Pejgamberi (lavdia dhe paqja qofshin mbi të) na ka dhënë një udhëzim të çmuar për jetë të begatë dhe të mbushur me mirësi:“Lidhja e farefisnisë, sjellja e mirë dhe fqinjësia e mirë ndërtojnë vendbanimet dhe shtojnë jetëgjatësinë.”
(Sahih, transmeton Aishja r.a. – i saktësuar nga sh. Albani, Allahu e mëshiroftë)
قال رسول الله صلى الله عليه وسلم« صلةُ الرَّحمِ، وحُسنُ الخُلُقِ وحُسنُ الجِوارِ، يُعمِّرانِ الدِّيارَ، ويَزيدانِ في الأعمارِ.»الراوي : عائشة أم المؤمنين | المحدث : الألباني | المصدر : السلسلة الصحيحة
Ky hadith profetik është një thesar i pasur me urtësi që ndërlidh ndërveprimet tona shoqërore me cilësinë e jetës dhe bekimet që marrim në këtë botë.
Le ta ndalemi në secilën prej këtyre tri shtyllave:
1. Lidhja e farefisnisë (صلة الرحم)Lidhja me të afërmit është një obligim që nuk duhet neglizhuar. Islami i jep rëndësi të jashtëzakonshme familjes, si bazë e shoqërisë. Kur ruajmë marrëdhëniet me gjakun tonë në të vërtetë jemi duke ruajtur themelet e shoqërisë, duke përhapur dashuri, mëshirë dhe harmoni. Moskujdesi ndaj tyre është shenjë e dobësisë shpirtërore, ndërsa lidhja me ta është burim i begatisë dhe mburojë nga mjerimi.
2. Sjellja e mirë (حسن الخلق)Sjellja e mirë është përshkrimi më i dashur tek Allahu. Pejgamberi (lavdia dhe paqja qofshin mbi të) ka thënë: “Njeriu me sjellje të mirë do të arrijë gradën e atij që falet natën dhe agjëron ditën.” (Tirmidhi)Një fjalë e mirë, një buzëqeshje, një zemër e pastër, janë veprime të thjeshta që lënë gjurmë të thella. Sjellja e mirë është pasqyrë e besimit të fortë dhe një nga shenjat më të dukshme të suksesit të brendshëm të një personi.
3. Fqinjësia e mirë (حسن الجوار)Fqinjësia në Islam është aq e rëndësishme saqë Pejgamberi tha: “Xhibrili vazhdoi të më këshillojë për fqinjët, derisa mendova se do ta bënte trashëgimtar.” (Buhariu dhe Muslimi)
Fqinjësia e mirë është urë që lidh zemrat, paqëson lagjet, dhe e bën jetën më të lehtë. Të mos shqetësosh fqinjët, të jesh i ndihmshëm, i respektueshëm dhe i durueshëm, është rrugë drejt kënaqësisë së Allahut dhe shoqërisë së harmonishme.
Burimi:-Imam el-Mubarekfuri, Tuhfetul-Ahvedhi-El-Munavi, Fejdul-Kadir
Hoxhë Agim Bekiri 29/04/2025