Jeta, me gjithë gëzimet, sprovat dhe kthesat e saj, nuk është veçse një rrugëtim i ndërtuar mbi dy shtylla të thjeshta por thelbësore: qëndrime dhe kujtime.
Dy fjalë të shkurtra, por me peshë aq të madhe, saqë mund të përmbledhin gjithë rrëfimin tënd si njeri.Çdo situatë, çdo takim, çdo fjalë që zgjedh të thuash apo të mos e thuash – është një qëndrim.
Qëndrimi yt ndaj njerëzve, ndaj sfidave, ndaj dhimbjeve dhe ndaj vetes është pasqyra më reale e karakterit tënd. Njerëzit ndoshta nuk mbajnë mend gjithmonë se çfarë the, por kurrë nuk harrojnë se si i bëre të ndihen. Dhe ky është qëndrimi yt në veprim.
Kujtimet nga ana tjetër nuk lindin vetë. Ato janë produkt i drejtpërdrejtë i qëndrimeve që ke mbajtur dikur.
Kur sillesh me dinjitet, butësi dhe drejtësi, lë pas kujtime që nderojnë praninë tënde, edhe kur të mungosh. Ndërsa qëndrimet e nxitura nga zemërimi, egoja apo padrejtësia lënë gjurmë që dhe koha nuk i shlyen lehtë.
Allahu ﷻ thotë në Kur’an:﴿ وَنَكْتُبُ مَا قَدَّمُوا وَآثَارَهُمْ ﴾
“Ne shkruajmë atë që ata kanë bërë dhe gjurmët që kanë lënë pas.” (Jasin, 12)
03/08/2025
Hoxhë Agim Bekiri
