofshajë duke qarë. Për R.N. jeta ka një kuptim të hidhur sepse ajo mban vulën e cigares nga ato ditë prilli të thyer të vitit 1999”. (Autorja Luljeta Selimi)

      Ky pra ishte njëri ndër krimet më të ç’njerëzishme të regjimit serb ushtruar kundër femrave shqiptare, e që nuk janë të rralla femrat që janë dhunuar kësisoji. Mbesim me shpresë që drejtësia e vërtetë të fiton, fajtorët ta marrin dënimin e merituar dhe femra shqiptare të mos vazhdoj e gjunjëzuar, por të ngritet sepse me ngritjen e femrës, ngritet i gjithë populli.

      Përfundimisht mund të konkludojmë se martesa mbetët shtytësi kryesor drejt krijimit të një familjeje të shëndoshë dhe nuk njohin vizionarët e urtë tjetër rrugë drejt krijimit të familjes pos nëpërmjet martesës.

      Drejt femrës shekuj me radhë ushtroheshin diskriminime dhe keqtrajtime të ndryshme, duke filluar nga privimi i shumë të drejtave dhe ishte kjo ajo që i shtynte femrat t’i kërkonin të drejtat haptazi me metoda organizative nëpër institucione të ndryshme dhe rezultati në shumë raste u arritë pozitivisht.

      Femra shqiptare edhe pse me sfida e kushte të vështira, e luajti rolin e vet në krijimin e familjes, breza të tërë erdhën në dritë dhe falë shumë mundeve e përpjekjeve ajo sot e gëzon një status mesatarisht të mirë martesor.

      Dhe ishin shumë faktorë që ndikuan në trajtim jo të barabartë të femrës me burrin në marrje të të drejtave, prej tyre ishte Kanuni i Lekë Dukagjinit, ku shumica dërrmuese e normave të tij degradonin dhe shkelnin statusin dhe të drejtën e femrës për një jetë të mirëfilltë me të gjitha të drejtat që i takojnë e që janë të garantuara sot edhe në OKB dhe në të gjitha konventat ndërkombëtare.

      Sfidë pas sfide, ishte koha e pushtimit të regjimit serb ku femra shqiptare ishte në shënjestër të vrasjeve dhe dhunimeve, ku mbi femrën e ndershme dhe të pafajshme shqiptare orvateshin sulme që në rast rrëfimi të tyre të trishtojnë dhe të pikëllojnë.

      Shpresojmë në një të ardhme më të ndritshme të femrës shqiptare drejt rrugëtimit të saj në krijimin e familjes.

Autor: Labinot Kunushevci

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 3108